Dita e djeshme për shqiptarët ka qenë një rast i pastër lirie, aty ku e drejta legjitime për të vendosur mbi fatin e vet merr rëndësinë më të madhe se çdo përditshmëri. E kjo ndodh kudo në botë, ku ka qytetari të lirë.
E diela paradite ku qytetet zakonisht boshatisen nga njerëzia ka pasur tjetër atmosferë. Në kryqytet si në çdo rast të rrallë, nëpër rrugë është lejuar parkimi i makinave. Kjo ndodhte nëpër qendrat e shkollave, të kthyera dje në qendra votimi. Dendësia e njerëzve deri afër mesdrekës, duke vlerësuar procesin e votimit dhe si një rast “zbukurimi”, ditë kushtuar hijeshisë nuk e anashkalonte këtë vemendje.
Çiftet e rinj kishin marrë dhe fëmijët përdore, dhe ndoshta njerëzit ishin kurioze të shihnin rreth e rrotull komunitetin që e rrethonte. Diku në hollet e shkollave, e diku tjetër jashtë në oborr vendosur nën çadra dielli shumë të rinj me laptop lehtësonin gjetjen e emrin dhe numrin rendor. Beheshin gati të papërfillshme afishet e listës së emrave ngjitur nëpër dyer e dritare. Këta të rinj të gjendeshin menjëherë në dispozicion, në pak sekonda verifikim me gjithë të dhënat korrekte biografike. Ndërsa, qendrat e votimit të gjitha në standarde, ku në qetësi të plotë, larguar radhave të tmerrshme, procedurat ishin lehtësuar.
Vjollca nga njësia 7 në kryeqytet, thotë se është hera e parë që votonte në këta 23 vjet demokraci. Arsyet e mosvotimit të saj nuk ishin çështje bindjesh, por thjesht përtesa. “M’u duke shumë qetësi, dhe procedura krejt të lehtësuara gjë që nuk e kisha menduar kështu”, thotë ajo. Ylli, bashkë me gruan dhe djalin përdore, sapo del nga qendra e votimit, dhe përshendetje me miqtë, që takon rastësisht duket se i ka dhënë një arsye solemne, familjare këtij momenti të votimit.
Në ndarjet në numra, komisionet të shpërndara në klasa të ndryshe, dhe vëzhguesit përballë, kontrolli i emrit, procedura e përputhjes së numrit të kartës së identitetit, dhe kalimin e procedurës deri në marrjen e fletës dhe njollës në gishtin e madh- kryhen në qetësi të plotë. Ka pak shenja nervozismi, po justifikohet pasi komisioni siç e dimë ka njerëz kundërshtarë politikë mes tyre. Megjithatë procesi deri në hedhjen e fletës në kuti përcillet nga shumë sy. Ikja nga qendra e votimit seç kishte një ritual, njerëzit nuk largohen aq shpejt. Po, kjo nuk do të thotë se po aludojmë për ndonjë gjullurdi. Njerëzit, sigurisht shtërngim duarsh prej miqsh, duket se zgjasnin ca minuta nëpër oborr për t’u pyetur më shumë për jetën, si kohë pa u takuar.
Ndërsa duke u larguar nga disa qendra votimi ka në të shumtën e rasteve, të rinj, që vëzhgojnë nga larg, të qetë por me një energji të domosdoshme se ç’do të bëhet me të ardhmen e tyre? Cili do të jetë lideri?