Elton Qyno
Djali i ish-shefit të komisariatit nr. 1 Nikoll Vatnikaj paditi në SHKB efektivin Teki Kastrati
Një efektiv i komisariatit nr. 1 në Tiranë është dënuar me 1 milion lekë gjobë, pasi ka shoqëruar në komisariat djalin e ish-shefit të këtij komisarit, shtetasin Klaudio Vatnikaj. Ky i fundit është djali i Nikoll Vatnikaj një zyrtari të Policisë së Shtetit që disa vite më parë ka drejtuar komisariatin nr. 1 në Tiranës. Mes Klaudio Vatnikajt dhe efektivit të komisariatit Teki Kastrati ka pasur një konflikt për shkak se i riu Klaudio Vatnikaj nuk ka pasur një mjet identifikues, në momentin e ndalimit nga ana e punonjësit të policisë. Nisur nga kjo situatë, Vatnikaj i është përgjigjur punonjësit të policisë se ai ishte djali i Nikoll Vatnikajt, një zyrtari të policisë. Mirëpo nga ana tjetër, efektivit të policisë nuk i ka kujtuar asnjë gjë ky emër, dhe për pasojë ka vendosur të shoqërojë në komisariat Klaudio Vatnikajn, pas dyshimeve se në makinën ku ai udhëtonte me dy persona të tjerë kishte armë. Mirëpo situata më pas ka degraduar në dhunë fizike pas kundërshtimit të djalit të Nikoll Vatnikajt, duke bërë që ky i fundit të dhunohet nga ana e efektivit të policisë. Pas kësaj situate, efektivi i policisë e ka akuzuar djalin e kryekomisarit për akuzën e “Kundërshtimit dhe goditjes së forcave të rendit”, ndërsa Klaudio e ka paditur Teki Kastratin në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, duke bërë që pas disa muajsh hetimi Kastrati të merret i pandehur dhe të dënohet nga gjykata me 1 milion lekë gjobë për akuzën e “Kryerjes së veprimeve arbitrare”
Ndalimi i Vatnikajt
I pandehuri Teki Kastrati ka qenë me detyrë efektiv policie pranë komisariatit të policisë nr. 1 Tiranë. Në dt 3 shkurt 2011, ai ka qenë me detyrë me shërbim autopatrullë turni i tretë në sektorin me kodin 80/1 së bashku me punonjësin tjetër të policisë, dëshmitarin Altin Çela. Rreth orës 01:00 ata kanë qenë duke patrulluar me makinë në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe kanë parë një makine tip “Mercedes-Benz” me targa të huaja që drejtohej nga dëshmitari Enea Rama. I pandehuri Teki Kastrati i ka thënë dëshmitarit Altin, kolegut të tij i cili ishte në drejtimin e mjetit të policisë,që ka informacion se drejtuesi i mjetit mban armë me vete dhe ta ndalojnë atë. Në këtë moment dëshmitari Altin i ka bërë me drita drejtuesit të mjetit për të ndaluar, i cili nuk ka ndaluar por ka vazhduar rrugën me shpejtësi në drejtim nga garda .Mjeti i policisë i është vënë nga mbrapa dhe e ka ndaluar mjetin tip “Mercedes-Benz”, i cili drejtohej nga dëshmitari Enea Rama në rrugën sapo kthehesh nga godina e Fakultetit të Arteve të Bukura, përballë me lokal “Calsberg”. I pandehuri Teki Kastrati ka zbritur i pari nga mjeti i policisë dhe i është afruar mjetit që kishte ndaluar, ku brenda tij ndodheshin të dëmtuarit Dikens Bushaj në vendin e parë të pasagjerit, Kludio Vatkinaj në sediljen mbas dhe dëshmitari Enea Rama drejtues i mjetit, dhe ka kërkuar dokumentet e mjetit dhe kartën e identitetit. Drejtuesi i mjetit i ka dhënë dokumentet dhe më pas është bërë dhe kontrolli i mjetit nga i pandehuri Teki, ku nuk ka rezultuar asgjë e kundërligjshme. I pandehuri Teki i ka kërkuar shtetasit Klaudio Vatnikaj dokument identifikimi. Ky shtetas nuk ka pasur me vete mjet identifikimi dhe është prezantuar se është “djali i Nikoll Vatnikajt”, i cili është po punonjës policie dhe dikur ish-drejtues i komisariatit të policisë nr. 1 Tiranë.
Konfrontimi fizik
I pandehuri Teki është konfrontuar me të dëmtuarin Klaudio dhe ka urdhëruar shoqërimin e tij për ne rajonin e policisë nr. 1 Tiranë për verifikim. Shtetasi Klaudio i ka kërkuar të pandehurit Teki ta sqaronte se çfarë kishte bërë ai që duhej të shoqërohej ne komisariat, por i pandehuri e ka kapur atë prej krahësh me qëllim futjen e tij në mjetin e policisë dhe më pas është konfrontuar me të. Në këtë moment në mes tyre ka ndërhyrë shtetasi Dikens Bushaj për t’i ndarë ata, por edhe ndaj këtij shtetasi i pandehuri Teki ka ushtruar dhunë duke e futur atë ne mjetin e policisë i ndihmuar edhe nga kolegu i tij Altin Çela, e më pas i kanë shoqëruar ata për në komisariatin nr. 1 Tiranë me motivin kundërshtim punonjësi policie, ku kanë qëndruar nga ora 01:40 deri në orën 03:10 të natës.
Ngjarja në Tiranë
Zhduket nga banesa 16-vjeçarja
Një 16-vjeçare nga Tirana rezulton e zhdukur që prej 4 ditësh, ndërsa ende nuk dihet asgjë për të. Xhensila K. është larguar nga shtëpia më datën 20 korrik dhe që atëherë nuk është kthyer më pranë familjes. Denoncimi për zhdukjen e 16-vjeçares është bërë në komisariatin numër 6 në Tiranë nga familjarët e saj. Pas marrjes së denoncimit menjëherë uniformat blu të kryeqytetit kanë nisur kërkimet për gjetjen e 16-vjeçares. Kërkime të shumta janë kryer në disa prej hoteleve të zonës, ndërkohë që është vënë në përgjim dhe numri i telefonit që përdoret nga Xhensila K. Policia dyshon se e mitura mund të ketë krijuar ndonjë lidhje intime dhe më pas është larguar së bashku me shokun e saj për disa ditë me radhë, duke mos njoftuar prindërit.
Operacioni
Itali, kapen 14 shqiptarë për trafik droge
Nëpërmjet një superaksioni policia italiane ka bërë arrestimin e 17 personave të akuzuar për trafik droge, mes të cilëve 14 shqiptarë. Urdhri i arrestit nisi të ekzekutohej që prej mëngjesit të djeshëm, pasi grupi i shqiptarëve dyshohet se është pjesë e një bande trafiku lëndësh narkotike. Sipas mediave italiane, droga vinte nga Shqipëria dhe Greqia dhe më pas në sasi të vogla shpërndahej në lokalet e natës në Romë. Gjatë një kontrolli të kryer në banesat e të arrestuarve u kapën dhjetëra kilogramë drogë, e cila mbahej e fshehur në pritje të shitjes. Lënda narkotike u dërgua në impiantin e djegies së automjeteve, e cila është djegur në një temperaturë mbi një mijë gardë celsius. Një tjetër superaksoion është bërë nga policia greke, e cila ka sekuestruar një sasi prej 240 kg kokainë, vlera e të cilës është qindra milionë euro. Të arrestuarit kishin dhjetëra muaj që vëzhgoheshin, ndërsa operacioni u shtri edhe në Amerikën Latine deri në Evropë. Droga ishte fshehur në një kontejner me banane që ishte ngarkuar në Kolumbi. Më pas ajo u ankorua fillimisht në Itali dhe më pas shkoi në Athinë. E njoftuar nga kolegët amerikanë, policia greke kreu kontroll në mjetin lundrues dhe gjeti drogën.
Vjedhja në zyrën e LSI-së, kapen 3 autorët i morën orën “Rolex” drejtorit të postës
Një orë “Rolex” me vlerë 30 mijë euro, e cila i është grabitur me armë ish-drejtorit të Postës së Shkodrës, Shkëlzen Berisha, është gjetur dy muaj më vonë. Drejtoria e Policisë së Shkodrës bëri të ditur se për këtë ngjarje janë arrestuar shtetasit Balë Qarrica, 41 vjeç; Gëzim Doda, 31 vjeç; dhe Petrit Pusi, 26 vjeç, pasi janë autorët e grabitjes me armë të zyrës së LSI-së në Shkodër, ngjarje e ndodhur më 11 qershor 2013. Brenda zyrës, sipas të njëjtave burime, ka qenë duke punuar anëtari i kryesisë për Shkodrën, Shkëlzen Berisha, të cilit i kanë marrë me armë dhe orën “Rolex”. Ora e dorës, është e përbërë prej floriri dhe prej 52 gurësh diamanti, dhe ka vlerën e 30 mijë eurove. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj këtyre shtetasve është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një orë dore e markës “ROLEX”, prej ari e përbërë prej 52 gurësh diamanti, me vlerë rreth 30.000 euro, cila i është grabitur shtetasit Sh. Berisha, i cili në momentin e ngjarjes ka qenë duke punuar në zyrën e subjektit LSI. Ne ngarkim të këtyre shtetasve Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër kishte lëshuar urdhra ndalimi dhe këta shtetas ishin shpallur në kërkim. Nga ana jonë vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje, si dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ketë ngjarje të rëndë kriminale. U kryen veprimet procedurale hetimore dhe materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të “Vjedhjes me armë në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 140/25 dhe 278/2 të Kodit Penal.
Aksidenti
Kukës – Morinë, plagosen rëndë dy persona
Një aksident me pasojë plagosjen e dy personave ka ndodhur dje në autostradën Kukës – Morinë, në vendin e quajtur Fushorja e Uzinës. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe për pasojë janë plagosur dy drejtuesit e mjeteve, Bashkim Ademi, 57 vjeç, dhe Sulltan Petku, që të dy banues të Kukësit. Menjëherë të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Kukësit ku po marrin edhe ndihmën mjekësore. Nuk dihen ende shkaqet e aksidentit por policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.