Ngjarja në Kavajë. I plagosuri Arjan Dajiu është qëlluar nga Sami Dajiu
Një 32-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri paraditen e djeshme në Kavajë. Sipas policisë, gjithçka ka ndodhur pas një konflikti të rastit me një të afërmin e tij në fshatin Synej të Kavajës. Arjan Dajiu është qëlluar me pistoletë nga 65-vjeçari Sami Dajiu e më pas është transportuar menjëherë në spital, ku mësohet se është në gjendje kritike për jetën. Policia e Kavajës tha se 32-vjeçari është person me precedent penalë të mëparshëm. Sakaq mësohet se 65-vjeçari, autor i plagosjes, është arrestuar pak minuta pas ngjarjes, duke deklaruar në polici se ai dyshonte prej kohësh se i afërmi i tij i ngacmonte gruan.
Krimi në Synej
Familjet në fjalë nuk kanë pasur probleme të mëparshme me njëra-tjetrën dhe policia thotë se askush prej tyre nuk rezulton të ketë bërë denoncim. Madje, prej shumë vitesh, ata kanë pasur marrëdhënie të mira fqinjësie. Sipas burimeve në polici, gjithçka ka qenë e befasishme për Arjanin, sepse ai nuk e ka pritur një reagim të tillë. Dje, rreth orës 09:00, 32-vjeçari është parë duke kaluar pranë banesës së autorit të krimit. Si pasojë e kësaj Samiu i ka bërë pritë dhe pa shkëmbyer asnjë fjalë, ka qëlluar në drejtim të tij disa herë me pistoletë “TT”. Nga të shtënat, 32-vjeçari ka marrë dy plumba, një në pjesën e shpatullës dhe një tek legeni, duke i shkaktuar plagë të mëdha në trup. Kanë qenë banorët e zonës, ata të cilët e transportuan 32-vjeçarin në Spitalin e Durrësit, ku ka marrë ndihëm e nevojshme mjekësore. Mësohet se gjendja shëndetësore e të plagosurit paraqitet mjaft e rënduar. Autori i plagosjes është larguar vetëm kur e ka parë Arjanin të shtrirë për tokë dhe të larë me gjak. Ndërkaq banorët e zonës kanë njoftuar Policinë e Kavajës, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes për të nisur zbardhjen e rrethanave të plagosjes dhe motivet e saj.
Hetimet e policisë
Në skenën e krimit janë gjendur disa gëzhoja pistolete dhe prova të tjera materiale që do të shërbejnë për ta dërguar 65-vjeçarin në bankën e të akuzuarve. Rol kryesor për zbardhjen e plagosjes së rëndë, kanë edhe familjarët e Arjanit dhe Samiut, të cilët janë marrë në pyetje për të dhënë informacione të sakta, në lidhje me konfliktin mes dy palëve. Edhe pse kanë të njëjtin mbiemër, autori dhe i plagosuri, nuk kanë lidhje gjaku mes tyre. Ndërkaq, brenda një harku të shkurtër kohor, prej 30 minutash, policia ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë të autorit të kësaj vepre penale. Në momentin e prangosjes, Sami Daiut iu kap dhe sekuestrua një armë brezi, e tipit pistoletë “TT”, të cilën dyshohet se ka kryer edhe plagosjen dhe disa fishekë. Pa asnjë lloj rezistence, autori i dyshuar i plagosjes e ka pranuar autorësinë e krimit, duke dhënë edhe motivet. “Isha duke ecur rrugës dhe përpara më doli Arjani. Nuk shkëmbyem asnjë fjalë, por kur e pashë nuk durova dot. Nxora pistoletën dhe qëllova në drejtim të tij. Prej kohësh dyshoja tek ai person, që kishte lidhje me gruan time. Kisha vënë re disa gjëra dhe nuk mund ta duroja këtë situatë, kështu që vendosa ta plagos. Jam bërë pishman për atë që ndodhi, por nuk mund të bëj më asgjë” ka thënë para grupit hetimor 65-vjeçari. Gjithsesi ky është një nga konkluzionet paraprake të policisë, pasi mbeten ende mjaft rrethana për tu sqaruar. Ndonëse 65-vjeçari pretendon se e ka kryer krimin për çështje morali, po shihet edhe pista e pronësisë dhe motive të tjera. I moshuari akuzohet për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Dyshime për tradhti, plagoset29-vjeçarja nga bashkëjetuesi
Florida Shehaj, në gjendje të rëndë, bashkëjetuesi i saj shpallet në kërkim
Një 26-vjeçare ka mbetur e plagosur mesditën e së premtes me armë zjarri në qytetin e Fierit. Sipas policisë, e plagosura me iniciale Florida Shehaj, është dërguar me urgjencë në spitalin e qytetit, ku mjekët thonë se është në gjendje të rëndë për jetën, si pasojë e plumbit që ka në bark. Ndërkohë, policia e Fierit ka identifikuar autorin e krimit dhe ka nisur kërkimet për kapjen dhe arrestimin e tij. Sipas policisë ai është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ngjarja e rëndë është shënuar në lagjen “Kastrioti” të Fierit dhe se autor i krimit është identifikuar bashkëjetuesi i saj. Ka qenë ora 11:00 e ditës së djeshme kur në një pallat ende të papërfunduar mirë në lagjen “Kastriot” të qytetit të Fierit, jeta e 29-vjeçares Florida Shehaj është vënë seriozisht në rrezik nga bashkëjetuesi i saj 32-vjeçar Margjiro Berberaj, i cili ka shtënë një herë me pistoletë në drejtim të saj duke e plagosur rëndë. Më pas ai ka zgjedhur të largohet duke u fshehur.
Plagosja në pallat
Mëngjesi i të premtes për pak ka qenë fatal për 29-vjeçaren Shehaj nga qyteti i Fierit, e cila teksa ka qenë duke debatuar me të dashurin e saj me të cilin bashkëjetonte prej kohësh, është qëlluar me armë zjarri nga ky i fundit. Për shkak se pallati ka qenë ende i papërfunduar, vetëm një pjesë e apartamenteve janë të banuara dhe për këtë arsye sherri mes të rinjve nuk është dëgjuar nga fqinjët shumica e të cilëve në kohën e ngjarjes kanë qenë në punë. Pasi janë ngritur nga gjumi mëngjesin e djeshëm, 32-vjeçari Berberaj ka nisur të debatojë me të dashurën e tij, duke i kërkuar llogari për mënyrën e saj të jetesës. Nga burime të policisë mësohet se nga hetimet paraprake dyshohet se ai e ka vlerësuar si të tepruar faktin që ajo i jepte shumë liri vetes dhe se për këtë arsye xhelozohej. Por e reja mësohet të ketë këmbëngulur se pretendimet e tij ishin jo të drejta dhe se ajo dilte me shoqet dhe se ishte ai dashuria e jetës së saj. Ndërkohë, nga të njëjtat burime mësohet se ajo ka këmbëngulur se donte të jetonte në mënyrën e saj, duke qenë e lirë dhe se për këtë arsye kishte zgjedhur që fillimisht të bashkëjetonin, para se të ndërmerrnin hapin përfundimtar të lidhjes së tyre, atë të martesës. Në debat e sipër, 32-vjeçari ka humbur kontrollin dhe ka shtënë me pistoletë ndaj 29-vjeçares.