Sali Berisha, deri dje lider, sot e tutje figurë e shquar historike

0
358

berishaaaaa2Çelo Hoxha

 

Dje Sali Berisha u mënjanua nga protagonizmi politik, atë që i mungonte në entuziazëm e plotësoi me dinjitet, dhe turma e qytetarëve para selisë së PD-së kishte gjithë të drejtën e Zotit të ishte e zjarrtë. Sali Berisha lë mbrapa një histori të begatë suksesi, për vete, për Partinë Demokratike dhe për gjithë Shqipërinë. Ai deklaroi se këtej e tutje do të jetë vetëm deputet dhe anëtar i thjeshtë i PD-së, por, realisht, Kuvendi i Shqipërisë, nesër e tutje, do të përbëhet nga 139 deputetë dhe një figurë historike, kurse PD do të ketë në radhët e saj një mit. Të gjithë deputetët e Kuvendit dhe anëtarët e PD-së duhet ta respektojnë në përputhje me statusin.

Karriera e tij politike, e shtrirë në 24 vjet, ka qenë e pasur, me ulje-ngritje të mëdha, me arritje dhe dështime, por dinjiteti ka qenë gjithmonë në anën e tij. Me të ka ndodhur ajo që ndodh me të gjithë politikanët, nga përkrahësit janë adhuruar, nga kundërshtarët janë demonizuar, vetëm historianët do ta zhveshin të vërtetën nga ndyrësirat që i hedh sipër përkohësia. Shumë pak politikanë shqiptarë janë larguar me dinjitet nga skena, duke lënë mbrapa më shumë vepra të mira. Sali Berisha është njëri prej tyre, dhe asnjëri nuk i përket të majtës. Ca kanë qenë kryeministra, ca ministra, por të gjithë kanë lënë një gjurmë të çmuar në historinë e Shqipërisë.

Në 20 vitet e fundit është folur shumë për politikanët shqiptarë që nuk dorëhiqen, po nuk i rrëzove nga kali, por ky është një mit i krijuar nga boritë e së majtës, të cilat kërkonin me çdo kusht largimin e Sali Berishës nga skena. Dorëheqja është një akt dinjiteti, jo një procedurë largimi. Lista e burrave me dinjitet është e gjatë: Mid’hat Frashëri, i pari ministër që ka dhënë dorëheqjen në historinë e shtetit shqiptar, 14 mars 1913; Dom Nikollë Kaçorri, zëvendëskryeministër, 30 mars 1913, Kryeministri i parë Ismail Bej Vlora në janar 1914. Pas largimit të tyre gjithë bota u zhyt në luftë civile, e Shqipëria reflektoi me përpikmëri frymën e saj, deri në 24 dhjetor 1924, kur Ahmet Zogu mori pushtetin dhe nisi ta kthente Shqipërinë në rrugën e ligjit dhe të Zotit. 15 vjet më vonë, ngjarjet botërore ndikuan përsëri, duke vënë në rrezik jetët e udhëheqësve seriozë shqiptarë, le më dinjitetin e tyre. Pas luftës Shqipëria u drejtua nga njerëzit më vulgarë që ajo ka lindur ndonjëherë dhe kjo mynxyrë mori fund vetëm pas një gjysmë shekulli. Këtu hyri në skenë Berisha.

Në 1990, kush ka qenë pjesë e demokratëve, te njeriu me flokët e gjata shtyrë mbrapa që dilte në tribuna me dy gishtat lart, së bashku me udhëheqësit e tjerë të PD-së, e kuptojnë se ç’do të thotë që një masë e madhe njerëzish ta shikojnë të mishëruar te një njeri lirinë. Të gjithë shqiptarët e bënë këtë në 22 mars 1992.

Atëherë ishim të gjithë ëndërrimtarë, donim lirinë dhe atë na e mundësoi PD dhe Sali Berisha. Sigurisht, të gjithë ne kemi qenë aktivë në atë periudhë, kemi kontributin tonë sipas mundësive që kishim, edhe ata të dënuar politikë që vazhdonin të ishin në burgje apo vendet e internimit, edhe ata që ishin jashtë Shqipërisë, por PD, e cila kishte në gjirin e saj edhe komunistë, edhe bij kriminelësh me pushtet gjatë diktaturës, kur Sali Berisha, kryetari i saj, u bë pika jonë e referimit, fanari i shpresës.

Sali Berisha nuk ka qenë i rritur në shtëpinë e shenjtorëve, ai ishte njëri nga ne, me të mirat dhe të metat e tij njerëzore, por kur erdhi çasti, ai kishte dy gjëra më tepër: vizionin dhe vullnetin. Këto janë arsyet pse u bë lider, lideri ynë. Ata që kanë dashur gjithmonë një udhëheqës më të mirë se ai, kanë qenë gabim, ai s’ka ekzistuar, përderisa ende nuk është shfaqur. Nëse ai do të vijë në të ardhmen, nuk do ta zbehë veprën e Sali Berishës, por do të jetë edhe rrjedhojë e kontributit historik të tij. Të jesh lider më i mirë se zoti Berisha duhet të ballafaqohesh me veprën e tij dhe të bësh diçka më mirë se ai. Ky është standardi i liderëve të ardhshëm.

Kur erdhi në krye të PD-së, Sali Berisha s’kishte me kë të krahasohej, ai nuk kishte paraardhës. Ismail Bej Vlorën, Mbretin Zog e shumë të tjerë, nga mund të frymëzohej, në fillimet e tij si politikan, edhe ai i njihte po aq sa ne, të gjithë kishim lexuar të njëjtat libra historie mbushur me rrena.

Por gjatë rrugës, edhe ai, si të gjithë ose një pjesë jona, u kultivua; ne si qytetarë të thjeshtë e ai si lider. Deri dje është thënë pafundësisht që Sali Berisha është diktator, por këtë e kanë bërë kundërshtarët e tij, ata që nuk ishin në gjendje ta mundnin dhe, për të realizuar qëllimet e tyre tërësisht egoiste, të cilët një ditë rrëmbyen edhe armët. Zgjedhjet e vitit 1996 i njollosën të majtët, jo Sali Berisha. Unë kam qenë komisioner i PD-së në 26 maj, ashtu siç ishin me dhjetëra miq të mi në Gjirokastër, asnjëri prej nesh nuk mori porosi të hidhte fletë në kutitë e votimit. Ata që hodhën, i hodhën pasi socialistët u larguan dhe e bënë këtë nga urrejtja që kishin për socialistët, që asokohe ishte dhe më në modë se sot t’i thërrisje komunistë. Ata, komisionerët, reflektonin papjekurinë e shoqërisë, ashtu si dhe socialistët nuk e kanë bërë më atë që bënë. Më vonë, socialistët këmbëngulën te qëllimet e tyre me metoda të tjera, por, në një farë mënyre, edhe e keqja u moderua.

Në 1997, Sali Berisha nuk u largua nga politika, megjithëse i humbi zgjedhjet. Ai bëri atë që duhej bërë. Ai nuk mund të braktiste njerëzit që e kishin fanarin e rrugës së tyre, nuk mund t’i linte në errësirë dhe nuk mund ta linte Shqipërinë në duart e të dënuarve që dolën nga burgu i shpërthyer nga kriminelët e armatosur jashtë tij. Një njeri me dinjitet, karakter dhe gjithë të drejtën morale me vete, lufton derisa ka frymë. Kryeministri që erdhi në 1997, pas zgjedhjeve, ishte një hajdut me vendim gjykate dhe, tetë vjet më vonë, u largua nga detyra, i konsideruar hajdut edhe nga përkrahësit e tij. Krahasoni trajektoret e karrierës politike të këtyre dy njerëzve dhe e shikoni qartë epërsinë e Sali Berishës ndaj të gjithëve.

Sali Berisha ka vetëm një të metë, e drejtoi PD-në deri në ditën e fundit të tij si kryetar, duke e zhvilluar politikën në rrafshin mesatar, lidhur me fenomene dhe njerëz. Por, ama, është i justifikuar; në një vend pa filozofë nuk mund të ndodhte ndryshe.

Në 2005, për shembull, kur bëri hapjen e madhe të PD-së, nuk e dinamizoi atë, nuk gjallëroi idetë brenda saj, ai thjesht pranoi të larguarit dhe të rinjtë, tregoi që nuk ishte urrejtës ndaj ish-kundërshtarëve dhe nuk ishte xheloz me të rinjtë. Nuk mund të shkonte më tej, zhvillimi i PD-së në 2005 duhet të ndëshkohej siç u ndëshkua të dielën e kaluar, që të reflektohet dhe të flitet jo për njerëz dhe fenomene, por ide.

Ata që u kthyen (dhe ai, megjithatë, i falënderoi mbrëmë) e çuan PD-në në këtë humbje të madhe. Nga të gjithë ata që janë në PD, vetëm Sali Berisha kishte shpatulla ta mbante, dhe e mbajti me dinjitet. S’duhet harruar, përballë humbjes me votën e lirë ai është përkulur edhe herë tjetër, në 1994. Asokohe isha 25 vjeç, por e përjetova si adoleshent momentin kur ai pranoi humbjen, s’e doja veten që e pashë në atë pikë të ulët. Tani qesh me vete, sepse e kuptoj që e adhuroja si komunistët adhuronin dikur Enver Hoxhën. Pranimi i humbjes më dukej sikur e poshtëroi, por edhe unë, si shumë të tjerë, nuk kishim kultivimin qytetar demokratik që duhej. Kanë kaluar gati 20 vjet, janë njëzet vjet sakrifica, dështime, suksese, gjithsesi përvojë dhe dje, kur ai deklaroi dorëheqjen, m’u mbushën sytë me lot, por ama isha krenar. Tashmë e kisha formimin e duhur ta kuptoja që ai kishte fituar mbi kundërshtarët, mbi meskinët rreth tij dhe mbi kohën; dhe që prej kontributit të tij kishin fituar të gjithë shqiptarët. Më në fund, një udhëheqës shqiptar i përmasave të mëdha e mbylli të plotë ciklin: as nuk u vra, as nuk u detyrua të mërgonte, dhe as statuja e tij një ditë nuk do të hiqet zvarrë.