Kryqi i Kuq ndalon dhurimin e gjakut
Mungesa e sterilizimit, burim infeksionesh
Tatuazhet janë shndërruar në modë për shumë të rinj shqiptarë, të cilët gjatë sezonit veror shfaqen në plazhe me tatoo-të e tyre. Plazhi shërben si vendi i vetëm për të ekspozuar çdo shenjë të stampuar në trup. Tatuazhet duket se janë kthyer në një trend për të dyja gjinitë. Një dashuri e re për simbole apo edhe fjalë që mbartin një kuptim të veçantë. Ato mund të vendosen në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa tashmë nuk përbëjnë tabu për vajzat, për një pjesë të të cilave të bërit tatoo është kthyer në një mani më e madhe se tek gjinia mashkullore. Përmasat, format apo pozicionet e tatuazheve variojnë sipas preferencave. Një trup i nxirë me tatuazhe është imazhi që sheh vazhdimisht në plazhe. Disa vite më parë shikoheshin vetëm tek djemtë, ndërkohë që në periudhën e komunizmit këtë privilegj mund ta kishin vetëm ata që kishin funksione ushtarake. Tashmë, kur thuhet plazh, perceptohet pamja e një trupi të nxirë me bikini, e cila bëhet edhe më e bukur nëse trupi i bukur shoqërohet me një ose disa tatuazhe.
Rreziqet
Të bësh tatoo do të thotë të kesh kurajën që të marrësh përsipër çdo risk. Aktualisht, afërsisht 25% e personave të moshës 18-30 vjeç kanë një ose më tepër tatuazhe. Në vitet në vijim, pritet të jenë 40% e personave të kësaj grupmoshe që do të kenë një tatuazh. Tatuazhet nuk i bëjnë vetëm meshkujt. Përkundrazi, 65% e personave që kanë tatuazhe janë femra. Pigmentet e tatuazheve mund të përmbajnë metale të rënda dhe hekur, të cilat krijojnë probleme gjatë kryerjes së rezonancës magnetike. Rezonanca magnetike mund të shkaktojë një ndjesi djegieje dhe dhimbje të forta. Ka disa raportime djegiesh të lidhura me tatuazhet dhe rezonancën magnetike. Nëse shfaqet ky ndërlikim, duhet të përdoren kompresa të ftohta. Për të kuptuar nëse tatuazhi juaj ka pigment ose jo nuk mund të kuptohet lehtë. Nuk ka rregullore për pigmentet e tatuazheve apo studiot që kryejnë tatuazhe dhe furnizuesit e pigmenteve rrallëherë i tregojnë përbërësit. Ngjyra e tatuazheve është infektuese. Sipas “Food and Drug Administration”, pas disa rasteve të shënuara në SHBA, ku u konstatuan infeksione dhe shqetësime në trup nga tatuazhet u vërtetua se këto bojëra përmbanin bakterin Mycobacterium chelonae, shkaktare për sëmundjet në mushkëri dhe sy. Bakteri i përket familjes “Mycobacteria”, e cila shkakton infeksione të vështira për tu diagnostikuar duke kërkuar një trajtim shumë të gjatë.
Kryqi i Kuq
Kryqi i Kuq e ndalon dhurimin e gjakut nga çdokush që ka kryer një tatuazh apo pirsing gjatë 12 muajve të fundit, përveçse kur tatuazhi është kryer në një studio të certifikuar.
Infeksioni është një tjetër problem i shpeshtë. Një studim i 766 studentëve zbuloi se tatuazhet shoqëroheshin me infeksione në 45% të rasteve, me reaksione kutane lokale në 39% të rasteve dhe me hepatit në 2 raste. Infeksionet nga virusi i hepatiti B dhe C, nga HIV, Pseudomonas, Stafilokoku, Tetanozi, dhe sifilizi janë lidhur me kryerjen e tatuazheve.
Tatuazhet e kryera nga personat e palicencuar janë shoqëruar me shpërthime të infeksioneve. Infeksionet e marra nga kryerja e tatuazheve mund të jenë vdekjeprurëse. Nëse pas kryerjes së tatuazhit trupi jonë reagon me një ngritje të temperaturës, atëherë gjendja është shqetësuese dhe duhet këshillimi me mjekun.
Laseri
Tatuazhet mund të hiqen. Ndonjëherë, sidomos kur është përdorur vetëm bojë e zezë, rezultatet janë të shkëlqyera. Por ndodh shpesh që lëkura nuk mund të kthehet në ngjyrën apo cilësinë fillestare. Janë tre teknikat kryesore të heqjes së tatuazheve: prerja dhe heqja e lëkurës së tatuazhuar, dermoabrazioni (fërkimi i lëkurës së tatuazhuar me një pajisje gërryese) ose heqja me laser. Pjesa më e madhe e mjekëve parapëlqejnë përdorimin e laserit. Disa bojëra janë më të vështira për t’u hequr sesa disa të tjera dhe nevojiten disa seanca; tatuazhet e përhershme mund të mos largohen asnjëherë plotësisht. Federata Amerikane për Ushqimet dhe Medikamentet i paralajmëron njerëzit të mos përdorin asnjë prej tatuazheve të përkohshme që shiten dhe mund t’i vendosësh vetë, pasi përmbajnë acide dhe mund të shkaktojnë reaksione të rrezikshme në lëkurë.
box
Këshilla
Mos pini pije alkoolike apo medikamente (veçanërisht aspirinë) natën përpara apo gjatë kohës që kryeni tatuazhin.
Mos bëni tatuazh nëse jeni të sëmurë.
Sigurohuni që të gjitha gjilpërat të nxirren nga pako sterile njëpërdorimshe përpara se të përdoren mbi trupin tuaj.
Sigurohuni që studioja ka pajisje sterilizimi për të pastruar instrumentet pas çdo përdorimi.
Sigurohuni që personi që do të kryejë tatoo-në t’i lajë duart dhe të përdorë doreza sterile.
Sigurohuni që vendi i punës të jetë i pastër dhe pa objekte josterile (shishe uji, çanta, etj.)
Merrni një listë të pigmenteve të përdorura, duke përfshirë ngjyrën, emrin e prodhuesit dhe numrin e serisë.
Pas kryerjes së tatuazhit, ndiqni me kujdes udhëzimet për shërimin, duke përfshirë pomadat me antibiotikë.
Llojet
Njerëzit i nënshtrohen tatuazheve për disa arsye, njëra prej tyre lidhet me faktin e të dukurit të veçantë dhe trendi, por ka edhe nga ata të cilët i nënshtrohen këtij trendi për arsye mjekësore. Një arsye krejt ndryshme nga ato që ne përmendëm më lartë është lidhja shpirtërore me diçka ose dikë të cilin kërkon ta kesh përherë me vete.
Tatuazhet amatore
Të gjithë mundemi ta bëjmë një tatuazh, por jo të gjithë dimë se si bëhet. Shpesh përfundojmë me tatuazhe amatore. Dhe për shkak se këto tatuazhe shpesh bëhen në gjendje të papastra, ato shpesh edhe infektohen.
Tatuazhet kulturore
Kultura të ndryshme kanë tradita tatuazhi. Këto tatuazhe duken në një mënyrë apo kanë qëllim special. Ato bëhen si ritual, shenjë ose zbukurim.
Tatuazhet profesionale
Këto tatuazhe bëhen nga një artist i regjistruar me makinë tatuazhi. Termi që shumë artist tatuazhi e kanë në qejf të përdorin është “pistoletë tatuazhi”.
Tatuazhet kozmetike
Tatuazhet nuk janë gjithmonë dizajn apo mesazhe të ndryshme. Ato shpesh përdoren si make-up i përhershëm. Janë të shumtë atë që bëjnë ndërhyrje të tilla në pjesë të ndryshme të trupit.
Tatuazhet mjekësore
Ca njerëz bëjnë tatuazh për arsye mjekësore, pasi e kanë të nevojshëm kryerjen e tij. Tatuazhet mjekësore bëhen edhe nga gra të sëmura nga kanceri i gjirit, duke ndërhyrë në kokën e gjirit. Këto tatuazhe shpeshherë i paralajmërojnë doktorët për raste emergjente.