Bie nga kati i 4-t botuesi Çabej shpëton nga tenda e një dyqani

0
195

Elton Qyno

Pëllumb Çabej ishte duke pastruar xhamin e dritares, kur ka rrëshqitur. Nuk pësoi asnjë dëmtim

 

Pellumb Cabej ne banesen e tijPëllumb Çabej, botuesi i një sërë librash studimorë dhe pronar i një librarie “Çabej” në Tiranë, është rrëzuar nga kati i katërt i pallatit të tij, por fatmirësisht është ndalur në stendën e një biznesi në katin e parë. Çabej ka qenë duke pastruar dritaren e apartamentit që ndodhet te pallatet “Shallvare”, kur papritur është rrëzuar, duke u ndalur në tendën e katit të parë të një dyqani që ushtron aktivitet tregtar. Nga rënia prej 12 metra lartësi, shkrimtari nuk ka pësuar asnjë dëmtim, ndërkohë që policia e pasqyroi lajmin në media se ai është hedhur nga dritarja e apartamentit, duke dashur të vetëvritet. Mirëpo e kundërta e kësaj ka ndodhur gjatë marrjes në pyetje të Pëllumb Çabej, i cili ka pohuar se ishte duke pastruar xhamin e dritares së njërës prej dhomave të apartamentit, kur nga një pakujdesi e tij, ai është rrëzuar dhe e ka gjetur veten në tendën e katit të parë të një dyqani. Banorë të zonës, por edhe kalimtarë që kanë parë ngjarjen në fjalë, kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë dhe disa të tjerë kanë njoftuar policinë e Tiranës. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie si dhe një autoambulancë e cila, pasi është mundësuar zbritja e 50-vjeçarit nga tenda, e ka marrë atë duke e transportuar në drejtim të spitalit.

Botuesi: Jam mirë

“Jetëgjati asnjëherë nuk bëhet jetëshkurtër”. Kjo është një fjalë që populli e përdor shpesh. I tillë ka qenë dhe fati i botuesit Pëllumb Çabejit, i cili ka rënë nga kati i katërt i pallatit, duke përfunduar në stendën e një dyqani shëndoshë e mirë. Nga përplasja me stendën, Çabej nuk ka pësuar asnjë dëmtim trupor, ndërkohë që shprehet se ai është shëndoshë e mirë. Sapo kanë mbërritur forcat e policisë dhe ato të shërbimit zjarrfikës, shkrimtari është marrë nga një autoambulancë dhe transportuar në drejtim të spitalit. Pëllumb Çabej, nuk ka dashur të hipë në autoambulancë pasi ka pretenduar se e ndjente veten mirë dhe se nuk kishte nevojë për mjekim, por policia për të shmangur çdo problem të mëtejshëm ka urdhëruar që 50-vjeçari të transportohet në spital dhe të verifikohet nga ana e gjendjes shëndetësore. Pasi ka mbërritur në spital, Çabej i është nënshtruar një kontrolli mjekësor pasi mendohej se ai mund të kishte marrë ndonjë frakturë nga rrëzimi i katit të katërt, por që fatmirësisht një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Çabej ka marrë vetëm një serum dhe më pas është lënë i lirë për të shkuar sërish në banesën e tij.

Banonte i vetëm

Prej disa vitesh Pëllumb Çabej banonte vetëm në shtëpi dhe kjo gjë ka shtyrë policinë e Tiranës të hedhë dyshime të forta se 50-vjeçari është hedhur nga dritarja duke tentuar të vetëvritet. Në fillim u mendua se shkak i këtij akti ka qenë depresioni, por që në fakt ka qenë krejt e kundërta. Çabej, si çdo ditë, duke mos pasur praninë e një gruaje, punët e shtëpisë i bënte vetë. Kështu edhe ditën e djeshme, teksa ishte duke fshirë xhamat e dritares së tij, ka rrëshqitur papritur dhe për pak sekonda e ka parë veten në tendën e një dyqani poshtë pallatit. Fillimisht ai është trembur shumë, por kur ka ndalur në tendë, ai është tërhequr këmba dorasi derisa ka mbërritur në një vend të sigurt dhe aty ka qëndruar deri në pritje të ardhjes së policisë së Tiranës.

 

Emigranti shqiptar merr vendimin ekstrem

Digjet me benzinë babai i tre fëmijëve shkak, mbetja pa punë për kohë të gjatë

Një 50-vjeçar shqiptar, i papunë, është djegur me benzinë paraditen e djeshme në Itali. Mediat në shtetin fqinj bëjnë të ditur se Hysni Daci, i martuar dhe baba i tre fëmijëve, i ka vënë flakën vetes për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Ditën e premte Daci i vuri flakën vetes me benzinë në një fushë në afërsi të Pezaros, pasi kishte lajmëruar në telefon të shoqen se kishte vendosur të vriste veten. Me gjithë ndihmën e personalit mjekësor dhe transferimit me helikopter në një qendër të specializuar, gjendja e tij mbetet shumë e rëndë. I papunë prej më shumë se një viti, me sa duket Hysni Daci kishte rënë në një krizë të rëndë depresive, e përkeqësuar javët e fundit nga humbja e vendit të punës edhe e bashkëshortes së tij. Baba i tre fëmijëve, 50-vjeçari shqiptar jetonte prej vitesh në Saltara, rreth 60 km larg qytetit të Ankonës. Me sa del nga të dhënat e para, dimrin e kaluar ai kishte tentuar edhe një herë tjetër të vriste veten, në pamundësi psikologjike për të përballuar papunësinë. Ndërkohë që pas transportimit të tij me helikopterin e shëndetësisë në një spital më të specializuar, mjekët bënë me dije se shqiptari kishte pësuar djegie në rreth 90 për qind të trupit të tij.

 

 

Operacioni policor në Durrës, kapet grabitësi

Vodhi taksistin, pranga Vertenikut policia i sekuestron edhe një pistoletë

Policia e Durrësit arrestoi një 30-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim për vjedhje me dhunë. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se në pranga ka rënë Sabri Verteniku, banues në lagjen nr. 14 në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë, kryer në bashkëpunim”. “Ky shtetas akuzohet lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 26 Prill të këtij viti, ku në Shkozet, nën kërcënimin e një arme zjarri, pistoletë, i ka vjedhur shtetasit I. Xh., 30 vjeç, banor i së njëjtës lagje, i punësuar si taksist sendet personale, një sasi parash në portofol si dhe autoveturën e markës “Mercedes-Benz” Taksi me targa DR 2983D”, – bëri të ditur policia. Ndërkohë lidhur me ngjarjen në fjalë Gjykata e Rrethit Durrës, me vendim date 23.06.2013 ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg“ në ngarkim të tij. Gjatë kontrollit personal ushtruar në momentin e kapjes, shtetasit në fjalë iu konstatua në brez dhe bllokua një armë zjarri, pistoletë e kalibrit 7,65 mm me krehër me fishekë nga të cilët një në folenë e fishekut. “Lidhur me këtë shtetas po vijon puna për dokumentimin ligjor të aktivitetit të tij kriminal në drejtim të veprave penale të së njëjtës natyrës ndodhur në qytetin e Durrësit në kohë. Materialet shtesë ndaj tij për veprën penale të “Vjedhjes me armë” si dhe për atë të “Mbajtjes se armeve luftarake pa leje” iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Durrës”, – thuhet në njoftimin e policisë.

 

Konflikti në familje

Nipi plagos me thikë xhaxhain e tij

Një 21-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së kryeqytetit, pasi ka goditur me thikë xhaxhain dhe hallën e tij, pas një konflikti familjar. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së premtes në një familje në rrugën “Hoxha Tahsim” në Tiranë. Burimet e policisë bënë me dije se shtetasi Emiljano Shtepani, pasi ka debatuar me Ardian dhe Flora Shtepanin, ka tentuar t’i vrasë ata duke i goditur me thikë. Familjarët kanë bërë menjëherë denoncimin në polici dhe forcat e rendit kanë parandaluar një tjetër krim në familje. Të plagosurit janë dërguar në spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë policia nisi hetimet për të mësuar shkaqet e konfliktit.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency