Gëzim Saliu
Rama: Shkurtime drastike, qeveria e re, me numrin më të madh të grave në historinë e vendit
Detajet, nga ministritë e reja që krijohen, tek riorganizimi i plotë i Kryeministrisë
Shtim i ministrive, krijimi i ministrive të reja, reformat e thella tek ministritë ekzistuese dhe shkurtime drastike të numrit të komiteteve. Kjo është preambula e strukturës së ekzekutivit të ri të vendit, i cili do të qeverisë vendin në katër vitet e ardhshme. Në një dalje publike, kreu socialist Edi Rama bëri të ditur dje strukturën e qeverisë së re, e cila sipas tij është ndërtuar në bazë të një analize të thellë e me synim prodhimin e rezultateve me pak shpenzime. “Struktura e qeverisë së re është ndërtuar mbi bazën e prioriteteve, por edhe të disa nevojave shumë të rëndësishme që ka vendi. Duke konsultuar shumë struktura qeverish në vendet e reja të Bashkimit Evropian sidomos, por jo vetëm, dhe duke marrë në konsideratë domosdoshmërinë që të kemi një qeveri e cila të ketë shumë më tepër fokus, shumë më tepër përgjegjësi të qarta mes sektorëve dhe shumë më tepër mundësi për të krijuar kushtet që të prodhojmë rezultate me shumë më pak shpenzime nga taksat e qytetarëve”, – tha Rama. Nga ana tjetër, kreu socialist deklaroi se në përbërjen e qeverisë së re do të jetë numri më i madh i grave në historinë e vendit. “Për gjithë ata që pyesin pafund për përbërjen e qeverisë mund të them vetëm se do ketë numrin më të madh të grave në historinë e vendit”.
Strukturimi
E para që preket nga ndryshimet është Kryeministria, e cila, sipas skemës së re, do të ristrukturohet në mënyrë të plotë dhe të thellë. Kryesocialisti bëri të ditur se do të ketë shkurtim të ndjeshëm të organikës së Kryeministrisë, ku përkatësisht më të prekur do të jenë komitetet ndërministrore, të cilave do t’u reduktohet ndjeshëm numri dhe përbërja. Në rend të dytë vjen zv.kryeministri, i cili ndryshe nga qeverisja PD-LSI nuk do të ketë portofol ministror. Më tej, do të jenë 6 ministri, të cilat nuk do të ndryshojnë nga forma aktuale, por sipas Ramës, tek to do të ketë një reformim të thellë strukturor. Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Jashtme, Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë, e cila në ndryshim nga sipërtëpërmendurat do të marrë edhe mbrojtjen e konsumatorit sipas fushës përkatëse, do të jenë ministritë që nuk do të pësojnë ndryshime në kompetencat ekzistuese. Ndërkohë Ministria e Ekonomisë dhe Energjitikës do të ndahet në dy dikastere: “Do të kemi nga njëra anë Ministri të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, e cila do të mbulojë sektorët e zhvillimit, do të mbulojë zhvillimin rajonal, do të mbulojë problematikën e klimës së biznesit, do të mbulojë gjithë detyrimet që burojnë nga marrëveshjet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën e ekonomisë, mbrojtjen e konsumatorit, dhe mbi të gjitha do të mbulojë marrëdhënien me sipërmarrjen që do të ndryshojë rrënjësisht, në qasje dhe në sjellje. Nga ana tjetër Ministria e Energjisë dhe Industrisë, që do të mbulojë me përparësi dhe me fokus të plotë projektet e zhvillimit në fushën e energjisë me impakt kombëtar dhe rajonal, si dhe gjithë pjesën që ka të bëjë me pasuritë natyrore, minierat, hidrokarburet dhe industrinë e lehtë”, – pohoi Rama. Po ashtu edhe Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit do të ndahet në dy dikastere, përkatësisht Ministria e Transportit dhe Zhvillimit të Infrastrukturës dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Nga ana tjetër, ndryshe nga formula e përdorur për ndarjet e ministrive aktuale, në Ministrinë e Bujqësisë duket se koalicioni i majtë ka menduar ta shtojë me kompetenca. Kështu, ajo kthehet në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, pasi sipas kreut socialist, prioritet të posaçëm në modelin e majtë për zhvillimin ka përfshirja e detit në ekonomi. Në këtë kontekst, Ministria e Mjedisit, e cila do të vazhdojë të ekzistojë në qeverinë e re të majtë, zhvishet nga kompetencat ujore dhe do të ketë kompetenca ekskluzive të mbrojtjes së mjedisit dhe të oponencës ndaj të gjitha projekteve të zhvillimit për të garantuar përmasën e gjelbër të zhvillimit. Ndryshime të skajshme ka pësuar edhe Ministria aktuale e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në qeverinë e re do të ekzistojë një ministri e posaçme për Kulturën, e cila do të fokusohet tërësisht tek kultura dhe tek trashëgimia kulturore. Një tjetër risi e strukturimit të ri është edhe bashkimi i arsimit me sportin në një Ministri të Arsimit dhe të Sportit. Ndërkohë, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale shkrihet e tëra, duke u kthyer në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë. Pjesë e strukturës së re qeverisëse janë edhe ministrat, të cilët do të jenë atashuar në Kryeministri. Ministri për Inovacionin dhe Administratën Publike, ministri për Çështjet Vendore dhe ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin do të jenë tre ministrat pa ministri në qeverinë “Rama”, ku ky i fundit theksoi ai është i domosdoshëm për marrëdhënien e re mes ekzekutivit dhe legjislativit, kur ministrat nuk kanë mandatin e deputetit. Pas bërjes publike të strukturës së re të qeverisë, kreu i PS-së pohoi se në fillim të muajit gusht do të paraqesë edhe përbërjen nominale të ekzekutivit.
Struktura e qeverisë së re
Kryeministri
Zv.kryeministri
Ministritë:
1. Ministria e Financave
2. Ministria e Brendshme
3. Ministria e Mbrojtjes
4. Ministria e Jashtme
5. Ministria e Integrimit Evropian
6. Ministria e Drejtësisë
7. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes
8. Ministria e Energjisë dhe Industrisë
9. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit
10. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës
11. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave
12. Ministria e Shëndetësisë
13. Ministria e Arsimit dhe Sportit
14. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
15. Ministria e Kulturës
16. Ministria e Mjedisit
Ministrat e Shtetit:
Ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike
Ministër për Çështjet Vendore
Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin
Cilat janë ministritë që nuk ndryshojnë
Ministria e Financave
Ministria e Mbrojtjes
Ministria e Brendshme
Ministria e Jashtme
Ministria e Drejtësisë
Ministria e Integrimit Evropian
Ministria e Shëndetësisë
Ministritë që ndryshojnë
METE ndahet në: Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministria e Energjetikes dhe Industrisë
MPPT ndahet në: Ministria për Zhvillimin Urban dhe Turizmin dhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës
Ministritë e reja që krijohen
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave
Ministria e Arsimit dhe Sportit
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Ministria e Kulturës
Ministër për Inovacionin
Administrata Publike ndahet nga Ministria e Brendshme dhe rikthehet në Kryeministri
Kompetencat e ministrive dhe ministrave
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes – do të mbulojë sektorët e zhvillimit, zhvillimin rajonal, problematikën e klimës së biznesit, detyrimet që burojnë nga marrëveshjet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën e ekonomisë, mbrojtjen e konsumatorit, dhe marrëdhënien me sipërmarrjen
Ministria e Energjisë dhe Industrisë – do të mbulojë me përparësi dhe me fokus të plotë projektet e zhvillimit në fushën e energjisë me impakt kombëtar dhe rajonal, si dhe gjithë pjesën që ka të bëjë me pasuritë natyrore, minierat, hidrokarburet dhe industrinë e lehtë
Ministria e Transportit dhe zhvillimit të Infrastrukturës – me fokus politikat e transportit, telekomunikacionit dhe infrastrukturës
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit – do të ketë rolin e planifikimit, kontrollit të territorit dhe aspektet që lidhen me zhvillimin urban dhe turistik të vendit
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave – mbulimi i prioritet të majtë për përfshirjen e detit në ekonomi dhe mbulimi i çështjeve të fshatit dhe të zhvillimit rural
Ministri të Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë – objektiv të posaçëm për të çuar përpara projektin transformues të arsimit profesional për të rinjtë
Ministria e Kulturës – do të fokusohet tërësisht tek kultura dhe tek trashëgimia kulturore
Ministria e Mjedisit – me kompetenca ekskluzive të mbrojtjes së mjedisit dhe të oponencës ndaj gjithë projekteve të zhvillimit për të garantuar përmasën e gjelbër të zhvillimit
Ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike – prioritet kryesor, baza kombëtare e burimeve njerëzore
Ministër për Çështjet Vendore – do të mbulojë marrëdhënien mes pushtetit vendor dhe qeverisë, por edhe çështje të komuniteteve të ndryshme në raport me vetë pushtetin vendor