Mbyllen hetimet për Artur Kuliçajn, vrasësin e Sonila Tafës, mesnatën e 7 prillit në diskon “Dream City”.
Kuliçaj vazhdon të qëndrojë në kërkim ndërkombëtar, asnjë shenjë për arrestimin e vrasësit
Edhe pse i arratisur, Artur Kuliçaj nuk mund të shpëtojë nga ndjekja penale e vrasjes së balerinës Sonila Tafa. Hetimet ndaj Kuliçajt janë mbyllur dhe se në ngarkim të tij momentalisht është ngritur akuza e vrasjes me dashje të balerinës 26-vjeçare që punonte pranë emisionit “E diela shqiptare”. Organit të akuzës i janë dashur të pyesë dhjetëra persona dhe të sekuestrojë pamjet filmike për të krijuar një rezyme më të qartë rreth vrasjes së ndodhur në ambientet e diskotekës “Dream City”. Pikërisht nga dëshmitë dhe pamjet filmike është mësuar se mes grupit ku bënte pjesë viktima dhe Artur Kuliçajt ka pasur një sherr dhe për pasojë ata janë nxjerrë jashtë nga ana e bodigardëve të diskotekës që ndodhet afër mbikalimit të Kamzës. Sërish sherri ka vijuar jashtë ambienteve, por pas disa minuta konflikti është shuar dhe se punonjësit e sigurisë kanë future brenda diskotekës, grupin ku bënte pjesë balerina, ndërsa Artur Kuliçaj dhe mikun e tij e kanë lënë jashtë. Në kërkesën për gjykim prokuroria qartëson se Kuliçaj është larguar tepër i tensionuar dhe se për disa minuta më pas është rikthyer sërish në daljen kryesore të diskotekës, ku pikërisht në këtë vend ka qëndruar në pritje, deri në dalje të djemve dhe vajzave me të cilat ai ishte konfliktuar. Ka qenë orët e para të mëngjesit, kur Sonila Tafa, së bashku me grupin e saj kanë dalë, nën shoqërinë e disa prej bodigardëve të diskotekës. Pikërisht në këtë moment është dëgjuar një breshëri kallashnikovi, duke sjellë vrasjen në vend të 26-vjeçares, ndërkohë që Kuliçaj që kishte vetëm pak kohë që kishte ardhur nga Anglia, është larguar duke mos u arrestuar ende dhe sot.
Kuliçaj i ofenduar
Ajo që ka sjellë përkeqësimin e situatës ka qenë vendimi i marrë nga punonjësit e sigurisë së diskos, të cilët kanë futur brenda balerinën Tafa dhe personat që ishin me të, ndërsa i pandehuri është lënë jashtë. Artur Kuliçaj ka kërkuar disa herë të rihyjë brenda në diskotekë, duke i dhënë fjalën se do të sillej mirë, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ai është lënë jashtë, dhe se më pas është ndier i fyer, dhe menjëherë ka menduar për hakmarrje ndaj bodigardëve. Kuliçaj është larguar duke shkëmbyer fjalë të ndërsjella me ta, duke harruar sherrin e parë. Ai është larguar duke u rikthyer më pas me një armë. Është pozicionuar në dalje të derës duke u zënë pusi personave që kishte vënë në shënjestër për të vrarë. Mirëpo në vend që të qëllonte në drejtim të bodigardëve, Kuliçaj ka bërë shoshë kokën e balerinës 26-vjeçare, duke e qëlluar atë me disa plumba në kokë dhe në trup. Nga ana tjetër bodigardët dhe personat e tjerë janë shtrirë barkas në tokë, ndërsa autori i krimit është larguar duke lënë në vendngjarje vetëm gëzhojat e automatiku.
Negociata me familjarët
Megjithëse Artur Kuliçaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej datës 9 prill të këtij viti, arrestimi i tij ende nuk është arritur të kryhet. Mësohet se gjatë ditëve të muajit Prill, të afërm dhe shokë të Kuliçaj, i janë afruar familjes Tafa, duke i kërkuar kësaj të fundit ndjesë, pasi gjithçka ka qenë një ngjarje aksidentale. Si shpërblim të jetës ata kanë ofruar një sasi të konsiderueshme lekësh me qëllim shuarjen e kësaj ngjarjeje, por që një pajtim i tillë nëpërmjet kësaj oferte nuk është pranuar nga ana e familjarëve të Sonila Tafës. Ata kanë kërkuar nga ana e policisë dhe prokurorisë që autori i krimit të arrestohet sa më parë dhe të vihet para drejtësisë, por tre muaj nga ky krim nuk është bërë thuajse asnjë gjë për arrestimin e Kuliçajt. Ky i fundit mendohet se fshihet tek njerëz të afërt, por që ende nuk është zyrtarizuar një informacion i tillë. Sonila Tafa kishte përfunduar studimet e larta për balet dhe se kishte dhe një motër tjetër. Tafa ishte e punësuar pranë televizionit “Klan” dhe dy prindërit e saj ishin divorcuar prej disa vitesh. E reja ka qenë duke festuar me disa miqtë e saj, kur është qëlluar për vdekje në mesnatën e 7 prillit 2013.
Deklarata e zyrtarit të policisë në Facebook
Shpërthen zv.drejtori Erzen Breçani
Berisha na pri,të heqim pinjollin komunist
Shpërthen zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani. Në një postim të publikuar në faqen personale në rrjetin social Facebook, Breçani ka shfaqur publikisht mbështetjen e tij për krah Kryeministrit Sali Berisha. Erzen Breçani i kërkon këtij të fundit që të vazhdojë të qëndrojë me demokratët dhe t’i prijë ata drejt fitoreve të tjera me qëllim rrëzimin e “Enverit të dytë”, siç e çuan ai Kryeministrin e ardhshëm Edi Rama. Zv.drejtori sqaron se pikërisht ishin ata që rrëzuan në vitin 1991 diktatorin, sërish do jenë ata dhe rinia e sotme ata që do të rrëzojnë sërish pinjollët e komunizmit, me qëllim që të mos lejojnë këtë “Hitler” të gjunjëzojë shqiptarët. “Përshëndetje liderit historik të shqiptarëve doktor Sali Berishës. E duam ndihmën tënde se jemi mësuar me ty që të na prish deri sa të largojmë pinjollët e komunistëve me në krye Edvin Ramën, ta largojmë këtë Enver të dytë, ne që dikur studentë të ‘91 shembëm diktaturën enveriste do gjejmë forcë dhe optimizëm do të ngrihemi të tërë së bashku me rinin që të mos e lemë këtë Hitler të gjunjëzojë shqiptarët”. Ky postim është bërë fill disa ditë pasi Erzen Breçani është konfliktuar me disa deputetë të Partisë Socialiste, të cilët e kanë akuzuar se ishte gjenerali i Sali Berishës. Mirëpo kësaj akuze Breçani i është kundërpërgjigjur se ai ishte gjenerali i Policisë së Shtetit dhe jo i Berishës. Pritet që pas ndryshimit të qeverisë, dhe ardhjen në pushtet të Ramës, të parët që do të largohet nga puna do jenë drejtuesit e policisë, të cilët Rama i ka akuzuar herë pas here se janë të lidhur me krimin e organizuar.
Ngjarja në Durrës
Sherri për udhëtarët, plagoset një shofer
Një konflikt për pasagjerët e furgonëve përfundoi me një të plagosur. Ngjarja ndodhi në afërsi të kryqëzimit të pallatit të sportit “Ramazan Njala” në Durrës. Dy drejtues furgonësh hynë në sherr për pasagjerët dhe njëri mbeti i plagosur. Policia shpalli në kërkim autorin i cili u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes. Konfliktet mes drejtuesve të furgonëve në qytetin e Durrësit kanë qenë të shumta. Vetëm pak ditë më parë një tjetër drejtues mbeti i plagosur me armë zjarri. Edhe në këtë rast shkak ka qenë një konflikt për marrjen e pasagjerëve, duke sjellë edhe të dëmtuar por në raste të tjera ka pasur dhe viktima. Të gjitha ngjarjen janë zbardhur nga ana e policisë, duke vënë në ndjekje penale autorët e këtyre krimeve.
Vendimi i prokurorisë
Vdekja e 11-vjeçarit, nën hetim mjekët
Prokuroria e Tiranës ka marrë nën hetim mjekët irlandezë dhe ata shqiptarë që operuan 11-vjeçarin Denis Almadhi i cili humbi jetën gjatë një operacioni në kapakët e syrit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Burime pranë uniformave blu bëjnë me dije se prokuroria ka marrë nën hetim mjekët pasi dyshohet se kanë gabuar në trajtimin mjekësor të 11-vjeçarit. Sipas organit të akuzës stafi mjekësor do të duhej të kishte siguruar medikamentin dantrolen dhe më pas të vijonin operimin e 11-vjeçarit Almadhi. Kjo sipas prokurorisë nuk është bërë ndërsa mungesa e dantrolenit ka bërë që 11-vjeçari të preket nga hipertermia malinje e cila i mori jetën. Edhe pse kanë kaluar 7 muaj nga vdekja e Denis Almadhi pak ditë më parë doli në dritë ekspertiza e dytë mjeko-ligjore. Sipas kësaj ekspertize shkak për vdekjen e 11-vjeçarit, ka qenë mungesa e mjekimit me dantroleni, i cili shërben për trajtimin e hipertermisë malinje.
Ngjarja në Elbasan
Vodhën 3 milionë lekë, tre persona në pranga
Një ditë pas vjedhjes së 3 milionë lekëve në një nga banesat e qytetit të Elbasanit tre persona ranë në prangat e policisë si të dyshuarit kryesorë. Sipas uniformave blu grabitësit janë futur mesditën e së shtunës në banesën e shtetasit Ardian Peqini nga ku i kanë vjedhur 3 milionë lekë. Pas denoncimit, policia ka bërë të mundur arrestimin e 3 autorëve një prej të cilëve i afërm i pronarit të banesës ku u krye vjedhja ndërsa ka mundur të sekuestrojë 2 milionë nga lekët e grabitura. Një ditë më parë pas grabitjes në kallëzimin në polici Ardjan Peqini deklaroi se disa persona hynë në banesën e tij dhe morën në një nga sirtarët e dhomës së gjumit një shumë prej 3 milionë lekësh. Mesditën e së dielës policia bëri me dije se dy ose më shumë persona në orët e drekës në një pallat në lagjen Beqir Dardha, në një moment piku, ku nuk ka kalimtarë kanë hipur nga dritarja në katin e dytë të banesës dhe më pas në dhomën e tij të gjumit kanë marrë sasinë e parave.