Vepror Hasani
Sa herë që syri të zinte ndonjë djalë që kishte qëndruar aty te bulevardi “Shën Gjergji”, shumë pranë me bonbonerinë apo që çapitej sa poshtë-lart asaj ndërtese, kuptoje se ai ishte duke pritur të dashurën e tij. Shqetësimi që i reflektohej në gjithë qenien, mosqëndrimi në një vend, hedhja e vështrimit rreth e rrotull andej nga do të shfaqej ajo, e bënin gjithçka të kuptueshme. Në pamje të parë, ata që rrinin aty, dukej sikur përpiqeshin të mos binin në sy të askujt, por në të vërtetë çdo lëvizje e tyre e tregonte haptazi se ishin duke pritur dikë. Për më shumë, dukej se kjo gjë u pëlqente, thellë-thellë ata dëshironin që ta merrnin vesh të gjithë: “Biri i Olimbisë ka rënë në dashuri me çupën e Jovanit!” Pas kësaj do të fillonin thashethemet. Në sofatet e portave, nuk do të shpëtonte pa u përgojuar emri i çupës së dashuruar. Lidhja mes djalit dhe çupës do të bëhej gjithnjë e më e vështirë. Vajzën nuk do ta lejonin më të delte nga bulevardi i “Shën Gjergjit”, dhe nëse do ta shihnin të kalonte andej nga bonboneria, masat do të ishin edhe më të rrepta. Dy të dashuruarit nuk do të takoheshin dot çdo ditë ashtu si edhe më pare, ndaj atij do t’i mbetej të thurte vetëm vargje këngësh serenate: “Syçkat si ato të tuat/, nuk gjenden në dynja/, nëmi vajzë t’i puth një herë/, që të nxjerr atë sevda…”.
Pse te bonboneria?
Bonboneria ishte shndërruar vetiu në vendtakimi për të rinjtë. Në momentin e takimit, ata hynin te bonboneria, blinin diçka dhe kalonin në pjesën e pasme të saj aty ku shtrihej një bahçe me lule dhe pemë. Më pas, duke ndjekur rrjedhën e lumit që e ndante Korçën në dy pjesë ngjiteshin deri të çezma e Shetros (në krye të Korçës), ku prania e njerëzve ishte e vogël, ndërsa siguria për të qenë një çast më të qetë ishte më e madhe. Pamja që ofrohej aty ishte e mrekullueshme. Mbi lumë ekzistonte një urë druri që kur kaloje sipër saj lëkundej sa andej-këndej sikur do të shembej, por megjithatë të gjithë kalonin mbi shpinën e saj. Për të dashuruarit ishte një lojë e vërtetë. Në rast rreziku do të ishte princi ai që do të vinte jetën në rrezik dhe do të dilte nga dallgët e lumit me vajzën ndër duar që sapo i kishte shpëtuar jetën. Pak më tej, diku aty ku lumi ishte edhe më i thellë, më 6 janar të çdo viti, ditën e ujit të bekuar, mblidheshin të gjithë bashkë dhe hidhnin kryqin në ujë. Gjithsesi, kjo pjesë e Korçës gjatë gjithë vitit ofronte një qetësi të admirueshme. Të vetmit njerëz që mund t’i shihnin të dashuruarit dhe t’i kallëzonin te prindërit, ishin dy mullixhinjtë Xhoxhi dhe Pilua. I pari e kishte mullirin në krye të lumit, ndërsa tjetri më poshtë, por si njeri dhe tjetri asnjëherë nuk e kishin bërë punën e spiunit. Edhe ata kishin kuptuar se po vinin kohë të tjera.
Kohë të tjera
Dukej sikur takim aty te bonboneria i ngjante një thirrjeje te hershme, një ëndrre që brezat e mëparshëm ndoshta e kishin ëndërruar, por nuk kishin patur fatin ta jetonin. Atyre u ishte dashur të vinin në këtë botë kur jeta ishte e vështirë dhe ta linin atë me shpresën se për fëmijët e tyre jeta do të ishte më e mire. Deri atëherë edhe grave u ishte dashur të ngarkoheshin me dru dhe gjithkush që i shihte ngarkuar ta mendonte si diçka normale. Atëherë nuk kishte patur bonboneri, por me siguri që gjithnjë ka patur vështrime të vjedhura dhe ëndrra të fshehta, histori të parrëfyera dhe ndoshta brenga ta pashëruara. Tashmë kishin ardhur kohë të tjera, shumë gjera kishin ndryshuar, por natyrisht ishte dashur të rridhte shumë ujë. Djemtë kishin filluar të dilnin aty te bonboneria, ku prisnin herë gjithë ankth dhe herë të qetë shfaqjen e papritur të çupave që dilnin befas prej rrugicave të ngushta të lagjeve ku banonin. Ato u dhuronin djemve një buzëqeshje që së largu dhe u jepnin flokëve një pozicion tjetër me një të lëvizur të kokës. Çdo gjest i tyre ishte një magji. Në atë kohë të gjitha vajzat e Korçës merrnin prej nënave të njëjtën porosi: “Të jeni në shtëpi pa u ndezur dritat e rrugës!” Pavarësisht se ku banoje, të gjitha rrugët ndërpriteshin pikërisht aty te bulevardi “Shën Gjergji”. Nëse ndodhte që mbërrije atje dhe njeriun e dashur nuk e gjeje, do të thoshte se diçka e keqe kishte ndodhur…
400 vjet pritje
Brezit të tanishëm i ishin dashur 400 vjet që të vinte kjo ditë. Në anën e djathtë të lumit, nuk kishte ekzistuar kurrë ndonjë rrugë me emrin bulevardi i “Shën Gjegjit” apo me ndonjë emër tjetër. Kjo rrugë u ndërtua në vitin 1900. Nuk ekzistonte as kisha e Shën Gjergjit, ajo u ndërtua në vitin 1905. Përballë me “Kasabanë’, qytetin e ndërtuar nga Iljaz bej Mirahori, në të djathtë të lumit, aty ku sot jetojnë ortodoksit, kishte vetëm ara ku mbillej grurë, misër dhe bostan. Kjo gjë thuhet edhe nga Pirro Thomo te libri i tij, “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, fq., 34, ku nënvizon: “Kodrat që kufizojnë qytetin nga lindja ishin të veshura me vreshta, sa që i dhanë emrin “kodrat e vreshtave”, ndërsa në të tri anët e tjera e rrethonin ngastrat e arave. Ato shtriheshin deri fare pranë qytetit, si te kisha e Shën Marisë, e Shën Gjergjit, rreth “Çezmës së arave” (sot lulishtja Themistokli Gërmenji) etj. Por andej nga mesi i shek. XIX këto troje u mbushën me lagje të banuara, duke i larguar gjithnjë e më shumë tokat e punuara. Një pjesë të tyre e zinin bostanet, të caktuara kryesisht për kulturat e kopështeve, prodhimet e të cilave ishin të pëlqyera për tregun”. E gjitha kjo do të thotë, se kjo pjesë e Korçës, ajo që shtrihej në të djathë të lumit, u shndërrua në qytet vetëm pas rreth 400 vjetësh nga dita e themelimit të Korçës.(1484-1486), madje edhe per disa shekuj me radhë kjo pjesë më të djathtë të lumit do të ruante emrin e saj të vjetër, “Pesëkëpi”, që do të thotë “pesë shtëpi”, pasi në fillimet e saj Peskëpia nuk kishte qenë gjë tjetër veçse një fshat i vogël me 5 shtëpi.
Ngatërresa mes Korçën dhe Peskëpinë
Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, me apo pa qëllim, ngatërrojnë Korçën me fshatin Peskëpi. Për më tepër, në lidhje me këtë çështje, Pirro Thomo në librin e tij cituar më sipër, sjell këtë sqarim: “Dora- dorës, me stabilizimin e pushtetit qëndror dhe me zhvillimin e përgjithshëm të qyteteve shqiptare, edhe Korça do të ketë pasur një rritje të qëndrueshme dhe do të ketë përfshirë në përmbajtjen e saj edhe fshatin Peskëpi, i cili në dokumentacionin e më vonshëm nuk përmendet më. (Vetën në një dokument të vitit 1831, (te kodiku i Korçës) përmendet përsëri nga Mytevelinjtë (kujdestarët) e vakëfit të trashëguar nga Iljaz Bej Mirahori, siç duket për forcë tradite”. Në të vërtetë, nuk mund të flitet as për forcë zakoni dhe as për forcë tradite, sepse në atë kohë, kur përmendet emri i Peskëpisë, kishin kaluar më shumë 300 vjet dhe gjithçka duhej të ishte harruar, por e vërteta është se ekzistenca e Peskëpisë si fshat ishte një realitet i gjallë që ekzistonte në jetën e përditshme. Fakt është se gjitçka nisi të ndryshonte në jetën e banorëve të Peskëpisë në vitin 1870, kur Korça përfitoi statusin e bashkisë, në përbërje të të cilës u përfshi edhe fshati më të djathtë të lumit. Të rinjtë kishin filluar të ndjenin se diçka kishte filluar të ndryshonte në jetën e tyre. Mes Peskëpisë dhe Korçës gjithnjë kishte patur diferenca të dukshme, Sipas Kodikut të Korçës (shekulli XVIII, fillimi i shekullit XIX ) Korça ka patur shtëpi të vogla me një kat, përdhese, por edhe shtëpi me dy kate, sipas gjendjes ekonomike të pronarit. Shtëpitë njëkatshe kishin qilar, pus, oborr, hajat, kopësht dhe çardhak. Shtëpitë dykatshe kishin tiparet e shtëpive kullë, dritaret në katin e poshtëm hapeshin nga ana e oborrit. Kati i sipërm ishte baklladi dhe kishte dritare nga rruga. Në “Kasaba” shtëpitë ruanin traditën orientale me dritare të zëna me kafaz druri. Për shtëpitë dykatshe përdorej kryesisht guri, kurse për shtëpitë përdhese përdorej plithari. Shtëpitë e “Kasabasë” rrethoheshin me avlli të larta dhe qëndronin si të veçuara nga njëra-tjetra. Shtëpitë e “Varoshit” ndërtoheshin ngjitur me njëra-tjetrën dhe lidheshin midis tyre me deriçkë”.
Bulevardi “Shën Gjergji”
Gjithsesi vitet kishin kaluar dhe tashmë Peskëpia kishte nisur t’i bashkohej qytetit të Korçës. Ishte ndërtuar edhe bulevardi “Shën Gjergji”. Rufeti i tabakëve e shtroi me gurë rrugën që nga Kisha e Shën Gjergjit deri brenda në qytet. Sipas kujtimeve të Nikollaq Zoi, shëtitja tradicionale në bulevardin “Shën Gjergji” ka filluar për herë të parë në vitin 1916. Në mbrëmje bulevardi i Korçës që shkonte nga shtëpia e Thimaq Cales gjer në mes të Tregut, mbushej me shëtitës. Kjo shëtitje në vitet 30 u zhvendos në bulevardin “Republika”. Megjithatë edhe bulevardi “Shën Gjergji” nuk do ta kishte patur këtë rëndësi nëse nuk do të zbriste deri në brendësi të pazarit të Korçës. Lumi vazhdonte të rridhte mes tyre. Vetëm në fund të shekullit XIX mes Korçës dhe Peskëpisë u ndërtua një urë e madhe dhe e fortë. Kjo bëri që jo vetëm në të dy krahët e urës, por edhe në hyrje të saj të ngriheshin një sërë dyqanesh. Pazari u shtri edhe më të djathtë të lumit. Pikërisht në këtë kohë, shëtitjet përgjatë “Shën Gjergjit” do të ishin të përditshme. Edhe sot e kësaj dite të gjithë kujtojnë shëtitjet e asaj kohe, ku gjithkush përpiqej të vishej sa më mire, të tregonte gjendjen e vet ekonomike, nëse ende kishte mbetur bujk apo ishte bërë tregtar dhe tashmë e kishte një emër. Bulevardi shfrytëzohej edhe për të lënë takime, për mblesëri, si vendi ku djali mund të shihte vajzën etj. Liheshin takime edhe për të pirë një kafe, për të firmosur një kontratë apo diçka tjetër Rruga gjatë gjithë ditës ishte e mbushur me njerë. Ata ose shkonin në Pazar, ose ktheheshin që andej. Që nga ajo kohë djemtë nisën të qëndronin diku në anë të rrugës për të parë çupat. Bulevardi Shën Gjergji po fitonte rëndësi gjithnjë e më shumë. Në vitin 1871, prefektura që ndodhej në lagjen e Lumit u ndërtua përgjatë kësaj rruge, po atë vit (1871) u ndërtua edhe postë-telegrafi, më 1879 në këtë rrugë u ndërtua edhe bashkia e qytetit. Në sheshin që u krijua nga ndërprerja e rrugës së “Shën Gjergjit” me atë të Pazarit u ngrit ndërtesa e Gjykatës, e Drejtorisë së Financës, farmacia etj. Vite më vonë inxhinier Koçiu do të projektonte ndërtimin e Bonbonerisë
Bonboneria e braktisur
Sot askush nuk qëndron te bonboneria. Të gjitha ata që i linin takimet aty, kthejnë kokën me nostalgji nga ajo ndërtesë e paharrueshme dhe ikin tutje. Bulevardi “Shën Gjergji”, qëndron përgjatë gjithë ditës i boshatisur krejtësisht. Nëse të ndodh që të kalosh aty, të kaplon mërzia që në çastin e parë. Ata që kalojnë nëpër këtë rrugë të duket sikur kanë humbur rrugën dhe nuk gjejnë dot një rrugë për të ikur tutje. Përmasat e rrugës për kalimin e njerëzve tashmë janë dyfishuar, sepse nuk lejohet kalimi i automjeteve. Hapësira është e madhe, tejet e madhe, njerëzit që kalojnë përmes kësaj hapësire janë të pakët dhe vetiu të ngjallin trishtim. Për ku po shkojnë këta njerëz të vetmuar? Rruga e veshur nga heshtja të ligështon. Në këtë rrugë nuk ka më jetë. Ata që e projektuan këtë rrugë për të qenë kështu, me siguri që kanë menduar ringjalljen e këtij bulevardi, por në të vërtetë nuk ndodhi kështu. Nuk kishte asnjë arsye që të ndodhte ndryshe. Që nga koha e prishjes së pazarit që shtrihej në të dy anët e lumit, veçanërisht e asaj pjesë e tregut që shtrihej më të djathtë të lumit, bulevardi Shën Gjergji e humbi rëndësinë që kishte patur dikur. Kjo është dhe arsyeja pse djemtë nuk qëndrojnë më aty. Tashmë ata kanë ndryshuar vend. Çdo mbrëmje i gjen te rruga që kalon përgjatë universitetit “Fan Noli”. Nuk i keni parë që rrinë në anë të rrugës dhe presin vajzat të dalin nga auditorët? Epo kohët kanë ndryshuar. Dikush do të jetë plakur shumë…