Brengat e poetit në hetuesi

0
214

Homazh dy poetëve simbol të disidencës; sot më 17 korrik, është datë përkujtimore nga dita e pushkatimit të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Vrasja e tyre ka hyrë në histori si akti më barbar i diktaturës. Për këta dy poetë ekziston dosja më e plotë e nxjerrë nga SHIK-a dhe arkiva, por deri tani asnjë nuk është vënë në bankën e të akuzuarve për këtë krim si dhe ftohtësia e studiuesve është mjaftuar me të vetmin botim të plotë në fushë të letrave që lidhet me zbulimin dhe publikimin e veprës letrare të Vilsonit në tri blloqe, si dhe botimi i punës kërkimore në fushë të gjuhësisë i Genc Lekës, të përvetësuar nga gjuhëtarët e Institutit të Gjuhës

 

Vilson-Blloshmi-me-kunatinVilson Blloshmi nuk ka lënë ndonjë shënim për idetë e tij për jetën dhe artin. Më poshtë janë mendimet e tij të nxjerra nga dosja hetimore. Gjithsesi, këto mendime të dhëna në hetuesi kërkohet që të merren me rezervë nga monografi Bejko, por edhe kështu ato cilësohen vlerë për t’u bërë të njohura. Këto janë fragmente të nxjerra nga deponimet e ditëve të para në hetuesi. Shkëputur nga procesverbali i hetuesisë, Tiranë, 8.8.1976, f. 213.

“Në vitin 1966 mbrojta shkollën e mesme pedagogjike. Ishim 208 maturantë. Nga të 208-ët vetëm unë u ndava: nuk m’u dha e drejta për të ushtruar profesionin si arsimtar. Me sa duket, kjo lidhej me të kaluarën jo të mirë të familjes sime. Në vitin 1972 kam shkruar një poezi. E kam bërë në ditët kur po hapej viti i ri shkollor; isha i dëshpëruar, mbasi me kohë kisha kërkuar që të ushtroja profesionin si arsimtar dhe kjo e drejtë nuk më jepej. Në rrethana kam shkruar poezinë:

Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë

Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur

Nëse më i vdekur jam nga çdo i gjallë,

Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur

 

Jam thyer para dëshirë sime, para dëshpërimit tim. Kohët shkonin dhe unë vazhdoja të punoja në prodhim. U bëra pesimist. Nuk jam llogaritur mes njerëzve dhe shokëve me të cilët bashkë mbaruam shkollën, por u llogarita midis klasave të vdekura, mes njerëzve të vdekur. Në poezinë më sipër unë kam dashur të them se jam më i gjallë se të vdekurit.

Shënimet në ditarin tim japin mbresa nga jeta e përditshme, shprehje të nxjerra nga studimi i autorëve të ndryshëm të letërsisë së huaj, ngjarje dhe ndodhi të jetës sime, të jetës shoqërore.

Me shprehjen se njerëzit mbajnë ndonjëherë emra falsë, dua të them se njerëzit ndryshe hiqen e ndryshe janë. E kam shkruar këtë si vlerë njohëse për njeriun, ose dhe për ndonjë njeri konkret, si…

Me shprehjen në ditarin tim se 26-vjetorin nuk do ta festoj, kam shprehur shqetësimin se vitet kalojnë dhe mua nuk më kanë sjellë ndonjë ndryshim, përkundrazi, më gjejnë ndryshe nga shokët e mi të shkollës, të cilët kanë disa vjet që e ushtrojnë profesionin e mësuesit. Jeta ime është monotone, e mërzitshme dhe pa asnjë gëzim. Shokët e mi kanë ecur përpara, kurse unë kam mbetur në vend. Ata janë arsimtarë, unë punoj në minierë. Ky trajtim nuk më pëlqen dhe më duket i padrejtë. Kur e shkrova këtë, isha në tunel dhe me dhimbje në stomak. Perspektiva ime është e një njeriu të pafat në jetë. Mirë prindërit e mi gabuan, po unë ç’kam bërë? I ri jam, forcat nuk më mungojnë, por nuk kam qetësi, ndërgjegjja nuk më lë të qetë. Kulmi i dëshpërimit arrin atje ku unë them më mirë të mos kisha lindur sesa linda në një jetë që më vret e më brengos. Humnera të gëlltit, them për ditëlindjen time. Se unë dua ta harroj ditën time të lindjes, se koha që jetoj është pa asnjë gëzim, pa asnjë brohori, thjesht punë dhe halle, këtu është reduktuar gjithë perspektiva ime.

E di se këto janë koncepte dhe pikëpamje fataliste mbi jetën. Mbase një gabim. Po ky gabim lidhet me mungesën e besimit në një të ardhme. Karakteristika ime ka qenë vetmia, por kjo nuk do të thotë se kam qenë larg njerëzve. Kam qenë në frikë e në panik, edhe nga provokimet, por këtë nuk e absolutizoj, sepse kam biseduar me njerëzit.

Forca e arsyes nuk më mungon t’i kuptoj fenomenet. Mundësitë në thellimin e gjërave i kam. Kam lexuar shumë libra, midis të cilave, librat e Bodlerit dhe të të tjerëve dhe këta kanë ndikuar tek mua.

Në ditar kam shkruar se ka njerëz që janë si hija ime, ata nuk më ndjekin veç në ditët me diell. Me këtë kam dashur të them se ky është një përgjithësim mbi njerëzit. Kam lexuar një proverb latin ku thuhet se, po të jesh i lumtur, rrethohesh nga shumë miq, në fatkeqësi nuk të ndjekë njeri pas. Unë kam një natyrë të keqe, kjo është natyra e trishtimit, unë mërzitem shpesh. Në jetën e përditshme e kam për natyrë që të mos i bëj keq askujt. Kjo është dobësia ime shpirtërore: kam zemër të ulët dhe bëhem shpesh pesimist në jetë. E quaj meritë që të bindem për gabimet e mia, të bëhem i ndërgjegjshëm.

Unë shpeshherë kam dashur të shkruaj, bile kam përgatitur një poezi për minatorin, por këtë nuk e dërgova për botim.

Në datën 2 dhjetor 1973, unë kam shkruar një poezi që ia kushtoj vetes sime. Aty kam shprehur mërzitjen time, dhe e quaja veten jetim, megjithëse nënën dhe babanë i kam, por kam dashur të shpreh vetminë time, izolimin tim, atë që nuk po e gëzoja jetën, qenien gjithmonë në brengë. Gjithmonë mendoja, vrisja mendjen: ç’do bëhej më vonë, madje, duke qenë i brengosur, rrija zgjuar, i mërzitur, i dëshpëruar, sa arrija ta bashkoj mbrëmjen me mëngjesin…

(fragment nga procesverbalet e hetuesisë)

 

Tri blloqe, vepra letrare

Në vitin 2007, kur u është bërë një letër-kërkesë tjetër zyrtarëve të arkivave për herë të parë, familja arrin të sigurojë tri blloqe me dorëshkrime të Vilsonit

 

Blloku i parë

Blloku i parë në 82 faqe fletoreje të shkruar me stilograf nga dora e Vilsonit përmban sentenca mbi jetën dhe mbi artin nga filozofë si: Sokrati, Aristoteli, Epikur Hegeli, Paskal etj., si dhe nga shkrimtarë e njerëz të mëdhenj të kulturës perëndimore si Euripidi, Virgjili, Dante, Shekspiri, Bajroni, Shatobriani, Lamartini, Bodleri, Dostojevski etj., fragmente esesh nga E. A,POe, V.Hygo, P. Claudel, si dhe poezi si tip antologjie të vogël me autorë si Bodler, Rembo, Mallarme, Verlen, Lekont de Lili, Teofil Gotje, Francis Karko, Apolner dhe Pol Gerald, si dhe 14 poezi dhe 11 faqe me sentenca nga romani “Të mjerët”. Të gjitha këto janë shkrua në frëngjisht, në gjuhën e origjinaleve, me kaligrafi, duke respektuar shenjat e pikësimit. Në gjuhën shqipe janë shkruar sentenca nga Sami Frashëri, sentenca nga Gorki, përkthimi i një eseje të Viktor Hygoit mbi lirinë dhe domosdoshmërinë, i një fragmenti prej shtatë vargjesh nga tragjedia “Ester” të Rasinit dhe “Soneti i fundit” i Alfred de Myse.

 

Blloku i dytë

Blloku i dytë, që i përket vitit 1974, nis me një përmbledhje të dramës “Hernani” të Viktor Hygoit. Mendohet nga studiuesi se ky libër mund t’i ketë rënë Vilsonit në dorë përkohësisht. Ai ka lexuar dramën e Hygoit në origjinal dhe në shqip ka dhënë përmbajtjen e çdo akti dhe të çdo skene. Në këtë bllok të dytë, sipas kronologjisë kohore, vendin më të madh e zë përkthimi i rreth 600 vargjeve nga “Legjenda e shekujve” e Viktor Hygoit. Përkthimi i sonetit të Bodlerit, “Pendim i vonët” pasohet nga shtatë poezi të reja të Vilson Blloshmit, si dhe vjen një fragment i shkurtër në prozë nga romani i Lermontovit “Një hero i kohës sonë”, përkthyer nga frëngjishtja.

Gjithmonë nuk duhet harruar se gjithë sa lexonte a përkthente, shpesh, varej nga librat që i binin në dorë. Mbase përkthimi nga “Legjenda e shekujve” lidhet me patosin e Viktor Hygoit kundër tiranëve dhe tiranisë.

 

Blloku i tretë

Ky është blloku më i vëllimshëm, pasi përmban përkthimin e plotë të novelës “Zadigu” të Volterit. Nuk dihet në ç‘rrethana i ka rënë në dorë novela, – thotë Bejko, – dhe përse mund ta ketë përkthyer Vilsoni. Në fund të përkthimit është vënë shënimi 18 prill 1970, kohë kur ai ishte ushtar në brigadë pune, aty ku shkonin fëmijët e kulakëve dhe të gjithë ata me biografi të keqe. “Nga cilësia e përkthimit mendojmë se ai është ende në kohën kur po ushtrohej në mësimin e frëngjishtes. Në vite të shërbimit ushtarak në fshatin Tale të Lezhës, sipas të thënave, ai takohej me një prift katolik, i cili e ka ndihmuar të thellohej në mësimin e frëngjishtes”. Bejko na tregon se novela “Zadigu” është në dorëshkrim dhe mbi të është punuar për ta redaktuar, dhe plotësuar në pak fjalë e fraza. Ky përkthim mendohet se vjen në shqip për herë të parë i plotë. Kemi një përkthim të “Zadig”-ut prej Vedat Kokonës te libri i Volterit, “Novelat” botuar në 1990. Këtë botim Bejko detyrimisht e ka krahasuar me përkthimin e Blloshmit dhe na tregon se tek “Zadigu” i Kokonës mungojnë tre kapituj, më saktë, hyrja në krye të librit dhe dy kapitujt e fundit.