Panenka, “mjeshtri” i penalltive që magjepsi Majerin

0
174

Për të gjithë ata që ndjekin futboll mënyra e realizimit të penalltive me parabolë është një “mister” më vete. Një mister që nisi që në 1976, në evropianin e zhvilluar në Beograd. Aty ku një farë Panenka habiti botën, duke mposhtur keqazi atë që konsiderohej si portieri më i mirë, Sep Majer. “Maces” së Gjermanisë Perëndimore iu deshën plot 35 vite për të kapërdirë atë poshtërim, ndërkohë që vetë Panenka i pyetur si ia doli tha se ishte meritë e “regjimit”… që nuk i kishte zbuluar teknikën e vet që e provonte prej dy vitesh në Çekosllovaki.

Marrë nga “Corriere dello Sport”

 

 

Antonín panenka“Ej, Tonda! Ngrihu!” Në Beograd, në natën mes 19 dhe 20 qershorit të 1976-ës, në hotelin ku pushtonte Çekosllovakia, një dhomë kishte një dritë ndezur. Në atë ambient ndodhej portieri i kësaj përfaqësueseje që nuk i zinte besë shokut që kishte pranë. “Tonda, Tonda!!!” Shoku i dhomës ishte Antonin Panenka, për të gjithë Tonda. Ky i fundit hapi sytë dhe flet: “Çfarë do?” “Nuk do të bësh numra nesër, apo jo?” “Çfarë numrash?” “E di shumë mirë ti…” “Të lutem mund të më lësh të fle…” “Mirë si të duash. Të them vetëm diçka, që nëse tenton ta bësh, atëherë do të humbësh një mik”.

 

Më pas Ivo Viktor vë kokën në jastëk dhe vazhdon të mendojë për atë që do t’i ndodhte në orët në vazhdim. Çekosllovakia e tij e vogël do të luante finalen e Kupës së Evropës përballë Gjermanisë Perëndimore të madhe që në vetëm dy vite më parë ishte shpallur kampione e botës. Sa i përket shqetësimit, Ivo, që luante tek Dukla Praga, nuk merakosej kot. Ai e kishte pasur edhe herë të tjera përballë Tondën që nga pika e bardhë e njëmbëdhjetëmetërshit, kurrë nuk e kishte “falur”. “Nuk keni se çfarë të bëni. Ju portierët nuk ia dilni që të mos hidheni në një cep”, – i kishte shpjeguar miku, Ivos.

Zanafilla e “bishtit të lugës”

Prej dy vitesh Panenka kishte “shpikur” një mënyrë tjetër të godituri. Ai nga pika e bardhë e njëmbëdhjetëmetërshit nuk preferonte më që të godiste fort e në cep, por preferonte që ta çonte sferën në rrjetë me shumë lehtësi. Ai godiste topin poshtë dhe më pak efekt ngrinte një parabolë që kthehej në fatale për numrat që në vend të prisnin në qendër hidheshin në një krah… Sot kjo metodë quhet “bishti i lugës”, pasi topi shkon në portë me një trajektore të përafërt me bishtin e lugës. Që prej asaj kohe të shumtë kanë qenë ata futbollistë që duke ëndërruar lavdinë (të poshtërosh portierin në atë mënyrë nuk ndodh çdo ditë). Zidan, Toti, Pirlo, Ramos dhe Kandreva janë disa prej futbollistëve që kanë perfeksionuar këtë metodë të godituri.

Nuk e kishte parë askush

Por në të vërtetë kjo lloj mënyre ekzekutimi njihet si “Panenka’s penalty”. Apo më mirë të themi “Penalltia alla Panenka” që është edhe shpikësi i “bishtit të lugës”. “Fati im ishte që askush nuk më kishte parë jashtë Çekosllovakisë”, – ka thënë Tonda. Në fakt, ky i fundit kishte të drejtë, pasi në atë kohë regjimet e ndryshme lindorë dërgonin në Perëndim atë që donin ata që “reklamonin”.

Në pritje

Sot Panenka është presidenti nderi i skuadrës Bohemians të Pragës. Për të kjo ka qenë skuadra e parë. Ka qenë dashuria e parë që nuk harrohet kurrë. Pozicioni i tij në këtë klub është më shumë simbolik se sa vendimmarrës. Është kështu edhe pse kur klubi po falimentonte ai bëri çmos që një gjë e tillë të mos ndodhte. Ai është njëri prej atyre që nuk tërhiqet kurrë prapa. Ai ka qenë dhe është idhulli i tifozerisë bardhëjeshile. Ai i kthyre në një mit me stilin e lojës që kishte dhe mustaqet që nuk i priste kurrë: “Kam pritur që dikush të ofronte një milionë euro që unë ti hiqja mustaqet”.

Njeriu i mirë

Vite më parë Panenka realizoi edhe një kalendar, ku doli në dhomat e zhveshjes së Bohemiansit i rrethuar nga vajza gjysmë të zhveshura që po bënin dush. “Ta dini që i kam parë shumë pak, pasi më duhej që të qëndroja më shumë përballë aparatit fotografik”, – u ankua ai. Panenka ka qenë edhe zëvendëstrajner i skuadrës së zemrës por është ngjitur më tutje pasi kishte ambicie: “Unë jam një njeri shumë i mirë, që të jesh bosi duhet të kesh karakter tjetër”.

“I shpejtë vetëm për të marrë rrogën…”

Panenka është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ai tani luan gol dhe tenis dhe mundohet që të largojë nga vetja atë anekdotë që i thurën shokët kur ishte i ri: “Panenka është i shpejtë vetëm kur shkon për të tërhequr rrogën”. “Bënin shaka më mua shokët e skuadrës pasi isha shumë i ngathët, por më duhet të them se isha edhe shumë teknik. Unë u stërvita vite me radhë për të goditur penallti dhe ence, prandaj isha pothuajse i pagabueshëm”, – tregon Tonda. Viktima e tij e preferuar ishte Zdenek Hruska, portieri i Bohemiansit. Të dy qëndronin me orë të tëra pasi mbaronin stërvitjen me skuadrës. Portieri mes shtylla dhe mesfushori nga pika e bardhë kalonin kohën duke u stërvitur. Ato vinin baste të çmendura që kurorëzoheshin me netë të çmendura në alkool: “Kështu më erdhi në kohë ideja. Portieri gjithmonë lëviz, ai asnjëherë nuk qëndron në mes. Kështu lindi edhe mënyra ime të ekzekutuarit një penallti”.

34 nga 35

Ivo Viktor mendon për këtë gjë natën para takimit të madh. Ai mendon këtë gjë edhe më shumë kur kjo ndeshje u mbyll në kohë të rregullt në barazim. Gjermanët ia kishin dalë që të ekuilibronin shifrat edhe pse kishin shkuan në dizavantazh të dy golave. Ivo Viktor mendon për mikun e tij Tonda për të cilin Pelè do të thoshte: “Nuk e di nëse është një gjeni apo një i çmendur”, pasi kur Uli Hënes, presidenti aktual i Bajernit, dërgoi lart në qiellin e Beogradit sferën, radhën për të goditur për Çekosllovakinë e kishte Panenka. “Ajo ishte penalltia e dhjetë e karrierës që po ekzekutoja si dija. Kurrë më parë nuk kisha dështuar të shënoja gol me metodën time të re. Në fund mund t’iu them se kam shënuar 34 nga 35 penallti me anë të ‘bishtit të lugës’”. Në portë ishte i madhi Sep Majer. “Macja” u hodh nga e djathta e vet, ndërkohë që kur u shtri pati tërë kohën të shihte sferën teksa qetësisht po shkonte drejt qendrës së portës. Majeri në ato momente pa edhe gëzimin e tërë publikut.

Komenti

“Ajo penallti që realizoi Pirlo kundër Anglisë mund të them se i ngjante më së miri atyre që bëja unë”, – komenton Panenka. Ky i fundit nuk duket fare i bezdisur nga fakti që e kujtojnë vetëm për atë që i bëri Majerit. Portieri gjerman u acarua aq shumë pas asaj penalltie sa që nuk i foli më Panenkës. Të dy kanë shkëmbyer fjalë kortezie pas plot 35 vitesh. “Në karrierën time kam bërë edhe shumë gjëra të tjera. Por nëse emri im do të mbahet mend vetëm për atë penallti që realizova 40 vite më parë atëherë më bëhet qejfi”, – rrëfen Panenka. Ai nuk mendon se si do të përfundonte nëse Majer nuk do të hidhej. “Kisha arritur një siguri të lartë në vetvete. E dija me 1000% se do të shënoja. Nëse do të shkonte keq? Mbase do të kisha varur këpucët në gozhdë që atë natë. Mbase që atë natë do të rikthehesha të punoja si tornitor. Jam shumë i zoti të bëj diçka të tillë”. Thonë se atë natë Panenka “përkëdheli” topin si kurrë më parë. Thonë se që prej asaj nate në Beograd, nën mustaqe atij i ka mbetur një buzëqeshje djallëzore.

CV

Antonin Panenka lindi në Pragë më 2 dhjetor 1948. Ai ishte një mesfushor teknik, pak i ngadaltë. Pika e tij e fortë ishte mënyra e ekzekutimit të enceve dhe e penalltive. Ai ka qenë pjesë e skuadrave me emër si Bohemians Praga, Rapid Vjenë, St.Polten e Slovan Vjena, Asv Hohenau e Kleajnviesendorf. Ai u tërhoq në 1993, pasi shënoi 139 gola në 357 ndeshje (në kampionatet elitare). Ndërkohë që me përfaqësuesen e Çekosllovakisë ai ka luajtur 59 ndeshje dhe ka shënuar 17 gola mes vitit 1973 dhe 1982. Me këtë fanellë ai fitoi Kupën e Evropës në 1976.