Ina Jano
Kandidati demokrat: Askush nuk e zëvendëson Berishën, ai është forca, kurajo, energjia jonë e pashtershme
PD nevojë për një lider perëndimor dhe që është përballur me sfidat më të mëdha dhe detyra ekzekutive dhe vendore
Me një fjalim 50 minutësh, kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim basha ka mbyllur mbrëmjen e djeshme fushatën elektorale, për tu përballur sot me votuesit demokratë. Gjatë fjalës së tij kreu i Bashkisë së Tiranës, deklaroi se nën drejtimin e tij Partia Demokratike do të ketë mundësinë që të zhvillojë një opozitë të fortë përballë dyshesh zullumqare siç e quajti ai, bashkëpunimin mes Metës dhe Berishës. “Angazhim të menjëhershme, ndaj dyshes zullumqare Rama-Meta, duke e filluar pikërisht tek gjeneza e themeleve të kalbura të 23 qershorit. Jam gati të bëj opozitë të fortë ndaj dyshes së zullumit Rama-Meta. Gati të përballem me këtë mazhorancë të zullimit”, – nënvizoi Basha, duke nxjerrë në pah nevojën për një opozitë të menjëhershme dhe të fortë. Ky i fundit nuk nguroi të akuzojë të majtën dhe ti shpallë asaj luftë frontale e ballore, për ta nxjerrë sërish në opozitë, duke i kujtuar kryesocialistit Rama se ka qenë pikërisht ai që e ka mundur një herë që do ta bëjë përsërit, duke ju referuar këtu përballjes për bashkinë e kryeqytetit. “Kundërshtari ka komplekse të thella me trashëgiminë dhe identitetin e forcës sonë politike. Në çdo prag zgjedhjes ndryshojnë ngjyrat, bëri mavinë e mashtrimit me ngjyrën tonë. Identitetin e tij nuk arrin ta shqiptojë”, – tha Basha, ndërsa nënvizoi se ata “Vijnë nga një humnerë antivlerash”. Kandidati Basha shtoi se Partia Socialiste faktoi edhe nga rinumërimi i Lezhës se ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura. “PS ka ardhur në pushtet me vjedhjen e votave, këto janë vlerat e tyre, e dëshmon rinumërimi i Lezhës. Kanë vjedhur dhe abuzuar me votën e shqiptarëve, ai bërtiste për votat në 4 vite, ndërsa sot u faktua në Lezhë si hajduti i votave, më i pacipë me mjete banditeske”,- deklaroi Basha.
Për Berishën
Më pas ai duke folur përpara demokratëve të njësive 1,3,4 dhe 11 të Tiranës u ndal edhe tek figura e liderit historik të së djathtës, atij të Kryeministrit Berisha. Basha tha se ai është një burim i paçmueshëm frymëzimi, kurajo dhe energjie, duke përdorur superlativat më të larta për njeriun që vendosi që në kabinetin e 2005 ti besonte një postë të rëndësishëm ministror zotit Basha. “Askush nuk e zëvendëson Berishën, ai është lideri historik i PD, por ora e PD nuk mund të ndalë, është ora e lirisë dhe zhvillimit europian. Nuk jam i shtyrë nga ambicija personale, sot marr përgjegjësinë time para çdo demokrati dhe mbështetësi për të ofruar gjithçka nga shpirti, mendja e trupi im për tu ngritur në nivelin e duhur. Ne kemi qëndruar dhe nuk jemi tjetërsuar, kemi arritur ti kthejmë ëndrrat e shqiptarëve në projekte dhe projektet në vepra. Ju ftoj të ecim së bashku drejt projektit të ringritjes dhe të fitores së PD-së”, – tha kryebashkiaku.
Programi
Në vijim të prezantimit të planit të tij për drejtimin e selisë blu, demokrati Basha tha se anëtarësia është një prej atyre pikave ku do të ndërhyhet më shumë dhe e cila do të shndërrohet në prioritet. “Në këtë garë, që në momentin e parë kam pasur një thirrje, kërkesa ime e parë, e dytë dhe e tretë e ndaj çdo demokrati, është që edhe sot të jemi më të bashkuar dhe me afër se kurrë me njëri-tjetrin”, – u shpreh ai. Sipas Bashës, një nga shkaqet e humbjes ishte edhe mungesa e vëmendjes ndaj bazës, anëtarëve dhe militantëve të PD. Ai premtoi më tej, se në krye të PD-së do të respektojë vlerat e çdo anëtari, do dëgjojë zërin e tyre dhe di i bëjë ata pjesë të vendimmarrjes në këtë parti. “Anëtari i PD është sovran i padiskutueshëm. Zgjedhjet do zhvillohen sipas parimit një anëtar një votë. Nuk ka, nuk shoh asnjë arsye që ky parim të mos jetë në statutin e PD. Unë do kërkoj mendimin e sovranit për çdo veprim, kjo duhet të kthehet në një normë standarde në punën e PD. Të mobilizojmë çdo mendje, e çdo shpirt, çdo anëtar”, tha ai. Zoti Basha foli edhe për ambiciet e tij personale dhe për faktin që ka qenë pikërisht ai i cili ka qenë në funksione ekzekutive, ka qenë në funksione dhe në administrim lokal dhe po ashtu është zgjedhur nga PD-ja për të qenë në krye të reformave dhe të momente ve kyçe. Basha gjithashtu tha se PD-ja dhe demokratët duhet të ndihen krenar për trashëgiminë që ata kanë dhe në këtë drejtim tha se ka një dallim të madh me kundërshtarin e tyre.
Basha në Durrës
Vetëm të bashkuar, do ta rikthejmë PD shumë shpejt në qeverisje
Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ndal dje në qytetin e Durrësit ku prezantoi platformën e tij për drejtimin e Partisë Demokratike. Zoti Basha pohoi se vetëm të bashkuar, demokratët do të mund të kthehen shpejt në qeverisjen e vendit dhe vazhdimin e realizimit të ëndrrës evropiane të shqiptarëve, ndërsa në të tre javët e fushatës ai nuk ka bërë asnjë akuzë personale apo krahasime me kundërshtarin Olldashi, duke nxjerrë në pah stofin e politikanit perëndimor që ekziston tek ai. “Më lejoni të ndaj një rrëfim me ju! Që nga ditët e para, kur miq, dashamirë, njerëz që duan të më shohin si kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë, të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre pyesnin: – “Kë ke në Durrës, kë ke në Vlorë, po në Shkodër kë kemi, në Korçë kë ke, po në Gjirokastër kë kemi!? Dhe përgjigjja ime ka qenë vetëm një: – Në Durrës, në Korçë, në Shkodër, Gjirokastër, në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë kam dhe kemi Partinë Demokratike të Shqipërisë, partinë e Sali Berishës, partinë e Azem Hajdarit. Vetëm kështu, të bashkuar, vëllezër dhe motra, do të nisim një rrugëtim të fuqishëm, për rikthimin sa më shpejt në krye të asaj që na takon, destinacionit tonë historik, të asaj që presin shqiptarët prej nesh, udhëheqjen e ëndrrës së tyre evropiane” – u shpreh Basha. Ndërsa duke u ndalur tek anëtarësia ai u shpreh sh se vendimmarrja do të jetë atribut i anëtarëve të Partisë Demokratike. Basha nënvizoi se duhet tu jepet prioritet të gjitha mendimeve të tyre, pasi sado që kryetari të jetë afër me bazën, përsëri ai nuk mund ta njohë totalisht terrenin. Kreu i Bashkisë së Tiranës, deklaroi se do të jenë anëtarët dhe militantët e thjeshtë në qendër të veprimtarisë së tij nëse ai zgjidhet si pasardhësi i Berishës. “Çdo anëtar i PD, nga themeluesi, tek qndrestari dhe anëtari më i ri do të kenë akses të plotë, të thonë hapur mendimin e tyre, për çdo çështje që i takon PD-së. Nuk mund dhe nuk do të mjaftohemi më në pikëpamjen time, me vendimmarrje që janë të mbyllura, të ngushta, të kufizuara por duhet t’ia rikthejmë atributet e plota sovranit në Partinë Demokratike, që janë anëtarët dhe anëtaret e PD” – theksoi Basha, gjatë fjalës së tij.
Olldashi: Kryetari i PD-së duhet të jetë në Parlament
Në ditën e fundit të fushatës për kreun e Partisë Demokratike, Sokol Olldashi ka intensifikuar takimet me anëtarësinë duke u ndalur në Sukth, Rrashbull dhe Kashar. Ai kërkoi votën e demokratëve duke renditur edhe një sërë avantazhet që sipas tij i japin epërsi në këtë garë. Duke renditur të gjitha anët pozitive të tij, ai bëri edhe krahasim me kundërshtarin Basha. Sipas Olldashit, kryetari i PD-së duhet të jetë deputet, duhet të ketë kaluar të gjitha shkallët e hierarkisë në parti apo të mos jetë i angazhuar me të tjera përgjegjësi, referuar kështu rivalit të tij Basha i cili është edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës. “Unë e njoh strukturën e Partisë Demokratike shumë mirë, sepse kam hyrë në PD si militant, siç keni hyrë ju të gjithë dhe pastaj kam ngjitur dhe kam zbritur shkallë deri sa kam arritur këtu, ku jam. Avantazhi i dytë që kam në këtë garë është eksperienca opozitare. Të gjithë ata që janë anëtarë të vjetër të Partisë Demokratike dhe militantë të vjetër, e dinë që një parti në opozitë vepron krejt ndryshe nga një parti në pushtet. Avantazhi i tretë është të qenit në Parlament. Debati politik atje e ka arenën dhe atje duhet të zhvillohet. Ne e kemi parë këto vite, kur ne kemi qenë në pushtet se sa i pabarabartë ka qenë debati në parlament. Ju të gjithë e dini që në asnjë ditë të vetme, në asnjë seancë të vetme Sali Berishën, nuk e konkurroi kush në Parlament. Sepse nuk kishte asnjë autoritet që t’i dilte përballë Berishës. Tani duhet të shikojmë inversin, aty do të jetë kryeministri i atyre dhe duhet patjetër që aty të jetë kryetari i opozitës. E fundit që është avantazh, është koha. Unë e kam të gjithë kohën në dispozicion të reformës dhe ristrukturimit të Partisë dhe Partia Demokratike në këtë moment ka nevojë për shumë kohë, sepse ka nevojë për shumë reformime dhe ristrukturime, të cilat duhet të ndiqen me precedence”, – ka theksuar Olldashi. Ky i fundit deklaroi se Partia Demokratike duhet të ndërtojë një veprim politik të strukturuar për të rrëzuar brenda dy vjetësh, mazhorancën që ri themeloi Partinë e vjetër të punës. “Opozita nuk është çështje numrash, opozita është çështje morali, zemre çështje inteligjence. Nëse ne me shpejtësi do t’ju japim qytetarëve shqiptarë një kartë të fortë morale, nëse ne me kurajë do t’i dalim kundërshtarit tonë përballë dhe nëse ne me inteligjence do të ndërtojmë një veprim politik të strukturuar, ne kundërshtarin tonë e rrëzojmë në përballjen e parë , pas dy vjetësh. Ne duhet të përgatitemi të rrëzojmë mazhorancën pas dy vjetësh në zgjedhjet lokale. Nuk kemi dhe nuk mund të kemi asnjë objektiv tjetër”, – tha ai. Në takimet përmbyllëse në Kashar, Olldashi ritheksoi se grupseksionet e Tiranës duhet të kenë kompetencat e degëve për shkak të dendësisë së popullsisë, ndërsa sot ai do të duhet të jetë përballë Bashës në garën për drejtimin e partisë.
Sondazhi
65 % zgjedhin Bashën kryetar të PD-së
Sipas një sondazhi nga agjencia e lajmeve “BalkanËeb” rezulton se 65 për qind e atyre që janë përgjigjur kanë zgjedhur Lulzim Bashën si kryetar të Partisë Demokratike. Lulzim Basha ka mbështetjen më të gjerë për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, pas dorëheqjes së liderit të saj historik Sali Berisha. Rezultati vjen si pasojë e përgjigjes së lexuesve të agjencisë së lajmeve të cilët patën mundësi të shprehnin preferencën e tyre për dy kandidatët Olldashi dhe Basha në sondazhin më të ri, “Gara për kryetarin e ri të PD. Nëse do të ishit anëtar i kësaj partie cilën nga 2 kandidaturat do të votonit për kryetar”. Prej disa ditësh 7424 lexues në total u bënë pjesë e sondazhit të “BalkanËeb”, duke zgjedhur 65.42% Lulzim Bashën dhe 34.58% Sokol Olldashin. Sot, në 22 korrik anëtarët e PD-së kanë të drejtë të zgjedhin kryetarin e tyre të ri, përmes parimit “Një anëtar, një votë.”