Altin Vorpsi
Burime pranë lojtarit kanë bërë me dije se zgjedhja e parë e Gjergji Muzakës është Flamurtari. Klubi në fjalë, edhe pse po tenton të ulë pagat, përsëri mbetet destinacioni më i mirë për Muzakën. Lojtari në fjalë ka qenë një ndër më të paguarit e kampionatit tonë pasi ka marrë vetëm vjet plot ka 105 milionë lekë
Flamurtari i Ernest Gjokës do të fillojë gjithçka nga Gjergji Muzaka. Burime pranë mesfushorit të talentuar nga Tirana kanë bërë me dije se mes palëve ka vullnet të plotë që marrëdhënia të vazhdojë sërish. Nga a e lojtarit të paktën kuptohet se nuk ka ndërmend të ikë nga Vlora. Dëshira e tij është të qëndrojë në Vlorë, teksa mbi të gjitha këtë bashkëpunim ai e lidh me miqësinë që ka me kreun e klubit.
Paga
Ashtu siç dihet këtë edicion Flamurtari po kërkon që të ulë shpenzimet. Kështu edhe kontrata e reja që do të firmosen do të jenë më të ulëta. Përballë një fakti të tillë Gjergji Muzaka duket se nuk është tërhequr. Duhet thënë se Muzaka është ndër futbollistët më të paguar në Shqipëri, pasi kontrata e tij me kuqezinjtë ka qenë 105 milionë lekë të vjetër për sezonin që u mbyll.
Ofertat
Flamurtari duhet të ketë kujdes pasi në drejtim të Muzakës nuk kanë munguar ofertat. Siç dihet fare mirë, presidenti i Skënderbeut, Takaj, po përpiqet që ta rikthejë mesfushorin në Korçë për të formuar kështu një dyshe ëndrrash në krahësh me Gilman Likën. por vetë lojtari mësohet të ketë thënë se preferon vetëm Flamurtarin. Kuqezinjtë e Vlorës janë përparësi për të.
Mesfushori lë Rumaninë
Oferta e Dinamos së Bukureshtit “tremb” Zeqirin
Nga Rumania vijnë lajme jo të mira për Hair Zeqirin. Ish-mesfushori i Flamurtarit duket se nuk do t’i bashkohet këtë verë skuadrës së Dinamos së Bukureshtit, edhe pse është një lojtar pa ekip. 24-vjeçari nuk rinovoi me ekipin e Flamurtarit, kështu pret që këtë verë të firmosë një kontratë të rëndësishme. Por një gjë e tillë duket se nuk i është ofruar nga ekipi rumun që ka zhgënjyer lojtarin. Zeqiri pasi e bindi trajnerin dhe stafin teknik të skuadrës në fjalë gjatë dy ditëve që u stërvit atje u “arratis” menjëherë kur mori vesh ofertën financiare që i kishin bërë drejtuesit. Agjenti i FIFA-s, Cristea Opria zbuloi dje tërë prapaskenën: “I tërë faji është imi. Për tri orë me radhë u përpoqa që ti mbushja mendjen lojtarit duke i thënë se Dinamo është një klub me traditë por ai nuk deshi të dinte për gjë. Unë i thash se Dinamo ka një projekt ku pagat të ishin nga 2,500 euro deri në 5,000 euro për muaj. Por atij i thashë se klubi donte t’i jepte 10,000 dollarë për muaj!” Kështu zyrtarët e klubit pasi i kishin bërë me dije vendimin e tyre lojtarit, ky i fundit kishte prerë një biletë dhe kishte ikur. Sipas medieve rumune, Zeqiri ka shkuar në Turqi atje ku nuk i mungojnë oferta.
Vendimi
UEFA lë jashtë kupave të Evropës Pas Janinën e Vilës dhe Lilës
PAS Janina do t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv ndërkombëtar, pasi UEFA ka vendosur që të refuzojë licencimin e tyre për pjesëmarrjen në Kupat e Evropës në sezonin e ardhshëm, sepse nuk përmbushin detyrimet financiare të vendosura nga kjo organizatë. Klubi ku luajnë dy futbollistët shqiptarë, Emiljano Vila dhe Andi Lila, mendohej se do të merrte pjesë në Europa League për herë të parë në historinë e vet, pasi u rendit i katërti në fund të këtij sezoni. Por UEFA ka dhënë vendimin që zyrtarizon Skoda Ksanthi si ekipin që do të luajë në Europa League në sezonin e ardhshëm, ndonëse u rendit poshtë PAS Janinës në kampionat. Ndërkohë, UEFA ka përjashtuar edhe kandidaturën e Panathinaikos me të njëjtin motivacion, duke cituar parregullsi në dokumentacionin financiar, për të lenë klubin grek jashtë Europa League në sezonin e ardhshëm.
Francë
Blank është trajneri i ri i PSG
Përfundon një nga telenovelat më të gjata verore në Paris. Loren Blank merr zyrtarisht drejtimin e Paris Saint Germain pas aventurës së Karlo Ançelotit, të cilit iu ndez drita jeshile për t’u ulur në stolin e Realit të Madridit. Kampioni i botës në vitin 1998 rikthehet në drejtimin e një skuadre pasi drejtoi Francën përpara dhe gjatë Euro 2012, ndërsa Reali i Madridit duhet të paguajë 4.5 mln euro për të ndërprerë detyrimet kontraktuale të teknikut italian. Blank ka drejtuar më parë edhe ekipin e Bordosë gjatë viteve 2007-2010, e pranoi ofertën e presidentit Naser al-Khelaifi dhe drejtorit sportiv Leonardo, të cilët gjetën një pikë të përbashkët me agjentin e tij, Zhan-Pierr Bernes duke i hapur rrugën një bashkëpunimi të ri. Kontrata parashikon bashkëpunimin 2-vjeçar me opsion për një vit shtesë në bazë të rezultateve dhe sipas mediave, ajo do të nënshkruhet ditën e hënë. Në këtë mënyrë, Paris Saint Germain i ka dhënë fund një kaluari të gjatë kërkimesh që nisi me Hoze Murinjon dhe vazhdoi me Arsen Venger, Rafael Benitez, Manuel Pelegrini, Roberto Mançini, Gus Hidink, Mikael Laudrup, Andre Vilas-Boas dhe Fabio Kapellon. Në “Parc de Princes”, Blank do të punojë me ndihmësin e tij Zhan-Loui Gase, i cili ka qenë edhe asistent i trajnerit Luis Fernandez gjatë viteve 200-2003 kur ai drejtonte ekipin parisien. 47-vjeçari është shpallur kampion France në vitin 2009 me Bordonë, ndërsa një vit më pas ai arriti deri në çerekfinalet e Champions League me skuadrën zhirondine.