Të gjithë e kemi mësuar, lexuar e dëgjuar tashmë historinë e “disidencës” së familjes Lubonja, atë “kundërvënien” e Todit si liberal ndaj vijës së Partisë, brenda sektit të komunizmit enverhoxhian, dënimin e tij me burg si “rrufe në qiell të pastër”… dhe si epilog, shtrëngimin e dorës me Ramizin, militimin si veteran, daljen si “themelonjës”, polemikat me çjerrje sysh me korbat e laraskat etj.
Por në parantezë, më duket se tjetër gjë ishte “kur ta zinte rrota bishtin” e tjetër gjë kur vërtet në “torbë kishte diçka për të ngrënë”, makari edhe ndonjë kokërr lakër. Gjithsesi, si shumë njerëz me funksione të larta partiake, që kishin dalë vërtet ose nuk kishin dalë fare “kundër vijës së Partisë”, diktatori Hoxha (me atë instinktin e tij gjarpëror si gjarpër më i madh që ushqehej duke gojëtitur-kapërdirë gjarpërinj), ia stamponte etiketën “familje gjarpërinjsh”, ua shkatërronte familjen, meshkujt në burg, gratë që nuk divorcoheshin e të miturit në internim-dëbim. Nga rendi i vëllezërve dhe njerëzve të gruas kishte edhe përjashtime, si të silleshin, por kishte edhe raste që fatkeqësia shkonte “deri te macja e shtëpisë”… Fatkeqësi të rëndë pësuan Lubonjëllarët, mbas Todit, “liberali i muzikës së Festivalit XI”, e hëngri edhe i vëllai, Llazari, pastaj edhe i biri, Fatosi.
Fatos Lubonja, mbasi bëri 4 vjet burg në Spaç, u ridënua! Përflitej asokohe në burg se ky ishte një lloj grupi i stisur, i improvizuar nga kuadrot e Sigurimit, për të gjetur alibira si fakte për justifikimin e pushkatimeve të dy personave. Këta dy persona kishin kërkuar komplet ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Kinën, pas prishjes, dhe i kishin dërguar shokut Hysni Kapo një letër. Se kush u prish apo kujt iu derdh më shumë, midis dy vëllezërve apo dy motrave, me dashuri të përjetshme, Fatosi, siç thoshin, e dinte mirë këtë rast, por kurrë nuk e zuri n’goje!
Mbas ridënimit Fatosi risillet në Spaç, refuzon të punojë në galeri, futet në një grevë urie në birucë dhe transferohet në Ballsh. Zakonisht transferimet ishin në Burrel, por u bë një përjashtim, sepse atje ishte Todi. Gjene, në Ballsh, Fatosi takoi xhaxha Llazarin. Aty gjeti edhe njëfarë stabilizimi e paqeje. Kishte takime e kontakte të vazhdueshme me bashkëshorten, fjetje me nga 12 orë, kur të tjerëve nuk ua lejonin as 10 minuta! Thoshin apo e justifikonin asokohe se “komanda e kishte me sy të mirë dhe e shpërblente me njëfarë rehabilitimi për sjellje të mirë”. Ishte rastësi?!
Ndërkaq, pati një të vërtetë, që në atë kohë na çuditi e na vuri (dhe akoma na vë) në mendime, ne që e njihnim disi më nga afër. Me rastin e 40-vjetorit të themelimit të PKSH-së, më 8 nëntor 1981, Fatos Lubonja, së bashku me Dashnor Mamaqin e ndonjë tjetër, i dërgojnë urime Partisë mëmë! Kur njëri nga bashkëvuajtësit që i fliste, e pyeti:
– Po pse po e bën këtë gjë, pa ta kërkuar askush, o Fatos?
– Ja po ta them troç, thjesht për hipokrizi, siç po bëjnë edhe njerëzit jashtë.
Për hipokrizi?! Po si e harroi pushkatimin e dy shokëve…
Kur e shohim dhe e ndjekim sot sa në shtyp e sa në televizione, ne që e kemi njohur nga
afër, nuk çuditemi edhe aq, kur Fatosi sheh çdo gjë me syze të errëta, kur manifeston një nihilizëm ekstrem, kur kritikon e kritizeron për çdo gjë, kur merr vesh, kupton ti, si specialist i dijshëm enciklopedik poliedrik për çdo gjë, deri edhe si ekspert seksi dhe planesh urbanistike, madje për t’u dukur edhe si unik e kontrovers në llojin e vet, çoku na del edhe kundra anëtarësimit në NATO! Pa le pastaj kur ia dredh, sa njerëz anë e sa tjetrës, kur na sjell ca shembuj pa kripë Italie etj, a thua se e gjithë disidenca, kritika letrare dhe filozofia rrotullohen rreth Fatos Lubonjës! Edhe, ndërkaq ka edhe një lloj kursimi në analizat e tij, i ruhet konfrontimeve ose bën edhe aleanca provizore e fluide me analistë-opinionistët e trashëguar më direkt nga diktatura! Me sa duket edhe tashti akoma nuk i ka dalë frika e rajallëkut të trashëguar qysh nga ai gjyshi otoman me emër mysliman, sa për sy e faqe dhe frika e diktatorit…
Haki Sarikama
Ish-i burgosur politik në Ballsh, 1979-1982