Marrë nga “Goal.com”
Ndonëse duhet të japin gjithmonë imazhin e mirë në fushë dhe jashtë saj, edhe këta si njerëzit normalë gabojnë, madje gafat e tyre mund të jenë të ashpra, të dhunshme, të jashtëligjshme.
Më poshtë do t’ju tregojmë dhjetë “të fortët” të tapetit të gjelbër. Në këtë “listë të zezë” jemi munduar që të nxjerrim edhe emrat e atyre që kanë luajtur shumë vite më parë… kur futbolli ishte edhe më “i egër”.
Teofilo Gutierrez
Dhe të mendosh që në 2011-ën mund të luante tek Interi apo Fiorentina. Gutierrez ka hyrë në histori si atentatori i dhomave të zhveshjes. Në 2012-ën, kur luante për Rasing Avelanedën, shënon gol dhe ndëshkohet me të kuqe. Në fund të takimit, kapiteni Saja e kritikon për përjashtimin dhe ai i përgjigjet me një pistoletë në gojë, duke e kërcënuar.
Faustino Asprilia
Ish-sulmuesi i Parmës bëri karrierë në Itali nga 1992 deri në 1999. Por, hobi i tij ishin edhe armët e zjarrit, aq sa policia në vendlindje e pati arrestuar disa herë për armëmbajtje pa leje.
Rene Higuita
Ish-portieri u bë i famshëm për pritjen e tij “stil akrepi”, por akoma më shumë ishte i famshëm për miqësinë e tij të ngushtë me Pablo Eskobarin, bosin më të madh të drogës në histori.
Uejn Runi dhe Rajan Gigs
Historitë e tij me prostitutat janë të panumërta, aq sa media angleze zbuloi një orgji të tijën, në kohën që bashkëshortja ishte shtatzënë. Ndërkohë që edhe Gigs njollosi emrin e tij, teksa pak kohë më parë u zbulua se kishte një lidhje sekrete me bashkëshorten e vëllait të tij.
Mario Baloteli
Bëmat e tij kanë bërë xhiron e botës, nga të shtënat me pistoletë në qendër të Milanos, hyrjet pa leje në burgje, festat e çmendura me fishekzjarre dhe djegia e shtëpisë e deri te festat e panumërta me drita të kuqe në Angli, të cilat i organizonte thuajse çdo natë përpara ndeshjeve.
Hoze Luis Shilaver
I famshëm për golat e tij, por edhe për sherret e shumta në fushë. Portieri i mirënjohur gjithsesi nuk përdorte shpesh duart, më shumë sesa “hobin” e tij, të pështynte në fytyrë kundërshtarët.
Pol “Gaza” Gaskoin
Është problematik edhe sot e kësaj dite që e ka lënë futbollin. Shumë shpesh i alkoolizuar edhe në fushë, tashmë është në një gjendje kritike, ndonëse i ka shpëtuar shpeshherë vdekjes. Prej 4 ditësh thekson se është esëll, ndërkohë që tabloidi anglez, “The Sun”, dje i bëri një thirrje publike të gjitha bareve dhe pubeve: “Mos i jepni të pijë këtij personi”, me foton gjigande të Gaskoinit.
Erik Kantona
Gjithmonë hijerëndë dhe i ashpër në fushë dhe jashtë saj. Gjithsesi, i paharrueshëm do të jetë sulmi fizik pas një goli të shënuar, ndaj një tifozi rival, duke e goditur me të gjithë forcën.
Kuautemok Blanko
Ish-kapiteni i përfaqësueses nuk honepste dot gazetarët, me të cilët jo vetëm ka pasur shumë konfrontime verbale, por akoma më shumë fizike, qofshin këto edhe gjatë transmetimeve direkte.
Diego Maradona
Argjentinasi është emri më i diskutuar i futbollit edhe në kohët moderne. Talenti i tij ishte i padiskutueshëm, por problemet me drogën, arrestimet në flagrancë me lëndë narkotike, agresionet dhe së fundmi edhe problemet me evazionin fiskal italian vazhdojnë të shtojnë “famën” e Maradonës.
Vini Xhons
Mbase është më i famshëm tani si aktor, por për ish-mesfushorin e Çelsit nuk kanë ndryshuar shumë gjërat. I egër dhe i ashpër në fushë, me goditje të frikshme ndaj kundërshtarëve dhe sjellje vandale, Vini Xhons është i vetmi që ka përfituar nga këto sjellje. Hollivudi e afroi, pasi figura e tij është ideale për një person të fortë dhe thuajse të pathyeshëm, si në filmin e famshëm “Vjedhje për 60 sekonda”, me aktorin tjetër, Nikolas Kejxh.