Gëzim Saliu
Sipas zëdhënëses së KQZ-së, rinumërimi i votave në qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës vërtetoi se institucioni më i lartë zgjedhor ka si qëllim në veprimtarinë e tij frymën e ligjit dhe transparencën
Hetimi administrativ i thelluar për qarkun e Lezhës dhe atë të Shkodrës i shërbeu transparencës së procesit zgjedhor, duke provuar njëkohësisht se çdo manipulim i rezultatit elektoral do të marrë ndëshkimin ligjor që meriton. Kështu ka bërë të ditur dje qëndrimin e tij Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas rinumërimit të votave dhe shqyrtimit të ankimimeve të subjekteve politike që morën pjesë në garën elektorale të 23 qershorit. “Ndërmarrja e thellimit të hetimit administrativ dha impakt jo vetëm sa i përket transparencës dhe besueshmërisë së procesit, por mbi të gjitha provoi se në zbatim korrekt të ligjit, çdo manipulim i rezultateve të zgjedhjeve dhe vullnetit të shqiptarëve të shprehur me votë, evidentohet dhe do të marrë ndëshkimin ligjor të merituar. Shprehim bindjen se ky rol aktiv i KQZ-së do t’i shërbejë forcimit të kulturës së ndëshkueshmërisë, do të japë mësimin e merituar për çdo komisioner që në mënyrë joligjore merr përsipër të manipulojë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë!”, – deklaroi zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj.
Ankimimet paszgjedhore
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmbylli dy ditë më parë shqyrtimin administrativ të 41 ankimeve paszgjedhore paraqitur nga subjektet zgjedhore me objekt kundërshtimin e vendimeve të KQZ për miratimin e tabelave të rezultateve të zonave zgjedhore. Gjatë shqyrtimit të këtyre 41 kërkesave ankimore, KQZ, pasi shqyrtoi problematikën sipas objektit të ankimit të paraqitur, rrëzoi plotësisht 33 prej tyre. “Vetëm për dy zona zgjedhore, KQZ nuk u kufizua në objektin e kërkimit të paraqitur nga subjektet zgjedhore, konkretisht për ankimet e paraqitura me objekt kundërshtimin e vendimit për tabelën e rezultatit të Zonës Zgjedhore Qarku Lezhë dhe për tabelën e rezultatit të Zonës Zgjedhore Qarku Shkodër. Mbi bazën e provave të administruara gjatë hetimit administrativ për këto 2 zona zgjedhore, shërbeu për KQZ si indice për thellimin e hetimit administrativ”, – tha Hoxhaj. Sipas zëdhënëses së institucionit më të lartë zgjedhor, KQZ, në këto dy raste, duke mos u kufizuar vetëm në objektin e kërkimit të paraqitur nga ankuesit, përdori autoritetin që i jep Kodi Zgjedhor për të adresuar ligjërisht, bazuar në përcaktimet e nenit 124 pika 6. “Nga hetimi administrativ i zhvilluar, nga KQZ kryesisht për Zonën Zgjedhore Lezhë dhe mbi bazën e kërkesës së Partisë Republikane për Zonën Zgjedhore Shkodër, u konstatuan deformime të rezultateve zgjedhore. U provua se rezultati zgjedhor kishte deformime të rënda në Zonën Zgjedhore Lezhë, ku rasti nga më flagrantët ishte manipulimi në rezultatet e 10 QV për të cilat, anëtarët e KZAZ-së 13 depozituan pranë KQZ-së tabela jo origjinale të rezultatit por të falsifikuara, të cilat për më tepër ishin të korrigjuara duke fshirë të dhënat për rezultatin e disa subjekteve zgjedhore”, – bëri të ditur Hoxhaj. Po ashtu, sipas KQZ-së, edhe në rinumërimin e kutive të qarkut Shkodër rezultuan ndryshime të numrit të votave për disa subjekte zgjedhore, por pa ndikime në ndarjen e mandateve për këtë qark siç pretendonte Partia Republikane.
Aleati i PS-së
Bushati: Duam post zv.ministri në qeverinë e re
Aleati i Partisë Socialiste, kreu i ADK-së, Zef Bushati, kërkon përfaqësim në kabinetin qeveritar të Ramës, me një post zëvendësministri. Në mbledhjen e kryesisë së kësaj force, Bushati bëri të ditur diskutimin e bërë në tryezën e kryesocialistit Rama me aleatët, duke theksuar se ADK ka pretendimet e saj në kuadër të ndarjes së përgjegjësive qeverisëse. “ADK dha kontribut në fitoren e koalicionit të majtë”, – tha Bushati.
Gjet Ndoi
Koordinatori i PS-së me aleatët: Do zbatojmë statusin e nëpunësit civil, asnjë punësim pa kriter
Koordinatori i sapozgjedhur mes Partisë Socialistëve dhe aleatëve të koalicionit të majtë, Gjet Ndoi, pohoi dje se asnjë militant i partive të vogla nuk do të punësohet në administratë pa meritë. Kryetari i Partisë Aleanca Arbnore deklaroi se kryesocialisti Rama ka bërë të qartë në takimin me aleatët se do të zbatohet me përpikëri ligji i nëpunësit civil dhe do të trajtohet me kujdes administrata. Nga ana tjetër, Ndoi rikonfirmoi se në takimin e Ramës me aleatët, nuk është folur për poste konkrete por për formën se si do të zbatohet marrëveshja me 36 partive aleate të PS-së, që kanë marrë vota të mjaftueshme për të pasur përfaqësim në qeveri. Dy ditë më parë, kreu socialist, në petkun e kryeministrit të ardhshëm, mblodhi të gjithë aleatët e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, ku diskutoi lidhur me ndarjen e përgjegjësive qeverisës. Mësohet se pas kësaj tryeze, ku pikë së pari janë paraqitur pretendimet e aleatëve ndaj forcës më të madhe të koalicionit fitues të zgjedhjeve, kreu i PS-së do të zhvillojë takime kokë më kokë të me secilin prej krerëve të partive.
Zëvendësuesi i Arvizu-së
Obama firmos emërimin e Donald Lu-së si ambasador të Shqipërisë
Presidenti amerikan, Barack Obama ka firmosur dje emrin e Donald Lu-së si ambasador të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Në një deklaratë për shtyp të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Obama ka mbajtur qëndrim për kandidaturën e Lu-së, si dhe për kandidatura të tjera postesh të rëndësishme administrative, duke theksuar: “Janë njerëz, që kanë treguar dije dhe përkushtim gjatë karrierës së tyre. U ndihem mirënjohës, që kanë pranuar të marrin role të rëndësishme. Mirëpres punën me ta në muajt dhe vitet e ardhshme”. Lu vjen si zëvendësues i ambasadorit aktual të SHBA-ve në vend Aleksandër Arvizu, i cili ka marrë detyrën në vitin 2010 dhe pritet ta dorëzojë atë në fillim të muajit gusht. Donald Lu aktualisht shërben si ambasador në Nju Delhi, Indi. Ai u bashkua me Shërbimin e Jashtëm Shtetet e Bashkuara në vitin 1990 dhe ka mbajtur poste në Pakistan, Indi, Gjeorgjia, Kirgistani, Azerbajxhani dhe Uashingtonit. Më parë ai është emëruar zv.shef i Misionit në Ambasadën e SHBA-së në Nju Delhi, ku ka shërbyer si i ngarkuar me punë dhe Zëvendës Shefi i Misionit për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Azerbajxhan nga 4 korrik 2009 deri në korrik 2010, kur zyra e ambasadorit në Azerbajxhan nuk kishte qenë e plotësuar ende.
PD: Rama mbron mandatet e vjedhura, ne, të vendosur për transparencën
Partia Demokratike ka reaguar dje ndaj vendimit të PS-së për t’u tërhequr nga kërkesa e saj për pavlefshmërinë e rinumërimit të votave për qarkun e Shkodrës, duke e cilësuar këtë si një akt që synon bllokimin e transparencës. “Partia Socialiste dëshmoi sot (dje) edhe një herë moralin e saj të bazuar tek vota e vjedhur e 23 qershorit. Tërheqja nga kërkesa e saj për pavlefshmërinë e rinumërimit të votave në qarkun Shkodër, kërkesë e cila mbështetej mbi të njëjtën bazë ligjore si kërkesa për të ndalur rinumërimin e votave në qarkun e Lezhës, dëshmoi se interesi i partisë socialiste nuk lidhet me zbatimin e ligjit, siç u pretendua në rastin e Lezhës, por risolli në vëmendje faktin se, kryesocialisti Rama është i gatshëm të bëjë gjithçka për të bllokuar transparencën dhe mbrojtur mandatet e siguruara me vota të vjedhura më 23 qershor”, – theksoi zëdhënësja e selisë blu Laura Vorpsi. Në të njëjtën kohë ajo bëri të ditur se Partia Demokratike ka vullnet të plotë, dhe është e vendosur të ndërmarrë çdo hap për të bërë transparencën me votat e 23 qershorit. “Shqiptarët kanë të drejtë të shohin sot të vërtetën e hidhur mbi të cilën u ndërtua mazhoranca e mashtrimit dhe e votave të vjedhura. Askush nuk mund të mohojë këtë të drejtë kushtetuese dhe themelore e aq me pak ata që janë kapur në flagrancë faqe çdo shqiptari dhe para syve të botes mbarë duke konsumuar krimin e tjetërsimit të votave dhe vullnetit të bashkëqytetarëve të tyre!”, – përfundoi deklaratën e saj Vorpsi.