Gjykata e Leçes i kishte dënuar me 12.6 vite burg dhe 500 mijë euro gjobë. Vinte nga Igumenica e Greqisë në Bari, përdorte identitet fals
Itali
Trembëdhjetë vjet pas ngjarjes tragjike ka ardhur momenti edhe për Hergis Mustafën për të shlyer borxhet me drejtësinë. Policia Kufitare e portit të Barit i ka vënë prangat skafistit 32-vjeçar mëngjesin e djeshëm, i akuzuar për vdekjen e 15 personave në kanalin e Otrantos, ngjarje e ndodhur 13 vite më parë. Ndaj të riut ekzistonte një vendim me 12 vjet e 6 muaj burg dhe me një gjobë 500 mijë euro, si një nga shkaktarët e tragjedisë së ndodhur më 4 maj 2000 në Otranto. Skafisti Mustafa ka qenë duke zbritur në Bari nga një anije Superfast që vinte nga Igumenica e Greqisë, ndërsa përdorte identitet fals për t’i shpëtuar prangosjes së policisë italiane. Sipas policisë italiane, i riu përdorte shpesh emra të rremë, ndërsa prej nëntorit të vitit 2011 Gjykata e Leçes kishte lëshuar ndaj tij një urdhër-arrest, sepse është dënuar me 12 vjet e 6 muaj burg dhe 500 mijë euro gjobë pasi ka provokuar vdekjen e disa emigrantëve në ujërat e kanalit të Otrantos.
Tragjedia
Mediat italiane online riëprsërisin në shkrimet e tyre edhe njëherë dinamikën e tragjedisë së ndodhur në orët e mesnatës së 4 majit të vitit 2000. Sipas mediave italiane, një motovedetë e policisë në atë kohë në ujërat e detit Adriatik shikon një gomone oqeanike të mbushur me klandestinë, e cila u ishte drejtuar brigjeve. Gomonia, sipas mediave italiane, sfidonte dallgët me gjithë shpejtësinë e saj dhe gjendej vetëm disa milje larg Sant’Andrea-s, marina e ndarë mes Melendugno-s e Otranto-s në Leçe. Bashkë me 32-vjeçarin ishin edhe 4 skafistë të tjerë atë natë, të cilët kryen akte të rrezikshme për t’i shpëtuar policisë. Manovrat ishin aq të rrezikshme saqë një pjesë e ekuipazhit ra në det, ndërsa dy të tjerët, të cilët gjendeshin në drejtim, mbetën pa ndjenja. Rreth 30 emigrantë përfunduan në ujërat e detit, nga të cilët gjysmat humbën jetën. Një grua që ishte shtatzanë dhe udhëtonte me këtë gomone, pësoi një abort spontan për shkak të situatës së krijuar. Trupat e pajetë të emigrantëve klandestinë do të gjendeshin disa ditë më pas, pas kërkimeve të bëra nga anijet e shpëtimit dhe motovedetat e policisë.
Arrestimi
Vinte nga Igumenica e Greqisë drejt Barit, duke përdorur identitet të rremë. Por, nuk ka arritur kësaj here t’i shpëtojë arrestimit të policisë kufitare të Barit. Hergis Mustafa, 32 vjeç, është bllokuar mëngjesin e djeshëm ndërsa zbarkonte nga anija Superfast, e cila vinte nga qyteti grek i Igumenicës. Për t’i shpëtuar policisë ai përdorte emra fals. Tashmë do t’i duhet të shlyejë dënimin e dhënë nga drejtësia për tragjedinë e shkaktuar, ku humbën jetën 15 persona, 12.6 vjet burg dhe një gjobë prej 536.786 euro, të dhëna në nëntor të vitit 2011 nga Gjykata e Leçes. Pas hetimeve të para të pasngjarjes së vitit 2000, Hergis u arrestua më 12 maj të po këtij viti ndërsa mbante identitetin fals Fatjon Helmi. Më pas e nxorrën nga burgu dhe i dhanë espulsio, duke e përzënë nga territori shqiptar për një periudhë 5-vjeçare. Dy vjet më parë Gjykata e Leçes e gjeti fajtor, si një nga shkaktarët e tragjedisë, duke e dënuar me 12.6 vite burg dhe mbi 500 mijë euro gjobë. Arratia e tij mori fund mëngjesin e djeshëm.
Detaj
12 vite e 6 muaj burg u dënua në vitin 2011 Hergis Mustafa nga Gjykata e Leçes si shkaktar i tragjedisë
500 mijë euro është shuma që gjykata ka dënuar me gjobë skafistin 32-vjeçar, përgjegjës për humbjen e 15 jetëve
Vendimi
Gjykata pranon ekstradimin drejt Italisë për Ilirjan Papën
Gjykata e Tiranës ka vendosur pranimin e kërkesës së Prokurorisë për ekstradimin në Itali të shtetasit shqiptar Ilirjan Papa, me qëllim që ai të vuajë në këtë shtet dënimin prej 7 vjet, 9 muaj e 8 ditë burgim, të dhënë nga Gjykata e Catanias, për veprat penale të “Trafik droge” të parashikuar nga nenet 73 dhe 74 te Ligjit të Drogave dhe neneve 110, 56 e 81 të Kodit Penal Italian. Gjykatës i rezulton nga aktet e sjella se më datë 22.04.2013 ora 08.30 është kryer arrestimi i përkohshëm me qëllim ekstradimi në Itali i shtetasit shqiptar Ilirjan Papa. Sipas vendimit të gjyatës, rezulton se këtij shtetasi i kanë ngelur për të vuajtur ende nga ky dënim edhe 7 vjet, 9 muaj dhe 8 ditë burgim.Gjykata vë në dukje se këto vepra penale si më sipër parashikohen edhe ne Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dhe ato iu korespondojnë veprave penale të “Trafikimi i narkotikëve“ dhe “Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale me qëllim trafikun e paligjshem të narkotikeve”, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 284/a/1 të Kodit Penal. Në këtë aspekt Gjykata vë në dukje se sipas vendimit Nr. 898/2006 RES datë 26.03.2012 të Gjykatës së Catania, ka rezultuar se Ilirjan Papa në bashkëpunim me vëllain e tij Tomi Papa dhe me persona të tjerë, kanë bashkëpunuar me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali. Gjithashtu, Gjykata vë në dukje se gjatë këtij gjykimi rezultoi e provuar se shtetasi shqiptar Ilirjan Papa aktualisht është duke u gjykuar në Gjykatën e Tiranës për veprën penale të “Armbajtjes pa leje ”. Për këtë arsye, organi i akuzës, duke marrë parasysh një fakt të tillë si më sipër, kërkoi që bashkë me “lejmin e ekstradimit” të vendosej nga kjo Gjykatë edhe “pezullimi i ekzekutimit” të këtij ekstradimi të shtetasit Ilirjan Papa deri në përfundim të gjykimit dhe vuajtjes së dënimit që do të jepet për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”. Por, sipas gjykatës, është Ministria e Drejtësisë organi i vetëm që mund ta lejojë një gjë të tillë dhe jo gjykata.
Greqi
Sekuestrohen 15 kg kokainë, pranga 2 shqiptarëve
Dy shqiptarë të moshave 47 e 48-vjeçarë janë arrestuar nga policia greke pasi janë kapur me 15 kg kokainë. Droga është gjetur në linjën e autobuzave Shqipëri-Greqi, konkretisht Sarandë-Athinë. Mediat greke bëjnë me dije se droga ishte fshehur në bagazhin e autobusit, i cili dyshohet se është përdorur edhe herë të tjera për transportim droge. Ndërkohë policia greke ka vënë në pranga drejtuesin e autobusit dhe një tjetër shtetas shqiptar, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur. Dyshohet se personi i dytë është personi që kishte linjën e autobuzave. Gjatë kontrollit të autobusit, policia gjeti edhe një sasi të konsiderueshme parash, rreth 29 mijë euro, 9 telefona celularë dhe një peshore, që mendohet se përdorej për ndarjen e lëndës narkotike. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafiku. Sipas mediave greke, operacioni u finalizua në kryeqytetin grek të Athinës, në vendin e quajtur “Nju Ionia”, ku dy shqiptarët sapo kishin ndaluar autobuzin e linjës Sarandë-Athinë. Tashmë, dy shqiptarët e moshave 47-48 vjeç akuzohen për “trafik ndërkombëtar droge” në bashkëpunim, ndërsa në posedim u janë gjetur e konfiskuar 15 kilogramë dhe 176 gramë kokainë, shtatë telefona celularë, një makinë private, një MD trajner, një peshore elektronike dhe 29.250 euro. Prokuroria e Athinës është duke instesifikuar hetimet për të zbuluar bashkpunëtorët e dy shqiptarëve.