Te shqiptarët e maleve

0
290

Violeta Murati/ Tropojë

Reportazh/ Një ditë në Luginën e Valbonës, aty ky Bjeshkët e Nemuna nuk quhen sot të tilla

 

Nga Komani në Valbonë, udhëtimi në fundjavë; si jetojnë burrat e maleve mes historisë dhe të sotmes; pse Valbona e kullave është bërë një nga destinacionet turistike më të preferuara në këto vite; çfarë ka ndryshuar nga koha e kreshnikëve, diktaturës deri në demokraci; shqiptarët e parë të Ilirisë që nuk patën mite, por histori kombëtare

 

valbona_riverMbasi kalon zallin, në një gjerësi sa të hanë sytë, mu aty ku Valbona dredhon e fshihet nën të, për t’u derdhur në grykë dhe pasi ke ngopur mendjen me lartësinë dhe dritën e qelqtë të majës së Jezercës – në një pemë të lartë, afër një ujëvare si të sajuar ngjeshet një llamarinë e çngjyrosur, shkruan: “Bjeshkët e Bekueme”.

Sadiku, kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, që na drejton në këtë udhëtim me mediat, organizuar nga Ministria e Kulturës, merr mikrofonin dhe herë pas here nis tregon për zonën se është destinacioni turistik më i preferuar në këto vite.

Është kaluar Komani. Rruga prej gati tri orësh në traget është sa e bukur aq dhe e mërzitshme; për herë të parë shtangesh e në të tjera mërzia të merr. Brenda në traget është pis, në kat të sipërm fryn shumë erë. Edhe pse janë ditë të para të tetorit, ka shumë të huaj. Kanë të njëjtën rrugë me ne, Valbonë. U kanë treguar se ka një natyrë të mrekullueshme. Një student gjerman vjen për të dytin vit. Tregon se pëlqen malet e Tropojës. Kur zbresim, të gjithë humbin, sikur përpihen. Deri në rrugën kryesore autobusi shkon duke kërcyer, ngaqë është pa shtruar. Duke iu afruar komunës së Fierzës, na tregojnë se kur u ndërtuan tri hidrocentralet mbi Drin: Vau i Dejës, Fierza dhe Komani, ky vend ishte gati qytezë me 18 mijë banorë. Më shumë se në Bajram Curr. Aty nuk jeton më njeri. Vila më e bukur, shtëpia e vendosur përballë rrugës, ngjeshur në mal, thonë se ishte e kinezëve. Godinat i kanë zënë njerëz të zbritur nga zona më të thella se aty. Mbahen me bagëti. Është orë dreke dhe rrugës ka shumë fëmijë që kthehen nga shkolla. Një prej tyre me çantë mbi shpinë, veshur me bluzë sportive pambuku blu, ka një fyell prej druri në dorë dhe gjithë rrugës dukej se i binte. Vajzat ecin gati në vallëzim, veshur më hollë, edhe pse atë ditë frynte shumë erë dhe të ftohtët kishte ardhur më shpejt.

Kthimi ynë i parë ishte shtëpia e famshme e Mic Sokolit, në fshatin Bujan. U turrëm të hanim arra e gështenja në oborrin që të çonte për te kulla e patriotit. Është stina dhe ky vend ka plantacionet më të mëdha në Ballkan për gështenja e arra.

Është ndalesa e parë para se të hynim në Bajram Curr. Trashëgimtarët prej katër brezash, me mbiemrin Mulosmanaj e kanë restauruar kullën pa ndihmën e kujt, domethënë të shtetit, edhe pse është 180-vjeçare. Kulla nuk është në listën e monumenteve të trashëguara, por kjo nuk e ka ligështuar trashëgimtarin e Sokolajve. Kulla është tri kate, madhështore nga jashtë, e mbajtur mirë. Në portë ishin rreshtuar pothuaj familjarë e komunarë dhe si e kanë zakon në ato anë, u dhamë dorën të gjithë me radhë. Brenda ruhen gjurmët e drurëve të vjetër, por jo ndonjë send nga trimi që i vuri gjoksin grykës së topit, e dalë në luftë kundër turqve në krahun luftarak të Sulejman Vokshit. Dokumentet ruhen në Ferizaj. Por pinjolli na tregon se mjaft të huaj e vizitojnë dhe kurioziteti i tyre nuk është aq për Micin, sesa për arkitekturën dhe etnografinë e zonës, si kanë jetuar shqiptarët në kullë. Ajo është ndërtuar në ‘78-ën pasi ka qenë e rrënuar, e djegur krejtësisht dhe më 2005 i është hedhur çatia, me pak ndihmë nga shteti. Shtëpia është e ndërtuar më harasan, gëlqere dhe rërë, për t’u mos shkatërruar nga zjarri. Frëngjitë janë në krah të oxhakut, dhomës së burrave, e poshtë në katin e parë është ajo e grave. Në ahur mbanin bagëtinë. Ishte nevojë kohe, është kullë luftë – tregon trashëgimtari i Mic Sokolit. Në katin e dytë, pasi del nga dhoma me oxhak, e shtruar me qilim, të pret pamja e ballkonit e gdhendur në dru dhe në të majtë busti i Mic Sokolit i mbuluar me dy flamuj, atë të kuqin me shqiponjë, flamurin shqiptar dhe flamurin e ri të Kosovës!

Kaluam “Majen e Hekurave”, ku vendalinjtë na tregojnë legjendën e Arkës së Noes, se aty mes maleve është mbytur dhe jo në Ararat, siç e njeh historia biblike! Hyjmë në grinë e Bajram Currit. Qetësia e qytetit është vetëm pak metra. Një qytet i krijuar në komunizëm, rreth viteve ‘52-‘53, me 10 mijë banorë, që sot jetojnë veç me lokale e dyqane. Edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga rënia e diktaturës, si në çdo qytet të Shqipërisë, gjurmët e komunizmit dallojnë në ca ndërtesa të vjetra, ku ende qëndrojnë të shkruara parullat socialiste dhe përbri me të zeza ka të shara djemsh e sloganet e sotme të partive.

Ndërsa Sadiku, guidari ynë rreshton: Ja përballë është ish-pallati i kulturës, në të majtë ish-komunalja, më poshtë ish-ndërmarrja tregtare, ish-parku, ish-komiteti, ish-gjykata, ish-policia dhe ish-reparti – ja ky është qyteti. Ndërsa rrugët janë të mbushura me thasë specash e patatesh, tregje ka plot që zbresin buzë trotuareve. Janë speca nga Gjakova dhe për çfarëdolloj pazari tropojanët atje shkojnë.

Për të folur më tej tërhiqen duke kujtuar se Bajram Curri pati periudhë të errët dhe me nam të keq. Muzeu Historik na thonë se ka qenë i treti pas Tiranës dhe Krujës, të cilën propaganda komuniste e mbajti për shkak të Kosovës.

Tropojanët jetojnë shumë mes të shkuarës dhe të sotmes. Flasin gjatë për çfarë u ka ndodhur, ndërsa për të ardhmen kanë më shumë entuziazëm. Kryetari i bashkisë, Nuredin Ahmetaj, thotë se Tropoja është e vlerave të mëdha, nuk është e dikurshmja, një pikë e huaj për botën, por një vend i sigurt, me qetësi, me kriminalitetin më të ulët. Mësojmë se prej 4-5 vitesh s’ka incidente dhe grupet e turistëve lëvizin lirshëm në çdo vend, kjo ka qenë pika e parë e kthesës për to.

“Ne jemi pritësit e parë të turistëve për në Alpe”, – thotë Nuredini, gjithë entuziazëm, duke numëruar se ky vit ka pasur një dyndje prej 5 mijë turistësh të huaj, nga vendi dhe Kosova. Për në Valbonë ka qenë destinacioni i vërshimit, sidomos në fundjavë. Asfaltimi i rrugëve, kushtet, uji i pijshëm, 24 orë energji dhe bujaria tropojane – kur vijnë pesë shokë, janë bërë dhjetë, – thotë kryebashkiaku.

“Rruga e Valbonës është e rrallë, por dhe ndërtimi i qendrës turistike nga komuna si dhe privatët, duke qenë një zonë e virgjër për turistët, bëhet tërheqëse”. Presin fonde për të hapur muzeun, PNUD ka dhënë dorën e parë, rreth 150 mijë dollarë për rikonstruksion. Duam edhe pallatin e sportit – thotë Ahmetaj – që është nis qysh më ‘90-ën dhe lënë në gjysmë. “Kemi pasë traditë ne sportin dhe e duam prapë”.

Prej pyllit të gështenjës, plantacioni më i madh në Ballkan dhe prej nxjerrjes së kromit, sidomos në zonën e Bytyçit – njerëzit sigurojnë të ardhurat në këtë vend.

“Ne nuk ndërtojmë uzina, prandaj duam të zhvillojmë turizëm, kemi shërbim shumë të mirë në hoteleri dhe ushqim, ku ka dhe grupe artistike për t’u argëtuar. Por kryesore kemi Valbonën”, – shprehet kryebashkiaku.

Në komunën e Margegajt burrat janë vënë njëri pas tjetrit për të na pritur. Aty nis prezantimi, para se të marrim rrugën për në grykën e Valbonës. Lodra tropojane, fyelli dhe çiftelia kanë mbushur oborrin me atmosferë mikpritjeje. Është gjë e rrallë të shikosh burrat e atyre anëve, të cilët i imagjinon si në legjenda, të ashpër, me pisqollë në brez, të zeshkët, kokëlartë e zëfortë. Sytë i kanë plot dritë! Kanë ruajtur mikpritjen. Gratë nuk i pamë ose na zhdukeshin syve. Por, në oborrin e komunës Margegaj, dy tavolina të gjata ishin mbushur me ushqime tradicionale të zonës, si një nga mburrjet më të rëndësishme të burrave tropojanë për gratë e tyre. “Keni gjana ma të mira, mos u ngutni qysh në fillim”, – na tërheq vëmendjen një burrë, me trup mesatar, veshur me kostum e këmishë të bardhë. Si në qytet, kokteji i përgatitur në Margegaj nga kuzhina tropojane dukej më shumë si panair gastronomie – ne duhet të hanim, sa të mundnim dhe të jepnim mendim. Shiheshim në dritë të syrit, nëse kënaqësia prej ushqimit ishte arritur! Në çdo moment na pyesnin: Si ju duket, është djathë i zonës, e përgatisim vetë, kena shumë lloje; misrin e kemi në traditë – e bëjmë kaçimak dhe bukë; hani dhe oriz me tamël; si ju duket flija, tip byreku me petë-petë që bëhet atyre anëve, edhe në Kosovë; provoni dhe gështenja, të ziera e të pjekura; mjaltin e kena shumë të mirë – dhe këtu një burrë te të 50-at e merr paguren prej kauçuku, nga ato që mbahet uji dhe e derdh duke e shtypur fort për të na mbushur gotën plastike! Ndërsa një qingj i njomë është varur në pemë, i nxjerrë nga helli, deri në fund vetëm një litar i hollë mbeti dhe kuzhinieri me thikë të madhe në dorë – ushqimi mbaron me frutat, mollë vendi e rrush, një pjatë plot me arra… Biseda me ushqimin ishte pritja e parë. Kështu gatuajmë, për të gjithë turistët në shtëpitë që bujtin – na thonë, është pjesë e traditës.

Zyrtarët e Margegajve janë më të zellshëm, kanë bërë gati për mediat fletëpalosje, pak historik të vendit, raport të projekteve se si është rimëkëmbur kjo komunë dhe pse kësaj zone i është dhënë nami turistik: prej vitit 2000 komuna e Gjakovës u ka dhuruar e zgjidhur emergjenca për arsimin; kanë ndërtuar ambulanca; u vu administrata në punë; turizmi sektori prioritar që tërheq në zhvillim edhe bujqësinë, blegtorinë, frutikulturën, punimet artizanale etj.; u hartua guida turistike, stema dhe flamuri i komunës; u botua në dy gjuhë strategjia e zhvillimit deri në 2015-n; në vitin 2000 u ftua në Krakovë të Polonisë, ku merrnin pjesë 50 shtete dhe kësaj komune iu dha certifikatë mirënjohje; duan të realizojnë 86 projekte të quajtura strategjike me të cilat thonë se do të bashkëpunojnë me qeverinë, ambasadorët e vendeve mike, si: amerikanë, anglezë, me donatorë e shoqata renditin HCC, PNUD, UNDP, FSHZH, SNV, MADA, CID Albania – ja me këto krenohen për vendin e tyre, sot, tropojanët. Kanë shkolla të reja, ambulanca të reja, rrugë të asfaltuara me trotuare e drita, lidhje me rrugë e të gjitha bjeshkëve etj. “Puna jonë është në vazhdim”, – thonë, por për investime, rendin, qetësinë e mikpritjen e turistëve dhe se këtë komunë e kanë vizituar njerëz të rëndësishëm; ambasadorë, shkencëtarë, e Miss Globe 2007!

Për Tropojën arkeologët thonë se nuk kanë hyrë akoma për gërmime, edhe pse thuhet se aty është fillesa e qytetërimit ilir. Fare pranë Komanit flitet për zbulimin e një kalaje ilire, që vështirë të duket prej tragetit ku marrin udhëtimin për në qytet. Pak asete nga më të ndjeshme të trashëgimisë të tilla, si monumentet arkeologjike, kulturore dhe historike janë interpretuar ose kanë pajisje dhe infrastrukturë të përshtatshme për të pritur vizitorë.

Megjithatë, prej këtyre malësorëve kuptohet përpjekja për t’i ikur izolimit dhe dëshira e thellë për të qenë gjithnjë në mburrje për gjëra të rëndësishme që lidhen me krenarinë e tyre. Sidomos te Valbona i kanë sytë, të gjithë flasin për të!

 

 

***

 

Hyjmë në Grykën e Valbonës! Lumi që presim në derdhje, pritet me gurë të mëdhenj e të kërrusur – ka shumë legjenda në mes të kësaj lugine. Malet thikë, gri, tepër gri, ta lartësojnë fort mendjen, sa për Dragobinë thonë se ka “dy dynymë qiell”!

Dendësia e bukurisë; si një teatër mesjetar shoqëron dhe dendësinë historike të asaj gryke. Aty rrjedhin pa fund si lumi e gojëdhënat. Nuk janë mistike, veç të ndezin një krenari, mbi të paprekshmen! Në Klysyrë diku mes maleve gri, të mprehta thikë, mund të jetë varri i Omerit. Legjenda sillet në luginë, si lugina e hijes së vdekjes që përmendet në gojëdhënat biblike, mbi kreshnikët Mujin dhe Halilin, në luftë për të ruajtur bjeshkët. Ashpërsia e jetës, komshinj problematikë, sllavët e veriut – preken nga legjenda mesjetare, të hershme që nis me dyndjen e sllavëve. Lufta bëhej vetëm për kullota e pyje – ruajnë shkakun e historinë burrat e zonës. Lugjet e Verdha tregojnë për trima që dilnin për luftë e ku kullosnin dhitë e egra, duke “këputur maja bari me vesë dhe lule”. Këtu thonë se qyqja nuk këndon kurrë, si një lloj mallkimi kur Ajkuna u shemb nga dhimbja për djalin e vrarë, siç pat mallkuar edhe hënën! Legjendat lidhen edhe me Krajlin e Kotorrit…

Ndoshta këtu është kënduar edhe kënga e bareshës për bariun “Nisin Bjeshkët m’u vetmue…” Dhe përligjja për “Bjeshkët e Nemuna”, sikur rrëzohet! Burrat këtyre anëve të tregojnë çdo grykë, çdo majë mali si quhet, çdo shteg për ku të kthen!

Janë hedhur debate mbi të “Nemunat”, që mendohet i takon një toponimi sllav, që nuk është hasur në asnjë vepër që është shkruar për shqiptarët e maleve, qoftë te Fishta, Mjeda, Gjeçovi, V. Prenushi apo Patër A. Harapi etj. Askund deri sot nuk tregohet literaliteti i “Nemuna”, të bjeshkëve!

“Shqiptarët që nuk e njihnin prapavijën e tij, background-in, madje edhe në rrethe të larta kulturore e arsimore, e morën si të mirëqenë. Dhe bjeshkët tona madhështore, plot diell e bar e borë e pyje e ujëvara, me liqene e nëntokë me metale të çmueshme, bjeshkët shqiptare plot legjenda, murana e histori kombëtare, në një ditë të bukur u gdhinë “të mallkuara”! -shkruan ndër të parët Mehmet Elezi. “Është një fëmijë ilegal, kopil, – thotë Elezi, – që na u la në derë në kohë të turbullta!” Vendasit numërojnë urat për të mbërritur deri në qendër të fshatit Valbonë, ku drita hapet dhe gjurmët e historive të vjetra zhduken…

 

***

 

“Unë shpinë nuk e kam han”, – rebelohet Kola, valbonas me mustaqe, i zeshkët, kur e pyetëm pse e ndërruan projektin për “40 hanet” dhe e zëvendësuan me fjalën bujtinë. Kola vazhdon të na bindë se “në han mund të flejë kushdo” dhe për to fjalë e rëndë, s’ka lidhje se si duan t’i presin turistët sot. Nuk përdoret më fjala mik shtëpie. “Me bujt, do të thotë me prit”, – thotë Kola, që ndien se dhe fjala “bujtinë” e zë ngushtë, për ta shpjeguar shqip. Për ta ndihmuar Kolën ndërhyn Alfredi dhe ai e ka kthyer shtëpinë në biznes turistik, duke thënë se “shtëpitë e tyre janë me prit”. Por të mbledhur në bujtinën “Fusha e Gjêsë” janë të interesuar të dijnë a do kenë turistë dhe si t’i shtojnë ato në vitin që vjen!?

Në qendrën e Valbonës, te Fusha e Gjêsë kështu e quajnë vendasit, që ka të bëjë me kullotat e egra, është një pikë turistike e ndërtuar këto tre vite të fundit. Nga vjet, e parvjet godina është zgjeruar. Vila prej druri shërben si bujtinë. Në krah po ndërtohet një hotel tri katesh, prej betoni, ndryshe nga karakteristika e kullave që ka zona aty. Disa pronarë bujtinash në Valbonë kanë përgatitur fletëpalosje për të na treguar se biznesi i tyre është shumë serioz, por kanë dhe halle brenda. Megjithatë, ato thonë se fjetja është mirë dhe jetesa bëhet me kushtet tradicionale të zonës. “Është turizëm familjar, kemi dhe ushqim tradicional”, – thotë Alfredi, një djalë i ri, i qetë dhe i butë në zë. Ai shpërndan fletëpalosjen me ballin e kullës, quajtur bujtinë, me pamje nga mjediset e brendshme të shtëpisë, po fjalën han nuk e ka ndërruar. Në guidë shënon: “Në hanin e Alfred Selimajt!” dhe prezantohet i pari ushqimi dhe mjediset, çmimin e ka në fund, 25 euro për person. Marku një tjetër pronar bujtine thotë hallin më të madh; kur të huajt vijnë, duhet të përballen me mungesën e kushteve; vijnë për alpinizëm dhe mund të bien në humnerë, po s’ka doktor aty. Ai revoltën e ka me të huajt që po prezantojnë një cikël turistik në Valbonë, me të USAID-it, që në shumë raste ndodh të të zhgënjejnë: paraqesin projekte, flasin, bëjnë fotografi në terren por paratë nuk mbërrijnë pas tyre! “Mund të flasin dhe të hedhin para, por alpinisti lë paren po jo kokën”, – ngre zërin Marku. Dhe për të tërhequr më shumë nga halli, se sa nga gjëra që vetë valbonasit kanë bërë, thotë se duhen shtigje malesh. Turisti edhe duhet ta shijojë natyrën!

Këtu jemi në zemër të Alpeve të Shqipërisë dhe e vlerësojnë si atraksionin turistik më të rëndësishëm dhe më të madh Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës, që merr një sipërfaqe prej 8 mijë hektarësh. Rruga deri në Valbonë është mahnitëse, ende e paasfaltuar, po nga viti i shkuar tani ka mbetur vetëm shtrimi deri te “Fusha e Gjêsë”. Aty është fundi i rrugës që mund të përshkojë makina. Nga aty mund të vazhdohet ecja deri në fillimin e lagjes së fundit të Valbonës që quhet Gjelaj, aty do të kemi mundësinë të shikojmë pjesën më tërheqëse, fundin e luginës ku të gjitha majat e maleve janë mbi 2300, 2400 metra… Vjeshta, ndryshe nga vera, është marramendëse nga ngjyrat që u ka dhënë pemëve, gjetheve; kafe, jeshile, të kuqe, të verdhë bashkuar me blunë e horizontit, që vesh dhe malet në orë të ndryshme të ditës. Tmerr bukuri! Sidomos kur është ditë me diell. Ose kur perëndimi i amullt ndez si shpuzë vetëm majën e Jezercës.

Mbi zall, për të mos dëmtuar mbishtratin e Valbonës, po ndërtohet një urë.

E bën më tërheqëse, në harmoni me natyrën, zonën përreth. Simonin dhe Milenën, ardhur nga Sllovenia, i gjetëm duke vështruar malet përballë. “Kemi dhe ne si këto male, – thotë Simoni, – por këtu bukuria e natyrës është mjaft tërheqëse”. Të gjithë gazetarët me kamera turren për t’i zënë këta dy turistë të vjeshtës. Ndërsa të huajt prej vitesh janë “buka” e valbonasve. Në mes të verës i kemi parë të huajt ta bëjnë në këmbë rrugën nga Margegajt e deri te “Fusha e Gjêsë”. Por dhe të zbresin nga mali, aty ku adhuruesit e natyrës kanë kërshërinë të ndjekin se nga buron Valbona.

Të zotët e bujtinave kanë entuziazëm si ky vend po merr gjallëri dhe thonë se rreth 7 mijë turistë kanë pritur këtë vit. Shtëpi ka, janë afro 100 shtëpi tip kulle.

Ndërsa të mbledhur në lokalin e “Fushës së Gjêsë” valbonasit bëjnë dhe gjeste falënderimi për të huajt që kanë zbarkuar aty me projekte për zhvillimin e turizmit. Një prej tyre është David Milne, përfaqësues i USAID-it, i cili për dy ditë na ka shoqëruar në këtë udhëtim, duke prezantuar gjithë përpjekjen për të ndihmuar këtë zonë turistike. Në Valbonë pothuaj ka mbaruar dhe qendra e parë rajonale, dy vila prej druri, ku do të ketë zyrë informacioni dhe inspektorë të institucioneve që merren qoftë me trashëgiminë kulturore, po dhe turizmin. Vilat prej druri po shtohen. Ndërsa kullat e vjetra me frëngji e shkallë karakteristike, edhe pse janë të pakta, po përdoren si bujtina. Në Dragobi po shkatërrohen, është alarm, se edhe çative po u vihet llamarinë këto vite. Kultura dhe ndërgjegjësimi për vendin u duhet banorëve të këtyre anëve – këto janë edhe këshillat që u japin të huajt! Turistët duhet të qëndrojnë të paktën një natë. Kola është ndër të parët që thotë se “turistë kanë ardh në Valbonë, po kanë fjet në Bajram Curr; dakord rruga, po duhen ujë e drita, edhe telefon”. Aq shumë mund të jenë lodhur këta pronarë bujtinash për të mbijetuar, sa nuk i besojnë premtimit se deri në fund të majit do të bëhen 200 shtigje malore. “Ka fonde UNDP, do hapen shtigjet”, – u thotë një përfaqurës i kësaj organizate të huaj vendasve. Madje, operatorët turistikë u drejtohen pronarëve të bujtinave gati me presion se tani duhen kushte, është nismë e lirë, po nesër do të testohen me yje!

Me këta, disa operatorë, ishim në Valbonë në fundjavën që shkoi për të prezantuar një projekt, që përfshin një cikël turistik ku është dhe Kosova, si turizëm alternativ ose duke e quajtur turizmi i bardhë!

Në mbrëmje darka në bujtinën “Fusha e Gjêsë” nuk ka asgjë romantike të atyre anëve; as zjarr me dru, as oxhak! Vetëm ushqimet kanë mbetur nga tradita. Ndërsa një grup këngëtarësh popullorë thjesht këndonin këngët e zonës, lodra kërciste, po lodërtari ishte veshur me kostum të zi e këmishë të bardhë; këngët e atyre anëve nuk mendohen pa fyell e çifteli, që atë mbrëmje e zëvendësoi fizarmonika; vetëm një valltare ishte e veshur edhe kjo si specat e patatet, marrë nga Gjakova! Burrat, ulur në tavolinë, seç të kujtonin psikologjinë e bajrakut, por jo të sofrave. Megjithatë, tropojanët argëtohen, këndojnë e kërcejnë dhe gëzojnë me miqtë! Është zemra e tyre ashtu si Alpet, edhe mikpritja. Në kthim, ikje nga Valbona, Bukra kujton çfarë ndodhi në komunizëm me këtë komunë, sa e braktisur ishte, si rebelonte kur të gjithë kërrusnin qafën përpara diktatorit; madje ajo thotë se veç një mbrëmje më parë, nja tre kryetarë kooperativash ndanin darkën me ne! Gruaja me flokë të shkurtër, bionde, që deri në atë moment gati nuk dukej, na tërheq bisedën e kthimit në Luginën e Valbonës, duke ndarë këtë grykë mes traumës komuniste dhe ditës së sotme; këto bjeshkë s’kanë asnjë mallkim nga histori të tjera, veç komunizmit. Në këto ditë vjeshte valbonasit shikojnë shtratin e luginës, se si po gërryen edhe atë pak tokë që kanë! Ikim duke i dëgjuar të thonë: “Kjo luginë mbrohet nga “askush””!

8 tetor 2010