Rama: Nuk ndajmë vende pune, do të krijojmë bazë të dhënash për burimet njerëzore

0
153

Gëzim Saliu

Aplikimi online për punësim

Kreu i PS-së: Nisma jonë shërben për të mbledhur kontribute për sektorin publik e privat

 “Ky nuk është as fillimi akoma i Shqipërisë së re, të mos shqetësohen kritikët”

 

Rama web

Kritikat e para dhe paqartësitë e qytetarëve “detyrojnë” kreun socialist Edi Rama të sqarojë nismën e bërë publike të aplikimit online për punësim. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, kryesocialisti theksoi se dërgimi i CV-ve online nga ana e qytetarëve nuk është për të ndarë vendet e tyre të punës. Sipas Ramës, me këtë nismë synohet krijimi i një bazë të dhënash për burimet njerëzore, që mund të shfrytëzohen më pas si nga sektori publik ashtu edhe nga ai privat. “Ne nuk po mbledhim CV për të ndarë vende pune, por për ta bërë reale e transparente, marrëdhënien mes çdo individi të gatshëm për të kontribuar në sektorin publik dhe institucioneve në kërkim të njerëzve të duhur. Sapo kemi hedhur me këtë nismë edhe farën e krijimit të një baze të dhënash për burimet njerëzore të këtij vendi, të cilën dalëngadalë, do ta kthejmë në një institucion të mirëfilltë ku shteti ynë do të ketë të regjistruar kapitalin e kualifikuar njerëzor të Shqipërisë, brenda ose jashtë”, – deklaroi ai.

Sqarimi

Në reagimin e tij, kreu i PS-së nënvizoi se apeli për të aplikuar online është një apel publik si Kryeministër i zgjedhur dhe jo si kryetar partie. Në këtë kontekst, Rama bën të ditur ecurinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të fazave të aplikimit, duke theksuar se të gjithë ata që po aplikojnë do të njoftohen individualisht për çdo konkurs të hapur në sferën që lidhet me profesionin dhe eksperiencën e tyre. “Në këtë mënyrë do të këpusim lidhjet e shkurtra të konkurseve farsë që janë zhvilluar tërë këto vite, përmes lajmërimesh në formën e trakteve të ngjitura kuturu dhe rezultatesh të parafabrikuara në dëm të lirisë së konkurrencës e të meritës. Dhe nga ana tjetër, do të kemi një instrument të ri monitorimi për trajtimin e burimeve njerëzore në procesin e organizimit e të zhvillimit të konkurseve”, – pohoi Rama. Më tej, lideri socialist nënvizoi se baza e të dhënave që do të mblidhet nga aplikimet e qytetarëve do t’i shërbejë më vonë edhe sektorit privat, për të kërkuar njerëzit e duhur për vende të reja pune dhe do t’u japë po ashtu mundësi aplikantëve të kenë dijeni për çdo mundësi të re për punë. “Kaq e thjeshtë është, mos u shqetësoni kritikë të dashur ky nuk është as fillimi akoma i Shqipërisë së re që kemi marrë mandatin për të ndërtuar”, – përfundoi reagimin e tij kreu socialist. Tri ditë më parë, kreu i Partisë Socialiste ka ftuar të gjithë qytetarët pa dallime partiake, që të bëhen pjesë e skuadrës qeverisëse, duke dërguar të dhënat e tyre në aplikimin e vënë në dispozicion nga vetë ai në rrjetin social. Në një ftesë publike, Rama kërkoi përfshirjen e sa më shumë njerëzve në skuadrën e re që do të qeverisë vendin për katër vitesh, ku kriteret kryesore sipas tij në përzgjedhje do të jenë merita dhe konkurrenca. “Sot ju drejtohem të gjithëve ju, çdo shqiptari të zot e të etur për ndryshim, për t’ju pyetur çfarë mendjeje keni për më tutje. Dhe atyre që dëshirojnë, u lutem të mendojnë çfarë roli mund të luajnë për këtë skuadër, si mund t’i përdorin aftësitë e tyre për të ndihmuar në realizimin e ndryshimit që i nevojitet vendit tonë”. Vetëm një ditë pas kësaj ftese, në selinë e Partisë Socialiste janë paraqitur një numër i konsiderueshme qytetarësh, kryesisht të papunë, të cilët kanë kërkuar të bëhen pjesë e këtij procesi në mënyrë të drejtpërdrejtë. Megjithëse në nismën e bërë publike në rrjetin social, Rama sqaroi se kjo nismë nuk do të përkthehet në punësim për të gjithë ata që aplikojnë, shumica e qytetarëve që kanë vizituar selinë e purpurt nuk e kanë konsideruar këtë fakt. Po ashtu ndaj kësaj nisme nuk kanë munguar edhe kritikat si nga kampi kundërshtar ashtu edhe jashtë tij, ku sipas së cilave, me këtë aplikim kreu socialist e ka kthyer selinë e purpurt në një zyrë pune për militantët partiakë.

 

Deputeti i PS-së

Beqja: 90% e deficitit buxhetor është ezauruar, të ndërpriten kontratat dhe projektet e qeverisë

Deputeti i PS-së, njëkohësisht bashkëdrejtuesi i grupit të punës për hartimin e programit qeverisës, Ilir Beqja, tha se situata financiare në vend është e vështirë, pasi, sipas tij, në pesë muajt e parë të vitit nga tatimet dhe doganat janë arkëtuar 105 milionë dollarë më pak se programi i fillimvitit. “Vetëm në muajin qershor mosrealizimi është shtuar edhe me rreth 50 milionë dollarë të tjerë. Me këto ritme, dhe duke pasur parasysh gjendjen e vështirë të ekonomisë, ekspertët tanë parashikojnë që mosrealizimi të arrijë në 400 milionë dollarë deri në fund të vitit. Nuk mund të lihet pa përmendur edhe një tjetër shifër e rëndë: Vetëm në 6 muajt e parë të vitit qeveria në ikje ka ezauruar plot 90% të deficitit buxhetor vjetor. Në këto kushte, me legjitimitetin dhe autoritetin që buron nga vota e plot 1 milion shqiptarëve që kanë votuar për qeverinë e koalicionit, i kërkojmë Ministrisë së Financave si ministri që ka përgjegjësinë jo thjesht morale, por edhe ligjore, të kujdestarisë mbi financave të shtetit shqiptar deri në betimin e qeverisë së re që: Të bëjë publike sa më parë treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar për 6 muajt e parë të vitit; Të ushtrojë detyrat ligjore në administrimin e mbledhjes së detyrimeve tatimore dhe doganore; Të ndërpresë çdo lloj negociate në vijim për kontrata e projekte me financues të ndryshëm që rrisin borxhin e jashtëm të Shqipërisë”, – u shpreh Beqja. Nga ana tjetër, ai i kërkoi Thesarit që të garantojë pagesat e ndihmës ekonomike, pagesat e personave me aftësi të kufizuar, të rrogave dhe pensioneve. “Detyra e qeverisë është të tregojë përgjegjshmëri dhe vetëpërmbajtje”, – theksoi deputeti socialist Ilir Beqja.

 

 

Nënkryetari i LSI-së

Petrit Vasili: Ndarja ministër-deputet rrit efiçencën e institucioneve

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, e cilëson si të drejtë marrëveshjen mes Partisë Socialiste dhe forcës ku ai bën pjesë që ministrat e rinj të qeverisë të lënë mandatin e deputetit. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, Vasili tha se ky vendim ndikon pozitivisht në qeverisje, duke rritur efiçencën e institucioneve. “Ka pasur një marrëveshje në tavolinën e bisedimeve dhe më tutje pas fitores flitet me terma të tjera, më konkretë. Pati dakordësi dhe nuk ka pasur kundërshti. Motivi i cili ka shtyrë ka qenë i shëndetshëm, për të bërë efiçent dy institucionet që hera herës për arsye të impenjimeve apo mungesës së efiçencës ose çalonte njëra ose tjetra. Unë kam qenë ministër, pa qenë deputet. Puna më kërkonte kohë sa të jeni të bindur nuk do të gjeja kohë për impenjimet e elektoratit i cili të zgjedh. Ndarja rrit efiçencën”, – deklaroi Vasili. Nga ana tjetër, ai komentoi edhe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndryshimin e rezultatit në qarkun e Lezhës, duke i hequr një mandat PS-së, për t’ja kaluar PD-së. Vasili theksoi se të majtët do t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor dhe do të respektojnë vendimin e tij. “Nuk do të doja të bëja komente të gjata, sepse akoma kemi ë dispozicion hapa të drejtësisë së zgjedhjeve, si Kolegji Zgjedhor. Çdo mandat që ikën nga mazhoranca prodhon dëshpërim sepse është pjesë e një sakrifice të përbashkët. Sigurisht nëse ka kontestime ne kemi një etapë siç është Kolegji Zgjedhor, ne do ti bindemi vendimit të Kolegjit. E njëjta gjë është për Kukësin. Unë kam besim që në rishikimin e tyre ka besoj të gjithë ingredientët për të arritur tek ai mandat që LSI e meriton ta ketë. Në fund të fundit ne do t’i bindemi vendimit të Kolegjit Zgjedhor”, – deklaroi nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency