Ikën dhe Pejiç, Skënderbeu nuk “kafshon” dot

Altin Vorpsi

peroPejiç: Menaxheri im më telefonoi dhe më tha se kisha një ofertë nga Kina. Mua më vjen shumë keq për atë që po ndodh, por kështu e ka futbolli. Kjo ishte gjëja më e mirë për mua.

Pasi kanë marrë vesh emrin e rivalëve që do të kenë në Ligën e Kampioneve, u duhet që të bëjnë llogaritë mirë me efektet e merkatos. Tek Skënderbeu janë në ankth, pasi po humbin pjesë të rëndësishme të sulmit. Duke qenë se përpara janë dy takime të rëndësishme te Ligës së Kampioneve, ekipi kampion i Shqipërisë që nga dita e djeshme ka vetëm një siguri: përballë Nefçit nuk do të jetë as Sebino Plaku e as Pero Pejiç.

 

Rrëfimi

Burime pranë lojtarit kanë bërë me dije se ka marrë një vendim. Sulmuesi shtatlartë ka vendosur që të largohet nga Skënderbeu, pasi ka marrë një ofertë më të mirë nga Kina. “Dje në mëngjes, menaxheri im më telefonoi dhe më tha se kisha një ofertë nga Kina. Ai më tregoi mua dhe pashë ofertën e cila ishte super, pas kësaj unë fola me presidentin Tani dhe i thashë për ofertën që kisha dhe që doja te largohesha…”, – tha Pejiç.

 

Marrëveshja

Në rrëfimin e tij sulmuesi kroat tregoi edhe disa prapaskena. Ai pohoi se kishte një marrëveshje të pashkruar me presidentin e “ujqërve të dëborës”, Takaj. “Unë kam folur me Tanin (presidentin Takaj) në janar për një kontratë të re dhe ai më premtoi mua që nëse gjejë një ekip jashtë Shqipërisë unë mund të largohesha pa problem, por n.q.s. qëndroja në Shqipëri do të luaja vetëm për Skënderbeun”, – zbuloi kroati.

 

Keqardhje

Në fund të fjalës së tij, Pejiç tregoi keqardhje për lamtumirën që po i jep Korçës dhe skuadrës së Skënderbeut. “Mua më vjen shumë keq për atë që po ndodh, por kështu e ka futbolli. Kjo ishte gjëja më e mirë për mua. Për ekipin e Skënderbeut unë do t’u thosha gjithë të mirat për të gjithë. Për presidentin Takaj, Zeqo, për të gjithë stafin dhe lojtarët. Faleminderit!”, – përfundoi Pejiç.

 

 

Dëmtimi

Kukëli fillon periudhën e riaftësimit

Burim Kukeli duket se po e lë pas dëmtimin e rëndë që pësoi në një ndeshje miqësore me skuadrën e tij, FC Zyrih, dhe ka filluar ushtrimet e para, kryesisht ato fizioterapeutike. Ky është një lajm i mirë për vetë mesfushorin, për Zyrihun dhe kombëtaren shqiptare. Gjakovari u dëmtua më 2 mars të këtij viti, kur po luhej ndeshja miqësore mes Zyrihut dhe Belinzonës. Në minutën 74-t, Kukeli theu këmbën në një duel me kundërshtarin. Më pas ai iu desh të kalojë një operacion mjaft të ndërlikuar. Dy ditë më parë skuadra e tij zvicerane ka filluar përgatitjet për sezonin e ri. Zyrihut i është bashkuar edhe Kukeli, ndonëse është duke punuar ndarazi fizikisht, me stafin mjekësor. Kukeli po ushtrohet për disa kohë edhe në biçikletë dhe duke notuar.

 

Merkato

Mavraj “braktis” Fyrtin: Koha të bëj para në karrierë

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, do të largohet nga Grojter Fyrti këtë verë, mirëpo aktualisht mbetet i panjohur destinacioni i tij i radhës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë futbollisti në një intervistë për kosovaren “Zëri” të martën, duke thënë se gjërat do të qartësohen brenda dy javëve të ardhshme. “Sipas të gjitha gjasave nuk do të mbetem në Grojter Fyrt”, – ka thënë Mavraj për gazetën.

Mbrojtësi kuqezi nuk ka dilema rreth largimit nga Grojter Fyrt, por problem paraqet kontrata dhe interesi financiar i ekipit gjerman, i cili sezonin që vjen do të garojë sërish në Bundesliga II. “Fillimisht jam i detyruar të ulem dhe të bisedoj me zyrtarët e klubit tim, pastaj të vendos për ardhmërinë time. Besoj se do të gjejmë gjuhë të përbashkët dhe që të dy palët të jemi të kënaqura me marrëveshjen që do ta kemi, qoftë ajo për të mbetur apo larguar, që besoj se është edhe opsioni më real”, shtoi mbrojtësi kuqezi. Mirëpo, e vetmja gjë që e “shantazhon” largimin e tij nga Grojter Fyrt duket të jetë shuma e lartë e kërkuar nga ekipi gjerman në emër të dëmshpërblimit. Mavraj (27 vjeç) nuk ka pranuar ta zbulojë shifrën e saktë, mirëpo mediat gjermane kanë raportuar se Grojter Fyrt kërkon 2 milionë euro për kartonin e mbrojtësit shqiptar, shumë kjo e lartë për klubet e interesuara për shërbimet e tij. “Nuk është e drejtë të tregoj shumën që po kërkon Grojter Fyrt për lirinë time, por një gjë mund të them se ajo është goxha e lartë dhe është bërë njëlloj pengese serioze për shumicën e klubeve që janë të interesuara të më transferojnë”, – thotë Mavraj. Megjithatë, ai beson se kjo çështje do të zgjidhet dhe t’i hapet rruga largimit të tij: “Unë shpresoj dhe jam i bindur se ndërkohë do të gjendet një zgjidhje mes meje dhe klubit dhe në fund do të realizohet largimi im. Ka ardhur koha që të shkoj përpara në karrierën time”. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare kuqezi ndërkohë ka thënë se është i vërshuar nga ofertat dhe se janë së paku 7-8 klube të ndryshme nga Italia, Franca dhe Gjermania që po interesohen për të. “Ofertat nuk mungojnë. Madje kam shumë oferta. Ato vijnë nga Italia, Franca dhe Gjermania. Nuk mund të zbuloj emrat e ekipeve për shkak të sigurisë sime, por jam i kënaqur me oferta që kam marrë. Ka mundësi që ditëve në vijim numri i ofertave edhe të shtohet më tepër. Kjo më bën të ndjehem mirë, por edhe të kem mundësi që të zgjedh”, – tha në vazhdim shqiptari i lindur në Hanau të Gjermanisë.

Ai ka mohuar se ka pasur kontakte me Lacion, duke thënë se lajmet për kalimin e tij në ekipin italian ishin vetëm spekulime. “Ka pasur spekulime të shumta se do të shkoj te Lacio, Majnc apo edhe në ndonjë klub tjetër, mirëpo këtu nuk ka pasur asgjë të vërtetë. Thjesht kanë qenë shkrime të gazetave. Por edhe këtyre punëve do t’u vijë fundi shumë shpejt. Mesi i korrikut do të sjellë të reja sa i përket karrierës sime”, – tha Mavraj, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për SV Darmstadt dhe VfL Bochum.

 

Kinë

Salihi shënon dy gola për Jiangsu Sainty

Hamdi Salihi ka realizuar dopietë në ndeshjen e radhës të kampionatit kinez. Ditën e djeshme, sulmuesi shkodran i kombëtares kuqezi ka qenë pjesë thelbësore e fitores së të tijve, me rezultatin 3-0 ndaj Qingado Jonoon. Për Jiangsu Sainty e ka zhbllokuar rezultatin në minutën e 35-të Salihi, duke i dërguar skuadrat në dhomat e zhveshjes me rezultatin 1-0 për vendësit. Në të dytën e ka dyfishuar avantazhin Liu Jianye, në minutën e 63-të, ndërkohë që ka vulosur gjithçka goleadori i njohur shkodran në minutën e 73-të. Kësisoj, Hamdi Salihi ngjitet në kuotën e 8 golave në kampionatin kinez, ndërsa skuadra e tij mban pozita mbi mesin e klasifikimit.

 

Kërko