Zgjedhjet në PD Sot Basha nis fushatën në Elbasan, Olldashi në Fier

Ina Jano

BASHA OLLDASHIKandidatët fillojnë punën e tyre në terren. Takime të gjëra në bazë dhe shpaloje platformash

 

22 korriku po afron dhe dy kandidatët zyrtarë për kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi, duhet që të fillojnë lëvizjen e tyre në gjithë vendin për tu takuar me bazën dhe për të deklaruar platformën e tyre, përpara se 100 mijë anëtarët të votojnë për të zgjedhur liderin e tyre. Kështu pas mbledhjes së kryesisë së selisë blu e cila hodhi disa prej piketave kryesore se si do të ndërtohet fushata, tashmë puna në terren fillon sot zyrtarisht.

Dy kandidatët potencialë për të marrë timonin e selisë blu, sot udhëtojnë në dy prej qyteteve kryesore për të nisur fushatën. Kështu kreu i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha do e fillojë garën nga Elbsani, një prej qarqeve më të mëdha, qytet ku ka marrë edhe mandatin e deputetit dhe po ashtu në 2009 drejtoi grupin e punës, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme, qytet ky ku pretendon të ketë edhe mbështetjen më të madhe. Basha u zgjodh deputet dhe u konsiderua një rezultat pozitiv që 14 mandatet e qarkut të Elbasanit u ndanë barazim mes socialistëve dhe demokratëve, duke e shndërruar këtë qark në një barazim, pasi më herët Elbasani konsiderohej një qytet i majtë. Sot kryebashkiaku, do të lerë këtë funksion dhe do të takohet me strukturat e qytetit që e nxori deputet dhe demokratët për të shpalosur planin e tij.

Nga ana tjetër  edhe kandidati tjetër Sokol Olldashi ka vendosur të nisë fushatën në zonën ku dy herë rresht është zgjedhur deputet, në Fier.  Olldashi do të realizojë takime me bazën në këtë qytet, ndërsa në fushatën elektorale që lamë pas, ai ishte i pari në listën e deputetëve dhe kryesonte grupin e punës për këtë qark.

Sybi Hida

Ndërsa gara ka nisur, drejtues, por dhe anëtarë të Partisë Demokratike nuk e vënë në dyshim që kjo është një garë reale. Sybi Hida deputet në këtë legjislaturë që mbyllet në shtator, mendon se kjo është një garë reale ndërsa nënvizon se gjithë të tjerët që kanë dyshime duhet ta heqin nga mendja një gjë të tillë. “Mendoj që kjo është një garë  e cila tregon vlerat e PD, një garë e drejtë, një garë me vizione të qarta për kthimin e identitetit dhe kthimin e PD në një maxhorancë”, – tha Hida. Ligjvënësi demokrat shprehet se pas humbjes në këto zgjedhje Partia Demokratike ka aftësi të ringrihet dhe të jetë fituese. “Kjo është një parti e cila di se si të sillet edhe në opozitë, edhe në maxhorancë. Mendoj se PD i ka të gjitha shanset që shumë shpejt të jetë maxhorancë dhe t’i kthejë besimin që i duhet shqiptarëve, por edhe anëtarëve të PD”- vlerësoi zoti Hida. Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosir se të dy kandidatët do të takojnë të gjithë demokratët në vend dhe do të vizitojnë të gjitha degët e PD-së, por nuk do të ketë një përballje të tyre. Nga burimet brenda selisë blu, mësohet se nuk do të ketë një grafik të mirë përcaktuar që në fillim, por hap pas hapi do të procedohet me të gjitha qytetet, nisur edhe nga axhenda e dy kandidatëve, diktuar kjo nga postet zyrtarë që ata mbjanë. Olldashi si ministër i Punëve Publike, dhe Basha si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Humbja e zgjedhjeve të 23 qershorit do të analizohet nga lidershipi i ri i partisë demokratike. Më 22 korrik demokratët por jo ata të anëtarësuar  dy muajt e fundit, do të zgjedhin kreun e ri mes dy kandidatëve që janë në garë, Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës.

 

Vendimi

Berisha firmos rritjen e rrogës minimale me 11.3 %

Me në të një njoftimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Kryeministri Berisha vendosi që tu japë lajmin e mirë të gjithë shqiptarëve se tashmë paga minimale e tyre do të rritet. Vendimi që u mor disa ditë më parë në mbledhjen e përjavshme të kabinetit qeveritar, u firmos ditën e djeshme nga shefi i qeverisë.  “Të dashur miq, sot (dje)  firmosa vendimin për rritjen e rrogës minimale me 11.3 %. Kjo është rritja e madhe e të gjithë rrogave të ulta. Me këtë vendim rrogat minimale në Shqipëri, krahasuar me fillimin e vitit 2006, rriten me 110 %. Ne mbajmë premtimet!”, – shkroi Berisha në Facebook. Vetëm pak ditë më parë kryeministri hodhi poshtë zërat se nuk do të kishte rritje të pagave dhe pensioneve, pasi buxheti ndodhej në vështirësi. Kështu pritet që pas 15 Korrikut të hyjnë në fuqi edhe rritjet për pensionet, pagat e mesme dhe të larta. Nga rritja e premtuar e kryeministrit Berisha do të  përfitojnë rreth 571 mijë pensionistë në masën 3-5 %. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, pensionet e fshatit do të përfitojnë edhe rritjen më të madhe, ndërsa rritje më të ulët do të përfitojnë pensionet e qytetit. Ky vendim parashikon një rritje më të madhe për pagat e ulëta dhe pensionet në fshat, me synim barazimin e tyre me pensionet e qytetit. Ndërkohë që rritja do të jetë më e ulët për pagat e larta. Rritja e pagave të ulëta me 11.3 %  është më e lartë se premtimet e bëra të kryeministrit për një rritje pagash e pensionesh nga 4 deri në 6%. Pavarësisht lajmit të mirë për buxhetorët dhe pensionistët, rritja pritet që të ketë një efekt prej 2.5 miliard lekësh në buxhetin e shtetit. Sipas projektvendimit, rritja llogaritet, sipas kategorive, ku për nivelin e lartë të drejtuesve të shtetit nuk do të kishte shtesa, kurse përfitimin më të madh do ta kishin punonjësit me pagën më të ulët. Sipas rregullit buxhetor dhe ligjeve në fuqi, rritja e pagave dhe pensioneve duhet të ndodhë, pavarësisht vullnetit politik apo pamundësisë financiare të qeverisë, për të balancuar nivelin e inflacionit.

 

 

Majko: Borxhi publik në shifra alarmuese, do pezullojmë vendimet e “premtimeve të mbajtura”

Pandeli Majko ka reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë për rritjen e pagave. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Majko e quan të paprecedentë vendimin e kryeministrin në largim Sali Berisha në një kohë që situata e borxhit publik sipas paralajmërimeve të FMN dhe BB është alarmuese. Majko bën apel që qeveria ti japë fund, vendimeve për premtimet e pambajtura me qëllim që Kuvendi i ri të mos nisë punën me anulimin e tyre. “Mësova që qeveria në detyre (humbëse e zgjedhjeve të 23 qershorit) ka marrë vendimin për rritjen e rrogave. Ky është një gjest i paprecedentë. Në kushtet ekonomike të vendit ky vendim është kulmi i papërgjegjshmërisë. A ka ministër financash ky vend?! A ka Guvernator të Bankës së Shqipërisë ky vend që pak ditë më parë kërkoi rikthimin e FMN-së për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike?! Çfarë janë duke bërë me financat e vendit këta qeveritarë të përkohshëm?! Pse nuk u kujtuan këta qeveritarë për “premtimet e mbajtura” të rritjes së rrogave para datës së zgjedhjeve (23 qershor) por kujtohen tani pasi i kanë humbur ato?! Kush mendon se luan të “zgjuarin” dhe “burrin e mirë” të premtimeve të mbajtura e ka gabim! Shpresoj që Kuvendi i ri të mos fillojë me hetimin për falimentim me dashje të financave të shtetit! Vendimet e “premtimeve të mbajtura” duhet të pezullohen! Shqipëria është në krizë dhe nuk ka kohë për humor! Tallja nuk është virtyt! Ka ende kohë për reflektim për ata që e duan këtë vend edhe kur nuk janë në pushtet!”, – shkruan zoti Majko.

Jessie J: Jam një beqare e lumtur

Kërko