Apeli: Vendimi i Tabakut, i drejtë, Xhakja pafajësi. Polici që e ndihmoi

0
165

Elton Qyno

Vrasja e Qerim Malokut në 1998, Ilir Xhakja i pafajshëm. Vendimi: Nuk ka prova që e implikojnë

Prokuroria: Do bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë. Xhakja për këtë rast është dënuar me 23 vite burg

 

ilir-xhakjaNë një kohë kur prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtor të të pandehurit Ilir Xhakja dhe dënimit e tij me burg përjetë për vrasjen e kryekomisarit Adem Tahiraj, Gjykata e Apelit në Durrës ka vendosur të shpallë Xhaken të pafajshëm për një vrasje tjetër, atë të shtetasit Qerim Maloku. Vrasja është kryer në vitin 1998, ndërsa Ilir Xhakja për këtë vrasje është arrestuar dhe dënuar disa herë, por që në fund fati i ka buzëqeshur atij, ku tashmë është shpallur nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit të Durrësit, i pafajshëm. Prokuroria nga ana tjetër ka këmbëngulur se Xhakja është autori i krimit si rezultat i provave të gjetura në disa armë automatike me të cilat sipas organit të akuzës është vrarë Maloku. Në këto kushte prokuroria në të dyja shkallët ka kërkuar dënimin me 24 vjet burg, kërkesë kjo që nuk është miratuar nga gjykata, e cila vendosur të pranojë kërkesën e paraqitur nga avokati mbrojtës i Ilir Xhakes. Tashmë për këtë vrasje, Xhakja ndihet i pafajshëm, ndërkohë pritet që gjatë muajit shtator, Gjykata e Krimeve të Rënda do të japë vendimin lidhur me dënimin ose jo të Xhakes për vrasjen e kryekomisarit Adem Tahiraj.

Vendimi, pas shumë shtyrjeve

Relatori i dosjes penale, Petraq Dhimitri, ka argumentuar gjatë procesit gjyqësor se vendimi i dhënë nga gjyqtari Neritan Tabaku është i drejtë dhe Ilir Xhakja është i pafajshëm për vrasjen e Qerim Malokut në 1998. Vendimi erdhi pas një sërë shtyrjesh të një pas njëshme të procesit. Prej tetorit të 2012-ës Gjykata e Apelit e Durrësit mori në rishqyrtim dosjen për vrasjen e Malokut. Akt ekspertiza balistike e armëve të gjetura në vendin e krimit në fshatin Katund Sukth ishte prova kryesore që i dha pafajësinë Ilir Xhakes. Riekspertiza balistike tregonte se gëzhoja nuk është qëlluar nga arma që është gjetur në vendin e ngjarjes. Gjyqtari Neritan Tabaku kishte vendosur në 2011 lirimin e Ilir Xhakes dhe disa muaj më pas, më 13 shtator 2012 ekzekutoi kryekomisarin e Shijakut Adem Tahiraj. Ilir Xhakja është dënuar për vrasjen e Qerim Malokut dy herë nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe ajo e Apelit me 23 vite burg, ndërkohë që vendimet janë prishur nga Gjykata e Lartë, e cila ka rikthyer dosjen në Prokurorinë e Durrësit, për shkak se vrasja ishte kryer pikërisht në territorin juridiksional të kësaj prokurorie. Dosja për lirimin e Ilir Xhakes nga Neritan Tabaku u rihap pas vrasjes së kryekomisarit dhe nga verifikimi i KLD-së u konstatua se kishte shkelje, pasi Neritan Tabaku nuk kishte kryer zbardhjen e vendimit prej disa muaj me radhë. Më 21 shkurt 2013, KLD urdhëroi shkarkimin e tij për shpërdorimit të detyrës dhe ndaj tij ka nisur një proces gjyqësor pikërisht për dosjen e lirimit të Ilir Xhakes. Aktualisht Tabaku është me statusin e të pandehurit për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Dëshmia e policit

Duket se ajo që ka ndihmuar më tepër Ilir Xhaken në këtë proces gjykimika qenë dëshmia e një prej inspektorëve të policisë që shërbente në zonën ku banon Xhakja, i cili është paraqitur në gjykatë, duke pohuar se në periudhën kur është vrarë Qerim Maloku, i pandehuri ka qenë në Gjermani. Maksu Zhiti, ky efektiv policie i thirrur në cilësinë e dëshmitarit ka treguar se Xhakja ka qenë në Gjermani në periudhën kur ka ndodhur krimi, dhe se për të faktuar këtë ai kishte pohuar se kishte marrë në telefon Xhaken dhe se ky i fundit i ishte përgjigjur se ndodhej në Gjermani. Ndërkohë që në vendimin e zbardhur të gjyqtarit të Gjykatës së Durrësit, Neritan Tabaku, ky i fundit shprehet se jep pafajësi për shkak se nuk ekziston asnjë provë, megjithëse në aktet e ekspertimit del se në gëzhoja janë fiksuar gjurmët e gishtave të Ilir Xhakes. Tashmë vendimi i Tabakut është lënë në fuqi edhe nga gjykata e Apelit, ndërkohë që burime pranë prokurorisë së Durrësit thanë se menjëherë sapo të kenë në dorë vendimin e zbardhur të Gjykatës së Apelit, do i drejtohen me një rekurs gjykatës së Lartë, ku do kërkojnë dënimin me 24 vite burg për të pandehurin Ilir Xhakja.

 

 

Fatos Qato u përjashtua me kërkesë të avokatit Gjokutaj

Dosja “21 Janari”, përjashtohet nga gjykimi gjyqtari, ka gruan anëtare në PS

Përjashtohet një tjetër gjyqtar në Apel nga trupi gjykues i dosjes së 21 Janarit. Gjatë ditës së djeshme gjykata ka pranuar kërkesën e avokatit të Ndrea Prendit, Genci Gjokutaj, për të përjashtuar nga trupa e gjykimit të dosjes “21 Janari”, gjyqtarin Fatos Qato. Sipas gjykatës shkak i përjashtimit të gjyqtarit Qato nga çështja ka lidhje me konfliktin e interesit. Më konkretisht, referuar kërkesës së avokatit Genci Gjokutaj, duke qenë se bashkëshortja e gjyqtarit është pjesë e strukturave të Partisë Socialiste, është pikërisht ky subjekt që organizoi demonstratën e 21 Janarit. Ky argument duket se është parë si moment konfliktual për ta lejuar gjyqtarin Qato të jetë pjesë e gjykimit të të pandehurve Ndrea Prendi, Agim Llupo. Procesi i 21 Janarit, aktualisht ka vetëm një gjyqtar, relatorin Astrit Haxhialushi. Dy të tjerët dolën nga përbërja e treshes duke qenë se gjyqtari Agron Papajani u dorëhoq me kërkesë të mbrojtjes pasi kishte marrë pjesë në caktimin e masës së sigurisë për Agim Llupon, ndërsa Qato për shkak të bashkëshortes. Pritet që shorti të caktojë dy emrat e tjerë të trupës gjyqësore për çështjen, tashmë më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare. Pritet që në ditët e muajit shtator, gjykata të shprehet nëse do të japë pafajësi apo të dënojë tre të pandehurit e dosjes 21 Janari. Ndrea Prendi, dhe Agim Llupo janë të pandehurit e vetëm të prokurorisë për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency