Dhunoi thjeshtrën për vjedhjen e 50 mijë lekëve, dënohet 6 muaj burg

0
179

Sonja Caka

gjykataGjykata pezullon dënimin me burg për Flutura Belbën dhe ia kalon për monitorim Shërbimit të Provës. Gruaja: Kemi normalizuar marrëdhëniet mes nesh

 

Një grua është dënuar nga gjykata për ushtrim dhune ndaj thjeshtrës së saj. Si e pandehura, ashtu dhe vajza e burrit të saj, e kanë argumentuar këtë ushtrim dhune me humbjen e 50 mijë lekëve në familje, të cilat vajza ka deklaruar se i kishte marrë ajo. Ky veprim i vajzës së burrit ka sjellë acarimin dhe reagimin e dhunshëm të të pandehurës, e cila e ka rrahur me grushte, shkelma e shuplaka vajzën. Pasi ka dëgjuar justifikimet e të pandehurës, avokaten e saj dhe fjalën e fundit të prokurorit, gjykata dënoi me 6 muaj burg të pandehurën, ndërsa ia pezulloi masën e dënimit duke e urdhëruar që të paraqitet te Shërbimi i Provës, i cili do ta monitorojë në vijim.

Akuza

Prokuroria e Tiranës ka sjellë për gjykim çështjen penale në ngarkim të të pandehurës Flutura Belba, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Dhunës në familje” në dëm të thjeshtrës së saj Xhesjana Belba. Gjatë shqyrtimit gjyqësor rezultoi se, shtetasi Sazan Belba ka qenë i martuar, por i ka vdekur bashkëshortja, me të cilën pati një vajzë me emrin Xhesjana Belba. Pas vdekjes së bashkëshortes ai është rimartuar me shtetasen Flutura Belba. Gjatë viteve marrëdhëniet midis Xhesjanës dhe të pandehurës Flutura Belba janë acaruar shumë. Kontradiktat midis tyre janë thelluar edhe më shumë kohët e fundit. Më datë 24.11.2012, rreth orës 24:00 e pandehura Flutura Belba ka debatuar me Xhesjanën, duke e akuzuar këtë të fundit se kishte marrë një shumë prej 50 000 lekësh nga shtëpia e saj. E pandehura e ka rrahur, goditur me shuplaka në fytyrë, me shkelma, grushta, duke e tërhequr zvarrë dhe duke i shkulur flokët Xhesjanës. Duke u ndodhur para dhunës së ushtruar Xhesjana ka pranuar se ishte autorja e marrjes së shumës 50 000 lekë. Edhe pse ajo e ka pranuar se ishte autorja e marrjes së lekëve, e pandehura Flutura Belba ka vazhduar dhunën fizike ndaj saj. Flutura Belba e ka pyetur Xhesjanën ku i kishte çuar lekët dhe Xhejsana e ka gënjyer, duke i thënë se kishte blerë çizmet që kishte veshur. Por, në fakt çizmet ia kishte dhënë shoqja e saj e ngushtë dhe e klasës, deklaruesja Anisa Halilaj. E pandehura Flutura Belba nuk është mjaftuar me kaq, por e ka dënuar Xhesjanën, duke e lënë dhe gjithë natën pa gjumë në këmbë. Xhesjana mundohej të çlodhej, por kur shikonte se e pandehura lëvizte në krevat ajo friksohej, duke vazhduar qëndrimin në këmbë. Të nesërmen deklaruesja Xhesjana ka pritur sa është larguar i ati dhe e pandehura, ka ikur nga shtëpia dhe në bisedë e sipër telefonike me shoqen e saj, i ka thënë se çfarë i kishte ndodhur. Më pas është takuar me deklaruesen Anisa Halilaj. Pasi kanë biseduar së bashku, janë drejtuar për në komisariatin e policisë nr .3 Tiranë, ku Xhesjana ka depozituar edhe kallëzimin përkatës kundër njerkës së saj Flutura Belba. Në deklarimet e saj dhënë para hetuesit, e dëmtuara Xhesjana shprehet se e pandehura Flutura e ka rrahur dhe herë të tjera dhe si shkak ka qenë një telefon celular, që ajo mbante të fshehtë pa dijeninë e familjarëve. Xhesjana shpjegon se e pandehura e ka goditur me shuplakë në fytyrë në shkollë, me arsyetimin pse kishte marrë mungesa.

Kërkesa

Lidhur me dhunën e ushtruar nga e pandehura Flutura Belba, deklaruesja Xhesjana ka bërë një kërkesë padi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ajo e ka paditur të pandehurën Flutura Belba, duke parashtruar si objekt të kërkesë padis “Lëshimin e urdhrit të mbrojtjes”, bazuar në ligjin nr. 9669 i dt. 18.10.2006, për masa ndaj dhunës në familje Gjykata në përfundim ka marrë vendimin nr. 12320 i dt. 17.12.2012, për pushimin e kësaj çështje pasi Xhesjana ka hequr dorë nga gjykimi i kësaj çështjeje. Gjatë gjykimit, e pandehura e pranoi faktin se kishte ushtruar dhunë mbi vajzën e bashkëshortit të saj por, theksoi gjithashtu se aktualisht marrëdhëniet e tyre ishin rregulluar dhe ato jetonin së bashku. Për pasojë, ajo kërkoi një dënim sa më të butë.