Ervin Kaduku
Përpjekjet kolosale të qeverisë së djathtë sollën një rezultat historik për shqiptarët, tani gazi natyror do të furnizojë edhe shtëpitë dhe bizneset e tyre
Ndonëse vendimi zyrtar pritet të merret nesër (28 qershor), të dhënat paraprake tregojnë se projekti i gazsjellësit TAP (Trans Adriatic Pipeline), një degëzim i të cilit kalon nga Shqipëria është përzgjedhur tashmë nga konsorciumi “Shah Deniz 2” i Azerbajxhanit si projekti fitues, ndaj rivalit Nabucco.
Sipas gazetës greke “Kathimerini”, vendimi i është njoftuar Kryeministrit të Greqisë, Antonis Samaras, nga përfaqësuesit e “British Petroleum” dhe të kompanisë shtetërore azere të energjisë “Socar”, gjatë një takimi të zhvilluar në Athinë.
Lajmi është konfirmuar nga burime të sigurta në Ministrinë shqiptare të Ekonomisë.
Me këtë miratim arrihet një sukses i jashtëzakonshëm, që hap një kapitull të ri për ekonominë dhe familjet shqiptare. Pas punimeve të rrjetit shpërndarës, që do të kërkojnë vite, vendit do t’i shtohet një burim i ri energjie, përveç naftës apo energjisë ujore. Ai është gazi natyror, që, përmes tubacioneve të nëndheshme, mund të hyjë në çdo shtëpi e mund të furnizojë linjat teknologjike të biznesit, duke sjellë një energji të lirë dhe që ndot minimalisht mjedisin.
Kjo është trashëgimia më e vyer e qeverisjes së Partisë Demokratike, e cila ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme që të bindte pronarët e fushës gazsjellëse, qeverinë e Azerbajxhanit dhe kompanitë koncesionare që të eliminonin projektin rival të Nabucco-s. Vetë Kryeministri Berisha ka shkuar më se një herë në Azerbajxhan, duke krijuar madje lidhje personale me kreun e shtetit të atjeshëm, duke ndikuar fuqishëm në miratimin e këtij vendimi jetik, që do të mbahet mend si trashëgimia më e vyer e qeverisjes së djathtë, veç Rrugës së Kombit.
Projekti TAP
Sipas dokumentit që drejtuesit e projektit kanë hartuar në kuadër të një përmbledhjeje të paketës mbështetëse të propozuar për konsorciumin “Shah Deniz” përmenden avantazhet dhe elementët kyç të gazsjellësit TAP.
Në të thuhet se TAP-i siguron një rrugë të drejtpërdrejtë nga kufiri greko-turk deri në Itali, pra është një zgjidhje “One stop shop” me gjurmën më të shkurtër. Përveç sigurimit të një lidhjeje direkte me tregjet kryesore evropiane, ai mundëson burime të shumëllojshme dhe të sigurta furnizimi, të cilat do të sjellin përfitime për vendet e Evropës Juglindore dhe krijon mundësi të reja në Ballkanin Perëndimor, në përputhje me politikën energjetike të BE-së. Sipas raportit përmbledhës, gazsjellësi ndjek një gjurmë të mirëplanifikuar tokësore dhe detare, duke minimizuar rrezikun, ndikimin mbi mjedis dhe komunitetet vendore. Një tjetër avantazh që përmendet është edhe fakti se kapaciteti mund të zgjerohet në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë nga një pikë fillestare prej 10 miliardë metrash kub/vit në 20 mmk/vit dhe më shumë, me kosto minimale. Natyrisht, një garanci më e madhe konsiderohet edhe siguria financiare e aksionerëve.
Po cilat janë arritjet e deritanishme të këtij projekti? Në dokument nënvizohen aspektet më të rëndësishme teknike, si përfundimi i projektimit inxhinierik fillim-mbarim (mars 2013); janë analizuar 10,000 kilometra; është marrë leja mjedisore në Shqipëri (prill 2013) etj. Gjithashtu kanë përfunduar edhe marrëveshjet në rang politik.
Tjetër pikë e fortë e TAP, që nënvizohet nga strukturat drejtuese, është fakti se gazsjellësi prej 867 kilometrash i TAP-it ofron rrugën më të shkurtër për në tregjet evropiane, por edhe të zbatueshëm nga ana tregtare. Duke u lidhur direkt me gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) dhe pastaj duke vazhduar më tej prej kufirit turk, TAP-i ndjek rrugën më të shkurtër të mundshme deri në tregun e dytë më të madh në Evropën Kontinentale, në Itali.
Volumi i gazit i transportuar përmes TAP-it në Itali mund të transportohet më tej, përmes rrjedhjes në drejtim të kundërt fizik ose asaj virtuale, përmes sistemit Trans Austria Gas (TAG) dhe/ose Transitgas për në tregjet e Evropës Veriperëndimore.
Rrugës për në Itali, TAP-i ofron mundësi të shumta për shitësit e gazit, që të sjellin energji në tregjet e zhvilluara të gazit, përfshirë Greqinë dhe Bullgarinë. Sipas drejtuesve të këtij projekti, kjo bëhet edhe për të diversifikuar dhe për të siguruar furnizimin e tregjeve të paprekura në Ballkanin Perëndimor ku furnizimet e reja me gaz janë të shumëkërkuara për ndryshimin e përbërjes energjetike të këtyre vendeve.
Shumë e rëndësishme për projektet e këtyre përmasave është edhe lidhja që ofron (apo daljet) në tregjet e tjera për të diversifikuar portofolin e burimeve. TAP është projektuar me fleksibilitet, duke siguruar lidhjet dhe pikat e mundshme të daljes gjatë korridorit.
Duke u lidhur me TANAP-in do të mund të ndihmojë furnizimin me gaz të vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë, etj. Për më tepër, aksionerët e TAP-it kanë zhvilluar studime fizibiliteti për eksplorimin e mundësisë së krijimit të rezervave të gazit në Shqipëri.
Nga ana tjetër, gjurma e TAP-it, jo vetëm siguron furnizim për tregjet më të cenueshme në Evropën Juglindore, por ofron shanse për furnizimin e tregjeve madhore të gazit në pjesën tjetër të Evropës me burime të reja. Pikërisht për këtë, BE-ja ka deklaruar neutralitetin midis TAP-it dhe projekteve rivale, sepse të dy palët do të përmbushin këto ambicie strategjike. Kjo u nënvizua edhe nga komisioneri i Energjisë me rastin e nënshkrimit të IGA-së në shkurt 2013: “Ky gazsjellës është thelbësor për lidhjen e tregjeve të gazit të Italisë e Greqisë dhe për të sjellë gaz në Shqipëri e mbase edhe te fqinjë të tjerë të Komunitetit të Energjisë. Ai mund të jetë një nga përbërësit e parë të Korridorit Jugor të Gazit që synon të lidhë Bashkimin Evropian direkt me burimet e pasura të rajonit të Kaspikut”.
Fakte kyçe
867 km gjatësia e gjurmës
547 km përmes Greqisë
211 km përmes Shqipërisë
104 në detin Adriatik
5 km në Itali
1.800 metra, pika më e lartë ku kalon TAP në malet shqiptare
810 metra niveli më i thellë në det