Vepror Hasani
Ka qenë gazeta “Korça” ajo që solli një lajm të çuditshëm. Askush nuk donte ta besonte, por gjithkush e kishte të pamundur të mos e besonte. Me ato që po u dëgjonin veshët dhe me ato që po u shihnin sytë, gjithçka mund të ndodhte në këtë dynja. Ishte 14 janari i vitit 1928. Atë ditë banorët e qytetit të Korçës sapo përfundonin së lexuari gazetën, qëndronin një çast të heshtur e të menduar sikur të ishin shndërruar në një copë guri dhe pas kësaj pëshpëritnin me vete: “E çuditshme!…” “Çfarë thuhet në gazetë?
Korçë – Kishte ardhur një kohë tjetër. Më të vjetrit kishin filluar të ndiheshin të shqetësuar. Nuk besonin aspak se fundi i kësaj bote do të ishte i mirë. Gjithnjë e më shumë po bindeshin se të rinjtë e sotëm, pa e kuptuar as vetë, po shkonin drejt një fundi të frikshëm. Djegia në flakët e ferrit do të ishte e pashmangshme për cilindo. Kurrë më parë nuk ishte dëgjuar që gruaja e ve të mbetej shtatzënë, ashtu sikurse dëgjonin të thuhej se një grua kishte mbetur me barrë, edhe pse burri kishte tri vjet që i kishte vdekur. Nuk kishin të sosur as lajmet që bënin fjalë për djemtë që hynin në shtëpitë e çupave nga dritaret dhe i rrëmbenin ato. Sigurisht me dashjen e tyre, por kurrë më parë nuk kishte ndodhur kështu, përveçse në përralla. Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, gjithçka shkruhej nëpër gazeta sikur të kishte ndodhur ndonjë mrekulli e rrallë. Sa herë që njerëzit dëgjonin të flitej për gjëra të tilla, vraponin të blinin gazetën sa më parë. Gazeta “Korça” nuk linte asgjë pa shkruar, a thua se shejtani ia thoshte të gjitha në vesh. Se mos vetëm në Korçë, e gjithë bota kishte filluar të tronditej nga ato që po bënte e dëgjonte. Të rinjtë ëndërronin të kishin një automobil, një femër dhe një kobure dhe asgjë më tepër. Edhe në Korçë kishin mbërritur automobilat e parë. Rinia po çmendej dhe nuk çmendej dot. Ishte koha e automobillit. Të gjithë donin të nxitonin… Megjithatë, nga të moshuarit ende shpresohej se edhe të rinjtë do të zinin mend, por a do të ndodhte kështu vallë?
BOTA DO TË ÇMENDET
Edhe nëse deri atë ditë edhe më të moshuarit kishin besuar se edhe të rinjtë do të piqeshin dhe do të zinin rrugën e mbarë, pas përhapjes së një lajmi të papritur, nuk do t’i besonin më askujt, madje siç thoshin ata vetë, “kishte ardhur një kohë kur nuk duhet t’i zije besë as këmishës që kishe veshur”. Dhe ndoshta kishin patur të drejtë. Kishte qenë “Gazeta Korça” ajo që solli një lajm të çuditshëm. Askush nuk donte ta besonte, por gjithkush e kishte të pamundur të mos e besonte. Me ato që po u dëgjonin veshët dhe me ato që po u shihnin sytë, gjithçka mund të ndodhte në këtë dynja. Ishte 14 janari i vitit 1928. Atë ditë banorët e qytetit të Korçës sapo përfundonin së lexuari gazetën, qëndronin një çast të heshtur e të menduar sikur të ishin shndërruar në një copë guri dhe pas kësaj pëshpëritnin me vete: “E çuditshme!…” “Çfarë thuhet në gazetë?” – pyesnin ata që nuk kishin arritur ta blinin. Përgjigjja që vinte ishte e frikshme: “Të gjithë njerëzit e planetit do të çmenden!” “Kush e thotë këtë?” – pyesnin sërish gjithë shqetësim. Dikush që e kishte lexuar gazetën disa herë me radhë, merrte përsipër t’ua shpjegonte: “Një englez i ditur, shpjegonte ai, ka bërë një studim të çuditshëm. Sipas hesapeve të tij, brenda 300 vjetësh i gjithë njerëzimi do të jetë prishur nga mend” “Uaaa!… Te jetë e vërtetë thua”,- ishte reagimi i të tjerëve. “Po po, këmbëngulte ai që e kishte lexuar lajmin i pari, sipas studimeve që ka bërë englezi, rezulton se në vitin 1857, në Evropë gjeje 1 të prishur nga mend në 535 veta, kurse pas 40 vjetëve, pra më 1897, përsëri në Evropë, një të çmendur e gjen në 312 njerëz, kurse tani, në kohën tonë, më 1927, një i luajtur nga mend e kokës ndodhet në çdo 150 veta. Englezi thotë gjithashtu se në rast se ecet me këto ritme, atëherë në vitin 1977 një i dalë mendsh do të gjendet në çdo 100 njerëz dhe pas 212 vitesh, në vitin 2139 në gjithë rruzullin tokësor do të ketë vetëm të marrë”. Ajo që po dëgjonin ishte vërtet e frikshme.
TËRBIMI I QENVE
Askush nuk gjente qoftë edhe një arsye të vetme për të mos e besuar studimin e englezit. Nëpër rrugët e qytetit shikoje gjithnjë njerëz që flisnin me vete, që harronin e nuk gjenin dot shtëpinë. Djem e vajza të dalë mendsh shihje sa të doje. Por kjo gjë nuk po ndodhte vetëm me njerëzit. Edhe qentë kishin filluar të tërboheshin. Si ishte e mundur? Edhe ata po luanin mendsh! Mos vallë gjithçka do të shkonte drejt shkatërrimit të planetit? Ndoshta edhe pemët do të thaheshin. Ku i dihej, mbase ishte ndonjë mallkim që po zbriste nga Perëndia. Qentë e tërbuar kishin kohë që po tmerronin qytetin. Ata që kafshoheshin prej tyre duhej të niseshin me urgjencë drejt Durrësit. Vetëm atje bëheshin analizat për tërbim. Edhe gazeta “Korça” shkruante: “Ka ca kohë që brenda në qytetin e Korçës edhe në katundet, janë tërbuar shumë qenër dhe kanë kafshuar shumë njerëz, që kështu kanë shkaktuar shqetësim, trembje dhe shpenzime të mëdha për Bashkinë që i dërgon në Durrës. Bashkia ka shfarosur shumë qenër, por duhet edhe populli të tregojë lehtësira të plota që qentë që kanë në shtëpi të mos i fshehin, por t’ia dorëzojnë bashkisë për t’i shfarosur. Gjithë kështu, edhe katundet të vrasin qentë që rrinë rrugëve d.m.th që nuk janë me zinxhir (Nga mjekësia e Bashkisë), bënte të ditur gazeta “Korça” më 7 mars 1928. Megjithatë lajmi i çmendjes së planetit dhe i tërbimit të qenëve u bë edhe më i frikshëm kur erdhi haberi se ashtu si qentë ishte tërbuar edhe një kalë. Gjithçka ishte e vërtetë sepse lajmi u bë i ditur nga post- komanda e Lavdarit të Oparit, e cila njoftonte se në katundin Gurë të Mujës ishte tërbuar kali i të quajturit Arif Isa ku kishte kafshuar dy veta, por lumturisht vetëm në rroba. Kali i tërbuar më vona ka ngordhur, bënte të ditur njoftimi i shkruar në gazetën e Korçës. tashmë nuk ishte çudi që kudo që të gjendeshe do të kishte pranë edhe një të çmendur
NË KORÇË PO VININ EDHE TË ÇMENDURIT E GREQISË
Banorët e Korçës po vinin re se qyteti i tyre po shtohej me njerëz të rinj. Dukej se ata vinin gjithnjë gjatë orëve të vona të natës, sistemoheshin nëpër hotele dhe vetëm në mëngjes i shihje kur dilnin bashkë nëpër rrugët e Korçës. Nga gjuha që flisnin kuptohej që ishin grekë. Megjithatë, askush prej tyre nuk shfaqte ndonjë lloj droje, meqenëse gjendej në një qytet të huaj. Silleshin sikur të ishin në shtëpinë e veta. Vështrimet e tyre ishin gati të njëjta me ato të njerëzve të çmendur. Thuhej se që të gjithë ata ose kishin qenë nëpër burgjet e Greqisë, ose kërkoheshin nga policia greke. Megjithatë, gjithkush prej tyre e dinte se vetëm në Shqipëri nuk do t’i shqetësonte askush, madje as qeveria greke. Qëndronin gjithë ditën nëpër kazino e shtëpi publike, duke shpenzuar të holla pa fundi. Shpesh i gjeje bashkë me agjentët e mbetur në Korçë pas largimit të ushtrisë franceze. Shpesh ata sillnin edhe vajza me vete, të cilat ose ishin nga Greqia ose nga Naselishti i Bullgarisë. Ashtu si qentë e tërbuar, edhe kjo kategori grekësh për qytetin e Korçës po bëhej një shqetësim i madh. Ata ishin kudo, në të gjitha rrugët, flisnin me zë të lartë. Në lidhje me këtë ngjarje gazeta e Korçës do të shkruante: “Këtu në Korçë, kërcet greqishtja. Dhe po të interesohesh që të mësosh se cilët janë këta bukuroshë, do të mësosh se janë grekë të ikur prej Greqie për ndonjë faj, për ndonjë krim apo për ndonjë punë të errët. Këta njerëz nuk mund t’i sjellin vendit tonë asnjë dobi përveç demit, sepse do të na stërvitin edhe neve me të metat e tyre. Këta bukuroshë na duket se nuk kanë vendin këtu dhe duhen dëbuar një orë e më parë, përfundonte gazeta në fjalë. (19 maj 1928)
E BËJMË NJË XHIRO ME MAKINË
Sigurisht, kohët po ndryshonin. Më të moshuarit vështronin të rinjtë e qytetit, përpiqeshin të kuptonin diçka më shumë por kur e shihnin se nuk mund të kuptonin asgjë, qëndronin të heshtur. “Mirë e ka thënë englezi, thoshin me vete, kjo botë do të çmendet” Gjatë gjithë ditës shihnin automobila që nxitonin nëpër rrugë dhe rrugica. Nuk kuptohej për ku vraponin dhe kë kërkonin. Lëvizjet e tyre nuk kishin asnjë ndryshim nga ajo e njerëzve që njiheshin si të marrë. Brenda automjeteve qëndronin kapardisur djem të rinj. Qeshnin me vete. Dëshironin që në çdo çast të shiheshin nga çupat. Vetëm atëherë ato do të bindeshin se edhe djali i mëhallës së tyre ishte bërë me makinë. Madje sa herë që shihnin të dilte ndonjë vajzë nga shtëpia, vraponin drejt saj me automjetin për t’i thënë: “E bëjmë një xhiro me makinë?” Mëdyshja e çupave ishte e madhe. Kohët e fundit kishin filluar të dëgjonin se në vende të tjera të botës, burrat i mbajnë gratë në pëllëmbë të dorës, kurse këtu në Shqipëri djemtë kanë si moto shprehjen: “Gruan duaje si shpirti, po shkunde si dardhën”. Ndoshta edhe djemtë e Korçës do të fillonin të ndryshonin, shpresonin ato. Në këtë kohë edhe vajzat kishin filluar të shkonin nëpër lokale. Djemtë ishin në garë me njëri-tjetrin se kush do ta kishte makinën më të bukur. Sipas statistikave të kohës, në vitin 1927 Korça kishte 59 automjete nga të cilat 33 vetura, 24 kamionë dhe 2 traktorë. Shoferat e autoveturave ishin të gjithë të rinj. Vazhdimisht ishin në garë me njëri-tjetrin se kush e ngiste automobilin më shpejt. Ja si përshkruan shtypi i Korçës: “Automobilat nuk dinë të ecin ngadalë në qytet. Këtu kemi shumë sevdallinj që duan të shesin bojë të hipur në automjetet që shkon me gjithë forcat nëpër rrugët e qytetit. Po kjo nuk është vetëm një e keqe, se e keqja më e madhe është më të kthyerat e qosheve. Automjeti vjen me tërbim, udhëtari nga ana tjetër vjen me ngadalë dhe kur të kthejë qoshen piqet me automobillë. Këtu mund të bëhet ndonjë e keqe”. (5 prill 1928).
SHANTOZAT
Nuk ishin çmendur vetëm djemtë, në atë kohë pati edhe vajza që morën guximin të luanin si shantoza. Deri atë ditë askush nuk e kishte ditur kuptimin e kësaj fjale. Dikush i kishte quajtur “shantoza” dhe kështu u kishte mbetur ky emër. Shantoza quheshin ato vajza që punonin mbrëmjeve nëpër lokale. Në atë kohë ndriçimi bëhej me kandilë ose me qirinjë. Ndoshta nga kjo arsye lindi dhe ideja për të patur vajza në lokal, të cilat mund t’u bënin dritë klientëve, duke mbajtur shandanët me qirinj nëpër duar ose që kujdeseshin për shandanët. Këto lokale u quajtën kafe-shandanë, ndërsa vajzat shantoza. Nga sa mbahet mend këto kafene u bënë më të preferuarat nga gjithë të tjerat. Para lokaleve të tilla, reshtoheshin automobilat. Të rinjtë që vinin aty, kishin filluar të mbanin edhe kobure me vete. Edhe ata mendonin se kishin ardhur kohë të çmendura, gjithçka mund të ndodhte. Të armatosur gjithnjë ishin edhe pronarët e lokaleve. Vajzat kishin filluar të martoheshin në moshë të vogël. Në rast se martesën e tyre nuk e lejonte ligji, atëherë ishte gjetur një zgjidhje, ndryshonin datëlindjen në gjykatë. Ja çfarë thuhet në statistikat e asaj kohë: “Në vitin e shkuar 1927, në rrethin e Korçës me popullsi 64.337 frymë, lindën 955, vdiqën, 531, morën pasaporta të reja për udhëtim 1.267, ndërsa vizuan pasaportat 1.580. Në Australi shkuan 226 veta. Korigjuar moshën për shkak të martesës (me që ishin regjistruar në moshë të vogël dhe ndaloheshin prej ligjit 190 vajza. Kërkuan leje shoferi 80 veta, leje gjahu 296 veta, leje për të mbajtur revolver 46 veta. (Gazeta e Korçës 3 janar 1928).
NDALOHET LOJA ME SHANTOZAT
Duket se banorët e qytetit ishin lodhur nga kafene të tilla. Ata nisën të kërkonin mbylljen e tyre. Deri atë ditë shumë gjera kishin ndodhur. Ishin grindur, rrahur dhe plagosur. Për këto lloj kafenesh tashme flitej vetëm keq. Për këtë arsye u kërkua mbyllja e tyre. “Gazeta Korça” bën të ditur se kërkesa erdhi nga Komisari i Policisë. Ja çfarë shkruhet konkretisht: “Komisariati i policisë i propozoi Prefekturës mbylljen e kafe-shandanëve dhe largimin e shandozave me qenë se gjithnjë janë shkaktuar prishje qetësie, morali dhe ekonomie publike. Z. Mirdita (komisar i policisë) meriton përgëzime e lavdërime për këtë (mbylljen e kafeneve) se me të vërtetë kafe-shandanet u bënë një plagë për qytetin tonë (15 mars 1927), ndërsa disa ditë më vonë gazeta në fjalë do të shkruante: “Sipas propozimit të komisarit të policisë, Prefektura ndaloi shantozat që loznin nëpër kafe- shandanet e ndryshme të qytetit tone, për arsye se shpesh herë shkaktoheshin zënka. Përgëzime Prefekturës për këtë masë të pëlqyer” (19 mars 1927).
Mesa duket edhe kafe-shandanet e kishin kapërcyer çmendurinë e tyre. Autombilat filluan ta humbisnin shkëlqimin e tyre dhe koburet nuk kishin më atë rëndësi që kishin patur më parë. “Shantozat” e kishin bërë punën e tyre. Ato kishin çmendur gjithkënd dhe tashmë të gjithë dukeshin njëlloj. Po englezi për cilën çmenduri fliste?