10 ditë pas zgjedhjeve parlamentare KQZ shpall sot rezultatet për 5 qarqet e vendit

0
160

Florenc Drizari

KQZKQZ pranon kërkesën e PD-së për rrëzim të rezultatit te komunës Sevaster, ku fitoi FRD

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë disa vendime paraditen e së mërkurës për nxjerrjen e rezultateve zgjedhore në pesë qarqe të vendit. Më konkretisht KQZ pritet të shpallë rezultatet përfundimtare për Qarkun e Kukësit, Qarkun e Dibrës, të Korçës, Beratit dhe Vlorës. Kur kanë kaluar 10 ditë nga procesi i votimit më 23 qershor, administrata e KQZ-së ka hartuar tabelat e rezultateve për këto qarqe dhe vendimi pritet të merret në mbledhjen e sotme në orën 11:00. Më herët përfaqësuesit ligjor të LSI-së dhe PS-së në KQZ kërkuan shtyrjen e publikimit të rezultatit përfundimtar në Qarkun e Fierit, pasi sipas të dhënave nga ai qark, rezultatet nuk përputhen me ato të KQZ-së. Aktualisht sipas rezultateve paraprake në Kukës, koalicioni i djathtë ka fituar 3 mandate dhe koalicioni i majtë 1. Sipas përfaqësuesve ligjorë të LSI-së, mandati i tretë i marrë nga PD-ja ka një diferencë prej 15 votash dhe për këtë duhen bërë qartë verifikimet e tabelave të rezultateve.

PËRPLASJA PD – FRD

KQZ miratoi kërkesën e PD-së që të marrë në shqyrtim kërkesën për rrëzim e rezultatit të komunës Sevaster, zonë zgjedhore në të cilën është fituar nga partia Fryma e Re Demokratike.

Fryma e Re Demokratike, e cila nuk arriti të siguronte asnjë deputet për Parlamentin e ri, është ngushëlluar me fitimin e zgjedhjeve për komunën Sevaster në Vlorë. Kandidati i FRD-së, Kujtim Sinani, u shpall fitues me 394 vota më shumë se kandidati i PD-së, Luan Binaj.

Shqyrtimi i kësaj ankese do të bëhet më datën 4 në orën 10:00, ndërkohë që debatet në komision mes anëtarëve të PD dhe të PS vijuan për kuorumin e KQZ-së për marrjen e një vendimi të tillë. Përfaqësuesi ligjori i Partisë Socialistë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Genc Gjonçaj, tha se për marrje e një vendimi të tillë duhen 5 anëtarë në KQZ.

“KQZ ka një problem që është i dukshëm. Është mungesa e 3 anëtarëve dhe nëse do të bëjmë referencë neni 22, pika 5, thuhet se mbledhjet e KQZ-së janë të vlefshme ku marrin pjesë jo më pak se katër anëtarë, me përjashtim të rasteve kur kërkohet shumicë e cilësuar sipas nenit 24 të këtij kodi”, – tha ai. Por pretendimet e tij u kundërshtuan nga përfaqësuesi i PD-së Niazi Kosovrasti dhe anëtarët e tjerë të KQZ.

Niazi Kosovrasti i quajti humbje kohe, kundërshtim me procedurë të kërkesës së PD-së. Më duhet të sqaroj përfaqësuesin e PS-së – tha ai, që pranimi i shqyrtimit është tjetër gjë dhe pranimi i ankimit është tjetër gjë. “Pra, ju sot keni pranuar ta shqyrtoni çështjen. Neni 24, pika b, kuptohet keq. Pranimi i ankimit do të thotë që në seancën e shqyrtimit KQZ të bjerë dakord me ankuesin. Dhe nëse KQZ do të bjerë dakord me ankuesin, atëherë duhen 5 vota. Po KQZ në shqyrtim mund të mos jetë dakord në me ankuesit. Dhe pse u dashka mbledhja me 5 anëtarë. Kështu që janë të dy variantet atje. Situata juridike është plotësisht e qartë dhe plotësisht me vend. Tjetër është të vendosim shqyrtimin dhe tjetër është të pranojnë ankimin. Sot ju nuk keni thënë që jeni dakord me ankuesin”, – argumentoi Niazi Kosovrasti, përfaqësues ligjor i Partisë Demokratike në KQZ.

Ndërsa nga ana e tij, anëtari i republikanëve në KQZ, Klement Zguri, tha: “Nuk jemi në fazën e procesit ku do të kërkohet sipas ligjit prania e 5 anëtarëve. Të paktën për mua dhe kolegët, gjëja është shumë e thjeshtë dhe duhet ta votojmë”.

 

 

Osmanaj: KQZ organizoi zgjedhjet më të mira, ndonjëri këndon valle në festën e partisë

Anëtari i propozuar nga Partia Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Hysen Osmanaj, gjatë mbledhjes së djeshme të komisionit vlerësoi procesin zgjedhor të 23 qershorit si më të mirin që është mbajtur në vendin tonë. Sipas tij, mungesa e tre anëtarëve të opozitës nuk e pengoi punën e KQZ-së për të menaxhuar situatën zgjedhore në vend. Për këtë ai ironizoi edhe përfaqësuesit e opozitës që dhanë dorëheqjen në muajin shkurt nga KQZ-ja. Në replikë me përfaqësuesin ligjor të Partisë Socialiste, Genc Gjonçajn, gjatë shqyrtimit të kërkesës së PD-së për shpalljen e pavlefshme të rezultatit në komunën Sevaster në Vlorë, për zgjedhjet e pjesshme lokale, Osmanaj tha: “Duhet të them që ky KQZ arriti të menaxhojë zgjedhje nga më të mirat që janë bërë në Shqipëri. Pavarësisht me tërheqjen që iu bë që në fillim me tërheqjen e tre anëtarëve dhe Genci s’mund të më kundërshtojë se ndonjëri këndon valle në festën e partisë. Asnjë vendim i KQZ-së nuk e ka marrë jashtë kritereve dhe jashtë neneve që ka përcaktuar Kodi Zgjedhor për të menaxhuar zgjedhjet, kështu që edhe në këtë rast jemi brenda kodit zgjedhor dhe propozoj ta votojmë”, – deklaroi ai.

 

 

Një ditë para largimit nga Shqipëria, McCormack takon kryetaren e KQZ-së për ecurinë e zgjedhjeve

Një ditë para largimit të saj nga Shqipëria, kryevëzhguesja e misionit të OSBE/ODIHR-it, Costance Berryman McCormack, zhvilloi një takim me kryetaren e KQZ-së, Lefterie Luzi (Lleshi).

Në këtë takim zonja McCormack shoqërohej nga zëvendëskryetari i këtij misioni, Harald Jepsen, dhe dy analistët zgjedhorë, Linda Mazure dhe Pavel Cabacenco.

Kryetarja e KQZ e njohu McCormack me vendimmarrjen e Komisionit dhe hapat që do të ndërmarrë KQZ deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve që u zhvilluan më 23 qershor. Gjithashtu zonja Luzi (Lleshi) u shpreh se KQZ, realizoi me sukses zgjedhje të lira, transparente dhe të pakontestueshme.

“Kryetarja e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it, e falënderoi znj. Luzi (Lleshi) për bashkëpunimin që KQZ ka pasur me Misionin që ajo drejton.

Znj. McCormack shprehu vlerësime për ecurinë e procesit zgjedhor, procesit të numërimit të votave dhe punën që KQZ ka bërë për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Kryetarja e KQZ e falënderoi zonjën McCormack për angazhimin e saj dhe të Misionit të OSBE/ODIHR-it, në vendin tonë”, – thuhet në njoftimin e nisur nga zyra e shtypit e KQZ-së.