Ina Jano
Administrata e këtij vendi është një pasuri e madhe kombëtare dhe duhet ta tregojë veten duke funksionuar me kapacitet të plotë dhe përkushtim të madh në shërbim të qytetarëve
TAP, projekti më i madh i gazit në Evropë, do të bëhet një korridor i fuqishëm punësimi dhe të ardhurash për shqiptarët. Ky ishte lajmi më i mirë që mund të jepte shefi i qeverisë Berisha në mbledhjen me ministrat e tij pasi më parë kishte takuar përfaqësues të konsorciumit Shah Deniz 2. “Në këtë takim, por edhe më parë jemi përpjekur, kam paraqitur kërkesën që të përfshihet edhe Kosova sepse ndjenjat miqësore ndaj shqiptarëve në Kosovë, në Azerbajxhan janë të larta, por ka një problem që e ndërlikon pak këtë çështje dhe ata do ta shqyrtojnë”, – deklaroi kreu i ekzekutivit gjatë mbledhjes me ministrat e tij. Ai pohoi se pas vendimit për anëtarësim në NATO, TAP, pa dyshim mund të quhet si një një prej arritjeve më të mëdha, ndërsa e vlerësoi edhe liberalizimin e vizave dhe integrimin si çështje madhore dhe që duhet të jenë në fokus edhe të qeverisë që do të vijë në pushtet në shtator. “TAP përbën arritjen më të madhe të Shqipërisë pas anëtarësimit në NATO, në fushën strategjike dhe përgjigjen më të shkëlqyer të interesave të saj strategjike. Natyrisht procesi i integrimit në BE është proces dominues, por në situatën aktuale ky është vendi më i rëndësishëm në rrafshin strategjik për shqiptaret dhe për Shqipërinë, zgjidhjen përfundimtare të problemit numër 1 që ekziston për shumicën e vendeve të botës, problemit të energjisë”, – pohoi Kryeministri Berisha. Ai tha se miratimi dhe të gjitha hapat e ndërmarra deri më tani për këtë projekt, janë bërë duke respektuar tërë ligjet dhe Kushtetutën e vendit, gjë kjo që do u japë atyre garanci se mbështetja për këtë projekt do të vijojë edhe kur në pushtet të vijë Partia Socialiste. Nga takimi i parë më ministrat që pas ditës së humbjes së zgjedhjeve, shefi i qeverisë që do të qëndrojë në detyre deri në muajin shtator u shpreh: “Unë garantova përfaqësuesit se të gjitha marrëveshjet për TAP janë ratifikuar në unanimitet në Parlamentin shqiptar dhe se kjo është një garanci e plotë që projekti do të ketë mbështetje të plotë totale të qeverisë dhe të opozitës nesër në parlament dhe se shqiptarët e mirëpresin këtë projekt dhe se janë të vetëdijshëm për rëndësinë shumë të madhe strategjike që ka ndërtimi i tij ,ndaj dhe në rrafshin strategjik kjo përbën një fitore të jashtëzakonshme. Është njëkohësisht një vend nevralgjik në perspektiven e këtij korridori që tani preferohet të mos quhet më TAP, por preferohet të quhet korridori jugor i Gazit”, – bëri me dije shefi i mazhorancës.
Porositë për administratën
Nga kjo mbledhje, Kryeministri kërkoi nga kabineti qeveritar dhe nga administrata në tërësi që të vazhdojnë punën me kapacitet të plotë, duke mos lënë pas dore asnjë detyrim ndaj qytetarëve, deri në ditën e nisjes nga puna të qeverisë së re. “Çdo lloj demoralizimi është shumë i pandershëm, është shumë i padenjë, është i papranueshëm,” – u shpreh kryeministri. Duke vlerësuar punën e punonjësve të administratës dhe përkushtimin e tyre gjatë kësaj periudhe, shefi i qeverisë i ftoi ministrat që këtë mesazh tua përcjellin punonjësve të tyre në takime direkte me ta. “Tani detyra jonë është që deri ditën që Parlamenti të votojë kabinetin e ri dhe të dekretohet tek presidenti, qeveria dhe administrata duhet të funksionojë me të gjitha kapacitetet. Pra çdo lloj demoralizimi është shumë i pandershëm, është shumë i padenjë, është i papranueshëm. Administrata e këtij vendi është një pasuri e madhe kombëtare dhe duhet ta tregojë veten, të funksionojë me kapacitet të plotë dhe përkushtim të madh deri në ditën që do të kryesojmë, deri në ditën që qeveria tjetër do të përzgjedhë mënyrën e organizimit dhe të motivimit të administratës,” – pohoi shefi i qeverisë.
Takimi
Konsorciumi i Shah Deniz, Berishës: TAP zyrtarisht fitues
Kryeministri Berisha priti dje në takim Këshilltarin e Presidentit të kompanisë azere të gazit e naftës SOCAR, zotin Murad Heydarov, ambasadorin e Azerbajxhanit për Shqipërinë zotin Rahman Mustafayev dhe Zv/Presidentin e BP pranë Konsorciumit të Shah Deniz, zotin John Baldëin. Delegacioni njoftoi zyrtarisht Kryeministrin Berisha për përzgjedhjen përfundimtare të projektit të gazsjellësit Trans Adriatik – TAP. Ky është projekti më i madh energjetik i të gjithë kohërave në Evropë, me një investim fillestar 40 miliard dollarë. Me këtë vendim të marrë nga qeveria e Azerbajxhanit dhe Konsorciumi i Shah Denizit shënohet hapja e Korridorit të Jugut, si burim i një rëndësie strategjike për energjinë në Europë, sikurse edhe për zhvillimin e tregut të gazit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe diversifikimin e burimeve energjetike të të gjithë rajonit. Delegacioni shprehu mirënjohjen për të gjithë punën serioze të realizuar nga qeveria shqiptare brenda një kohe të shkurtër për ngritjen e të gjithë kuadrit ligjor e rregullator të nevojshëm për të garantuar zbatimin me sukses të projektit në Shqipëri. Veçanërisht, ata shprehën mirënjohjen dhe vlerësimin maksimal e të sinqertë për kontributin politik të paçmueshëm që Kryeministri Berisha personalisht investoi në mbështetje të projektit që në fazën fillestare të tij në 2006 dhe në vazhdim, mbështetjen dhe lobimin e tij të fuqishëm për këtë projekt. Pa rolin dhe kontributin e Shqipërisë, ky vendim për projektin TAP nuk do kishte qenë i mundur, – theksuan ata. Zoti Berisha shprehu mirënjohjen për qeverinë e Azerbajxhanit, Presidentit Alyiev dhe konsorciumin e Shah Deniz-it për vendimin e marrë në mbështetje të projektit TAP, duke e konsideruar këtë si një vendim me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike që mbështetet nga të gjitha forcat politike dhe që zgjidh me këtë projekt përfundimisht problemin e energjisë për Shqipërinë, e cila fiton një rol të ri në rajon, në këtë fushë. Shqipëria është një përfituese e padiskutueshme nga projekti, gjatë ndërtimit do krijojë mijëra vende pune dhe më pas hapjen e tregut të gazit në Shqipëri, jo vetëm për qëllime industriale, por edhe rezidenciale. Edhe ministri Bumçi, u takua me përfaqësuesit e Azerbajxhanit. Në njoftimin e ministrisë së jashtme citohet:”Përfaqësuesit e qeverisë së Azerbajxhanit dhe të konsorciumit të Shah Deniz 2 duke vlerësuar rolin dhe kontributin e Shqipërisë në këtë proces, theksuan se ky projekt do të ketë një rëndësi te jashtëzakonshme, jo vetëm për vendet neper te cilat do te kaloje, por edhe për sigurinë energjetike te Evropës. Ata theksuan se përzgjedhja e projektit TAP u bë pasi ishte projekti me ekonomik, me efektiv dhe qe siguron tranzitimin e gazit me çmimin më të leverdishëm për konsumatorët”.
Ambasadori
Rama i siguron mbështetjen për TAP
Kreu i Partisë Socialiste, njëherësh edhe Kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama ka pritur në një takim përfaqësues të kompanisë azere të gazit e naftës SOCAR dhe të Konsorciumit të Shah Deniz. Rreth këtij takimi ka informuar vetë kryesocialisti në rrjetin social fb, ku përcjell dhe mbështetjen e tij dhe kabinetit të ardhshëm qeveritar për këtë projekt. “Mbështetje e plotë e TAP-it. Me ambasadorin e Azerbajxhanit për vazhdimin e projektit të madh, – shkruan Rama Projekti i gazsjellësit Trans Adriatik, TAP, është projekti më i madh energjetik i të gjithë kohërave në Evropë, me një investim fillestar 40 miliard dollarë. Me këtë vendim të marrë nga qeveria e Azerbajxhanit dhe Konsorciumi i Shah Denizit shënohet hapja e Korridorit të Jugut, si burim i një rëndësie strategjike për energjinë në Europë, sikurse edhe për zhvillimin e tregut të gazit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe diversifikimin e burimeve energjetike të të gjithë