Altin Vorpsi
Kukësi mundi që të merrte dje një barazim me gola në Talin përballë Flores. Ndërkohë që Teuta “shembi” Dacian me rezultatin e thellë 3-1 në Durrës. E vetmja që nuk mundi të kalonte siç duhet 90 minutat e para ishte Laçi që u mund nga amatorët e Diferdanzhit
Liga e Evropës foli dje shqip. Dy nga tri skuadrat tona që na përfaqësojnë në këtë kompeticion, kanë marrë rezultate që lënë shumë shpresë. Kukësi do të vijë nga Talini me një barazim me gola, ndërkohë që Teuta do të luajë sfidën e kthimit në Rumani me dy gola avantazh. E vetmja që dështoi, ishte skuadra e Laçit, që u mposht rëndë në shtëpinë e Skënderbeut nga një skuadër amatore.
Debutim i mbarë
Verilindorët e Armando Cungut zbritën dje të parët në fushën e blertë. Gerhard Progni ka shënuar në minutën e 79-të golin e barazimit, pasi estonezët kishin kaluar në epërsi që në 11’, duke i kaluar në delir të tijtë. Arrihet synimi i stafit teknik të Kukësit, shënimi i golit në fushën kundërshtare dhe dalja pa u mundur në transfertë, çka do të thotë se shanset e verilindorëve për të kaluar në turin tjetër të Ligës së Evropës janë rritur ndjeshëm. Kthimi në “Qemal Stafa” pas një jave, gjithsesi, kërkon përqendrim e vlerësim maksimal të kundërshtarit, që edhe në fushën e vet nuk tregoi asgjë më shumë se tanët. Madje barazimi dëshmon njëfarë superioriteti cilësor e pjekurie të kuksianëve, që me Allmuçën, Popoviçin e Prognin në krye ditën të dalin kryelartë nga Estonia.
Turpi
Laçi sfidonte luksemburgasit e Diferdanzhit në stadiumin e Korçës, për shkak se impianti i tyre sportiv nuk e kaloi provën në inspektimin që i bëri UEFA. Kurbinasit nuk kishin sesi të ankoheshin teksa do të kishin përballë një ekip modest, paçka se me gjasa edhe kundërshtari po të tillë na konsideronte. Gjithsesi, nisur nga histori me të tillë rivalë (Tirana eliminoi Gravenmaker), duhej besuar sa te kualifikimi, por edhe te zgjedhjet e strategut Nica. Ka rezultuar ndryshe. Minuta e 84-t do të ishte fatale dhe e pafalshme për kurbinasit, teksa do të ndëshkoheshin me gol. Lebresne ka mposhtur Bakajn, duke bërë surprizën e madhe në stadiumin e Korcës, aty ku Laçi mendonte se nuk do ta kishte të vështirë kundër modestëve luksemburgas. Vërtet kanë qenë superior gjatë 90 minutave, e kanë dominuar lojën, kanë krijuar raste jo të pakta për gol, por të besuarit e Nicës kanë dëshmuar mungesë pjekurie dhe paqartësi të theksuara në mënyrën e daljes në fazën ofensive. Për të mos folur pastaj për repartin e sulmit në veçanti, i cili u shfaq në pikë të hallit. Largimi i Emurllait ndihej shumë, ndërsa aktivizimi i Rovcanin nuk solli asgjë të re e të rrezikshme për ngjyrat bardhezi. Ai nuk u lidh fare me partnerin e vet, Nimanin, ndërsa përpjekjet e Vucajt nga pas krahëve rezultuan të pasuksesshme. Humbje e papritur dhe që mund t’i kushtojë shtrenjtë Lacit, kjo e ndeshjes së parë të këtij raundi të Ligës së Evropës, kur dihet se do ta luajë kthimin në Luksemburg dhe ka mbi supe peshën e disavantazhit e të golit të pësuar në fushën e vet, çka do të thotë shumë në të tilla ballafaqime.
Madhështore
Teuta priti Daçian e Kishinievit në stadiumin e vet, ku luajti “aktin e parë” të këtij çifti të Ligës së Evropës. Bregdetarët kanë triumfuar në “Niko Dovana”, duke marrë një rezultat të kënaqshëm 3-1, që premton për të kaluar në turin tjetër. Ndoshta mospësimi i golit nga moldavët, që barazoi përkohësisht rezultatin (1-1) në minutën e 38-të, do t’i kishte dhënë të tjera vlera fitores së të besuarve të Maganit, megjithatë kualifikimi është tashmë në dorë të tyre, do të vendoset në sfidën e kthimit pas një jave. Njeriu i suksesit të “djemve të detit” ka qenë pa dyshim Bledar Mancaku, në një ditë të shkëlqyer. Ai ka asistuar D. Xhafën dhe Dostin në dy golat e parë të Teutës, pastaj e ka vulosur vetë rezultatin 3-1 për të tijtë. Durrsakët janë paraqitur kurajozë dhe mjaft të qartë taktikisht, me besim në vetvete, duke treguar vendosmëri për topin e parë dhe mos i lejuar terren kundërshtarit për t’u organizuar. Përmes presingut, bregdetarët kanë arritur t’i imponohen Dacias, çka e dëshmon edhe rezultati përfundimtar i këtij ballafaqimi.
Skeda
FLORA TALIN – KUKËSI 1-1
Golat: Post 11′ / Progni 79′
LAÇI-DIFERDANZH 0-1
Golat: Lebresne 84′
TEUTA-DACIA KISHINAU 3-1
Golat: D.Xhafaj 29′, Dosti 68′, Mancaku 73′ / Pavlov 38′
Renditja e FIFA-s
Shqipëria vazhdon ngjitjen
Shqipëria ka fituar një tjetër pozicion në renditjen e përmuajshme të FIFA-s, duke u ngjitur në vendin e 37-të. 16 ndeshje të Kupës së Konfederatave, 89 ndeshje kualifikuese të Botërorit dhe 29 takime miqësore janë marrë parasysh nga FIFA për përpilimin e kësaj renditjeje. Shqipëria lë pas në këtë mënyrë përfaqësuese si ajo e Japonisë, Australisë, Serbisë, Irlandës, Sllovenisë, Turqisë apo Skocisë, skuadra të cilat kanë marrë pjesë më parë në faza finale të kampionateve botërore apo evropiane. Suksesi në Kupën e Konfederatave e ka rikthyer Brazilin në grupin e 10 kombëtareve të para të futbollit. Me një ngjitje nga vendi i 22-të në atë të nëntin, Seleçao, pesë herë kampion i botës, ka rimarrë fluturimin.
Ngjitje ka bërë edhe Italia e Prandelit, që zuri vendin e tretë në turneun që u mbyll të dielën në Brazil, duke kaluar nga vendi i tetë në të gjashtin. Në krye të renditjes vazhdon të jetë Spanja, pavarësisht humbjes në finale, e ndjekur nga Gjermania në vendin e dytë dhe Kolumbia në të tretin, që ka zbritur nga podiumi Argjentinën. Për Kolumbinë, protagoniste në kualifikimet e botërorit, vendi i tretë në botë, ndonëse i përkohshëm, është historik.
Dhjetë më të mirat:
Spanja
Gjermania
Kolumbia
Argjentina
Holanda
Italia
Portugalia
Kroacia
Brazili
Belgjika
Merkato
Runi është shumë pranë Barçës
Barcelona mund të bëjë goditjen e radhës në merkato, duke blerë Uejn Runin nga Mançester Junajtid. Çelësi për arritjen e kësaj marrëveshjeje është David Vija, i cili nuk ka më vend në formacionin katalanas pas blerjes së Nejmarit. Barcelona pret më shumë interes takimin mes Runit dhe pasuesit të Ferguson, David Mojes, për të bërë gati ofertën konkrete: David Vijën plus 25 milionë euro. Çelsi dhe Arsenal, sikurse Barcelona, presin me interes zhvillimet të djajtë e kuq, për t’u hedhur në aksion, gjithsesi katalanasit duken më të avantazhuar për faktin që ofrojnë përveçse para edhe kartonin e “El Guaje”. Barcelona në fakt, ka nisur prej kohësh tratativat me Totenhemin, Arsenalin dhe Liverpulin për shitjen e David Vijës, por shuma prej 9 milionë eurosh që kërkojnë kampionët në fuqi të Spanjës nuk ofrohet nga asnjë prej këtyre skuadrave. Në këto kushte drejtuesit katalanas e shohin më të arsyeshme që të negociojnë me Mançester Junajtid, për një shkëmbim të mundshëm mes dy sulmuesve. Nëse David Mojes e pëlqen golashënuesin më të mirë të kombëtares spanjolle, atëherë Barcelona do të jetë gati për të ofruar edhe 25 milionë euro për të marrë Runin. Nëse dy klubet do të bien dakord, Runi duhet të pranojë reduktimin e pagës që merr te Junajtid, pasi katalanasit nuk mund t’i ofrojnë kurrsesi 14 milionë euro në sezon.
Miqësorja
Kotbusi shkatërron Skënderbeun 4-0
Skënderbeu e ka humbur miqësoren e radhës në tokën austriake, aty ku po zhvillon përgatitjet në kuadrin e përfaqësimit në Ligën e Kampioneve. Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa është mposhtur 4-0 nga gjermanët e Energi Kotbus, duke dëshmuar edhe një herë tjetër se “fusin ujë” thuajse në të gjitha anët. Sidomos qendra e mbrojtjes ka përsëritur gabimet e miqësoreve të shkuara, duke ia vështirësuar aq shumë punën portierit Orges Shehi, sa ta nxjerrë katër herë topin nga rrjeta e vet. Për Kotbusin i ka zhbllokuar shifrat e bardha Moskuera në minutën e 33-të, para se Bickel të dyfishojë rezultatin dhe ta mbyllë pjesën e parë 2-0. Në fraksionin e dytë kanë shënuar edhe dy herë gjermanët, me anë të Kleindienst (68’) dhe Riviç (71’).
Plani
Gyndogan zëvendëson Alkantarën
Zëdhënësi i Barcelonës, Toni Freixa, pohoi vetëm 48 orë më parë se asnjë klub nuk i ka kontaktuar për të hapur negociatat në lidhje me një transferim të mundshëm të Tiago Alkantara. Në mënyrë të ngjashme, trajneri Vilanova ka deklaruar më herët se lojtari nuk kishte treguar zyrtarisht interesin e tij për t’u larguar, duke lënë gjithçka në llogaritë e klubit. Këto deklarata në fakt nuk korrespondojnë me lëvizjet e zbuluara nga mediat britanike, që thonë se transferimi i mesfushorit katalanas te Mançester Junajtid është vetëm çështje ditësh. Ky informacion i përftuar nga mediat angleze ka rihapur debatin mbi nevojën e gjetjes së një zëvendësuesi që jep garanci. Gyndogan është i pari në listë, edhe pse Borusia e Dortmundit ka shfaqur një kokëfortësi për ta mbajtur pjesën tjetër të yjeve të veta, pas largimit të Mario Gëtzes. “Prangosja” që i bënë Levandovskit flet qartë në këtë drejtim. Operacioni “Gyndogan” kuptohet se nuk mund të jetë i lehtë, por katalanasit kanë shpresa tek pozicioni dhe pëlqimi i vetë lojtarit.