Merkato, presidenti i Empolit nuk heq dorë lehtë nga Hysaj

0
175

Altin Vorpsi

Elseid_HysajKorsi: Mund të them vetëm se në fund të merkatos, në rast se ka kërkesa të rëndësishme, mund të pranoj transferimin e tij, por vetëm në bashkëpronësi

E ardhmja e Elseid Hysajt do të vendoset në ditët në vazhdim dhe ndoshta pa mbaruar ende kjo javë. Merkatoja e shqiptarëve është futur në fazat më të nxehta dhe kjo, për shkak se koha shpejton dhe do të vijë momenti për të nisur grumbullimet. Mbrojtësi shqiptar 19-vjeçar ka rënë në sy tej mase sezonin e shkuar me fanellën e Empolit, duke zhvilluar ndeshje tepër të mira në Serinë B. Kjo ka bërë që drejtuesit e klubit bardhekaltër, por sidomos Igli Tare, të interesohen për shkodranin, i cili është rritur pikërisht tek bardheblutë e Toskanës, duke e nisur me të rinjtë dhe përfunduar në ekip të parë.

 

Qëndrimi

Presidenti i Empolit, Fabricio Korsi, ka bërë të qartë se Elseid Hysaj nuk do të largohet nga kjo skuadër përfundimisht. Sipas tij, nëse pranohet ndonjë transferim, ai do të bëhet vetëm në bashkëpronësi. “Nuk kam folur me asnjë nga Lacioja rreth Hysajt, por di që futbollisti shqiptar figuron në listën e dëshirave të të paktën dy klubeve të Serisë A. Me Lotiton më lidh një raport respekti, e vlerësoj si një personazh piktoresk, simpatik, me vlera të mëdha dhe me aftësi të mëdha drejtuese të një klubi futbolli. Me sa duket, deri tani nuk ka pasur kohën e duhur për të folur me mua”, – tha Korsi duke nënkuptuar se pret një telefonatë nga Lotitoja për të nisur zyrtarisht negociatat për transferimin e Hysajt.

 

Çmimi

Në fjalën e tij presidenti i Empolit vazhdoi edhe më tej, duke hyrë në detaje. Korsi shpjegoi se çfarë sforcosh financiare duhet të bënte një ekip për të bërë për vetë gjysmën e kartonit të Hysajt.

“Cila është vlera e mbrojtësit tonë? Unë e lexoj nga gazetat, por mund ta them se vlerën e vendos tregu. Mund të them vetëm se në fund të merkatos, në rast se ka kërkesa të rëndësishme, mund të pranoj transferimin e tij, por vetëm në bashkëpronësi”, – përfundoi presidenti i Empolit. “A do të pranoj shkëmbim lojtarësh nga Lacioja? Më kanë pëlqyer disa lojtarë të rinj të tyre më parë, por është e parakohshme të flasim, për sa kohë që nuk kam folur me Lotiton”, – përfundoi Korsi.

 

Jo vetëm Lacio

Skuadra e parë që kishte shfaqur interes që në mbyllje të sezonit sportiv ishte Fiorentina, edhe pse më shumë se një pistë reale, ajo “vjollcë” ishte vetëm një sondazh dhe asgjë më shumë. Pas “vjollcëve”, ishte radha e veronezëve që të merrnin informata për mbrojtësin e krahut, duke shfaqur jo pak interes për të siguruar shërbimet e tij, por vlera e kartonit, vendosur nga Empoli, ia ka penguar negociatat.

 

“Çështja Morina”

Tirana rebelohet ndaj Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve

Vendimi i marrë nga Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve ka zhgënjyer shumë Klub Futboll Tiranën. Ekipi më i titulluar në vend duket se nuk është dakord me vendimin e marrë prej organit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ky i fundit ka pranuar kërkesën e Morinës për t’u larguar nga Tirana, edhe pse kishte një kontratë më këtë klub që i skadonte në 2014. “Paanshmëria është një koncept që lidhet pazgjidhshmërisht me parimin e ligjshmërinë, e barazisë përpara ligjit, kontradiktorialitetin etj., parime të shkelmuara dhe të shkallmuara në mënyrë flagrante, të pashembullt dhe demonstrative nga ky organ i drejtësisë sportive. Ky proces, i cili për nga natyra dhe forma ka qenë tërësisht një farsë, na bën të kemi dyshime serioze mbi profesionalizmin e trupës gjykuese dhe ç’është më e keqja, mbi integritetin profesional të secilit anëtar”, – thuhej në deklaratë. Në njoftimin për shtyp bardheblutë bënë me dije: “Asnjë veprim nuk u krye në mbështetje me legjislacionin vendas sportiv apo civil. Asnjë provë nuk u administrua konform ligjeve në fuqi. Asnjë qëndrim nuk ishte i denjë për një organ që vendos drejtësinë. Në kushtet kur, një lojtar me efekte të plotë i Klubit të Futbollit Tirana braktis, përdhos, denigron fanellën e klubit më të titulluar në Shqipëri, organet juridike të Federatës Shqiptare të Futbollit duhet të ndërmerrnin të gjitha veprimet e duhura procedurale për ndëshkimin e subjekteve pjesëmarrës në këtë akt, qofshin lojtar apo klube; dhe jo të përkrahnin paligjshmërinë. Përkrahja e paligjshmërisë është një veprim që na bën të mendojmë se vendimi i ditës së djeshme të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve ka qenë i paramenduar dhe i paracaktuar gjetkë. Së pari, Klubi ynë arriti të provonte se pretendimet e Mario Morinës ishin të pabazuara. Së dyti, u vërtetua se lojtari nuk ka qenë përpara asnjë shkaku për zgjidhjen e marrëdhënies me Klubin tonë. Së treti, procesi u zhvillua në një klimë surreale, ku gjyqtarët e pranishëm nxituan të përfundonin atë, duke i dhënë udhë padrejtësisë”. Në fund Klub futboll Tirana deklaron se “do të ndërmarrë të gjitha hapat e duhura procedurale për rivendosjen e të drejtave të cenuara nga Dhoma Kombëtare e “Nxitjes” së Konflikteve, duke kërkuar prishjen e këtij vendimi dhe ndëshkimin disiplinor të lojtarit dhe të palëve të tjera”.

 

Shkodër

Bushati lë Vllazninë për shkaqe shëndetësore

Skuadra e Vllaznisë merr një goditje të rëndë në momentin kur duhej të niste përgatitjet për sezonin e ri. Trajneri Artan Bushati detyrohet të heqë dorë nga drejtimi i ekipit shkodran, për arsye shëndetësore. 49-vjeçari ka udhëtuar menjëherë drejt vendit fqinj, Itali, për t’iu nënshtruar analizave më të specializuara dhe më pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, çka do të thotë se nuk mund ta kryejë funksionin e tij të paktën për javët në vazhdim. Presidenti Agron Çela, i cili është kandidati i parë i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Shkodrën, nuk ka dhënë asnjë prononcim nëse do të kërkojë zëvendësimin e Bushatit, por rrethanat e bëjnë shumë të vështirë vijimin e bashkëpunimit sportive. Gjithsesi, më i rëndësishëm mbetet shëndeti i trajnerit shkodran, që do të mund t’i rikthehet trajningut pas disa muajsh. Vllaznia ka programuar nisjen e fazës përgatitore në javën e dytë të korrikut, periudhë e parashikuar edhe për zyrtarizimin e blerjeve të merkatos.

 

Mersin 2013

Peshëngritja i jep dy medalje të tjera Shqipërisë

Ekipi kombëtar shqiptar siguroi dje dy medalje të tjera, një të artë dhe një të bronztë në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”. Është sërish sporti i peshëngritjes që nderon flamurin kuqezi këtë radhë me peshëngritësin Ervis Tabaku në peshën deri 94 kg. Në stilin e shkëputjes 23-vjeçari arriti të ngrinte në provën e tretë 166 kg, duke siguruar medaljen e artë, pasi rivali I tij egjiptian Ragab Abdalla dështoi në provën e tretë ku tentoi të ngrinte lart 1 kg më shumë. Në stilin e shtytjes peshëngritësi shqiptar realizoi në provën e dytë 196 kg, duke siguruar medaljen e bronztë. Në këtë stil medalja e artë I takoi pikërisht egjiptianit Abdalla që ngriti 206 kg.

 

Më këtë sukses të Tabakut ekipi kombëtar shqiptar e çon në 8 numrin e medaljeve të fituara në “Mersin 2013”, ku veçohet pa dyshim performanca e Daniel Godellit, i cili përveçse i siguroi Shqipërisë 2 medalje të arta, theu edhe rekordin e lojërave mesdhetare në peshën 68 kg.