Paguhet shërbimi dhe pamja e ofruar
Stina e verës ka sjellë nevojën e pushimeve aq të nevojshme për të gjithë shqiptarët. Njerëzit janë duke menduar se ku do t’i kalojnë këta muaj të nxehtë në shumë përmasa, në mal apo në bregdet, brenda apo jashtë vendit? Agjencitë turistike japin informacionet e para lidhur me këtë: krahasuar me një vit më parë, tendenca e udhëtimeve jashtë vendit mbetet në të njëjtat nivele, duke u lidhur ngushtësisht edhe me ekonominë e shqiptarëve për të shpenzuar për pushimet e tyre. Ndërsa destinacionet më të preferuara janë Greqia, Italia, Turqia dhe Spanja. Gjithsesi, destinacioni më i favorshëm për familjet shqiptare dhe buxhetit të tyre të ulët është Greqia, për shkak të afërsisë dhe çmimeve të ulëta me të cilat ofrohen shërbimet në vendin fqinj të kapluar prej vitesh nga kriza ekonomike. Korriku shënon edhe fillimin e pushimeve për disa që kanë marrë lejen e punës. Bregdeti shqiptar ka filluar të popullohet, pavarësisht nga temperaturat e larta të shoqëruara me reshje të papritura shiu. Pushimet e planifikuara janë ato shoqërore, familjare, çift. Në bazë të këtij planifikimi bëhet edhe përcaktimi i vendit në të cilin do të kalohen pushimet. Të rinjtë janë të tërhequr ndaj eksperiencave aventureske duke preferuar zonat shqiptare si Jala, Dhërmiu, Himara, Borshi, Saranda etj. Pushuesit familjarë janë në kërkim të një vendi të qetë, argëtues, pa zhurma, e kundërta e të rinjve shqiptarë. Çmimet në bregdetin jugor janë mjaft të kripura, por pavarësisht nga kjo, të rinjtë pohojnë se janë të tërhequr nga ujërat e detit Jon. Sipas tyre, më mirë është të pushosh jashtë, por shoqëria dhe qëndrimi brenda territorit për çdo gjë i detyron ata të qëndrojnë në këto vende.
Abuzimi
Vendet me pozicion të mirë gjeografik kanë prioritet turistik. Të vizitueshme nga turistë jo vetëm vendas, por edhe të huaj, kanë progres ekonomik. Prioriteti i të pasurit një lokal në një zonë të mirë shkakton çmime galopante nga pronarët privatë të cilët shfrytëzojnë mjaft mirë vendin e tyre strategjik. Të pyetur për këtë problem që gjithkush e has gjatë pushimeve të veta verore, ne kemi folur me pronarin e një lokali në Sarandë, i cili pohon se çmimet kanë arritur deri në këtë gradë, për shkak se këtu paguhet shërbimi i lokalit, pamja e ofruar etj. Sipas tij, nuk duhet harruar që jemi bregdet dhe fluksi i punës varet drejtpërdrejt nga kjo periudhë. Abuzimi me produktet e ofruara nga një subjekt privat varet nga marrëveshja e heshtur që këto biznese kanë ndërmarrë me njëri-tjetrin.
Ramazani
Agjërimi vjen me pastërti shpirtërore
Ka nisur dje muaji i madhërishëm i Ramazanit, i cili po mbahet nga të gjithë besimtarët myslimanë në të gjithë botën. Për 30 ditë rresht çdo mysliman do të agjërojë në emër të Allahut. Agjërimi ka nisur dje si formë e pastrimit të shpirtit, e parapërgatitjes për sfidat e jetës që priten të vijnë 11 muajt e ardhshëm. Procesi i agjërimit ka bashkuar të gjithë besimtarët myslimanë në një mision të përbashkët. Mesazhe të ndryshme urimi janë transmetuar nga krerët më të lartë politikë dhe jo vetëm mesazhe urimi janë shfaqur në profilet sociale të çdo besimtari për këtë festë të shenjtë.
Itali
Fëmijët e emigrantëve të parregullt, pa pediatër
Nëse prindërit emigrantë nuk kanë lejen e qëndrimit, fëmijët nuk mund të kenë pediatrin e tyre, duke iu njohur vetëm shërbimet urgjente. “Të lësh pa kura të vazhdueshme një fëmijë nuk është diçka për t’u krenuar, por mizori”, – ka shtuar Ambrosoli, ish-kandidati i qendrës së majtë për presidencën e Krahinës, të fituar në zgjedhjet e fundit nga legisti Marroni. Këshilltari i PD-së, Fabio Pizzul, ka paralajmëruar se do të thërrasë shoqatat Karitas dhe Naga në komisionin e Shëndetësisë që të dëshmojnë “se kështu siç ofrohen sot, kurat nuk garantojnë respektimin e të miturve dhe nuk janë efikase”. Kundërshtimi i Krahinës Lombardia për t’u njohur shërbimin shëndetësor të miturve, prindërit e të cilëve nuk kanë leje qëndrimi, shkon edhe kundër atyre “udhëzimeve për aplikimin korrekt të normativës për shërbimin shëndetësor ndaj popullsisë së huaj” mbi të cilat qeveria dhe krahinat arritën në një pikë të përbashkët më 20 dhjetor të vitit të shkuar e që duhet të pranohen nga e gjithë Italia. Ato udhëzime parashikojnë, mes të tjerash, edhe regjistrimin e detyrueshëm të të miturve në sistemin shëndetësor italian “pavarësisht lejes së qëndrimit”.