Elton Qyno
Ilirjan Cani ka ndërruar jetën në Spitalin Ushtarak. Tragjedia mbyllet me dy viktima
Pas 10 ditë në gjendje të rëndë shëndetësore, ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak Ilirjan Cani, i cili u vetëplagos me automatik, pas vrasjes së bashkëshortes së tij Alketa Cani. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 15 korrik, kur ushtaraku ka qëlluar me breshëri automatiku gruan dhe më pas me një plumb të vetëm ka qëlluar veten në kokë. Cani është transportuar me shpejtësi në Spitalin Ushtarak, por nuk u ka mbijetuar dot plagëve që i shkaktoi vetes duke tentuar të vetëvritej pasi vrau me automatik, gruan e tij. Kështu, rihapet plaga në familjen Cani dhe dy fëmijët e çiftit, 12 dhe 13 vjeç, mbeten jetimë. Ilirjan Canit iu lexua në spital masa e “Arrestit me burg” pak ditë më parë. Mendohet se vrasjen ai e kreu për arsye xhelozie dhe kushtesh të vështira të jetesës. Ai ishte i papunë, kurse bashkëshortja punonte në një dyqan, edhe pse ishte me arsim të lartë.
Çifti me probleme
Ilirjan dhe Alketa Cani njiheshin nga ana e policisë së Tiranës si çift me probleme të theksuara në familje. Ilirjani punonte si ushtarak, ndërkohë që Alketa si shitëse në një qendër tregtare. Disa herë së bashku ata kanë shkuar në ambientet e rajonit policor, ku gruaja ka denoncuar burrin për dhunë të vazhdueshme psikologjike dhe fizike. Megjithëse këto raste kanë qenë të përsëritura, pas negocimit edhe në prani të efektivave të policisë, çifti kishte pranuar të lidhte një marrëveshje, ku mes burrit dhe gruas nuk do të kishte më probleme. Mirëpo nuk ka zgjatur shumë kohë dhe mes Ilirjan dhe Alketa Canit kanë filluar sërish zënkat. Burri ankohej gjithnjë se gruaja nuk punonte dhe se kishin vështirësi ekonomike, ndërkohë që nga ana tjetër gruaja e akuzonte të shoqin se konsumonte alkool dhe se nuk bënte asnjë gjë për rritjen e dy fëmijëve të mitur 12 dhe 13 vjeç. Një situatë e tillë ka ndodhur edhe ditën e djeshme, kur Ilirjan Cani është kthyer në banesë në gjendje të dehur dhe ka filluar zënkat me gruan. Pas një sherri që nuk ka zgjatur shumë minuta, ai ka marrë një automatik që e mbante pa leje dhe me të ka qëlluar pesë herë në drejtim të gruas. Kjo e fundit është rrëzuar e pajetë në tokë dhe e mbytur nga gjaku. I ndodhur në këto kushte, bashkëshorti i saj nuk ka pasur asnjë rrugëzgjidhje dhe është ulur në dysheme, ku dhe ka drejtuar armën nga vetja, prej nga më pas ka qëlluar me një plumb vetveten. Policia që i gjeti të dy trupat në ambientet e një dhome të shtëpisë, konstatoi se Ilirjan Cani ishte ende i gjallë dhe është transportuar në gjendje të rëndë për jetën drejt Spitalit Ushtarak. Ndërkohë, trupi i pajetë i Alketa Canit është transportuar në morgun e spitalit për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore.
Hetimet e policisë
Efektivë të policisë së Tiranës dhe specialistë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë shkuar me shpejtësi në vendin e krimit, ku kanë ndihmuar fillimisht Ilirjan Canin, duke e transportuar në spital. Më pas policia ka marrë në pyetje komshinj të çiftit Cani, të cilët kanë treguar se kishin dëgjuar klithma në banesë dhe kishin dalë të shihnin se çfarë kishte ndodhur. Kur papritur, ata kanë dëgjuar të shtënat e armës, pas të cilave kanë telefonuar policinë e Tiranës për atë që kishte ndodhur. Burime pranë policisë thanë se në momentin e ndodhjes së krimit, dy fëmijët e mitur nuk kanë qenë të pranishëm në shtëpi. Policia ka sekuestruar armën e krimit dhe disa gëzhoja, ndërkohë që në pyetje janë marrë dhjetëra persona, të cilët kanë treguar atë çfarë dinin rreth marrëdhënieve të çiftit Cani, marrëdhënie këto që tashmë u mbyllën me vrasjen e Alketa Canit dhe bashkëshortit të saj Ilirjan Cani.
U vjedhin 1 milion lekë të vjetra në shtëpi
Grabiten në Tepelenë vëllezërit e moshuar, policia ndalon të dyshuarit
Dy vëllezër të moshuar kanë rënë në duart e grabitësve gjatë natës në Tepelenë. Sipas burimeve të policisë, shtetasit Sali Haxhaj dhe Ida Haxhaj, të dy mbi 75 vjeç, janë dhunuar e më pas grabitur nga tre persona mesnatën e djeshme rreth orës 03:00 të mëngjesit. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Arrëz e Madhe të komunës Luftinjë të Tepelenës. Banorët e zonës thanë se kjo është hera e tretë që këta dy vëllezër grabiten duke përfituar nga fakti se vëllezërit janë të moshuar e të vetëm në shtëpi. Në drejtim të vendngjarjes janë nisur forca të shumta të Komisariatit të Tepelenës si dhe forca të shumta nga Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës, por kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dy orë më vonë për shkak të largësisë dhe rrugës së keqe. Kur policia ka mbërritur aty, ka rezultuar se ngjarja kishte ndodhur rreth tre orë para se të njoftoheshin. Sipas të dhënave, tre persona, të cilët kishin mbuluar fytyrën me bluzë, janë futur në banesën e Hyda Hoxhës dhe Sali Hoxhës, përkatësisht 82 dhe 84 vjeç, vëllezër, të cilët banonin të vetëm në ketë banesë. Dy të moshuarit kanë pretenduar para policisë se personat e maskuar kanë ushtruar dhunë fizike mbi ta dhe kanë vjedhur një shumë prej 1 milion lekë të vjetra. Specialistët e policisë, pas informacioneve të mbledhura, kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e tre shtetasve si autorë të dyshuar të grabitjes. Burimet policore thanë se janë shoqëruar dy vëllezër M. dhe E. Shehu, përkatësisht 24 dhe 17 vjeç nga fshati Arrëz e Madhe dhe Sh. Telhaj, 19 vjeç, lindur dhe banues në Përmet , lidhje farefisnore e dy vëllezërve. Të tre këta persona janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës.
Aksidenti
Tepelenë, vdes një person, tre plagosen
Si pasojë e një aksidenti të ndodhur dje pasdite në aksin rrugor Memaliaj – Kras në Tepelenë ka humbur jetën një person, ndërsa janë plagosur tre të tjerë. Sipas burimeve policore mësohet se një furgon mallrash me targa TR0907L është përplasur me nja autoveturë tip “Benz”, me targa AA567ET. Viktima është identifikuar si Kadri Rrapaj, i cili fillimisht mori plagë të rënda dhe u nis drejt spitalit, por humbi jetën atje. Ndërkohë po në spital janë dërguar dhe të plagosurit, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Policia ka nisur hetimet për shkaqet e aksidentit, ndërsa fillimisht dyshohet se përplasja mund të ketë ardhur në sajë të një parakalimi të gabuar të furgonit.
Rrogozhinë
Arratiset nga burg, pasi iu dha 1 javë leje
Një tjetër arratisje ka ndodhur në burgun e Rrogozhinës, pasi një i dënuar është larguar me leje, por nuk është kthyer më në qeli. Ai është 33-vjeçari Maksim Cenokaçi, nga Gjirokastra, i dënuar me 22 vjet burg për vrasje me dashje dhe vjedhje me armë në bashkëpunim, i cili ishte larguar me një javë lejë në banesën e tij. Cenokaçi duhej të ishte kthyer të hënën, por kjo gjë nuk ka ndodhur dhe në këtë mënyrë ai është shpallur në kërkim. Mësohet se ai kishte dhe pak vite të mbetura për vuajtjen e dënimit, ndërsa janë marrë në pyetje edhe familjarët të cilët e kanë dënuar aktin e djalit të tyre. Arratisje të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë në burgun e Rrogozhinës apo dhe burgje të sigurisë së lartë, ku të burgosurit largohen me leje dhe nuk kthehen më.