Elton Qyno
Pavel Prazak ka ndrydhur këmbën. Helikopteri i ushtrisë ka shpëtuar turistët çekë
Pavel Prazak, turisti çek, i cili ra në një humnerë në malin e Jezercës, është shpëtuar nga një helikopter i forcave të ushtrisë. Helikopteri i tipit AB 205 i Regjimentit të Helikopterëve në Farkë që filloi kërkimet në orët e para të mëngjesit gjeti personin e humbur prej mesditës së diel. Në mëngjes helikopteri ka bërë transportimin e të plagosurit për në spital, me qëllim evidentimin e gjendjes së tij shëndetësore. Të dielën e 7 korrikut turisti ka qenë me një grup alpinistësh për të pushtuar majën më të lartë të Alpeve shqiptare. Nga pakujdesia mendohet se alpinistit çek i ka rrëshqitur këmba duke rënë në humnerë. Pas sinjalit “SOS” dy helikopterë kryen kontroll në të gjithë zonën por nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Rreth orës 19:40 minuta kërkimet u ndërprenë, për tu finalizuar dje në mëngjes. Helikopteri a kryer kontrollin e mirë të zonës dhe se ka arritur të lokalizojë grupin e turistëve që ishin së bashku me të plagosurin. Së bashku i kanë bërë shenjë pilotëve dhe më pas kanë arritur të hipin në helikopter duke udhëtuar në drejtim të spitalit Ushtarak në Tiranë. Sipas mjekëve gjendja e turistit Çek është në gjendje të mirë dhe se ka vetëm një ndrydhje, ndërkohë që Pavel Prazak, pas gjithë kësaj aventure ka deklaruar se do të rikthehet sërish në shtëpi.
12 orë i izoluar
Pas më shumë se 12 orë në malin e Jezercës, konkretisht në vendin e quajtur Liqenet e Fierzës më shumë se 2500 metra mbi nivelin e detit, është gjetur në orët e para të mëngjesit të djeshëm turisti çek, i aksidentuar dy ditë më parë. 25-vjeçari Pavel Prazak ndodhej në mal për alpinizëm, por gjatë ecjes ishte rrëzuar e kishte ndrydhur këmbën. Për 12 orë me radhë i riu ka qëndruar i izoluar në alpet e Shqipërisë dhe se së bashku me miqtë e tij ka kaluar natën, duke ngritur një kamping të vogël. I riu u gjet falë kërkimeve të kryera me një helikopter të ushtrisë shqiptare pasi helikopteri i policisë nuk kishte mundur të kryente operacionin e kërkim-shpëtimit duke qenë se zona është shumë e thyer. Ai u transportua në Spitalin Ushtarak, por nuk paraqet rrezikshmëri për jetën. Vendi në të cilin u aksidentua turisti çek përbëhet nga disa gropa, me sipërfaqe jo shumë të madhe, por që janë të mbuluara nga dëbora. Pikërisht shtresa e dëborës, mbi të cilën po ecnin turistët çekë ka ndikuar në rrëshqitjen e 25-vjeçarit, i cili më pas është rrëzuar duke ndrydhur këmbën.
Telefonata në polici
Grupi prej 5 personash, turistë çekë, kanë njoftuar në sallën operative të policisë se kanë humbur. Policia e Shtetit është vënë në lëvizje menjëherë, duke dërguar atje helikopterë, që, pasi kanë kryer disa herë kontrolle në majën e Jezercës, nuk kanë arritur të gjejnë asnjë shenjë të turistëve çekë. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së dielës kur një nga turistët Çek ka qenë duke i ngjitur në malin e Jezercës nga ku ka rrëshqitur duke pësuar më pas dëmtime. Sipas informacioneve të marra pranë qytetit të Bajram Currit bëhet e ditur se turisti çek ka thyer njërën prej gjymtyrëve të poshtme dhe ka më pas ka njoftuar policinë me telefon. Të njëjtat burime sqaruan se deri në mbrëmjen e dy ditëve më parë nuk është bërë i mundur lokalizimi i turistit i cili ka qenë duke bërë alpinizëm në malin e Jezercës. Helikopterët e policisë dhe ushtrisë kanë shkuar disa herë në vendin ku dyshohet të jetë turisti, por nuk kanë mundur që ta gjejnë atë pasi terreni malor është tepër i thyer dhe ulja e helikopterit është shumë e rrezikshme.
Shëngjin
Anija ushtarake, shpëton të rinjtë në det
Dy persona që kishin humbur në det nga Shëngjini u gjetën nga Roja Bregdetare. Një telefonatë në sallën operative e Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare sinjalizoi se pas mesnatës dy persona me motor uji kanë humbur kontaktin me tokën në zonën e plazhit të Shëngjinit. Menjëherë është nisur në vend ngjarje anija e gatshme P-01 e Rojës Bregdetare me vend-bazim në Kepin e Palit. Kjo anije, së bashku me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, në orën 03:50 bënë të mundur gjetjen dhe transportimin për në breg të dy personave të humbur. Dy të rinjtë ishin larguar me një motor uji dhe se për shkak të largësisë dhe rënies së natës nuk kanë mundur të orientohen për të dalë në breg. Pas dhënies së ndihmës të dy të rinjtë kanë qenë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ngjarja në Berat
Grabitet banesa e ish-kreut të komunës Otllak
Banesa e ish-kreut të komunës Otllak të Beratit është grabitur nga persona të paidentifikuar. Sipas policisë së Beratit, hajdutët kanë grabitur një shumë të konsiderueshme parash në banesën e Muharrem Hoxhës. Policia tha se dy persona kanë detyruar rojën të hapte derën e shtëpisë dhe kanë mundur të grabisin rreth 5 milionë lekë. Sakaq uniformat blu kanë shoqëruar në komisariat rojen e banesës, ndërkohë thonë se po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të grabitjes. Roja është marrë në pyetje për disa orë, ku ka dhënë të dhëna të sakta rreth veshjes dhe karakteristikave të tjera të dy grabitësve. Ndërkohë që për ngjarjen në fjalë në polici janë shoqëruar dhe disa persona të tjerë por që në fakt më pas ata janë liruar sërisht pasi, është menduar se ata nuk kanë lidhje me ngjarjen.
Incidenti
I sëmuri mendor kërkon takimin me Arvizun
Një 45-vjeçar tentoi të hyjë me forcë në ambientet e Ambasadës Amerikane në Tiranë, për të takuar ambasadorin Arvizu. Burime nga policia bëjnë të ditur se Sherif Marina është ndaluar nga forcat e komisariatit numër 1 dhe shërbimet e sigurisë së Ambasadës, teksa përpiqej të hynte me forcë brenda godinës së ambasadës. Mësohet se 45-vjeçari ka kërkuar t’i jepet një vizë amerikane pa dhënë arsye, dhe kërkonte me ngulm të takonte personalisht ambasadorin amerikan. Sherif Marina refuzoi të japë shpjegime në polici se përse kërkoi takim me ambasadorin Arvizu apo se përse e dëshironte udhëtimin në SHBA. Në xhep i janë gjetur 500 euro dhe 80 mijë lek të vjetra, për të cilat ai theksoi se do i përdorte si shpenzime në udhëtimin e tij drejt SHBA. Nga kontrolli i kryer atij iu gjetën 12 fishekë dhe 2 regjistrues por asnjë armë. Nga informacionet që ka siguruar policia mësohet se Morina nuk gëzon as ndonjë gjendje ekonomike të mirë. Në mbrëmje policia la të lirë 45-vjeçarin Marina me pretendimin se ky shtetas vuan nga problemet mendore.
Ilirjan Mantho u konfliktua me Filip Basharin në lokal
Sherri për zhurmat, plagoset një 34-vjeçar
shoqërohet shoferi i kryetares së gjykatës
Filip Bashari, shoferi i kryetares së Gjykatës së Apelit në Gjirokastër, pronar i një lokali në Qafën e Pazarit në Gjirokastër, është përfshirë në një plagosje me armë së një bashkëqytetari. Shkak i këtij konflikti ka qenë një sherr për zhurmat në lokal ku mes Basharit dhe Ilirjan Manthos, ka lindur një debat që pas ka vijuar me konfrontim fizik dhe më pas shoku i shoferit të gjykatës ka përdorur armën. Ilirijan Mantho, 34 vjeç, nga Gjirokastra, ka ngelur i plagosur nga një plumb i vetëm, të cilin e ka marrë në kofshën e majtë në brendësi të klubit që administrohet nga shoferi i Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës Filip Bashari. Ngjarja është shënuar në orët e drekës së të hënës në zonën historike të Gjirokastrës, aty ku pozicionohen banesa e Manthos dhe lokali që është shndërruar në shqetësim për banorët e lagjes dhe familjarëve të tij, përgjatë orëve të natës. I shqetësuar nga prezenca e volumit të lartë të muzikës, Ilirijani ka shkuar në lokalin përbri shtëpisë së tij, duke i kërkuar miqësisht të zotit të lokalit që është njëkohësisht shoferi i kryetares së Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës të tregohej i kujdesshëm, me volumin e muzikës në orët e mbrëmjes pasi familjarët e tij e kishin përcjellë si shqetësim një çështje të tillë ditët e fundit. Mirëpo në vend të mirëkuptimit, 34-vjeçari, është ndeshur me një lumë ofendimesh dhe kërcënimesh nga ana e të zotit të lokalit madje deri në eliminim fizik të tij duke shfrytëzuar edhe postin që mban në gjykatë. Në këto kushte Mantho i ka bërë thirrje sërish Basharit, të negociojë për këtë çështje, ndërkohë që menjëherë, ka ardhur reagimi i shokut të pronarit të lokalit M. K., i cili ka nxjerrë revolverin nga brezi duke shtënë në drejtim të Manthos. Sapo ka parë revolverin në duart e adoleshentit, Mantho është larguar, por plumbi e ka kapur atë atë në pjesën e gjymtyrës duke i shkaktuar plagë serioze. Menjëherë në vendngjarje, kanë shkuar forcat e rendit të cilat kanë shoqëruar për në Komisariatin e Policisë pronarin e lokalit, si dhe dëshmitarët e rastit, ndërkohë që autori i ngjarjes, është larguar në drejtim të paditur. I lënduari është shtruar në Spitalin e Gjirokastrës për t’u mjekuar i pakërcënuar nga vdekja.