Ina Jano
Mbi 105 mijë anëtarë, zgjedhin liderin e partisë në 39 qendra votimi. Qëndrat e votimit mbyllen në orën 19.00
Kur ka mbetur edhe një javë nga mbajtja e procesit të votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike, duket se edhe infrastruktura zgjedhore dhe modalitetet janë mirpërcaktuar nga selia blu që gjithçka të përfundojë me sukses. Kështu do të jenë mbi 100 mijë demokratë të cilët do kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e votës për të zgjedhur pasuesin e Sali Berishës, me anë të parimit “një anëtar, një votë”, një risi kjo për Partinë Demokratike. Deri më tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, bëhet e ditur se brenda selisë blu janë marrë të gjitha masat për një funksionim sa më të mirë të procesit parazgjedhor, por edhe në ditën e zgjedhjeve dhe procesin e numërimit të votave.
22 korriku
Në të gjithë vendin demokratët do të votohet të hënën e ardhshme për të zgjedhur liderin e ri të Partisë Demokratike. Burimet zyrtare të gazetës bëjnë të ditur se qendrat e votimit do të mbyllen në orën 19.00 të mbrëmjes ndërsa nuk është vendosur nëse do të hapen në orën 7.00 të mëngjesit apo 8.00. Qendrat do të jenë të hapura gjatë gjithë ditës dhe të gjithë anëtarët me të drejtë vote mund që të paraqiten pranë tyre për të votuar. Komisioni zonal, do të përbëhet nga 5 anëtarë, ku dy prej të cilëve do të jenë përfaqësuesit e dy kandidatëve që garojnë, ndërsa 3 të tjerë do të jenë përfaqësues së degës së demokratëve të secilit rreth, njeri prej këtyre tre anëtarëve do të jetë sekretari i degës. Mësohet se deri më tani nuk janë ngritur ende komisionet zonale, por që procedura do të përfundojë në përmbyllje të afatit që është përcaktuar. Ka edhe degë vendore si Kavaja apo Korça të cilët kanë dërguar propozimet përkatëse në selinë qendrore në Tiranës, ndërsa pritet që të ketë një mbledhje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të partisë, për të vendosur për pranimin e propozimeve apo kthimin e tyre. Ky institucion i ngritur përkohësisht për të organizuar zgjedhjet brenda selisë ka marrë vendim edhe për fletët e votimit, që do të përdoren, të cilat padyshim do të kenë elementë sigurie. Komisioni zgjedhor i PD-së kryesohet nga sekretari i përgjithshëm kryeministrit, z. Gjergj Lezhja ndërsa anëtarë janë caktuar zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata, ish-deputetja Paulina Hoti, ish-kandidati për deputet Gazmend Dibra, nënkryetarja e PD-së së Vlorës, Bahrije Isufi, drejtori i OST-së Arben Ibro dhe Genti Minarolli. Por i gjithë procesi i votimit do të asistohet nga dy anëtarët teknikë Florian Xhuti dhe Albert Avduli, zyrtarë të departamentit të organizimit në PD. Numërimi i fletëve të votimit do të bëhet në Tiranë, nuk ka asnjë afat të përcaktuar se sa do të zgjasë ky proces por ajo që është e rëndësishme është fakti se të gjitha kutitë do të mbërrijnë përpara se të nisë numërimi qoftë edhe i fletës së parë.
Qarqet
Përveç Tiranës si qyteti më i madh, i cili do të ketë 7 qendra votimi, degët e tjera të demokratëve do të jenë të përqendruara në më pak se kaq qendra votimi, por në total numri i tyre do të shkojë në 3914. Kështu për shembull është edhe rasti i qarkut më të madh të juglindjes. Në Korrcë do të jenë 5200 anëtarë më të drejtë vote, të cilët do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur kreu e ri të partisë në të cilin ata bëjnë pjesë. I kontaktuar nga gazeta “Standard”, kreu i degës së Korçës, deputeti Gjergji Papa ka pohuar se gjithçka është duke shkuar sipas udhëzimeve të dërguara nga selia qendrore në Tiranë. Ai ka garantuar se parimi i paanshmërisë është duke u zbatuar me përpikmëri, për të “çuar në vend” porosinë e Kryeministrit Berisha për të mos mbështetur asnjë kandidat, në mënyrë zyrtare. Në këtë drejtim Papa pohoi se edhe në procesin e takimeve me bazën për të dy kandidatët janë ndjekur të njëjtat kritere. Sokol Olldashi tashmë e ka realizuar takimin e tij me demokratët e Korçës, në teatrin e qytetin, ndërsa Basha do të vizitojë qytetin juglindor ditën e nesërme në orën 20.00 të mbrëmjes, në po të njëjtin ambient ku ka qenë edhe rivali i tij. Kjo sipas kreut të degës së PS-së së Korçës, bëhet për të pasur një trajtim të njëllojtë. Ai ka informuar se ende nuk është vendosur se ku do të ngrihet qendra e votimit për këtë qytet, por ka përjashtuar selinë e e partisë, për shkak të hapësirës së vogël.
Anëtarët
Nga listat dixhitale të deritanishme të selisë blu, numërohen mbi 100 mijë anëtarë me të drejtë vote. Në vendimin më të fundit të selisë blu është sanksionuar dhe se cili prej këtyre anëtaërve të Partisë Demokratike do të ketë të drejtë vote. Kryesia ka vendosur që të votojnë të gjithë anëtaërt që kanë qenë të anëtarësuar në parti, deri në datën 15 maj, pra pak më shumë se një muaj nga dita kur janë mbajtur zgjedhjet e përgjithshme. Kjo edhe për faktin se gjatë periudhës së fushatës u bënë shumë anëtarsime të reja, megjithatë është parë e arsyeshme që këta anëtarë të rinj të mos mereshin parasysh. Po ashtu që pas 23 qershorit është mbyllur procesi i anëtarësimeve të reja në selinë blu, duke u përqendruar totalisht në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve për liderin e ri.
Kryetari i ri
Kryetari i ri i partisë të djathtë më të madhe në vend, do të jetë pasardhësi i Sali Berishës, liderit historik që e ka drejtuar PD-në për më shumë se 22 vjet. Të vetëdijshëm për këtë fakt të dy kandidatët si Sokol Olldashi ashtu edhe Lulzim Basha, kanë deklaruar se do të jetë e vështirë që të marin drejtimin e selisë blu, por kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të bërë të pamundurën për të mbajtur partinë në të njëjtin nivel. Një nga detyrat më themelore që shtrohen sapo kryetari i ri i zgjedhur të ulet në zyrën e tij do të jetë një analizë e thellë për rezultatin dhe humbjen e thellë në zgjedhjet e 23 qershorit. Pasi një analizë e tillë te jëtë përfunduar do të duhet që të zgjidhen organet drejtuese të partisë, siç janë kryesia apo edhe Këshilli Kombëtar të cilat do të duhet të ndryshojnë, edhe për shkak të faktit se PD-ja është duke kaluar një ristrukturim të plotë. Statuti i selisë blu, po ashtu do të ndryshojë, ndryshime këto që janë bërë të ditura edhe nga kryetari në detyrë i demokratëve Sali Berisha , pasi që tani kanë ndryshuar modalitetet.
Udhëzimi numër 2
Në Udhëzimin Nr.2 të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale thuhet se, Kryesia e Degës së PD-së Tiranë organizon dhe është përgjegjëse për procesin e votimit për kryetar të PDSH-së që do të zhvillohet më datë 22 korrik në degën e Tiranës. Komisioni i Organizimit sqaron edhe mënyrën se si do të ngrihen qendrat e votimit si dhe përbërjen e anëtarëve dhe të kryetarit të komisionit të qendrës së votimit. Sipas Komisionit të Organizimit, miratimi i propozimeve të grupseksioneve për ambjentet e qendrave të votimit dhe Komisioneve të votimit bëhet nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, jo më vonë se 5 ditë nga dita e zgjedhjeve. Po botojmë të plotë udhëzimin.
Nr. 109 Prot.Tiranë më 09/07/2013
UDHEZIM
Nr. 2 datë 09/07/2013
Në mbështetje të nenit 46 të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, të Vendimit Nr. 11, datë 28.06.2013 dhe Vendimit Nr. 12, datë 04.07.2013 të Kryesisë të PDSH-së, dhe Udhëzimit Nr.1, datë 07.07.2013 të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, vendosi:
1) Kryesia e Degës së PD-së Tiranë organizon dhe është përgjegjëse për procesin e votimit për kryetar të PDSH-së që do të zhvillohet më datë 22.07.2013 në degën e Tiranës.
2) Qendrat e votimit për degën e Tiranës do të ngrihen sipas ndarjes së mëposhtme: Nga një qendër votimi në territorin e grupseksioneve 1-11 me përjashtim të grupseksionit 10.
a) Një qendër votimi në Kamëz.
b) Një qendër votimi në Paskuqan, për gr/seksionet Paskuqan, Zall-Herr, Zall-Bastar.
c) Një qendër votimi në Vorë për gr/seksionet Vorë, Prezë dhe Bërxull.
ç) Një qendër votimi në Pezë Helmes për gr/seksionet Ndroq, Pezë dhe Vaqarr.
d) Një qendër votimi në Bërzhitë, për gr/seksionet Baldushk, Bërzhitë, Petrelë dhe Krabë.
e) Një qendër votimi në Farkë për gr/seksionet Shëngjergj, Dajt dhe Farkë.
f) Një qendër votimi në Selinë Qendrore për Anëtarët e Këshillit Kombëtar që nuk kanë emrin në listat e grupseksioneve, deputetët aktualë dhe të zgjedhur rishtazi, për grupseksionin 10 dhe administratën e PD-së.
Grupseksioni i Kasharit do të votojë me grupseksionin 6 në Kombinat.
3) Për çdo qendër votimi ngrihet një komision votimi me 5 anëtarë, me përbërjen e mëposhtme:
Për grupseksionet e qytetit Tiranë:
a) 3 anëtarë që vijnë nga kryesia e grupseksionit.
b) 2 anëtarët përfaqësues të kandidatëve.
Kryetar komisioni i qendrës votimit do të jetë sekretari i grupseksionit (në mungesë të tij nënkryetari i grupseksionit).
Për grupseksionet e grupuara:
a) 3 anëtarë – sekretarët e secilit grupseksion.
b) 2 anëtarë përfaqësues të kandidatëve
Kryetar komisioni i qendrës votimit do të jetë sekretari i grupseksionit me numër më të madh anëtarësie.
Për grupseksionet me qendër në Bërzhitë, sekretari i grupseksionit më të vogël mbetet në rolin e vëzhguesit.
Për grupseksionin Nr.6 përbërja do të jetë: sekretari i njësisë 6 – kryetar dhe dy anëtarë kryesie të grupseksionit Kashar.
4) Miratimi i propozimeve të grupseksioneve për ambjentet e qendrave të votimit dhe Komisioneve të votimit bëhet nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, jo më vonë se 5 ditë nga dita e zgjedhjeve.
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale
Kryetari
Gjergj Lezhja