Konstitucionalisti Rustem Gjata: Me KQZ-në pa shumicë, i takon Kolegjit të shpërndajë mandatet

0
173

 Gëzim Saliu

RUSTEM-GJATA- “Kërkesën në Kolegjin Zgjedhor nuk e dërgon KQZ-ja, por subjekti, partia apo kërkuesi i interesuar”

 

Kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka shumicën e domosdoshme për të marrë vendimin për shpërndarjen e mandateve, i takon Kolegjit Zgjedhor të japë këtë vendim. Kështu deklaron për gazetën, konstitucionalisti Rustem Gjata, duke theksuar se atë që nuk është në kompetencën e KQZ-së e zgjidh Kolegji, i cilin sipas tij, nuk ka asnjë pengesë ligjore që të marrë përsipër dhënien e vendimit për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka kuorumin e domosdoshëm për shpërndarjen e mandatave dhe certifikimin e rezultatit zgjedhor.  Në këtë formë i takon Kolegjit Zgjedhor për të dhënë këtë vendim. Neni 1 paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë, në pjesën parimet themelore të procesit gjyqësor thotë se gjykata nuk mund te refuzojë të shqyrtojë dhe te japë vendime që i paraqiten për shqyrtim me arsyetimin se ligji mungon, nuk është i plotë , ka kundërthënie ose është i paqartë, gjykata është gjykatë. Ato që nuk ka në kompetencë  KQZ i zgjidh Kolegji Zgjedhor .Nuk ka asnjë ndalim”, tha Gjata.

 

Cerfitikimi

Konstitucionalisti Gjata pohon se paraprakisht është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ai që përcakton në kompetencën e tij se nuk formon dot kuorumin e domosdoshme për të marrë vendimin e certifikimit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. “ Çështja i shkon fillimisht Komisionit. Komisioni përcakton në kompetencën  e tij, se nuk formon numrin  e nevojshëm, pra nuk ka 5 anëtarë dhe në këtë formë nuk mund të marrë vendim për këtë çështje. Në këtë kontekst vlen të theksohet se çështja nuk i drejtohet KQZ-së, por i drejtohet të interesuarit, ku ky i fundit ka të drejtë të ankohet në Kolegj”, theksoi ai. Më tej ai bën të ditur se ankimi në Kolegjin Zgjedhor nuk mund të bëhet nga KQZ-ja, pasi sipas tij,: “Po ta çojë vetë Komisioni në Kolegj nuk është e përshtatshme. Disponimin e kërkesës e bënë vetëm kërkuesi, subjekti apo partitë”. Në këtë kontekst, Gjata sjell edhe shembuj të kësaj praktike duke pohuar se,: “Ka pasur raste të mëparshme kur KQZ ka qenë e plotë por nuk është mundur të merret vendimi me shumicë të cilësuar.  Në këtë rast, subjekti apo vetë personi i interesuar ka bërë ankim në Kolegj”. Në përfundim konstitucionalisti Gjata thekson se ajo që ka më shumë rëndësi në të gjithë këtë proces është procedura.  “Procedura është njishi. Po nuk e respektove procedurën gjithë mundi shkon kot. Duhet vëmendje e madhe dhe duhen konstitucionalist të përgatitur për këtë punë”,  deklaroi Rustem Gjata.

 

 

Vëzhguesit Vendorë: Shpërndarja e mandateve vetëm nga KQZ-ja

Certifikimi i rezultatit zgjedhor dhe shpërndarja e mandateve nuk mund të bëhet nga Kolegji Zgjedhor pasi në bazë të Kodit Elektoral kjo është një kompetencë që i takon vetëm Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kështu deklaruan dy ditë më parë përfaqësuesit e  Koalicionit të  Vëzhguesve Vendorë në raportimin para final për zgjedhjet e 23 qershorit, duke theksuar se shpallja e rezultatit nga Kolegji do të cenonte legjitimitetin e procesit. “Kodi Zgjedhor në nenin 24, pika 1, gërma “a” parashikon se “Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore”. Ligji Zgjedhor ia ngarkon specifikisht vetëm KQZ-së detyrimin e shpërndarjes së mandateve dhe nuk parashikon asnjë institucion tjetër që në rast eventual të marrë përsipër këtë vendimmarrje. Kodi Zgjedhor e përcakton Kolegjin Zgjedhor si një trupë gjyqësore të përkohshme (ad hoc), të ngritur nga përzgjedhja me short prej gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit. Kjo trupë gjykuese shërben si një shkallë e dytë gjykimi, pas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilat, të dyja së bashku, mund të konsiderohen si sistemi i drejtësisë zgjedhore. Nisur nga ky argumentim dhe bazuar në Kodin Zgjedhor, në konsideratën e Koalicionit, Kolegji Zgjedhor nuk mund të investohet për të kryer shpërndarjen e mandateve. Çdo zgjidhje alternative për tejkalim e këtij ngërçi, është në mos përputhje me Kodin Zgjedhor. Finalizimi me një akt të tillë, do mund të cenojë legjitimitetin e arritur të gjithë procesit”, thuhej në përfundimet e Koalicionit.

 

Përfaqësuesit ligjorë të partive: Certifikimi në Kolegj

Përfaqësuesit ligjorë të partive politike në KQZ, pohuan dje se do të jetë Kolegji Zgjedhor që do të bëjë shpërndarjen e mandateve. “KQZ me 4 anëtarë e ka të pamundur të shpërndajë mandatet. Dhe kërkon një minimum një shumicë të cilësuar. Ky ngërç mund të zgjidhet duke u bazuar në kodin zgjedhor , kur KQZ s’mund të marri vendim , do jetë kolegji zgjedhor që do bëjë vendimmarrjen. Besojmë se nëse do ecim në këtë terren, rreth datës 15 korrik të kemi një rezultat të shpallur”, tha për News 24 Genci Gjonçaj, përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ. Në të njëjtën linjë me të ishte edhe përfaqësuesi ligjor i LSI në KQZ, Ilirjan Muho, i cili theksoi se,: “Ne besojmë se procesi po ecën normalisht, jo për meritë të KQZ, por te popullit shqiptar që nuk i la hapësirë KQZ të ndërhyjë. Ajo që ka ndodhur me KQZ ka qenë shkelje të kodit. Por kolegji do te jete institucioni që do japë zgjidhje për certifikimin”. Po ashtu edhe anëtari i KQZ-së Klement Zguri bëri të ditur se në pamundësi të shumicës në institucionin më të lartë zgjedhor, i mbetet detyrë Kolegjit që të miratojë tabelat e rezultateve dhe të certifikojë rezultatin. “Ne ligjërisht përmbushim tabelat përmbledhëse, ndërsa për ndarjen e mandateve duhet një shumicë e cilësuar dhe duke qenë se KQZ është e pamundur për këtë vendim, është kolegji që pas tabelave të bëjë ndarjen e mandatave”, tha Zguri.

 

 

Shefja e ODIHR-it: E paqartë se kush do ti certifikojë zgjedhjet

Shefja e misionit vëzhgues të ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, amerikania Koni Mek-Kormak, ka deklaruar pak ditë më parë se certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit mbetet një pikëpyetje në kohën kur KQZ nuk ka shumicën e domosdoshme për të marrë këtë vendim. “Situata dhe problematika në KQZ është një çështje shumë e diskutuar, ajo është renditur si një çështje me natyrë politike edhe pse duhet të ishte një çështje administrative, sipas rregullave të caktuara më herët. Unë mendoj se duhet të ketë përmirësime dhe ne do të nxjerrim edhe rekomandime për këtë çështje. Por duke u ndalur tek momenti aktual, certifikimi i rezultatit është ende i paqartë sesi do të ecë para, sepse siç dihet nga të gjithë ka një kërkesë ligjore për shumicë të cilësuar prej 5 votash që ende nuk ekziston në kompozimin aktual të KQZ”, tha Koni Mek-Kormak.