Gëzim Saliu
Mbyllet rinumërimi për Shkodrën në KZAZ nr. 3 dhe nr. 4
Detajet e rinumërimit, nga shkrimi në fletë votimi për Berishën tek shpallja e 103 votave nga të pavlefshme në të vlefshme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur dje rinumërimin për KZAZ nr. 3 dhe KZAZ nr. 4 të qarkut të Shkodrës, ku rezultatet e dala prej tij nuk ndikuan në ndryshimin e raporteve të mandateve mes dy koalicioneve. Vazhdimi i rinumërimit i kutive për qarkun e Shkodrës, pas vendimit të dy ditëve më parë të Kolegjit, i cili bëri nul rinumërimin e KQZ-së për qarkun e Lezhës, ka sjellë debate të forta në ambientet e institucionit më të lartë zgjedhor. Partia Socialiste ka pohuar se vijimi i procesit të rinumërimit të votave po thellon sjelljen e paligjshme të institucionit më të lartë zgjedhor. Në këtë kontekst, përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genci Gjonçaj deklaroi se forca që ai përfaqëson do të kërkojë nisjen e hetimit për anëtarët e KQZ-së, të cilët po kryejnë sipas tij vepër penale. “Vendimi i djeshëm (dy ditë më parë) i Kolegjit e zgjidh këtë çështje. Kërkojnë që të zgjasin procesin sa më shumë në kohë. Veprimtaria e KQZ duhet të hetohet, të nisë që në 2009, pasi ka prodhuar rezultate të kontestueshme. Sidomos zgjedhjet e 2011 dhe 2013 të hetohen nga pikëpamja ligjore. Ne nuk jemi akuza, por unë publikisht do i kërkoj hetimin e kësaj çështje për veprime apo mos veprime. Anëtarët e KQZ janë njësoj si anëtarët e KZAZ”, – u shpreh Gjonçaj. Më i drejtpërdrejtë është shprehur edhe përfaqësuesi tjetër ligjor i PS-së Eridian Salianji, i cili ka pohuar se shpërdorimi i detyrës mund t’i kushtohet kryetares së KQZ-së Lleshi dhe anëtarëve Zguri, Shtjefni dhe Osmanaj deri në 7 vjet burg. “E njohin ligjin e me dashje po e shkelin atë. Këtu është haptazi shkelje e ligjit e shpërdorim i detyrës dhe kryerja e veprimeve arbitrare. Kjo vepër penale parashikon deri në 7 vjet burg. Pastaj kjo është pjesë që i ngelet një procesi të mëvonshëm”, – tha Salianji për “AS”.
Rinumërimi
Në rinumërimin e djeshëm të KZAZ nr. 3 dhe KZAZ nr. 4 u vunë re një mospërputhje minimale votash mes rezultateve të dala prej tij dhe ato që ishin publikuar në tabelat e KQZ-së. Lëvizjet e pakta në shifra bën që numri i mandateve të mos ndryshojë edhe pas rinumërimit të këtyre dy KZAZ-ve. Ajo që ra në sy në rinumërimin e djeshëm ishte QV 0219, e cila i përkiste Komunës Postribë të Shkodrës. Nga 106 vota që ishin shpallur të pavlefshme nga numërimi i parë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, 103 prej tyre u cilësuan dje si të vlefshme në rinumërimin në KQZ. Grupet e rinumërimit ranë dakord mes tyre që këto vota të shpërndaheshin mes subjekteve për të cilat kishin votuar qytetarët. Sipas tyre, përveçse disa probleme në printim, fletët e votimit nuk kishin shenja të tjera. Po ashtu ditën e djeshme është ripërsëritur fenomeni i shkrimit së shprehjeve të ndryshme nga ana e qytetarëve në fletën e votimit. Në një fletë votimi të gjetur në KZAZ nr. 4 që i përket komunës së Bërdicës në Shkodër, një banor i ka shkruar Kryeministrit Berisha për hallet e tij. Rinumërimi i kutive të qarkut të Shkodrës erdhi pas kërkesës ankimore të Partisë Republikane, e cila pretendon se në Shkodër i është marrë një mandat. Ndaj kësaj vendimmarrje të KQZ-së, PS është ankuar në Kolegjin Zgjedhor, i cili pritet të shqyrtojë ditën e sotme kërkesën në fjalë.
Rezultatet e rinumërimit
QV 0178
LSI 19 vota- nga 24 që kishte në tabelë
PS 146 vota
PD 144 vota
QV 0219
Nga 106 vota të shpallur të pavlefshme- 103 prej tyre u shpallën të vlefshme
PDS nga 28 vota shkoi në 38 vota
LSI nga 26 shkoi në 31 vota
PS nga 135 vota shkoi në 167 vota
PD nga 150 vota shkoi në 197 vota
PR nga 14 vota shkoi në 18 vota
QV 0332
Të pavlefshme 1
LSI 7
PSSH 28 vota
PD 60 vota
PRSH 9 vota
QV 0333
Të pavlefshme 3
PDS 36
LSI 1 votë
PSSH 67 vota
PD 70 vota
PR 15 vota
QV 0341
Të pavlefshme 13 vota
PDS 14 vota
PKDSH 103 vota- nga 102 vota që kishte bë tabelë
LSI 4 vota
PSSH 97 vota- nga 96 që kishte në tabelë
PD 115 vota- nga 114 vota që kishte në tabelë
PR 11 vota
QV 0344
PKDSH 19 vota
LSI 43 vota
PSSH 169 vota
PD 114 vota- nga 115 vota që kishte në tabelë
PR 3 vota
PDSH 17 vota
Transparenca e zgjedhjeve
PS, Gjiknuri: Zgjidhet në Kuvend, PD të kërkojë komision hetimor
Partia Socialiste pohon se PD nuk mund të pengojë certifikimin e rezultatit zgjedhor me kërkesën e saj për transparencën e zgjedhjeve. Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, theksoi dje se për transparencën ka mekanizma të tjerë, të cilat mund të vihen në lëvizje pas përfundimit të procesit zgjedhor. “Të fshehësh paligjshmërinë në emër të transparencës kjo është e dënueshme dhe e papranueshme. Nëse ke nevojë për transparencë mund ta kërkosh me mekanizma të tjerë. Nuk mund të përziesh transparencën gjatë një procesi të shqyrtimit administrative. Ligji, sa për t’ia sqaruar publikut me kërkesë të PD-së, në vitin 2011 në Kodin Zgjedhor është ngushtuar hapësira e rinumërimit duke u bazuar vetëm në shkaqe të qarta që kanë të bëjnë me vota të kontestuara e që palët e dinë paraprakisht problemin. Nuk njihet koncept rinumërim total se ti ke kërshëri. Ajo që njeh ligji është nëse ka kontestime, t’i rinumërojmë sepse KZAZ nuk janë vlerësuar si duhet. Kjo ka qenë kërkesë e PD-së e reflektuar në Kod dhe mjafton të krahasoni tekstin e kodit të 2009 me atë të 2012-ës do të shihni ndryshimin ne ligj”, – tha ai për “Top Channel”. Në këtë kontekst, Gjiknuri deklaroi se zgjidhjet për të plotësuar kërkesën e demokratëve për transparencë gjenden në Kuvendin e ri. Sipas tij, një ndër këto zgjidhje është edhe kërkesa e PD-së për ngritjen e një komisioni hetimor. “Nëse Berisha kërkon transparencë unë po e them edhe në emër të PS-s se ka forma të ndryshme. Një prej tyre është ajo që na është mohuar në 4 vjet më parë dhe tani le të bëhet realitet. Që do të thotë PD-ja, në qoftë se ka kërshëri për të parë sa e thellë është humbja e saj apo do të bëjë transparencë të gjithë procesit të kërkojë në Parlament një komision hetimor të përbashkët dhe le të bëjmë transparencën e plotë të zgjedhjeve dhe mos të vonojmë zgjedhjen e rezultatit pasi biem në kundërshtim me çdo lloj norme juridike dhe normë të standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, – u shpreh deputeti i PS-së Damian Gjiknuri.
Muaji i Ramazanit
Rama dhe bashkëshortja Linda shtrojnë iftar
Kreu i PS-së, Edi Rama, dhe bashkëshortja e tij, Linda, shtruan dje iftar me rastin e muajit të Ramazanit, ku tha se një nga vlerat më të rëndësishme, me të cilat Shqipëria duhet të krenohet sot është pikërisht harmonia e bashkëjetesa fetare. “Jemi të ndryshëm dhe të barabartë tek liria e besimit, që nuk vë cak tek liria e tjetrit. Ky është vendi ku secili prej nesh në çdo rast që kremtohet një ditë e shënuar e kalendarëve fetare ndjehet mirë. Feja lidhet me lirinë, jo me dasinë, me vlerën e një bashkëjetese si urë me besimet e tjera. Kjo është trashëgimia unikale që në botën e sotme të konflikteve përbën një vlerë të jashtëzakonshme”, – tha Rama. Në këtë kontekst, kreu i PS-së shtoi më tej se shpirti i bashkëjetesës në harmoni fetare, duhet kultivuar edhe tek gjenerata e re. Më tej ai i përcolli Komunitetit Mysliman Shqiptar urimet më të mira për muajin e shenjtë. “Uroj një Ramazan të bekuar”, – u shpreh Rama.