Berisha: Fondi për rritjen, 100% i garantuar

0
138

sali-berisha-mbledhje-qeverie-portret-lsa1Kryeministri Berisha nga mbledhja e qeverisë e ditës së djeshme u shpreh se fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve është totalisht i parashikuar sepse ai është planifikuar në buxhetin e vitit 2013, që për më tepër ishte më i madhi në historinë e shtetit shqiptar. Dhe në këtë drejtim shefi i qeverisë u ndal dhe sqaroi edhe çështjen e shkurtimit të buxhetit, vendim ky që u mor javën e kaluar nga Këshilli i Ministrave. Berisha nënvizoi se kjo është një praktikë që ndiqet çdo vit dhe është në tagrin e qeverisë që të bëjë ndryshime të mundshme të buxhetit, një veprim ky që mund ta bëjë edhe mazhoranca e re e shtatorit. “Nga viti 2006, përfshirë edhe këtë rritje, çdo qindarkë e rritjes së pagave dhe pensioneve përballohet plotësisht e tërësisht nga të ardhurat e buxhetit të shtetit. Qeveria në tetë vite nuk ka përdorur për rritje të pagave dhe pensioneve as edhe një qindarkë të marrë borxh. Kjo përbën një nga ndryshimet më të mëdha e thelbësore. Në qoftë se më parë rrogëtarët paguheshin duke marrë borxh, gjatë këtyre viteve, ata janë paguar me të ardhurat buxhetore, pasi nga viti 2005 e deri më sot, ato janë dyfishuar për shkak të performancës shumë më të mirë të institucioneve të mbledhjes së të ardhurave dhe të ekonomisë shqiptare. Pikëpamjet se nuk do të ketë para për rroga e pensione janë pikëpamje paniku, të përhapura me qëllime shumë keqdashëse. Në ritmin e të ardhurave të realizuara deri tani ka para për çdo rrogë e çdo pension, në mënyrën më të padiskutueshme. Fondi i pagave është 100 për qind i garantuar. Ajo që ka ndodhur çdo vit dhe kjo është bërë transparente është se çdo vit në këtë periudhë, qeveria ka marrë masa për shkurtimin në maksimum të shpenzimeve të tjera. Kjo sepse shpenzimet e fundvitit janë shpenzime që mbrohen shumë vështirë, janë shpenzime që u bie eficenca, shpenzime që me ndërrimin e viteve buxhetore kanë një eficencë të ulët dhe këtu kemi vepruar pikërisht për këtë qëllim. Çdo vit kemi bërë rirregullimin e buxhetit, në përputhje me këtë parim dhe e kemi votuar në parlament. Këtë vit nuk e bëjmë rirregullimin, pasi kjo është e drejtë e qeverisë tjetër. Sapo të vijnë, ata kanë të gjitha mundësitë të bëjnë shkurtimin e shpenzimeve të tjera, jo rrogave e pensioneve dhe t’ia paraqesin parlamentit, siç është bërë tetë vite me radhë. Ka pasur vite që ka pasur surplus dhe ato i kemi kaluar në ulje taksash, siç ka pasur vite që kemi pasur minus dhe e kemi zgjidhur duke ulur shpenzimet”, – pohoi shefi i qeverisë, Berisha.

Vendimet e qeverisë

Një tjetër çështje të cilën shefi i qeverisë në detyrë e përmendi në takim e përjavshëm me ministrat e tij, ishte edhe revanshi që ka marrë opozita dhe sulmi i saj për të gjitha institucionet e vendit, me pretendimin se është ajo që duhet të qeverisë. Nën shembullin e Bangladeshit, kreu i ekzekutivit pohoi se ajo është e sanksionuar me Kushtetutë dhe në këtë drejtim u shpreh: “Injoranca, siç ka thënë latini, nuk është argument. Ndërsa revanshi, tjetër problem, është sëmundje. Lidhur me vendimet e kësaj qeverie, Kushtetuta ka qartësuar në mënyrën më të përsosur, më precize se kur mbaron mandati i një parlamenti dhe i qeverisë së tij dhe kur fillon mandati i një mazhorance dhe qeverisë së saj. Kushtetutat e Evropës e në tërësi të botës nuk njohin asnjë lloj kufizimi në veprimtarinë e qeverisë, nga dita e parë në ditën e fundit të mandatit të saj. Kushtetuta e Shqipërisë i jep parlamentit dhe qeverisë së tij katër vjet, ditë më ditë, për të ushtruar mandatin. Nuk ekziston në Evropë e pothuajse në botë, qeveri kujdestare. Qeveri kujdestare të lidhura me zgjedhje ka vetëm në Bangladesh, por edhe atje me Kushtetutë. Dhe ai është një vend demokratik që ka fiksuar me Kushtetutë që 3 muaj para zgjedhjeve dhe derisa të formohet qeveria e re, qeverinë e merr në drejtim kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe ajo quhet qeveri kujdestare. Ka edhe një vend tjetër, unik, që e ka vendosur me ligj se çfarë mund të bëjë dhe nuk mund të bëjë qeveria deri në dorëzimin e mandatit. Të gjitha të tjerat, pa përjashtim, nuk kanë përcaktuar në Kushtetutë asnjë kufizim, përfshi këtu edhe vendimet më të mëdha që mund të marrë një vend e komb. Ky është morali. Mund të ngrihen jo një, por pesë zyra, por Kushtetuta është Kushtetutë. Ata që bëjnë fjalë për qeveri në detyrë, tregojnë injorancën e tyre. Qeveria në detyrë është qeveria e një Kryeministri të dorëhequr, i cili pasi ka dhënë dorëheqjen është i detyruar të qëndrojë në detyrë derisa parlamenti dhe presidenti i vendit të gjejnë Kryeministrin e ri. Këto janë nocionet themelore kushtetuese. Ata që tregojnë padurim dhe mendojnë se dikush duhet të ketë mandat tre vjet e shtatë muaj dhe tjetri, katër vjet e tre muaj, nguten e gabojnë. Kushtetuta është Kushtetutë në germë e në frymë dhe nuk ka të bëjë me një a tjetër person, por ajo rregullon funksionimin e institucioneve të vendit. U ndala edhe një herë në këtë çështje për ata që bëjnë zhurmë. Nuk është e vërtetë se është ndryshuar Kushtetuta për këto etapa. Përsëri injoranca nuk shërben. Në vitin 2004, në marrëveshje të plotë me Partinë Socialiste është ndryshuar Kodi Zgjedhor dhe me një normë të Kodit Zgjedhor janë përcaktuar datat e përfundimit dhe fillimit të mandatit. Përse kjo? A nuk ishim ne që në vitin 2001 na vazhduan votimet deri në 20 gusht dhe ne ishim në opozitë, jo për fajin tonë. Aso kohe u përcaktua kjo normë, e cila, siç ishte në Kod, u vendos në vitin 2008, sepse në Kushtetutën që ekzistonte thuhej se parlamenti mblidhej 20 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve. Por zgjedhjet përfundojnë pasi përfundon çdo llok ankese dhe kjo mund të shkojë në kalendat greke. Faktikisht, ajo e përcaktonte sine die datën e mbledhjes së parlamentit, ndërsa përcaktimi siç e kemi ekziston në shumicën e kushtetutave, në shumicën e ekzekutivëve. Nuk është risi, nuk është shpikje. Ka vende që e kanë gjashtë muaj, ka vende që e kanë një muaj. Afatet përcaktohen që të mos ketë konfuzion.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency