– Asnjë qeveri e re nuk ka shanse të ulë taksat, vetëm nëse redukton në mënyrë drastike shpenzimet
Ervin Kaduku
Në mbyllje të mandatit të saj në Shqipëri, shefja e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Kseniya Lvovsky, vlerësoi dje partneritetin me qeverinë shqiptare dhe dha këshillat e para për qeverinë e re. Në një deklaratë për mediat, ajo theksoi se rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2013 ka qenë e dobët, por më e mirë se vendet e tjera të rajonit. Zyra e Bankës Botërore mendon se nuk ka hapësirë fiskale për investime të reja dhe as për realizimin e shumë nga premtimet që ka bërë gjatë fushatës elektorale mazhoranca e re. Ndërkohë që ka qenë vetë Edi Rama që ka propozuar ulje të taksave gjatë kësaj fushate, sipas Lvovskyt, qeveria e re nuk mund të ulë taksat, por duhet të ketë në qendër uljen e borxhit publik dhe të përqendrohet për një politikë fiskale të konsoliduar. “Asnjë qeveri e re nuk ka shanse të ulë taksat, vetëm nëse redukton në mënyrë drastike shpenzimet”, – shtoi ajo.
Lvovsky vlerësoi zgjedhjet dhe gjithë procesin si historik për vendin, si dhe shprehu mirënjohje për bashkëpunimin me qeverinë në largim, për të cilën tha se ka realizuar një sërë arritjesh.
“BB mat përparimin e saj fiskal me rritjen fiskale që përfundojnë me 30 qershor. Ky ishte një vit i vështirë për ekonominë e vendit si në rajon, si pasojë e ndikimit të krizës së zgjatur në Eurozonë. Ndikimet se krizës dhe recesioni janë ndjerë më shumë se më përpara. Shqipëria ka pasur probleme me huatë si dhe në sektorin privat. Një numër problemesh në sektorin e energjetikës e ka përkeqësuar presion fiskal dhe ekonomik, por vlerësimi duhet të shihet në kontekstin e gjithë rajonit. Rritja ekonomike e Shqipërisë ka qenë e dobët por ka ecur më mirë sesa vendet e tjera fqinje”, – u shpreh shefja e BB.
E pyetur nga gazetarët për borxhin publik, ekspertja e BB-së tha: “Nëse do vendoset të bëhen shkurtime drastike në shpenzime, për çdo qeveri të re është e nevojshme të rrisë efektivitetin e menaxhimit të shpenzimeve publike, prandaj do të jetë shumë e rëndësishme të përqendrohet në reforma strukturore që sigurojnë të ardhura afatmesme dhe përfitime afat mesme. Borxhi publik duhet kufizuar”.
Lvovsky përsëriti disa herë thirrjen për qeverinë e re për të ngritur Këshillin Fiskal. “Situata ekonomike është mjaft e vështirë për shkak të krizës botërore; ka disa vite që qeveria bën përshtatje të buxhetit afatmesëm dhe ky vit nuk ishte ndryshe nga vitet e tjera. Ka gjasa që edhe këtë vit të bëhen përshtatje. Ka rëndësi që qeveria të vendosë rregulla fiskale dhe të ngrejë këshillin fiskal”- nënvizoi ajo.
Këshilla tjetër e ekspertëve të BB-së është “zgjerimi dhe përshpejtimi i reformave strukturore. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme në kushtet e krizës ekonomike në rajon dhe botë. Në disa fusha reformat kanë nevojë të zgjerohen dhe njeri prej tyre është sektori energjetik dhe sektori i pushtetit vendor. Selektiviteti strategjik është këshilla jonë për qeverinë e re; pra, të mos hapet në të gjitha fushat në të njëjtën kohë, në të gjitha drejtimet njëherazi”. Këshilla e tretë dhe më thelbësorja ishte konsolidimi fiskal.
Do jetë me rëndësi që të rritet besueshmëria në institucionet publike. Kjo përfshin ndër të tjera transparencën, pavarësinë e institucioneve; përfshin gjithashtu shtetin ligjor, respektimin e tij pa diskriminim, që ai të mos respektohet në mënyrë selektive, të padrejtë. Ka shumë mundësi që Shqipëria të ketë një administratë profesionale sepse ka pasur një personel të kualifikuar dhe mbajtja e tij do të jetë një test të ri. Pra, unë e konsideroj mbajtjen e këtyre personave si një test për qeverinë e re në integrimin e vendit në BE, u shpreh shefja e zyrës së BB.
Lidhur me sistemin e shpërndarjes së energjisë, Lvovsky vuri theksin tek përmirësimi i këtij sistemi si dhe të zgjidhjet çështja e pronës. “BB rekomandoi që të arrihet një zgjidhje e negociuar me CEZ-in, sepse sektori i shpërndarjes është në meanaxhim të shtetit përkohësisht, por çështja e pronësisë nuk është zgjidhur ende. Është kyç, përmirësimi i performancës së këtij sektori”, – tha Lvovsky duke shtuar se “është qeveria që do të vendosë se kur do të jetë momenti për ta riprivatizuar”.
INSTAT: Shqiptarët udhëtojnë më pak brenda dhe jashtë vendit
Ervin Kaduku
Shqiptarët kanë udhëtuar më pak në muajt e parë të këtij viti, çka ka bërë që kompanitë e transportit ajror dhe agjencitë e udhëtimit të kenë më pak punë. Të dhënat bëhen të ditura nga INSTAT-i. Ndërkohë, ecuri më të mirë ka shënuar transporti detar.
Transporti ajror
Shifra e afarizmit në transportin ajror e vlerësuar me çmime korente ka shënuar ulje prej 0.5 për qind në tremujorin e parë 2013 ndaj tremujorit e parë 2012. Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraardhës ky tregues është ulur 11.8 për qind.
Agjencitë e udhëtimit
Shifra e afarizmit në agjencitë e udhëtimit është ulur me 9.7 për qind në tremujorin e parë 2013 krahasuar me tremujorin e parë 2012. Ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është rritur 2.2 për qind.
Transporti hekurudhor
Shifra e afarizmit në Transportin hekurudhor e vlerësuar me çmime korente ka shënuar rritje prej 12.1 për qind në tremujorin e parë 2013 krahasuar me tremujorin e parë 2012 ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës ky tregues është ulur 23.1 për qind.
Transporti detar
Shifra e afarizmit në Transportin detar e vlerësuar me çmime korente është rritur 23.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është rritur 0.9 për qind.