Formulari A2, datat kur do të bëhet plotësimi

0
214

Renditja e preferencave, faktor kyç për të qenë fitues

Fituesit, në fillim të muajit shtator

 

maturantePlotësimi i formularit A2 do të fillojë në qytetin e Tiranës, ditën e nesërme, dhe do të përfundojë në datën 5 gusht ku të fundit që do të aplikojnë janë maturantët në Kukës, Bulqizë etj. Pas publikimit të udhëzimit nga ana e Ministrisë së Arsimit, tashmë ngelet çdo gjë në tek kandidatët. Do të jenë këta të fundit të cilët do të vendosin për 10 preferencat e tyre, me të cilat do të konkurrojnë për në shkollën e lartë.

Si bëhet plotësimi

Fillimisht hapat adresa matura.akp.gov.al. më pas kandidatët klikojnë butonin “apliko” në dritaren diaoguese. Më pas do të hapet një dritare e re e cila do të kërkojë të dhënat e secilit. Mes tyre është edhe numri i personal i kartës së identitetit, i cili duhet të plotësohet saktë. Pasi të jenë plotësuar të gjitha, shtypet butoni “Identifikohu”. Nëse të dhënat janë të pasakta, do të dalë mesazhi “Maturanti nuk përkon me kartën e identitetit”, ndaj në këtë pjesë duhet bërë kujdes. “Fillimisht kontrolloni edhe njëherë saktësinë e të dhënave që keni shkruar dhe klikoni përsëri te butoni Identifikohu. Nëse ju shfaqet përsëri i njëjti mesazh, kjo do të thotë se për të bërë aplikimin online ju duhet të paraqiteni detyrimisht pranë Drejtorisë Arsimore të rrethit tuaj me dokumentin tuaj personal të identifikimit për të kryer aplikimin nën kujdesin e përfaqësuesit të Drejtorisë”-përcakton udhëzimi i MASH. Maturantët që nuk kanë bërë pagesën, nuk i kanë të hedhura të dhënat në sistem, ndaj nuk mund të aplikojnë. Sipas MASH, për suksesin e aplikimit me formularin A2 janë të rëndësishme jo vetëm llojet e programeve të studimit të përzgjedhura, por edhe renditja e tyre. “Pas përzgjedhjes të programeve të studimit të preferuara, maturanti/kandidati klikon mbi butonin ‘Dërgoje formularin’. Pasi të keni klikuar te ky buton, tek adresa e e-mailit të vendosur në fushën përkatëse do t’ju dërgohet një mesazh, i cili jep informacion për plotësimin e formularit A2 nga ana juaj”, thuhet në udhëzim. Formulari A2 mund të printohet nga maturanti nëse dëshiron të ketë një kopje në letër të preferencave të përzgjedhura.

Degët me konkurs

Të gjitha programet e studimit të Universitetit të Arteve, të Akademisë së Arteve Shkodër dhe të Universitetit të Sporteve të Tiranës, programet “Arkitekturë (Arkitekt)” dhe “Arkitekturë (Urbanist)” të Universitetit Politeknik të Tiranës, programet “Edukim Fizik dhe Sporte” të Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër, programi i studimit “Edukim Fizik dhe Sporte” të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, programet e studimit të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, programet e studimit të Akademisë së Arteve Shkodër, u nënshtrohen konkurseve të pranimit. Konkursi për programet e studimit të FASTIP (Universiteti i Durrësit) zhvillohet për njohuritë në gjuhën angleze si dhe intervistë punësimi. Për këto programe studimi në procesin e llogaritjes së pikëve të maturantit kandidat merren parasysh dhe rezultatet e konkurseve të pranimit.

Formulari A3

Duhet theksuar se me plotësimin e formularit A2 mbyllet faza e parë e konkurrimit për në universitete. Faza e fundit do të jetë me formularin A3, i cili do të plotësohet pas regjistrimeve të studentëve të rinj. Formulari A3 do të plotësohet nga të gjithë ata kandidatë që kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2. Do të kenë mundësi ta plotësojnë edhe maturantët që kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin e vjeshtës 2013. Po kështu do të plotësohet edhe nga ata kandidatë që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe u janë ekuivalentuar rezultatet e shkollës së mesme dhe provimet e Maturës Shtetërore si dhe ata që kanë plotësuar formularin A1Z në sesionin e dytë (të vjeshtës) dhe rezultojnë kalues në provimet me zgjedhje.

 

Datat për plotësimin e formularit A2

29.07.13         Tirana Qytet

30.07.13         Tirana Qytet

31.07.13         Tirana Qark, Kamëz, Kavajë, Durrës, Krujë

01.08.13         Elbasan, Peqin, Gramsh, Librazhd, Korçë, Pogradec, Kolonjë, Devoll

02.08.13         Fier, Mallakastër, Lushnjë, Berat, Kuçovë, Skrapar

03.08.13         Shkodër, M. e Madhe, Pukë, Lezhë, Kurbin, Mirditë

04.08.13         Vlorë, Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet

05.08.13         Kukës, Has, Tropojë, Dibër, Mat, Bulqizë

 

 

Tafaj: Personat me aftësi të kufizuara janë të diskriminuar

Personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri diskriminohen dhe nuk u respektohen të drejtat bazë që përcakton konventa e OKB-së për këtë shtresë. Kështu ka deklaruar presidenti i Aftësisë së Kufizuar, Sinan Tafaj. “Jemi të lumtur me konstatimin e Komitetit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, i cili ka pranuar pikë për pikë të gjitha pretendimet tona lidhur me cenimin shkeljen dhe mohimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Këto konstatime vijnë si një drejtësi e dhënë megjithëse vonë, mbi të gjitha ato protesta, përpjekje, mbi atë dhunë që është shtruar mbi ne, madje edhe para Kryeministrisë”, – tha Sinan Tafaj. Tafaj ka informuar të gjithë organizmat ndërkombëtarë lidhur me shkeljen e të drejtave të tyre nga qeveria dhe institucionet në varësi të saj, por nga ana tjetër ka denoncuar gjithashtu se dhe organet e tjera të pavarura, si ato të drejtësisë, janë të varura dhe të lidhura politikisht me qeverinë, ndërkohë që radhit shkeljet e bëra deri më tani, përfshirë mohimin e të drejtës së votës. “Mospagesat në kohë, reduktimi i tyre, shkëputja nga indeksimi me pagën minimale, përjashtimi nga ndihma ekonomike, mohimi i përfitimeve anësore në ndryshimin që iu bë ligjit për të verbërit dhe paraplegjikëve, të gjitha këto e kanë përkeqësuar jashtëzakonisht shumë situatën ekonomike të personave me aftësi të kufizuar. Është për të ardhur keq që megjithëse ne kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme dhe kemi kundërshtuar të tëra politikat që ka bërë Ministria e Punës apo Qeveria, institucionet e pavarura, përfshirë edhe gjyqësorin kanë kundërshtuar dhe i kanë dalë në krahë politikës, qeverisë”, – tha Tafaj.

 

I nxehti afrikan “kap” Italinë, të hënën do të ndihet në Shqipëri

Vapa e ditëve të fundit nuk do të ndalet me kaq. Pas një të nxehti që ka kapur pjesën më të madhe të Evropës ditën e hënë do të ndihet edhe në vendin tonë. Vapa ekstreme vjen nga Maroku e Mauritania shpjegojnë meteorologët të cilët kanë dhënë alarmin e kuq në 14 qytete që konsiderohen në rrezik ndërsa temperaturat arrijnë pikun të dielën sipas paralajmërimit të lëshuar dhe nga Ministritë e Shëndetësisë. Në 11 qendra të tjera urbane niveli alarmit është portokalli që nënkupton rrezik për kategori të caktuara. Temperaturat pritet të jenë në normë për këtë stinë vetëm në Katania dhe Bari. Termometri në Romë shënoi 38 gradë e një plan operacional është vënë në jetë për të shpërndarë ujë falas në metro dhe muze në orët më të nxehta nga ora 12 në 15. Masa janë marrë dhe në qytete të tjera ku janë ngritur qendra urgjencë si dhe janë venë në dispozicion numra telefoni për të siguruar ndihmë të shpejtë apo informacione rreth të nxehtit dhe problemeve të lidhura me të. Paralajmërime për një valë ekstreme të nxehti janë lëshuar dhe në Gjermani, ku ministria e Shëndetësisë i ka bërë thirrje popullsisë të ketë kujdes të veçantë. Në Berlin termometri shënoi 31 gradë, por meteorologët paralajmëruan rritje vertikale deri në afro 40 gradë celsius gjatë fundjavës. Autoritetet flasin për një korrent të nxehtë ajri me drejtim veri-jug i kombinuar me presion të lartë atmosferik që do të rrisë me disa gradë temperaturat.