Vrasja e kamerieres nga gardiani shkak, xhelozia dhe presioni i fëmijëve

0
155

Elton Qyno

vendvrasje

Ali Veterniku dyshonte se gruaja e tradhtonte me klientët në lokal. I kërkoi lënien e punës

Banorët: Moza prezantohej me disa, kanë pasur konflikte me gardianin edhe herë të tjera

 

Xhelozia ndaj bashkëjetueses së tij Mimoza Nikolli e ka shtyrë gardianin e spitalit të burgut, Ali Veterniku, të qëllonte plot katër herë në drejtim të 48-vjeçares dhe më pas me një plumb ka qëlluar edhe veten. Veterniku kishte krijuar një lidhje njëvjeçare me Mimoza Nikollin, një kameriere që punonte pranë një lokali në dalje të zonës së Kombinatit. Fillimisht, lidhja mes tyre ka qenë tepër e qëndrueshme, duke pasur parasysh edhe gjendjen tepër të rëndë emocionale prej nga vinte punonjësi i burgut, të cilit dy vite më parë i kishte vdekur gruaja. Në kushtet e një lidhjeje të qëndrueshme, Ali Veterniku dhe Mimoza Nikolli kanë vendosur të bashkëjetojnë duke marrë me qira një apartament që ndodhet në rrugën “Altin Basha”. Për një periudhë gjashtëmujore, së bashku me çiftin kanë jetuar edhe katër fëmijët e 48-vjeçares, ndërsa katër fëmijët e tjerë të saj jetonin jashtë shtetit. Mirëpo koha ka kaluar dhe mes Nikollit, që në të vërtetë mbante emrin Mrike Prendi, dhe gardianit të burgut kanë lindur konfliktet e para, pasi Ali Veterniku dyshonte për tradhtinë e vazhdueshme që Nikolli i bënte atij. Sikur të mos mjaftonte kjo, 64-vjeçari gjatë kësaj kohe ishte vënë në presion nga fëmijët e tij, të cilët i kërkonin që të mos bashkëjetonte me gruan. Në këtë kushte, Veterniku ka hyrë në gjendje depresioni, duke vendosur të vrasë bashkëjetuesen e tij dhe më pas, duke mos parë asnjë rrugëzgjidhje, ka qëlluar në drejtim të vetes me një plumb.

Gruaja me disa emra

Ajo që ka mbetur mister për policinë është se viktima, 48-vjeçarja Mimoza Nikolli, gjatë bashkëjetesës me gardianin e burgut, ka përdorur emra të rremë. Nuk dihet se përse e ka bërë një veprim të tillë, por sipas banorëve të zonës, Nikolli ishte prezantuar tek ta se vinte nga Kukësi, ndërkohë që nga verifikimet e policisë ajo ka rezultuar se ishte nga zona e Lezhës. Veç kësaj, gruaja ka përdorur edhe emra të ndryshëm, ku me sa duket edhe bashkëjetuesi i saj nuk ka arritur ta mësojë emrin e vërtetë të saj. Banorët tregojnë se përgjatë gjithë ditës, 48-vjeçarja punonte në një lokal në dalje të Kombinatit, duke kryer rolin e kamerieres. Siç duket, ky pozicion ka shërbyer që ajo të ketë kontakte me shumë klientë dhe për pasojë ka sjellë edhe xhelozinë e gardianit të spitalit të burgut, Ali Veterniku. Mësohet se herë pas here, 64-vjeçari i ka kërkuar që të braktiste atë punë dhe të gjenin një tjetër, por nuk ka ndodhur në fakt ashtu. Mimoza Nikolli ka vijuar punën si kameriere, duke xhelozuar akoma dhe më tepër bashkëjetuesin e saj. Për pasojë, gjatë këtyre muajve ka pasur konflikte mes tyre, konflikte që çuan më pas deri në vrasjen brenda ambienteve të shtëpisë së 48-vjeçares dhe vetëvrasjen e 64-vjeçarit Ali Veterniku me origjinë nga Erseka.

Vrasja në mbrëmje

I futur në depresion të thellë, pasi dyshonte për një tradhti të mundshme të bashkëjetueses, por edhe i vënë në presion nga fëmijët e tij për ta braktisur kamerieren, Ali Veterniku ka menduar ta zgjidhë vetë këtë çështje. Pasi ka lënë punën, ai rreth orës 7:30 ka shkuar në apartamentin që ndodhej në katin e 8-të të një pallati në rrugën “Altin Basha”. Ka qëndruar derisa në shtëpi është rikthyer edhe Mimoza Nikolli, kur më pas mes tyre kanë lindur konfliktet sërish. Në këto kushte, Veterniku ka vepruar me gjakftohtësi, duke larguar dy fëmijët që ndodheshin në shtëpi dhe më pas ka mbyllur derën nga brenda. Shumë shpejt dy bashkëjetuesit janë gjendur përballë njëri-tjetrit dhe në këtë situatë sherri është tensionuar më tepër. Veterniku nuk ka pritur të debatojë më tepër me 48-vjeçaren, por ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar mbi të katër herë, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas është ulur pranë saj dhe ka qëlluar me një plumb në kokë veten, duke rënë i përgjakur në dyshemenë e kuzhinës së apartamentit, ku çifti jetonte me qira.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency