Në bazë të madhësisë së familjes do të përcaktohet edhe kredia që do të jepet
Dokumentet që duhen dorëzuar pas miratimit të emrave
Janë më mijëra familje të cilat presin të marrin kredi nga këshillat bashkiakë. Pjesa më e madhe e tyre nuk kanë arritur të marrin përgjigje nëse kanë përfituar apo jo për shkak të vonesave që janë bërë nga këshillat e bashkive përkatëse. Sipas të dhënave, në fillim të muajit shtator kur do të zhvillohen mbledhjet e këshillave, vendimet e para që do të miratohen, do të jenë kalimi i emrave të pastrehë të cilët do të marrin kredi. Do të jenë dy kriteret kryesore për të qenë fitues. I pari do të jetë që aplikanti të mos ketë banesë në pronësi si dhe të ketë të ardhura mujore brenda kufijve të miratuar nga institucionet përkatëse. Duhet theksuar se pa u miratuar në këshill, asnjë i pastrehë nuk mund të përfitojë kredi. Numri i aplikuesve gjatë vitit 2013 është disa herë më i lartë se një vit më parë. Midis familjeve që kërkojnë të marrin kredi si të pastrehë ka dhe nga ata që kërkojnë të “përfitojnë”. Pavarësisht se nuk janë të pastrehë shumë abuzues aplikojnë për të përfituar kredi. Në vitet e mëparshme janë zbuluar dhjetëra raste të tilla të cilat nuk janë miratuar nga komisioni përkatës.
Përzgjedhja e fituesve
Klasifikimi i kërkesave për strehim bëhet nëpërmjet sistemit të pikëzimit, i cili miratohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore për çdo projekt më vete. Komisioni i strehimit harton listën e familjeve përfituese mbështetur në klasifikimin e kërkesave, të cilën ia paraqit zyrës së strehimit në njësinë e qeverisjes vendore. Zyrat e strehimit në njësitë e qeverisjes vendore, brenda 10 ditëve nga data e seleksionimit të përfituesve, njoftojnë familjet, që përfitojnë nga programet specifike të strehimit, si dhe ato që nuk kanë përfituar. Familjet, që nuk kanë përfituar, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e njoftimit, kanë të drejtën e ankimimit pranë organeve të qeverisjes vendore. Familjet mund ta refuzojnë formën e strehimit dhe të mbeten përsëri në listën e pritjes, vetëm kur nuk u janë plotësuar kushtet e strehimit, sipas normave në fuqi. Në rast të kundërt, u hiqet e drejta për aplikim dhe u fshihet emri nga lista e pritjes. “Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore ose personi i autorizuar prej tij, brenda 10 ditëve nga përfundimi i afatit 30-ditor për ankimim, trajton ankesat e paraqitura dhe komisioni i strehimit harton listën përfundimtare të familjeve përfituese, të cilën ia paraqet zyrës së strehimit”, – thuhet në njoftimin e miratuar nga qeveria.
Dokumentet që duhen dorëzuar pas miratimit
-certifikata e lindjes dhe certifikatën e gjendjes familjare
-vërtetimi për vendbanimin në bashkinë ku kërkohet strehimi ose lejen e banimit, për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit
– vërtetimi i të ardhurave neto të familjes
– dokumentacioni përkatës nga punëdhënësi për detyrën dhe të ardhurat e aplikantit e të personave të tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune
– dokumenti nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, për të gjithë anëtarët e vetëpunësuar të familjes
– vërtetimi nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të qeverisjes vendore për anëtarët e familjes, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar
– vërtetimi nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë
– vërtetimi nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension
– vërtetimi nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis, që mund të përdoret si e tillë
– vërtetimi nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat në fuqi të strehimit
– vërtetimi nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të vendit të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi
– dokument zyrtar i celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës, për çiftet e reja
– vendimi i gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara
– vërtetimi përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit
– vërtetimi i Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të Aftësisë së Kufizuar, për individë me aftësi të kufizuara, që trajtohen sipas shkronjës “i”, të shkronjës “c”, të nenit 5, të ligjit nr. 9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, i ndryshuar.
– dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”
– dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Policisë së Burgjeve
– dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës në familje.
Shuma e kredisë
31 618 lekë – 52 684 lekë për familjet të përbëra nga 1- 2 persona
42 593 lekë – 67 672 lekë për familjet të përbëra nga 2-3 persona
55 055 lekë – 86 153 lekë për familjet të përbëra nga 3-4 nga persona
69 748 lekë – 109 875 lekë për familjet të përbëra nga 4-6 persona
Nis plotësimi i formularit A2 në Tiranë
Ka filluar ditën e djeshme plotësimi i formulari A2 në qarkun e Tiranës. Agjencia Kombëtare e Provimeve bën me dije se afati i fundit që do të kenë maturantët në këtë zonë do të jetë data 31 gusht. Pas aplikimit në qarkun e Tiranës, do të jenë maturantët e rretheve që do të plotësojnë formularin dhe i gjithë procesi do të mbyllet në 5 gusht. Sipas drejtorit të AKP-së, Alfons Harizaj, ata maturantë që nuk do të arrijnë të plotësojnë formularin në kohë, do të kenë një tjetër afat pas datës 5 gusht. Sipas Harizajt, formulari mund të dërgohet vetëm një herë dhe kandidatët duhet të kontrollojnë të dhënat përpara se ta dërgojnë atë. “Kur përfundon dhe dërgon formularin, maturantit i shkon në adresën e vet të email njoftimi për veprimin që ka bërë. Veç kësaj, ai mund të bëjë një print të kopjes që ka plotësuar dhe ta mbajë si provë në çdo rast. Gjatë plotësimit të formularit ai duhet të kontrollojë dhe njëherë të dhënat e vete personale që kanë të bëjnë me gjeneralitetet. Duhet të kontrollojë rezultatet që janë shpallur me ato që ka. Dhe në çdo rast pas aplikimit ai duhet të mbajë shënim gjithçka që nuk shkon. T’i replikojë tek Drejtoria Arsimore përkatëse dhe Agjencia Kombëtare e Vlerësimit”, – thekson drejtori i AKP-s.
Sipas Harizajt ka disa programe studimi që janë shtuar, dhe në total formulari A2 ka 334 programe studimi për të gjitha universitetet publike. Në ndryshim nga vitet e tjera pritet që fituesit në universitete të dalin në fund të muajit gusht.
Hungaria, bursa për studentët shqiptarë
Vazhdojnë bashkëpunimet e Shqipërisë me vendet e Bashkimit Evropian për t’u dhënë mundësi të rinjve shqiptarë të studiojnë jashtë. Pas bashkëpunimeve me pjesën më të madhe të shteteve të huaja është arritur marrëveshja dhe me Hungarinë.
“Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh me Zvicrën dhe Hungarinë në fushën e arsimit, Fondacioni Familjar Zviceran “Theres Vogt” ofron 3 bursa për studime master në Marrëdhënie Ndërkombëtare – Studime Evropiane për vitin akademik 2013-2014 pranë Universitetit Gjermanishtfolës Andrassy në Budapest Hungari për shtetas të vendeve të Evropës Qendrore dhe Juglindore, veçanërisht nga Ballkani Perëndimor. Kandidatët duhen të kenë mbaruar ciklin e parë (bachelor) ose të dytë (master) të studimeve dhe të njohin gjuhën gjermane”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit. Të interesuarit për këto bursa studimi duhet të dërgojnë deri më datë 15.8.2013 në formë elektronike në adresën zoltan.pallinger@andrassyuni.hu dokumentet, Curriculum Vitae, kopje të diplomës dhe listës së notave, formularin e plotësuar nga kandidati.