Homazh/ Nga poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka kemi shkëputur disa poezi dhe përkthime që vendosin përballë sensibilitetin artistik dhe instinktin njerëzor për t’i përfshirë këto gjurmë në zanafillë të lirisë shpirtërore
Brenga, shpresa, vegimet
Vilson Blloshmi
I tremburi ikën si i ndjekur prej egërsisë
N’jerm bën tunele n’ajër t’hapësirës
Si mbas formës së tij, lëvizjes së tij.
Ah sikur mbas çdo hapi
Ajri të ngrinte-beton,
Duke ruajtur gjithmonë lëvizjen
Kallëp-shabllon
E të tregojë ta gdhendë Sa kohë iku zvarrë
E sa në këmbë.
Sikur të mbeteshin e shiheshin
Rrugët nga vjen kujtimi, mendimi
Brenga, shpresa, vegimet
Të dukej krejt i jetës zigzagu i gjatë
Që nga ardhja në këtë botë e gjer
Tek varri, pikës e llahtartë.
***
A s’e patët ditën plot me diell
Qe bën natë koha dhe e nxin…!
I jep hënë e yje, lart në qiell
E, së fundmi, fare e përpin…!?
A se shkuat shpejt ju fëmininë?
Kjo s’u fsheh për ju e s’humbi fare?
A s’po mbani mbi sup pleqërinë,
E në mendje thellë vitet mitare?
A s’e mbani mend atherë te plepi
Loznit në oborr me hijen tuaj?
Po tani më larg nga ju është djepi
Apo arkivoli, pa më thuaj?
Gjithçka e marrin vitet duke shkuar,
Sërish kthen gjithçka që shkon, humbet
Troket lehtë kujtimi i trishtuar
Mysafiri në shtëpi të vet.
***
Sërish dukesh në udhë
Që ngjan si vijë gjaku
Mes gëlbazës së murrme
Të pështyrë
Nga turbekulë.
I lodhur,
Vetveten mbi kurriz
Shket
Dhe mendja lodhur
Klith: po shkoj,
Mbeç me shëndet…!
Dhe rend barkbosh
Në zorrën bosh të rrugës
Si një shtrëngatë
E qetë.
Dhe gurët kthejnë nga ti
Anën e mprehtë
Dhe njerëzit, ata
Stërnjerëzit,
Ajkë mbi jetët-hirrë
E kanë vështirë
Mëngjesit.
Edhe mbrëmjes
Vështirë,
Kur mbi ju ngecin vështrimin
Mbi ju rreckë-njerëzore,
Masë zhelesh mishi e shpirti
E qepur me fije damarësh
Mendimesh
E hedhur, pa mëshirë
E pa të drejtë
Në anë të rrugës së ndotur
Ku të qetë
Ata rrjedhin gjithë nder e dinjitet
Këllirë.
Dëshirat
Që i ndez thëngjilli i zemrës,
Mbuluar thellë
Me hirin e trupit…
Dhe brodhe prapë rrugëve
Me bujë e pohe
Kërkoje ti vetveten
Që më në fund e gjete
E s’e njohe
Ngaqë pandehje
Është shumë vështirë ta gjesh.
Kur të doli rastësisht
The: s’është kjo
Dhe kalove
Dhe u zhy te mes territ
Të zi pa fund.
Kërkon – një dorë e kurm
Dhe një këmbë
Dhe mbete cung.
Po prap sulesh përpara
Me tallas
Me gjysmën e thatë
Dhe gjysmën e njomë
E at’ që kërkon e arrin
E lë pas
Dhe zvarrë hiqesh përpara
Kërkon…
Vazhdë lënë mbi pluhur
E gjak
Gjymtyrët gjysmë të thara
Gërvishtin trak – trak
Dhe gjer thellë të ngushen
Ato kër – kër – kër – krak.
… kërkon
Mbi këtë tokë shkëmb
Mbi këtë tokë gur
Mbi këtë tokë kockë
E lëkurë.
E as e di ç’të dhemb
Veç sulesh para, shkon
Me zemrën e rëndë plumb
Dhe sa më shumë kërkon,
Ç’kërkon,
Më tepër
E humb.
Saharaja
Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja
Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.
Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë në mënt’ e sajë…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë
Saharaja nuk ka miq e shokë
Saharaja nuk ka bijë e birë.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe natën nuk shkon mirë.
Natës s’i pëlqen në Sahara,
S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;
Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;
Perç’ e sajë e zezë s’ka ç’të mbulojë
As dhe një s’e di si është kandisur
Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,
Porse thonë në botë është stisur
Kur i duhej njerëzisë mallkimi.
Kur ai për keq e mban në gojë;
Saharaja e mban vesh e qesh;
Saharaja fillon të gëzojë
Kur ne të mallkohemi mes nesh.
E kur bije ndrojtur rrez’ e diellit
Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit;
I ngjan vello savani i qiellit
Shkretëtirës shket e shkrepëtit.
Prandaj kur urrejtje e fortë e nxehur
Mbi dikë mallkon e shfryn e shanë,
Që nga skuta del kujtimi i dehur
Dhe thërret menjëherë Saharanë.
Kur mallkimi çfryn e kur kujtimi
Në pusinë e harresës tret…
Kur hynë dielli e kur hesht thëllimi
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.
25.10.1973
I MUNDSHMI
-Qenkeni tullac zotëri…
Si duket jeni krehur shumë
Kur qetë i ri…
Dhe xhaketa ju rri ca e ngushtë;
Nga që jeni koprac.
Jam i sigurtë…
Faleminderit, thënkeni përherë,
Si duket paskeni mall
T’ju bëjnë nder…
Po, po jeni servil, k’të e kam gjetur
Se sa herë flas unë
Dëgjon buzëqeshur.
De! Kthehuni tek unë
Pa shih se ç’flokë! –
-Po, po ngaqë ke shumë
Pleh në kokë.
***
Po ç’ke bërë kështu
Të uroftë Zoti… ?
– Po Zoti ka vrarë vehten Kaqëmoti…!
Po, po përgjithësisht
Në jetë e kanë vështirë
Njerzit që fatkeqësisht
Janë të mirë…!
***
… dhe vetëm me rrobat e mia
E me vetminë time
Nën barin e flokëve të mi të thinjur
Nën pleqërinë time
E dashurinë për mëshirë…
Me hijen e mirësisë tënde
Varur në gozhdën e kujtesës së venitur,
E të lodhur nga terri që
Nxjerr prapë gjithë sa hedh
Kujtimi thellë në të…