Gara për liderin e PD-së Basha: Anëtarët e PD-së do të përzgjedhin kandidatët për deputetë

0
160

Ina Jano

luliOlldashi: Duhet të bashkojmë çdo opozitar. Të vijë këtu çdo njeri që është i gatshëm të përballet me qeverinë e Edi Ramës

 

Gara për liderin e Partisë Demokratike vijon të jetë e fortë. Të dy kandidatët janë duke zhvilluar takime me bazën e demokratëve, ku edhe janë duke paraqitur platformat e tyre për drejtimin e selisë blu. Në vendndodhje të ndryshme, si zoti Basha, ashtu edhe Olldashi janë duke shpalosur pikat e programit që për ta janë më interesante dhe që do të kenë më shumë peshë në drejtimin e partisë. Kandidati për kryetar të PD-së, Lulzim Basha, ka prezantuar platformën e tij për drejtimin e Partisë Demokratike para anëtarëve të kësaj partie në njësitë bashkiake 8, 9 dhe 10 në kryeqytet. Zoti Basha ka theksuar në këtë takim vizionin e tij të drejtimit të PD-së, anëtari i kësaj partie do të jetë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes. “Zëri i anëtarit, – theksoi zoti Basha, – do të dëgjohet në përzgjedhjen e kandidaturave drejtuese e kandidatëve për deputetë, drejtuesve vendorë etj, duke e bërë selinë blu forcën më demokratike në vend dhe ku çdo anëtari të thjeshtë do t’i dëgjohet zëri dhe opinioni i tij. Çdo anëtar i Partisë Demokratike që këtej e tutje duhet dhe do të ketë vendin, për të thënë fjalën e tij, nga veprimet taktike në terren deri tek përzgjedhja e kandidaturave drejtuese, deri tek përzgjedhja e kandidatëve për deputetë. Për mua, është hapi i parë drejt fillimit të ri. Ju garantoj se me përkushtimin tim dhe përkushtimin tuaj, do ta nxjerrim përsëri në opozitë kryesocialistin dhe do t’i rikthejmë pushtetin PD-së”, – u shpreh Basha. Duke vijuar në këtë drejtim për demokratizimin e mëtejshëm të partisë, kryebashkiaku ka deklaruar se të gjithë anëtarët e thjeshtë do të kenë më shumë vëmendje nën drejtimin e tij. Zoti Basha theksoi se në themel të fillimit të ri qëndron evidentimi i plotë i kontributeve të anëtarëve të PD-së dhe vlerësimi e përhershëm i këtij kontributi. “Analiza duhet dhe do të fillojë me evidentimin e plotë të kontributit të anëtarësisë së PD ndër vite. Nuk ka dhe nuk mund të ketë një fillim të ri, pa bërë të mundur që gjithçka që anëtarët e PD japin dhe kanë dhënë ndër vite, të evidentohet dhe të kthehet në një kapital të çmuar politik për forcën tonë politike dhe jo të harrohet në krye të çdo fitoreje”, – shtoi Basha në takimin me qytetarët, ndërsa në fund të fjalës së tij mori edhe pyetje nga demokratët. Ai theksoi se demokratët, nën drejtimin e tij do u rikthejnë shpejt shqiptarëve mazhorancën morale, pasi mazhoranca e re dëshmoi se është kundër interesit të qytetarëve dhe është vetëm mazhorancë pazaresh. “Përballemi sot me një mazhorancë që është standardi më i ulët i së kaluarës 22-vjeçare. Ata janë Shqipëria e dredhive dhe e pazareve. Ata janë Shqipëria e mashtrimit dhe e tjetërsimit, një mazhorancë me sy të babëzitur drejt pasurive publike të shqiptarëve. PD duhet të jetë gati t’i përgjigjet si mazhoranca morale e shqiptarëve dhe e qytetarëve shqiptarë kudo ku ndodhen”, – pohoi Basha.

Olldashi

Kandidati për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, u takua me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie në Ersekë dhe në Leskovik. Gjatë prezantimit të projektit të tij, Olldashi deklaroi se Partia Demokratike duhet të riorganizohet në formatin e saj organizativ dhe politik për të nisur një aksion opozitar që do të sjellë rikthimin e saj forcë fituese në vend. “Duhet të përcaktojmë disa kufij politikë dhe t’u japim qytetarëve një kartë morale të fortë opozitare. Opozita është moral dhe jo numra në Parlament. Në qoftë se ne do të jemi në gjendje t’u ofrojmë qytetarëve këtë, jam i bindur se ne do të shndërrohemi shumë shpejt në shumicë. Përmes një veprimi shumë të fortë opozitar, përmes një veprimi shumë të qartë opozitar, përmes fokusimit në problemet reale që ka ky vend. Kemi përballë mazhorancën e Edi Ramës, një njeri i provuar që ndërton vetëm pushtet klientelist dhe të korruptuar. Kemi pjesë të pushtetit të Edi Ramës dhe vektorin e Ilir Metës që nuk është as parti politike, as formacion politik, por është një çetë hajdutësh”, – tha Olldashi. Në takimin e zhvilluar me anëtarët e PD në Leskovik, kandidati Olldashi bëri thirrje për një bashkim opozitar. Ai deklaroi se Partia Demokratike duhet të hapë dyert për të gjithë faktorët opozitarë për të ndërtuar një themel të sigurt të fitores në sfidën më të parë elektorale. “Ne duhet të bashkojmë çdo opozitar. Të vijë këtu çdo njeri që është i gatshëm të përballet me qeverinë e Edi Ramës. Duhet të jetë pjesë jona çdo njeri që është i gatshëm të veprojë dhe të funksionojë si opozitar”, – tha Olldashi.
Në referencë të garës elektorale, Olldashi tha se Partia Demokratike do të aplikojë një paketë ristrukturimi bazuar në mekanizma që do të forcojnë jetën e brendshme politike.

 

Kandidati

Paja nuk arrin të mbledhë 7 mijë firma për kreun e PD-së

Sokol Paja, kandidati që kishte paraqitur dëshirën e tij për të kandiduar për kreun e Partisë Demokratike, duket se nuk ka arritur që të jetë dot një kandidat zyrtar për këtë forcë politike. Kryesia e selisë blu nuk e ka miratuar që ai të jetë zyrtarisht në garë, pasi nuk ia ka dalë që të mbledhë dot 7 mijë vota. Ai nuk ka arritur të plotësojë kriteret statutore për të mbledhur firmat e duhura nga anëtarësia, në rastin kur ai nuk është kandidaturë zyrtare e kryesisë së PD-së. Paja tentoi të përfshihej në garë si përfaqësues i shtresës së të përndjekurve politikë, në kushtet kur Shqipëria – siç thotë ai – është vendi ku nuk është kërkuar falje për krimet e komunizmit dhe PD nuk e ka përmbushur ende misionin e saj. Ndaj, thirrja e tij është hapja e forcës politike ku militon. Të njëjtat kushte duhej t’i plotësonte edhe Astrit Sinani nga Fieri, në mënyrë që të listoheshin në fletën e votimit si kandidatë individualë, krahas Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës, kandidaturat zyrtare të kryesisë.

 

Takimi

Berisha – Rokanas, vlerësohen marrëdhëniet Shqipëri – Greqi

Kryeministri Berisha priti dje në një takim ambasadorin e Greqisë në Shqipëri, zotin Leonidas Rokanas. Ambasadori Rokanas i shprehu Kryeministrit Berisha falënderimet dhe mirënjohjen më të përzemërt të tij edhe të vendit të tij për kontributin e Kryeministrit edhe të qeverisë shqiptare në forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve edhe bashkëpunimit të frytshëm e të dobishëm midis të dy vendeve e qeverive, në dobi të interesit më të mirë të të dy popujve. Gjithashtu, ambasadori e falënderoi shefin e qeverisë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në mbështetje të projektit të gazsjellësit TAP, i cili u vlerësua si një ndër projektet më të rëndësishëm e më strategjik për të dy vendet dhe mbarë rajonin, pasi tashmë gazsjellësi TAP vendos për herë të parë Shqipërinë, Greqinë dhe të gjithë rajonin në hartën botërore të energjisë, duke sjellë një impakt jashtëzakonisht pozitiv për ekonomitë e vendeve tona dhe mirëqenien e qytetarëve. Numri një i mazhorancës, vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis dy vendeve, duke theksuar se është në interesin më të mirë të dy popujve që Shqipëria dhe Greqia të ndërtojnë marrëdhëniet më të shkëlqyera edhe bashkëpunimin më të gjerë e frytdhënës, në veçanti në fushën ekonomike dhe të investimeve të rëndësishme në tërësi.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency