Vrasja e Dervishit, dëshmia, tre autorë i shkuan në apartament

0
218

Rrëfimi në polici i banorit: Pashë dy persona të panjohur që zbrisnin shkallët

Policia: 48-vjeçari do të vritej brenda banesës, autorët u kthyen kur s’iu hap dera

 

Edmond DervishajTre persona kanë zbrazur mbi trupin e 48-vjeçarit Edmond Dervishi, duke e lënë këtë të fundit të vdekur në vend. Autorët e kanë vëzhguar për një kohë të gjatë dhe në momentin kur ai ka mbetur për një moment i vetëm, fillimisht një person i është afruar dhe ka qëlluar. Ndërkohë, dy të tjerë kanë hapur zjarr, sapo kanë dalë nga tuneli i pallatit, pasi sipas uniformave blu autorë kanë qenë brenda shkallëve të pallatit. Ky version është treguar në polici edhe nga disa prej dëshmitarëve, banorë të pallatit të cilët kanë treguar se në shkallët e pallatit kishin vënë re dy persona që qëndronin por, nuk kanë menduar për diçka të keqe. Rreth 20 metra larg vendit të krimit, autorët e vrasjes kanë lënë të parkuar automjetin e tyre tip “Mercedes-Benz” dhe kanë qëndruar në pritje të Edmond Dervishit. Sipas dinamikës që policia e Tiranës ka ndërtuar, ekzekutorët kishin vendosur që mbrëmjen e të dielës ta ekzekutonin Dervishin, edhe nëse ky i fundit të kishte qenë nën shoqërinë e familjarëve të tij. Për këtë autorët kanë zënë shkallët e pallatit, ku në disa raste edhe mund të kenë ngjitur shkallët deri tek hyrja e apartamentit të viktimës, që ndodhet në katin e fundit. Hetimi tashmë për këtë ngjarje është përqendruar në pistën e hakmarrjes dhe ndonjë konflikt të çastit që viktima ka pasur gjatë kohës kur ka shërbyer si shofer pranë Kryeministrisë.

Vëzhgimi në shkallë

Vrasësit e Edmond Dervishit, përpara se të kryenin krimin mendohet se kanë vëzhguar me imtësi të gjithë shkallën e pallatit ku banonte viktima. Të tre autorët kanë qenë të pajisura me pistoleta me silenciator dhe se ata kanë kaluar në shkallët e pallatit, gjatë pasdites, por që askush nga banorët s’ka menduar se ata kishin si qëllim vrasjen njërit prej banorëve të pallatit. Në një dëshmi të njërit prej banorëve të zonës, dhënë në policinë e Tiranës, ai ka treguar se ditën e krimit ai ka parë dy persona të panjohur që po zbrisnin së bashku nga katet e sipërme poshtë. Këta persona për të ishin të panjohur. Ata janë shkëmbyer me dëshmitarin e policisë, por nuk kanë komunikuar asnjë fjalë. Sipas tij, në dukje djemtë i përkisnin moshës 23 deri në 27 vjeç, ndërkohë që s’ka dhënë shumë karakteristika rreth veshjes së tyre, gjatësisë trupore dhe ndonjë shenje që mund të identifikohej shpejt si tatuazh apo nishane. Pas kësaj, banori është larguar në banesën e tij, duke mos dyshuar në asnjë moment. Ai ka deklaruar në policie, se këta persona mund të kenë qenë njerëzit që kanë kryer vrasjen e Edmond Dervishit. Nisur nga dëshmia e këtij dëshmitari uniformat blu dyshojnë se vrasësit, kanë shkuar deri tek dera e apartamentit të Dervishit, duke planifikuar që vrasja e tij të kryhej brenda në ambientet e shtëpisë së tij. Për të shuar krismat, autorët janë pajisur me pistoleta me silenciator, ndërkohë që pasi të kishin mbaruar punë sërish me shumë qetësi do të zbrisnin shkallët e pallatit. Mirëpo siç duket ky plan nuk i ka ecur për shkak se dera ka qenë e mbyllur dhe për pasojë, autorët kanë vendosur ta presin tek hyrja e pallatit objektivin e tyre, duke e vrarë atë rreth orës 21:45 të mbrëmjes së të dielës. Edmond Dervishi është qëlluar me 18 plumba pistolete, duke mbetur i vdekur në vend. Më pas autorët me shumë shpejtësi janë larguar nga vendi i krimit, duke mos u parë nga askush nga banorët e pallatit. Këta të fundit kanë vënë re se vetëm mjetin tip “Mercedes-Benz” që është larguar me shpejtësi, por jo autorët.

Hetimi i policisë

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, policia ka ngritur dyshimet e saj për disa persona, por që nuk ekziston asnjë provë se ata janë autorë të vërtetë të vrasjes së Edmond Dervishit. Vrasja e Dervishit lidhet edhe me atë të ekzekutimit të Franc Konomit, ku më parë ata kanë qenë shokë lagjeje, pasi banesat e tyre ndodhet vetëm 100 metra larg njëra-tjetrës. Policia është duke marrë persona të ndryshëm në pyetje, por që në fakt asnjëri nuk është në gjendje të tregojë se çfarë ka ndodhur disa vite më parë mes grupeve rivale të rrugës “Bardhyl”. Kjo, për shkak edhe të kalimit të kohës, pasi grupi ka pasur një veprimtari më të dendur kriminale gjatë viteve ‘90 dhe deri në vitin 1999. Në pyetje janë marrë edhe familjarët të cilët kanë qenë të pafuqishëm se cili nga personat i vrau djalin e dytë, pasi 13 vite më parë familja Dervishi humbi edhe djalin e vogël Gentian Dervishi. Të dy djemtë e kësaj shtëpie tashmë ndodhet në dhé, ndërkohë që gjallë kanë mbetur vetëm dy pleqtë.

18 plumba

Plot 18 herë është qëlluar në drejtim të Edmond Dervishit. Autorët e krimit kanë përdorur armë me silenciator, duke mos i dhënë asnjë mundësi banorëve të pallatit të dilnin dhe të shikonin se çfarë ka ndodhte pas të shtënave me armë. Sulmi ka qenë tepër i organizuar dhe se autorët mund edhe të jenë paguar.

13 vite

Në vitin 1997, viktimës i kanë vrarë vëllain e tij, Genti Dervishi. Sipas policisë, ky i fundit është ekzekutuar nga djemtë e rrugës “Bardhyl”, përpara Shkollës së Kuqe në Tiranë. Sot e kësaj dite policia e Tiranës nuk ka asnjë të arrestuar për këtë ngjarje të rëndë.

 

Takimi i kryepolicit me drejtuesit pas vrasjeve

Burgaj, policëve: Jeni bërë të mefshtë,nëse nuk parandaloni, do të ndëshkoheni

Vrasjet e rënda që janë shënuar gjatë kësaj kohe, kanë sjellë edhe reagimin e menjëhershëm të drejtorit të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Ky i fundit nga qyteti i Lezhës e ka quajtur situatën që po kalon rendi në Shqipëri si të patolerueshme dhe aspak të qëndrueshme. Burgaj ka deklaruar se situata e rëndë nuk është e rëndë vetë në qarkun e Lezhës, por ndodhet kritike edhe në qytete të tjera. Sipas Burgajt, është e papranueshme që tranzicioni i pushtetit të ndikojë në punën e policisë. Burgaj i bëri deklaratat e tij nga Lezha, ku kishte mbledhur drejtuesit e policisë së këtij qarku dhe atij të Shkodrës, ku ngjarja e Pukës ku u plagosën 5 anëtarë të një familjeje dhe grabitja e një familjeje nga Ulqini në Rrugën e Kombit, nuk kaluan pa u vënë re nga drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit. Burgaj garantoi se nuk do të tolerojë asnjë efektiv, i cili do të nuk do të kryejë detyrën, sidomos gjatë sezonit turistik. Burgaj nënvizoi se policia po qëndron shumë në mefshtësi, duke mos marrë masa bindëse për parandalimin e krimeve. Në këto kushte ai paralajmëroi se të gjithë efektivët që do të qëndrojnë pasivë ndaj rasteve të denoncuara nga qytetarët, do të ndëshkohen shumë shpejt. Burgaj ka folur edhe për strukturat e policisë rrugore, duke deklaruar se ato nuk duhet të fshihen dhe të qëndrojnë në zona që nuk përbëjnë rrezik për aksidente, por të përqendrohen në pikat nevralgjike dhe që janë objekt i personave që grabisin.