Çertifikimi i zgjedhjeve në KQZ PS dhe LSI tërhiqen për Kukësin, KQZ vendos sot për rezultatet në Elbasan, Durrës, Shkodër dhe Fier

0
185

Florenc Drizari

kqzKQZ miraton tabelat përfundimtare të rezultateve për Kukësin, Beratin, Korçën, Dibrën dhe Vlorën

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi dje zyrtarisht e tabelat e rezultateve për pesë qarqet, Kukës, Dibër, Korçë, Berat dhe Vlorë. Rezultatet e tabelave kaluan pa debate në KQZ, ndërkohë që më herët PS dhe LSI kishin kërkuar kohë për shytimin e tabelave të rezultateve në zonë e Kukësit. LSI pretendonte një mandat në këtë qark, pasi sipas tyre mandati i deputetit që i kaloi PD-së u nda me 15 vota diferencë. Gjatë mbledhjes së djeshme palët pranuan vendimin e administratës së KQZ për miratimin e tabelës përmbledhëse për Qarkun e Kukësit, rezultate në të cilat koalicioni i djathtë fiton tre vende në Kuvendin e ri të Shqipërisë dhe 1 mandat shkon për koalicionin e majtë, Partinë Socialiste.

Në mbledhjen e së enjtes KQZ pritet të miratoi tabelat përfundimtare për qarqet Elbasan, Durrës, Shkodër dhe Fier.

Ndërkaq, gjatë mbledhjes së të mërkurës KQZ miratoi edhe tabelat përfundimtare të rezultateve për 4 qarqet e tjera, Dibrës, Korçës, Beratit dhe Vlorës.

Pas verifikimit të tabelave përmbledhëse, KQZ sipas nenit 122 të kodit zgjedhor miratoi tabelën përmbledhëse të rezultateve për Qarkun e Korçës. Në zgjedhjet e 23 qershorit 12 mandatet e qarkut Korçë u ndanë 7 mandate për koalicionin e majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe 5 mandate për koalicionin e djathtë “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”.

Sipas rezultateve në Qarkun e Dibrës , koalicioni i djathtë “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” fitoi 3 mandate, ndërsa koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” fitoi 3 mandate.

Në Qarkun e Beratit, koalicioni i majtë merr  6 mandate dhe i djathti 2. Edhe ky qark kaloi pa debate në KQZ. Gjithashtu po me katër vota pro, KQZ miratoi tabelën e rezultateve për Qarkun e Vlorës, qark në të cilin fitoi koalicioni i majtë. Në këtë qark nuk u përfshinë rezultatet e qendrës së votimit në QV 4722 për faktin se në datën 23 qershor në këtë zonë nuk u zhvilluan zgjedhjet.

Miratimi i tabelave të rezultateve në këto qarqe nuk ndryshon rezultatin përfundimtar të 23 qershorit, i cili shpalli fitues koalicion e majtë me 84 mandate kundrejt koalicionit të djathtë, i cili mori 56 mandate.

MBLEDHJA SOT

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të vendosë për miratimin e tabelave të rezultateve në Qarqet, Elbasan, Durrës, Shkodër dhe Fier. Më herët këto rezultatet e dala nga këto qarqe nuk kanë shkaktuar përplasje mes përfaqësuesve të forcave kryesore politike në vend dhe në tërësi, zgjedhjet në këto zona janë fituar nga koalicioni i majtë. Gjatë miratimit të tabelave përmbledhëse KQZ në këtë rast luan rolin e një KZAZ-je të superiore që bën shumatoren e rezultateve të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor, tabelat e të cilave janë dorëzuar më parë në KQZ. Për shpalljen e rezultatit final në KQZ duhet një shumicë e cilësuar votash, gjë që aktualisht KQZ nuk ka kuorumin e nevojshëm për ta miratuar. Pas mbylljes së miratimit të tabelave të rezultateve për çdo qark nga KQZ-ja, administrata zgjedhore ose subjektet politike kanë të drejtën t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor për të bërë çertifikimin e zgjedhjeve në rang kombëtar.

 

 

 

 

Rezultatet përfundimtare, Tirana e fundit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duket se ka zgjedhur ta miratoi në fund tabelën përmbledhëse të rezultateve për Qarkun e Tiranës, e cila është zona më e madhe në vend e përfaqësuar me 32 vende në Kuvendin e Shqipërisë. paraditen e së enjtes KQZ pritet të shqyrtojë tabelat përmbledhëse të rezultateve për Qakun e Elbasanit, Durrësit, Shkodrës dhe Fierit. Duke iu referuar rezultateve paraprake, Qarku i Tiranës në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit është ndarë në 19 mandate pëer koalicionin e majtë dhe 13 mandate për koalicionin e djathtë. Pas miratimit të tabelave të rezultateve të ardhura nga KZAZ-të përkatës, KQZ pritet dërgojë shpalljen e rezultatit përfundimtar në Kolegjin Zgjedhor për faktin se ky komision ka në organikën e tij katër anëtarë dhe nuk mund të marrë vendime me shumicë të cilësuar, ashtu siç kërkon edhe certifikimi i zgjedhjeve në tërësi. Nëse certifikimi i zgjedhjeve në rang kombëtar nuk dërgohet në kolegj nga KQZ, këtë të drejtë e kanë edhe subjektet politike.

 

Joe Biden: Shqipëria po përparon drejt BE-së

Pas anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian, zv/presidenti i ShBA-së, Joe Biden iu drejtua me një fjalë përshëndetëse këtij vendim me rastin e anëtarësimi si dhe vendeve që aspirojnë të bëhen pjesë e unionit. Duke theksuar që “Kroacia të udhëheqë Ballkanin për në BE”, ai ka përmendur se “hyrja e Kroacisë në BE bëhet akoma më e rëndësishme për vendet fqinje, të cilat përballen me rrezikun e mbetjes mbrapa. Me kalimin e kohës, kufijtë e BE-së duhet t’i bashkojnë vendet e Europës Juglindore dhe jo t’i ndajnë ato…”Së pari, fqinjët e Kroacisë duhet të bëjnë zgjedhjet e vështira, që do të përcaktojnë rrugët e tyre për në Evropë”..apo se “Mali i Zi dhe Shqipëria gjithashtu, kanë shumë për të bërë, por ata po përparojnë drejt integrimit evropian, duke u marrë me reformat ekonomike dhe politike, luftuar korrupsionin dhe forcuar shtetin ligjor. Mali i Zi po punon për t’iu bashkëngjitur Shqipërisë në NATO”.  Biden ka përmendur edhe Serbië dhe Kosovën, të cilat, sipas tij, kanë ngecur në një luftë të thellë e të hidhur – deri tani. Nëpërmjet dialogut, bashkëpunimit dhe kompromisit të dhimbshëm, kryeministrat Ivica Daçiç dhe Hashim Thaçi kanë bërë një marrëveshje historike për të normalizuar marrëdhëniet. Hapat e mëtejshëm nuk do të jenë të lehtë, por këta udhëheqës u kanë dhënë shtetasve të tyre një mundësi të pashembullt për të ndërtuar një të ardhme të përkufizuar nga respektimi i të drejtave, begatia e ndërsjellë dhe bashkëjetesa paqësore.