Integrim apo fuqizim i serbëve drejt zgjidhjes definitive?

0
222

7F129B78-D606-4839-8AA6-2F9CA2A6EADD_mw1024_mh1024_s_cy7Rrethanat dhe zhvillimet politike në Kosovë dhe qëllimet e Serbisë për Kosovën, kanë një ndeshje dhe janë larg harmonizimit që serbët e veriut të integrohen në institucionet e vendit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Politologu Behlul Beqaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se serbët do ta vazhdojnë lojën e dyfishtë, duke u hamendur ndërmjet integrimit në institucionet e Kosovës dhe duke bërë çmos që mos t’i braktisin institucionet e Serbisë.

“Kjo lojë e dyfishtë do të vazhdojë për aq sa nuk do të kemi garanci të bollshme se serbët e jugut janë të kënaqur me integrimin e tyre. Ndërsa, serbët e veriut po mendojnë se liritë dhe të drejtat e tyre janë shumë më të mëdha se sa që i kanë serbët që janë integruar në institucionet e Kosovës”.

“Pra, unë mendoj se loja e dyfishtë do të vazhdojë – loja dinake e Serbisë me ta – dhe ajo, me siguri, fundja do ta marrë  një epilog për shkak të trysnisë ndërkombëtare. Epilogu do të jetë që ata do të insistojnë me çdo kusht që ta kenë një ‘Thaçi’ që do të udhëheqë tërë procesin e zhvillimeve të mëtejme të Bashkësisë së Komunave Serbe, përmes Beogradit”, vlerëson Beqaj.

Shpend Kursani nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave – KIPRED, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova, duke u nisur me marrëveshjen me Serbinë, por edhe me Ligjin e amnistisë, po bën çmos për integrimin e serbëve të veriut, në anën tjetër, sipas tij, Serbia po bën lojën e dyfishtë dhe veprimet e saj janë të kundërta nga ajo çfarë ajo dëshiron të paraqitet.

“Vazhdimisht mundohen që me vepra ende t’i sabotojnë institucionet e Kosovës, përderisa me fjalë ata janë për integrimin e serbëve. E kemi rastin e themelimit të Kuvendit të serbëve në veriun e Kosovës, ndërsa, të gjitha këto rrethana e bëjnë të pamundur integrimin e mirëfilltë të serbëve në institucionet e Kosovës. Përderisa e kemi një Serbi, e cila nuk e ndryshon Kushtetutën e vet në këtë dialog, ndërkohë që Kosova vazhdimisht po i ndryshon ligjet e saj, atëherë nuk kemi ndonjë politikë në të dy shtetet, e cila do të siguronte integrimin e serbëve në veri të Kosovës”, shprehet Kursani.

Në anën tjetër, autoritetet e Beogradit u kanë bërë thirrje serbëve të veriut të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë, duke iu rekomanduar që këtë ta bëjnë përmes një liste të përbashkët.

Kursani vlerëson se kryeministri serb, Ivica Daçiç, synon që t’i unifikojë serbët, në mënyrë që pesha e kërkesave të tyre të rritet karshi Prishtinës zyrtare.

“Një listë e përbashkët e serbëve në veri, normalisht që do t’i forconte serbët dhe kërkesat e tyre, që mund dhe besoj se do t’i tejkalojnë kërkesat dhe marrëveshjen e arritur deri më tani. Do të thotë, në qoftë se krijohet një trup politik serb në veri, atëherë ai trup ose kjo listë e përbashkët, do ta forconte subjektivitetin e saj dhe si e tillë, kërkesat e tyre do të bëhen më të fuqishme edhe në vazhdimin e dialogut që do të jetë përsëri për veriun dhe për gjërat tjera në Kosovë”, thekson Kursani.

Politologu Beqaj vlerëson se fuqizimi i serbëve të veriut përmes një liste të përbashkët në zgjedhje lokale, si dhe rekomandimi i autoriteteve të Beogradit për një gjë të tillë, japin shkak për të dyshuar se Bashkësia e Komunave Serbe nuk do të jetë caku i fundit i serbëve të veriut.

“Unë mendoj se çështja e integrimit apo fuqizimit të tyre, në fakt do të thotë përafrim drejt objektivit kryesor, i cili ka të bëjë me atë sentencën e (Dana) Rohrabacher –it, kongresistit republikan amerikan, që pati thënë se ‘ata serbë që nuk dëshirojnë të jetojnë në shtetin e Kosovës, duhet të bëjnë zgjidhje sikurse shqiptarët që nuk dëshirojnë të jetojnë në shtetin e  Serbisë’”.

“Pra, besoj se përafërsisht kjo është ajo që duhet të na presë në fazën pas formimit të Bashkësisë së komunave serbe. Gjithsesi, pra nuk do të jetë fundi. Ky mund të jetë vetëm një episod i parafundit për zgjidhjen eventuale definitive të raportit serbo-shqiptar”, thotë Beqaj.

Ndryshe, njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se pjesëmarrja eventuale e serbëve të veriut në zgjedhjet lokale me një listë të përbashkët, sipas rekomandimeve të Beogradit zyrtar, do t’ia krijonte mundësinë këtij të fundit që t’i mbante më mirë nën kontroll serbët e veriut.

Evropaelirë.org

 

Përpjekje të pafrytshme për zgjidhjen e problemeve në Luginën e Preshevës

Megjithë deklaratat e qeveritarëve serbë për rifillimin e procesit të  bisedimeve për përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, janë vet qeveritarët serbë ata që nuk i mbajnë premtimet për realizmin e takimit që do të shënonte rifillimin e këtij procesi. Por, fajtor për gjendjen e vështirë të shqiptarëve në këtë zonë janë edhe divergjencat e shumta që mbretërojnë tek spektri politik i shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.Premtimi që më 15 korrik përfaqësuesit e shqiptarëve të takohen me kryeministrin Daçiç, as sot, një javë më vonë, ai nuk u realizua. “Në këtë situatë, shqiptarët ndjehen të tradhtuar sërish nga qeveritarët e Serbisë, ndërkohë që vazhdojnë të përballen me probleme të shumta”, bëri të ditur RTK.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Jonuz, Musliu ka deklaruar se situata e krijuar është vetëm justifikim i qeveritarëve të Beogradit për gjoja interesimin e tyre për Luginën.

Por, jo të gjithë mendojnë se vetëm Qeveria në Beograd është fajtore për dështimin e rifillimit të bisedimeve. Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginë, mendon se divergjencat e shumta mes vetë faktorit politik shqiptar janë pjesë e pandashme e përgjegjësisë për gjendjen aktuale në Luginë.

Për përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë, aktivisht janë angazhuar më se 10 parti politike shqiptare dhe disa dhjetëra organizata joqeveritare. Në ndërkohë, ndasitë mes këtyre subjekteve politike e apolitike janë jashtëzakonisht të theksuara. Përfaqësuesit e partive bartëse të pushtetit lokal, ata të opozitës dhe përfaqësuesit e sektorit civil mund të shihen bashkë vetëm në organizmin e ndonjë proteste gjithëshqiptare, kurse pas përfundimit të asaj proteste përfundon edhe të qenit bashkë.

Kohanet.com