Fjalët e fundit para vrasjes, Zeqiri, 22-vjeçarit: Unë të pres fytin

0
213

Sonja Caka

Gjykata zbardh vendimin për vrasjen në autobus

Dëshmitarët identifikuan autorin dhe zbardhën debatin që çoi në vrasjen e Saimir Çedes, nga përgjimet te vetëdorëzimi i autorit

 

autobuzzzzDy javë pas verdiktit përfundimtar të gjykatës për Artur Zeqirin, autorin e vrasjes së 22-vjeçarit Saimir Çedja, gjyqtarja Ardian Bera ka zbardhur vendimin, duke zbardhur edhe përplasjen mes autorit dhe viktimës, si dhe fjalët e fundit të shkëmbyera mes tyre deri te kërcënimi se do t’i priste fytin. Procesi gjyqësor është mbyllur vetëm me tri seanca, pasi autori Zeqiri ka pranuar krimin, pas dy ditësh ndjekjeje është vetëdorëzuar në polici, ndërsa kërkoi që në seancën e parë të gjykohej në gjendjen që janë aktet, duke përfituar kështu nga ulja e një të tretës së dënimit. Prokurori kërkoi dënimin me 20 vite burg, ndërsa gjykata e dënoi me 18 vjet, nga ku përfundimisht pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar i ngelen vetëm 12 vite për të vuajtur.

Ngjarja

Sipas vendimit të gjykatës, ngjarja e rëndë ka ndodhur më 23 shkurt 2013, rreth orës 22:00. Viktima Saimir Çedja dhe i pandehuri Artur Zeqiri kanë qenë duke qarkulluar me autobusin e linjës Qendër – Uzina e Traktorëve, për të shkuar në shtëpitë e tyre. Gjatë qëndrimit në autobus, viktima Çedja ka debatuar me të pandehurin, për shkak se ky i fundit fërshëllente dhe këndonte në autobus. I pandehuri Artur Zeqiri e ka qëlluar me shpullë e grusht viktimën, i cili i është kundërpëgjigjur duke e qëlluar të pandehurin me një çadër që mbante në dorë. Pas këtij veprimi, i pandehuri ka nxjerrë nga brezi një thikë dhe e ka goditur viktimën në pjesën e djathtë të kraharorit disa herë, duke bërë të mundur rrëzimin e tij në dyshemenë e autobusit. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të stacionit të merkatës së vjetër në lagjen “Ali Demi”, brenda në automjetin autobus në prani të shumë pasagjerëve. Me ndalimin e autobusit, i pandehuri Artur Zeqiri është larguar menjëherë. I riu Saimir Çedja, megjithëse i është dhënë ndihma e parë duke e transportuar në spital, përsëri nuk ka mundur që t’i shpëtojë vdekjes. Ka qenë shtetasi Ilir Drita i cili ka identifikuar me fotografi të pandehurin Artur Zeqiri, si personi që ka qëlluar me thikë viktimën Saimir Çedja. Menjëherë pas ngjarjes, i pandehuri Artur Zeqiri është identifikuar si autor i vrasjes së shtetasit Sajmir Çerdja dhe është ndjekur nga punonjësit e policisë gjatë gjithë kohës. Madje për dy ditë ka qenë nën përgjim, me vendim gjykate, të cilat u ndërprenë në momenti që ky shtetas u vetëdorëzua. Gjatë kohës që ishte në ndjekje, prokurori ka vendosur lejimin e përgjimit të bisedave telefonike të bashkëshortes së autorit dhe personave të lidhur me të. Ky veprim hetimor ka zgjatur deri në mbrëmjen e datës 25 shkurt, kur Zeqiri u vetëdorëzua. Gjatë gjykimit, i pandehuri pranoi akuzën duke pretenduar se veprimin e ka kryer për shkak se është goditur nga viktima ne fillim me grusht. Pretendimi i të pandehurit se është goditur fillimisht nga viktima rrëzohet plotësisht me deklarimet e personave të pyetur si deklarues menjëherë pas ngjarjes.

Dëshmitë

Drita: Zënka në autobus me Çeden, pasi Arturi fliste me zë të lartë

Ilir Drita, i cili ka qenë së bashku me të pandehurin në autobus në momentin e ngjarjes, ka deklaruar ndër të tjera se “gjatë rrugës, Arturi fliste dhe fërshëllente. Në këto momente një djalë i ri, i moshës 20-22 vjeç, i cili mbante në dorë një çadër, që qëndronte në këmbë ka biseduar diçka me Arturin. Më pas ata janë sharë me Arturin, pasi ky fliste me zë të lartë në autobus. Arturi e ka goditur me shuplakë djalin dhe ky i fundit e ka qëlluar me çadër Arturin. Në këtë moment kam parë që Arturi ka nxjerrë një thikë, e ka goditur djalin, i cili ka rënë në tokë dhe Arturi ka zbritur nga autobusi dhe është larguar me vrap”.

Hoxha: Personi që vrau atë djalin e kërcënoi se do t’i priste fytin

Një nga personat që ka parë ngjarjen ishte edhe dëshmitari Besmir Hoxha, i cili ndër të tjera ka deklaruar: “Kur autobusi është afruar tek “Ali Demi”, dëgjova që mbrapa shpinës sime dy persona po debatonin, shaheshin me tyre. Njëri nga personat ishte i moshës 30-35 vjeç, i gjatë rreth 1.75 cm, ndërsa personi tjetër rreth 23 vjeç. Personi i moshës 30-35 vjeç e kërcënon personin tjetër duke i thënë: “Unë të pres fytin”. Ky person ishte i dehur dhe në një moment e qëllon djalin me grushte. Ky kundërpërgjigjet duke e qëlluar me bishtin e një çadre disa herë në kokë. Personi u ça dhe pashë që po i dilte gjak nga balli. Ky person nxori një thikë nga xhepi dhe pashë që kjo thikë ishte tip hanxhari mishi me gjatësi tehu rreth 25 cm. Ky person me thikë në dorë sulmoi personin në konflikt, duke e qëlluar një herë në gjoks dhe pashë që djali ra menjëherë në tokë, me shpinë, pa ndjenja. Personi me thikë në dorë tentoi ta qëllonte për herë të dytë, por unë i kam kapur dorën në të cilën kishte thikën. Ai u spostua, mori çantën, e cila ishte tip valixhe, dhe ka dalë nga dera e mesit të autobusit”.

Halilaj: Dëgjova se e kërcënoi, se do ta vriste para se ta qëllonte me thikë

Shtetasi Endri Halilaj ka deklaruar për momentin e ngjarjes: “Kur autobusi sapo ka ndaluar tek stacioni i “Ali Demit” kam vënë re dy persona që grindeshin me fjalë me njëri-tjetrin. Personat flisnin me fjalët si “mos bërtit se nuk je në taksi, je në autobus”. Ndërkohë tjetri i tha “unë ta nxjerr fytin” dhe e qëlloi me shuplakë në pjesën e pasme të kokës. Në këtë moment, dy personat nisën të konfrontohen fizikisht me njëri-tjetrin. Njeri nga këta persona kishte një çadër në dorë me të cilin e godet personin tjetër në pjesën e kokës. Personi që u godit ra në tokë e më pas kur u ngrit vura re se ai mbante një thikë në dorë. Në moment njerëzit u frikësuan dhe u bë rrëmujë dhe nuk arrita të shoh se çfarë ndodhi me tej. Kur u hapën dyert dhe dola jashtë pashë që zbriti personi që kishte thikën në dorë dhe me hap të shpejtë u largua nga ish-merkata e vjetër”.

Xhaferllari: Autori fërshëllente me të madhe, duke krijuar bezdisje

Një tjetër dëshmitar që ka dhënë dëshmi të vlefshme për ngjarjen ka qenë Faredin Xhaferllari, i cili ka deklaruar: “Sapo hipa në autobus, kam parë një person i cili fërshëllente me të madhe duke krijuar bezdisje për pasagjerët. Ndërkohë një djalë i ri, që mbante një çadër në dorë i tha mos fërshëlle se nuk jemi në taksi, je në autobus dhe pas këtyre fjalëve filluan të debatonin. Personi i cili ishte duke fërshëllyer e ka goditur me shpullë personin që mbante çadrën në dorë dhe pikërisht në këtë moment siç kishte çadrën në dorë e ka qëlluar në pjesën e kokës, tek pjesa anësore e vetullës dhe veshit. Pas këtij veprimi, personi i cili fërshëllente nxori një thikë dhe e ka goditur në trup duke e lënë të shtrirë në tokë. Më pas personi që fërshëlleu, u shpreh “do ta pres fytin” e më pas u largua me shpejtësi me thikën në dorë duke zbritur tek merkata e vjetër”.

Topalli: Autori i tha atij djalit që vrau se do t’ia priste fytin

Dëshmitari tjetër Arbër Topalli ka deklaruar: “Kur autobusi po afrohej tek merkata e vjetër, dëgjova prapa shpinës sime dy persona që po debatonin, shaheshin dhe ofendoheshin mes tyre. Ktheva kokën dhe pashë që ato po konfrontoheshin fizikisht. Personi i moshës 35 vjeç e kërcënon personin tjetër, duke i thënë “të pres fytin”. Nuk di shkakun e konfliktit, por ky person ishte shumë i dehur me alkool dhe në moment e qëllon djalin me grushte. Edhe personi tjetër kundërpërgjigjet duke e qëlluar disa here me bishtin e çadrës në kokë. Ky person u ça në kokë në krahun e majtë mbi vetull dhe pashë që balli po i rridhte gjak. Ky person nxori një thikë nga xhepi dhe pashë që kjo thikë ishte tip hanxhari mishi me gjatësi tehu 25 cm dhe e sulmon personin në konflikt, duke e qëlluar një herë në gjoks. Pashë që djali ra menjëherë në tokë me shpinë pa ndjenja”.

Korçë

Dyshimi për përfshirje të Xegës, rinis gjyqi i pikturave të zhdukura

Gjykata e Korçës ka rinisur gjyqin për zhdukjen e pikturave të piktorit të njohur Vangjush Mio ndaj të pandehurit tjetër, ish-përgjegjësit vullnetar të galerisë Sotiraq Xega. Në mungesë të avokatit, Xega tha se për dhjetë vjet ka punuar si vullnetar, por pavarësisht nga kjo, prokuroria e quajti ushtrim të funksioneve publike. Prokurori i çështjes ka paraqitur para gjykatës provat që implikojnë Xegën në zhdukjen e 54 pikturave, duke pohuar se inventarët e fondit të galerisë ndër vite janë bërë fiktive. Dy muaj më parë gjykata vendosi pushimin e çështjes ndaj të pandehurit tjetër në këtë proces, drejtorit Vladimir Topi.

Gjyqi

Presidenti i “Besës”, Bishdili, del para gjykatës, mohon akuzat

Shtyhet për më 24 korrik gjyqi ndaj presidentit të ekipit të futbollit “Besa”, Shpëtim Bizhdili, apo i njohur ndryshe me emrin Nexhat Bishdili. Para gjykatës ai ka mohuar akuzat ndërsa ka kërkuar kohë të njihet me dosjen dhe materialet brenda saj, ndërsa shtoi se i vinte trup që vinte para kësaj gjykate si i pandehur. Shpëtim Bishdili është i pari në historinë e futbollit që gjykohet për akuzën e “Paracaktimit të rezultateve në garat sportive” thënë shkurt, trukim ndeshjeve të futbollit. Prokuroria ka dorëzuar në gjykatë dosjen e plotë, ndërsa ka bashkëngjitur edhe përgjimet që e tradhtuan atë, në kërkesat e tij për të falur fitore kundrejt shpërblimeve monetare. Gjithashtu, organi i akuzës ka transkriptuar sms-të e dërguara nga Bishdili te persona të ndryshëm duke ofruar para dhe duke kërkuar blerje të lojtarëve, trajnerëve apo dhe arbitrave. Presidenti i “Besës”, akuzohet për trukimin e 7 ndeshjeve të futbollit brenda 5 muajve. Bishdili dyshohet se paguante deri në 15 mijë euro për të paracaktuar rezultatin e ndeshjeve të skuadrës së “Besës” dhe ekipeve të futbollit të U-17 dhe U-19. Sipas prokurorisë, ndërhyrjet ka pasur për ndeshjet mes “Besës” dhe “Apolonisë”, “Tomorit”, “Shkumbinit”, “Tiranës”, dhe me “Luftëtarin” si dhe ndeshjet mes para të rinjve të Kavajës e Lushnjës si dhe ndeshjes së U-19 së Kavajës dhe “Dinamos”. Në dalje nga gjykata, Bishdili i cilësoi akuzat si të padrejta.