Tërhiqen nga gara kandidatët e pavarur, Prifti akuzon për vjedhje votash, Malaj uron PS-në për fitoren

0
148

Florenc Drizari

priftiPrifti: Do t’i kërkoj KQZ-së rinumërim të votave të Fierit për të parë nëse kam marrë 6 apo 15 dhe 16 mijë

Malaj: Urojmë fituesit e Aleancës për Shqipërinë Evropiane për fitoren

 

Pa u mbyllur ende procesi i numërimit të votave, kandidati i pavarur për deputet në Qarkun e Fierit, Dritan Prifti, akuzoi përfaqësuesit e partive të mëdha politike për vjedhje të votave ndaj tij, ndërsa kandidati tjetër në Qarkun e Vlorës, Arben Malaj, falënderoi mbështetësit përgjatë procesit elektoral të 23 qershorit. Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të dy kandidatët nuk arritën të kapnin pragun për fitimin e një mandati në qarqet përkatëse. Në total numri i votave për Arben Malajn është… ndërsa në Qarkun e Fierit Dritan Prifti ka marrë ….

DRITAN PRIFTI

Në një deklaratë për shtyp që mbajti ditën e djeshme, kandidati Dritan Prifti tha se PS-LSI i kanë vjedhur 50% të votave. Për këtë Prifti deklaroi se do të kërkojë rinumërim të votave në Qarkun e Fierit.

“Bëj tërheqjen zyrtare nga votimi dhe numërimi. Nuk dua të jem pjesë e një farse elektorale të votave të mia dhe forcave të tjera të vogla politike. Komisionerët e PS-së dhe LSI-së janë të angazhuar në vjedhje të hapur të votave të mia, rreth 10 mijë vota më kanë vjedhur. Votat e mia nuk kanë kaluar në kamera dhe monitorë, në procesverbale kanë kaluar si vota të LSI dhe PS”, – tha Prifti.

Sipas tij: “Në fshatin Baltëz, 80 vota të miat u quajtën të vlefshme, 80 të tjera të pavlefshme, pasi sekretari nuk kishte vënë vulën mbrapa fletës së votimit”.

Prifti akuzoi PS-në dhe LSI-në për “vjedhje me përmasa të mëdha të votave” dhe e quajti këtë një krim elektoral. “Votat, – tha ai, – janë vjedhur në mes të ditës dhe në mes të natës”. Dritan Prifti nuk kurseu as akuzat ndaj kreut të LSI-së, Meta. “Ilir Meta është armik politik, por jo personal, kërkoi të gjente vrasës me pagesë për mua, pasi nuk arriti, me dorën e Edi Ramës më nxori jashtë Parlamentit, por një njeri që merr 100 mijë vota dhe i vidhen 6 mijë, nuk mund të më nxjerri nga Parlamenti dhe politika. Do t’i kërkoj KQZ-së rinumërim të votave të Fierit për të parë nëse kam marrë 6 apo 15 dhe 16 mijë”, – deklaroi Dritan Prifti.

ARBEN MALAJ

Nga ana e tij, kandidati i pavarur në Qarkun e Vlorës, Arben Malaj, reagoi një ditë më parë, duke thënë se nuk ka përputhje të votave të numëruara me pritshmëritë e tij. Frika nga presionet për vendin e punës apo biznesin, sipas tij, intimidoi votuesit e Vlorës për të shprehur hapur vullnetin e tyre.

“Fushata negative, presionet ndaj kandidatëve të pavarur, ndjekur nga hezitimi për mbrojtjen e votës janë ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë rezultat të kandidatëve të pavarur dhe partive jashtë koalicioneve”, – tha Malaj. Por pavarësisht rezultatit, ai falënderoi mbështetësit e tij gjatë gjithë procesit zgjedhor.

Arben Malaj bëri thirrje që qeveria e re të marrë përsipër realizimin e premtimeve që dha në fushatë elektorale. Gjithashtu, ai uroi PS-në për fitoren dhe kandidatët e saj në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. “Vendi ynë ka përpara sfida të vështira. Ne shpresojmë që qeveria e re të krijohet sa më parë, sepse ekonomia e vendit gjendet përballë një krize gjithnjë e më të rëndë buxhetore.

Kredibiliteti i zgjedhjeve dhe i qeverisë së ardhshme do të jenë themelore për mbështetjen e reformave të domosdoshme që i nevojiten vendit për të kthyer stabilitetin e financave publike, për të luftuar papunësinë dhe varfërinë.

Urojmë fituesit e Aleancës për Shqipërinë Evropiane për fitoren e arritur, duke shpresuar shumë, që kjo fitore të jetë përgjegjësia maksimale ndaj sfidave të vështira të vendit tonë.

Urimet më të mira deputetëve të Qarkut të Vlorës, duke shpresuar se do ta përfaqësojnë dhe do t’i shërbejnë sa më mire qarkut tonë.

Urimet më të mira për 140 deputetët e vendit tim, duke shpresuar shumë në përkushtimin e tyre të përbashkët për reformat e nevojshme në vend, për të ndalur krizën e rëndë ekonomike që kërcënon të ardhmen tonë dhe për mbështetjen e tyre të pa kushtëzuar për integrimin evropian të vendit”, – thuhet në deklaratën për shtyp të kandidatit Arben Malaj.

 

 

 

Kryetarja e KQZ-së, Lleshi: Vonesa në numërim, e pajustifikueshme

Mesditën e djeshme kryetarja e KQZ-së u bëri thirrje komisionerëve në qendrat e numërimit që të mos pengojnë procesin zgjedhor, duke zgjatur procedurat e numërimit të votave.

Kryetarja Lefterie Lleshi u shpreh se problemi i vetëm që ka nëpër KZAZ është ai i vonesës dhe ndërprerjes së procesit të votimit. Sipas saj, është e pajustifikueshme kjo zvarritje.

“Justifikimi i pushimeve po degjeneron, nuk ka arsye. Kodi parashikon numërim të pandërprerë, prandaj janë grupet rezervë”, – tha ajo.

KQZ kërkoi nga përfaqësuesit e partive politike që ta menaxhojnë si duhet këtë proces dhe të mos pengojnë numërimin e votave.

Duke iu referuar problematikave të krijuara në KZAZ-të 11 (Kukës), 33 (Tiranë) dhe 89 (Vlorë), KQZ u bëri thirrje numëruesve që të zhbllokojnë situatën, të mos e pengojnë procesin dhe të bashkëpunojnë me KQZ-në.

 

Topi: Procesi të mbyllet sa më shpejt

Kryetari i FRD-së, Bamir Topi, reagoi dy ditë pas numërimit të votave, duke vënë theksin tek vonesa me të cilën po shoqërohet procesi në Qarkun e Tiranës, zonë në të cilën ai kandidon.

“Partitë që kanë ndërtuar komisionet zgjedhore partiake, duhet të kenë vullnetin për të vazhduar me numërimin e votave të qytetarëve. Meqë kanë mbetur pak orë nga numërimi, Shqipëria duhet të fitojë stabilitet nga vullneti i popullit që është dhënë. Dëshiroj që ky proces të mbyllet sa më shpejt në funksion të stabilitetit shqiptar”, – deklaroi Topi në një konferencë për mediat.

Bamir Topi, duke u nisur nga tendenca e zgjedhjeve, iu drejtua me një thirrje demokratëve shqiptarë, duke thënë: “Së pari, do doja të inkurajoja vëzhguesit tanë dhe do i bëja thirrje, meqënëse jam pjesë e një formacioni të djathtë, demokratëve shqiptarë se kjo humbje që vjen nga partia në pushtet, duhet të kthehet në moment reflektimi, se vlerat e vërteta që lidhen me qendrën e djathtë ne i kemi shprehur në program”. Gjithashtu, kryetari i FRD-së u bëri thirrje parlamentarëve që do të dalin nga këto zgjedhje, që të realizojnë demokracinë funksionale, në mënyrë që Shqipëria të futet në rrugën e BE-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency