Vashë… për ç’hire ruan thellë!

0
139

Ideali-piktureDionisis Solomos është, pa asnjë diskutim, poeti më i madh i Greqisë së Re, shembulli tipik i të papërkthyeshmit. Duke synuar përsosmërinë, nuk arriti të mbaronte asnjë nga poemat e tij të mëdha. Elitis ka thënë: “Nëse perëndimorët do të mundeshin ta lexonin Solomosin në origjinal, do ta vendosnin menjëherë mes pesë poetëve më të mëdhenj botërorë të të gjitha kohëve”. Sjellim disa poezi të përkthyer nga mjeshtëria në shqip e Romeo Çollakut

 

 Dionisis Solomos (1798-1857)

 

EURIKOMA

 

«Kur do ta shoh, o det, sërishmi Eurikomën e bukur?

Nga sytë e mi u bë kaq kohë që humbi pa u dukur.

Sa herë prirem te shkëmbi duke vështruar përtej,

shkumën e detit nuk di a shaminë e saj në vërej.

Sillma», thotë Tirsi, «sillma, pra, se nuk duroj më dot».

Pa merr ujë deti në grushta, e puth dhe qan me lot.

Dhe fare mendja nuk i shkon se puth valën gjëmëzezë,

që vashës tashmë i qe bërë dhe vdekje dhe varrezë.

 

PËR ZOTIN GEORGE DE ROSSI

QË NDODHET NË ANGLI

 

Veç varrin, pasi të vini,

do gjeni prej atit tuaj;

para tij jam e ju shkruaj,

dit’n e parë të majit sot.

 

Me majin do zbukurojmë

gjithë parzmet e paligsht,

se në gjumë të zotit Krisht

sonte ra për jetë e mot.

 

Gjer në më të tejmin çast

ish i paqt’ edhe i qetë,

si trup’ i tija pa jetë

që dergjet tashti këtu.

 

Veç, tek matej për të ikur

ku i qiellit nderet visi,

pakëz gishtin e lëvizi

që t’ lutej ndofta për ju.

 

E DIELA E MADHE

 

Një diell dritëkulluar i agullimës

i proshkëti po ndillte yll’ i tejmë,

qiellit prej resë a qoftë prej brymës

gjurmë kurrkund n’ asnjë kind të gjithandejmë;

mbi fytyrë ëmbëlsinë gjithë ne të frymës

një puhize të lehtë si ledhatim e ndjejmë

gjetheve të zemrës thua se u thotë:

Vrer është vdekja, ndërsa mjalt’ kjo botë.

 

Krishti u ngjall! Pleq, çunakë e çupëlina,

gatituni të gjithë, të mëdhenj e kalamaj;

dhe ku deng është kisha mbushur me dafina

dritën rretheqarkoni të haresë së saj;

qafoni shoshoqin ndër këngë e violina

mu para Engjujve dhe puthuni pastaj;

armiq e miq, buzë më buzë, ëmbëlsisht,

njëzëri U ngjall thoni Zoti Ynë Krisht.

 

Nëpër varre me lule çdo rrasë u mbulua

dhe nënat në krahë foshnja të hijshme bartin

sy pa shqitur çast nga ikonat e pikturua-

ra në gjithë anët, zëëmbël, psaltët psaltin;

shndrin floriri, shndrin ergjëndi, ndodh thua

nga shkëlqimet gjithë t’ thëthijnë më të lartin;

i jep dritë e çel dhe çehren më të vrerët

qiri’ i shenjtë që mbajnë në duar të krishterët.

 

 

MOJ MËMË SHPIRTMADHE…

 

Moj mëmë shpirtmadhe gjithsaherë në dhimbje e në lavdi,

paçka se misterit të fshehtë jetojnë fëmij’t e tu,

me mendim edhe me ëndërr, prej sysh ç’hare që rrjedh,

të të vështronin këta sy tek shkon pyllit të shkretë,

ndërsa këmbët e pavdekshme ai t’i gjethëron

me fregulla Pashke, pa shih, me fregulla dafinash.

Çapin tënd të perëndishëm s’e pashë, nuk e dëgjova,

e paqtë porsi qielli, me gjithë hiret që ka,

me vise që syri i sheh dhe plot të tjerë që s’duken!

Porse nuk mundem unë, hyjneshë, zërin të ta dëgjoj

që botës greke mbasandaj t’ia fal ta ketë përfare,

lëvduar guri i saj i zi dhe bari i tharë lëvduar.

 

PËR FRANCISKA FRAIZERIN

 

Vashës një profet i vogël dikur i hodhi sytë

dhe tha i nginjur ngazëllim mendimesh fsheharakë:

«Edhe për këmbët, Hijeshi, edhe për flokun tënd,

zambakë guri po të çelte, kurorë të artë dielli,

ata nuk kanë dhuratë për Ty, për ç’hire ruan thellë.

Botë e bukur e kaq fisnike, shenjtërisht e mbrujtur!»

 

Përktheu Romeo Çollaku

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency