Berisha: Rama pranoi se ka vjedhur 1250 vota në Lezhë, të vendosur për transparencë

0
139

Ina Jano

Kryeministri: Tërheqjen Rama e bëri vetëm se përsëritja e zgjedhjeve do të hapte rrugën për përsëritjen e tyre në Shkodër

PD: Rama kërkon të mbrojë mandatet e vjedhura, i trembet rivotimit

 

Kutite-e-votimitTërheqja e Partisë Socialiste për mospërsëritje të procesit zgjedhor në qarkun e Lezhës, për Kryeministrin Sali Berisha është pranim i tyre se zgjedhjet janë vjedhur. Në një reagim ditën e djeshme numri një i qeverisë, Berisha, shprehet se mandati i vjedhur i Lezhës, i Partisë Demokratike dhe 1250 votat janë një simbol i shëmtuar i 23 qershorit. Për liderin historik të së djathtës, tërheqja e kryesocialistit ka vetëm një shkak. Sipas Kryeministrit, Rama nuk do që të ketë një ndëshkim nga ky qark, për atë që ka bërë, për vjedhjen e votave dhe kjo është arsyeja e tërheqjes së tij. Zoti Berisha thekson se në zgjedhjet e 23 qershorit janë përdorur krimi dhe paratë e pista dhe për këtë arsye rezultati i tyre mund të quhet tërësisht i manipuluar, ndërsa nuk lë jashtë vëmendjes edhe qarkun e Shkodrës, ku gjithashtu ka pasur vjedhje votash. “1250 votat dhe mandati i vjedhur i Lezhes, simboli i shëmtuar i 23 qershorit! Të dashur miq, Edi Rama sot (dje) pranoi botërisht se ka vjedhur 1250 vota në Lezhë. Ai papritmas tërhoqi kërkesën e paraqitur në gjykatë për përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës pasi u gjet se në 14 kuti të këtij qarku kishte vjedhur me dhunë, terror dhe para droge 1250 vota dhe natyrisht me përsëritjen e zgjedhjeve, indirekt, u kërkohej ndjesë qytetarëve të Lezhës. Natyrisht, tërheqjen ai e bëri vetëm e vetëm se përsëritja e zgjedhjeve do të sillte ndëshkimin e tij shembullor nga lezhjanët për vjedhjen e votës me 23 qershor dhe do hapte rrugën për përsëritjen e tyre në Shkodër ku janë vjedhur rreth 700 vota dhe në qarqe të tjera. Por pavarësisht nga kjo tërheqje, zgjedhjet e 23 qershorit, rezultati i tyre, mbetën fund e krye të manipuluara. Hetimi dhe transparenca e zgjedhjeve aty ku janë përdorur krimi dhe paratë e pista janë vendimtare për stabilitetin e vendit. Përpara për votën e lirë të shqiptarëve! sb”, – shkruan kreu i ekzekutivit, i cili deri në fund të gushtit apo fillim të shtatorit do të jetë në krye të qeverisë.

PD

Nga selia blu, deputeti më i ri i partisë, Oerd Bylykbashi, njëkohësisht ekspert për çështjet zgjedhore, deklaroi se Rama i trembet rivotimit për qarkun e Lezhës dhe se të gjitha provat janë kundër tij. Në një kërkesë disa ditë më parë selia rozë ka kërkuar pranë Kolegjit Zgjedhor që të ketë një rivotim për këtë qark, ndërsa dje Damian Gjiknuri ka deklaruar tërheqjen e PS-së për këtë kërkesë. Duke e quajtur këtë akt një dëshmi të kompleksimit të Ramës, nga kapja në flagrancë e votave të vjedhura të 23 qershorit, Bylykbashi u shpreh: Tërheqja e tij fakton më së miri se ai i trembet përballjes me vullnetin real të zgjedhësve në qarkun e Lezhës të paintimiduar nga paratë dhe presionet e krimit dhe trafikut. Edi Rama duhet tu kërkojë ndjesë qytetarëve të qarkut të Lezhës dhe mbarë qytetarëve shqiptarë që u tjetërsoi vullnetin. Edi Rama duhet të kërkojë ndjesë dhe të dënojë kërcënimet banditeske që iu bënë përfaqësuesit ligjor të PD-së në KQZ për të cilat nuk u distancua asnjëherë duke faktuar se është bërë një me falangat që projektuan këtë akt të pashoq”. Më tej ai tha se Rama duhet t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve që ka përdhosur procesin zgjedhor dhe që ka diskretituar përpara gjithë botës procesin zgjedhor, që ka qenë i qetë dhe që është komplimentuar edhe nga ndërkombëtarët. “Tërheqja nga rivotimi në qarkun e Lezhës që pason tërheqjen nga kërkesa për pavlefshmërinë e rinumërimit të votave në qarkun Shkodër, dëshmoi se kryesocialisti Rama është i gatshëm të bëjë gjithçka për të mbrojtur mandatet e siguruara me vota të vjedhura dhe paratë e krimit më 23 qershor. Kjo tërheqje dëshmon qartë mungesën e sinqeritetit, keqbesimin dhe keqdashjen e Edi Ramës, kur për 2 vjet kërkoi transparencë pa asnjë provë, me qëllimin e vetëm bllokimin e integrimit evropian të Shqipërisë”, – deklaroi ligjvënësi demokrat. Për selinë blu transparenca mbetet mënyra e vetme që shqiptarët të ecin përpara në rrugën e zhvillimit dhe integrimit. Kjo është një detyrim madhor ndaj lirisë, dinjitetit dhe votës së lirë të çdo qytetari. “Kur vjedhja ka dalë në dritë, ai nxiton ta mbulojë atë me pretendimin absurd se po vepron në interes të vendit. Sot (dje) është e qartë për çdo shqiptar e vërteta e hidhur mbi të cilën u ndërtua mazhoranca e mashtrimit dhe e votave të vjedhura.

Partia Demokratike mbetet e vendosur si kurrë më parë të ndjekë deri në fund dhe përkundër çdo presioni anti-institucional rrugën e transparencës së plotë të asaj çka ndodhi më 23 qershor në Lezhë, Shkodër e kudo tjetër. Ky është një detyrim madhor ndaj lirisë, dinjitetit dhe votës së lirë të çdo qytetari shqiptar”, – përfundoi eksperti zgjedhor i PD-së.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency