S’pranon të shkojë në punë, qëllon me thikë babain dhe vëllain

0
258

Sonja Caka

Ndërhyn policia e Krujës, arrestohet në kohë autori Mirgen Emini. Thirrja e policisë: Qytetarë, njoftoni për çdo ngjarje që konstatoni, ndihmoni në shmangien e krimeve brenda familjes

 

(u40u)thika_286654117Parandalohet në kohë një tjetër krim brenda familjes. Djali ngre dorë ndaj babait dhe vëllait të tij, njërin duke e dëmtuar lehtë në dorë, ndërsa tjetrin duke e plagosur rëndë në kokë. Shkak raportohet një grindje banale mes autorit dhe babait e vëllait për shkak se babai i fliste djalit të madh të familjes të shkonte në punë dhe ky i fundit refuzonte. Zënka me fjalë ka degjeneruar në përdorimin e armës së ftohtë nga 32-vjeçari, i cili ka qëlluar fillimisht vëllain në kokë dhe më pas të atin në dorë. Policia e Krujës, e njoftuar për ngjarjen, ka mbërritur në kohë, duke vënë në pranga autorin Mirgen Emini, ndërsa janë transportuar për në spital dy të dëmtuarit, babai dhe vëllai. Akuza që rëndon tashmë ndaj 32-vjeçarit është ajo e “Vrasjes së mbetur në tentativë brenda familjes” në dëm të vëllait dhe babait. Gjatë marrjes në pyetje të familjarëve të Eminit, por edhe vetë agresorit, policia ka zbardhur edhe detajet e zënkës mes 32-vjeçarit dhe të atit, dhe më pas përfshirjen edhe të vëllait më të vogël.

Ngjarja

Policia e Krujës bën me dije se ngjarja e rëndë, e cila mund të merrte përmasa më tragjike nëse nuk do ishte ndërhyrë në kohë nga uniformat blu, ka ndodhur rreth orës 09:45 në banesën e familjes Emini, në lagjen Kovaçe të Krujës. “Përgjatë një konflikti mes familjarësh, Mirgen Emini ka qëlluar me thikë vëllain (të cilit i ka shkaktuar plagë në kokë) dhe babanë e tij”, – bëri të ditur zyrtarisht policia. Sipas policisë së Krujës, falë njoftimit në kohë dhe shpejtësisë në ndërhyrje nga strukturat e komisariatit të policisë Krujë, u arrit të parandalohej përshkallëzimi i mëtejshëm, i cili mund të çonte drejt pasojave fatale për familjen Emini në qytetin e Krujës. Të njoftuar për konfliktin, shërbimet e policisë së Krujës të mbërritura menjëherë në vendngjarje, kanë ndërhyrë duke bërë të mundur neutralizimin e 32-vjeçarit, i cili ndërkohë po vijonte veprimet e tij të dhunshme ndaj personave të përfshirë në konflikt. Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë bllokuar armën e ftohtë. Me kryerjen e veprimeve të para hetimore, materialet procedurale për këtë ngjarje iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Krujë për veprën penale të “Vrasjes së mbetur në tentativë brenda familjes”.

Shkaku

Nga të dhënat e para hetimore mësohet se konflikti brenda familjes ka nisur për motive banale dhe të çastit, ndërkohë që babai 55-vjeçar i kërkonte djalit të tij të shkonte në punë dhe ky i fundit kundërshtonte. Në debat është përfshirë edhe djali më i vogël, 24 vjeç, i cili është goditur me thikë në kokë nga vëllai i tij i madh, ndërsa babai i djemve ka marrë plagë në duar. Fatmirësisht dy të dëmtuarit janë jashtë rrezikut për jetën në spital, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Apeli

Përfshirja e komunitetit në njoftimin e ngjarjeve të ndodhura brenda familjeve, ku policia e ka të pamundur të marrë informacion nëse nuk ka njoftim, ka bërë që të evitohen ngjarjet tragjike. Sipas policisë së qytetit bregdetar të Durrësit, ngjarja e Krujës radhitet e disata në qarkun e Durrësit ku ndërhyrja e shërbimeve të Policisë, njoftuar në kohë nga komuniteti, ka çuar drejt parandalimit të përshkallëzimit të pasojave lidhur me situata brenda familjes apo konflikte të ndryshme. “Për këtë arsye gjejmë rastin të inkurajojmë komunitetin drejt kësaj fryme përgjegjshmërie qytetare” përfundon apeli i policisë së qarkut Durrës.

 

Vendimi

Vjedh rroba në një qendër tregtare, dënohet me 100 mijë lekë gjobë gruaja

Shkon gjasme për të blerë në një qendër tregtare dhe me vete kishte marrë gjithë pajisjet që duhen për të çmontuar materialin antivjedhje. Por, për fatin e saj të keq, një grua, nënë e dy fëmijëve, është konstatuar nga shitësja e dyqanit, e cila ka njoftuar punonjës të tjerë të dyqanit që gjendet në një nga qendrat më të mëdha tregtare në vend. Pasi është kontrolluar çanta e saj, para punonjësve të dyqanit dalin në dritë jo vetëm sendet e vjedhura, por edhe materialet e përdoruara për të shkëputur sinjalin e antivjedhjes. Prokuroria e dërgon dosjen në gjykatë dhe kjo e fundit e dënon të pandehurën Elisjana Bala me 100 mijë lekë gjobë, pasi më parë ajo kishte shprehur pendesë dhe ishte pranuar aplikimi i gjykimit të shkurtuar. Sipas vendimit të gjykatës, më 1 prill, në komisariatin nr. 1 ka depozituar një kallëzim shtetasja Juliana Hoxha. Nga kallëzimi rezulton se kjo shtetase punon në qendrën tregtare “TEG” si shitëse ne dyqanin “Waikiki” që administrohet nga shtetasi turk Mazli Yildrin. Po në këtë datë, rreth mesditës, kallëzuesja ka shkuar për të vëzhguar dhomën e provës dhe aty ka parë një vajzë dhe pikërisht të pandehurën Elisjana Bala, e cila mbante në dorë një palë xhinse të butikut, të markës “Xside” dhe në moment i ka rënë nga xhepi i xhinseve që mbante në dorë sinjali kundër vjedhjes dhe dëmtimeve, i cili duhet të ishte ngjitur me xhinset. Po kështu, tek stenda përballë, kallëzuesja ka vërejtur një fustan me ngjyrë të bardhë. Në kushtet kur kallëzuesja ka konstatuar heqjen e sinjalit kundër vjedhjes nga xhinset, në ushtrim të detyrës së saj, i ka kërkuar të pandehurës ta kontrollonte por ajo nuk ka pranuar, duke mbyllur derën e dhomës së provës. Kur ajo ka dalë, kallëzuesja ka vënë re se ajo mbante një palë xhinse pa sinjal, si dhe një rrip fustani dhe duke dyshuar për veprën penale të “Vjedhjes” ajo ka njoftuar kolegun e saj, shtetasin Kliton Stefa dhe ka mbajtur shtetasen Elisjana Balla që të mos largohej nga dyqani. Kështu shtetasi Stefa dhe menaxheri i dyqanit Jetmir Shoshi kanë kontrolluar çantën e të pandehurës dhe kanë gjetur xhinset, një etikete me shkrim “Xside”, një kaçavidë, një palë gërshërë, dy qese me ngjyre blu me shkrimin “Waikiki” dhe një tjetër me ngjyrë rozë me shkrimin “Pink Woman”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency